Radar
Kush është Përparim Rama, kandidati i LDK për Prishtinën!

Përparim Rama është emri që ka propozuar kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku për kandidat të Bashkisë së Prishtinës. Një emër që i bën nder kandidimit për qytetin të cilin ai nuk e ka harruar kurrë, pavarësisht angazhimit ndërkombëtar.

Kush është Përparim Rama!
Përparim Rama lindi më 20.01.1976. Ka shtetësi kosovare dhe britanike. Është me profesion arkitekt, ndërsa kualifikimet akademike dhe profesionale i kreu në Londër, nga ku hapi një kompani të quajtur “4M Group’’, e cila merret me arkitekturë dhe dizajnime.

Ai është arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Ai ka deklaruar se është vlerësuar me disa çmime, ndërkaq puna e tij është botuar në disa revista ndërkombëtare të dizajnit përfshirë “London Building Design Magazine”. Ai ishte këshilltari specialist i “Newham Council’’ dhe “Tower Hamlets’’ në Londër për zhvillimin e mjeteve për planifikimin e hapësirës dhe arkitekturës për Lojërat Olimpike 2012 në Londër. Rama ishte zgjedhur në pozicionin e kuratorit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës së Venecias në Itali në vitin 2012.


Rama ka punuar këshilltar edhe në aeroportin e Southamptonit në Angli, teksa ka përvojë si mësues në shkollën e arkitekturës në Universitetin e Nottinghamit. Ai është gjithashtu këshilltar/kritik për marrjen e diplomave dhe MSc i Shkencave të Projektimit dhe Konfigurimit të Kompjuterit në Universitetin Lindor të Lonsdrës, pozicion të njëjtë që mban edhe në Shoqatën e Arkitekturës.

Përvoja e tij në këto fusha është mbi 20-vjeçare. Rama ishte udhëheqës i ekipit të projektit master plan për zhvillimin e fshatit “Dhërmi’’ prej 10 hektarësh në jug të Shqipërisë. Ai ishte udhëheqësi për hartimin e planit rregullues për Prishtinë.

Veprat e Ramës kanë bërë që mediumet e njohura botërore të interesohen për të. Gjashtë vjet më parë, ai dha një intervistë për CNN-in, duke rrëfyer sakrificat e tij si një refugjat në Britani, kur u largua nga Kosova qysh në moshën 16-vjeçare:
“Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pash të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, pati treguar Rama. “Familjes time iu lanë vetëm 5 minuta në dispozicion për të marrë ç’të kishte mundësi e të largohej. Kështu që mamaja ime mori vetëm një album fotografik të familjes dhe babai, si një piktor dhe pedagog artesh, mori punimet e tij më të mira. Prej aty shkuan në Maqedoni dhe më vonë për në SHBA”


Përparim Rama është parë shpesh në Tiranë në takim me kryebashkiakun Erion Veliaj që ai e quan mik të vjetër dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës së mrekullueshme./dritare.net
