Kioske
Poshtë populli, rroftë humbja
Nga Habjon Hasani
Një orë pasi ishte mbyllur votimi, në mbrëmjen e 25 Prillit u konsumua një prej kurtheve më inteligjente mediatike, kurth në të cilin opozita ra menjëherë viktimë, duke u vetëshfaqur si entitet naiv në ato momente kulminante.
Kurthi ishte pak a shumë në këtë skenar: Baton Haxhiu shkoi në Top Channel për të prezantuar një “Exit Poll” që sugjeronte se Partia Demokratike kishte fituar Tiranën me një avantazh domethënës.
Në fakt, i njëjti Baton, e dinte shumë mirë se shifrat e atij “Exit Polli” ishin truk mediatik, pasi Batoni si pak kush tjetër, që prej muajit Nëntor 2020, ka pasur dijeni të plotë mbi sondazhet e brendshme të Partisë Socialiste që realizoheshin nëpërmjet një kompanie rumune, tepër precize dhe efikase.
Batoni e dinte shumë mirë se sondazhet e brendshme të kompanisë rumune sugjeronin se që prej muajit shkurt, se ishte pikërisht Tirana ajo që konfirmonte se opozita nuk kishte krijuar dot frymë, sepse “Tirona e ndryshimit”, nxirrte në avantazh socialistët e Edi Ramës.
Këtij skenari iu bashkua dhe kryeministri Edi Rama, ai luajti rolin edhe më mirë se Batoni, doli para medias dhe deklaroi atë natë ca fjalë për numërimin e votës dhe pranimin e rezultatit, fytyra e Ramës shfaqej e zymtë, e lodhur, dukej sikur Ramën e kishin “dërrmuar” Exit Pollet e Batonit, dukej sikur Batoni kishte kapur në befasi Edi Ramën. Qehajai befas kishte shpallur humbjen e të Zotit në Tiranë, pikërisht në televizionin më besnik të Ramës, në Top Channel.
Kaq u desh dhe në rrjete sociale plasi festa, figura të opozitës, portale të lidhura me të, ia nisën këngës e valles, madje filluan dhe meme që tallnin Erion Veliajn si mëkëmbës i fushatës socialiste për Tiranën.
“Po paguan haqet e teatrit”, – thonin disa. Ndërsa dikush tjetër në studio televizive, ndërsa i referohej karremit të Batonit, deklaronte me të madhe se këto zgjedhje ishin një shenjë e fortë refuzimi për Erion Veliajn.
Mirëpo kishte një problem: Nuk ishte numëruar ende asnjë votë.
Mëngjesi i datës 26 Prill, fliste për një trend triumfues të socialistëve, trend që u ruajt deri në fund të numërimit. Befas, ata që kishin kënduar dhe hedhur valle një natë më parë, të tronditur dhe të zënë në çark nga skenari i Batonit, nisën të shfaqnin një simptomë edhe më idiote se këngët dhe vallet, ata hodhën tezën e re:
“Po prisni more djema, se janë numëruar vetëm kutitë e bastioneve të Ramës, kutitë tona vijnë pak më vonë”.
Kjo është dhe kategoria më idiote ndër ata që hëngrën karremin, sepse tjetër gjë është të të mashtrojë Batoni, por është komplet tjetër gjë kur dikush me idiotësinë e tij të mashtrojë publikisht militantët e vet që ndiqnin me ankth numërimin.
E vërteta është se kutitë numërohen sipas një rendi të përcaktuar ligjor dhe nuk ka asnjë mundësi që Rama apo Basha të orientojnë njërën kuti para tjetrës.
Ata, që të dielën në mbrëmje deklaronin se Veliaj mori fund meqenëse kështu u kishte thënë Batoni, dolën mesditën e së hënës duke mashtruar si idiotë për kutitë e bardha dhe kutitë e zeza.
Brenda 24 orësh, operacioni mediatik i Ramës kishte nxjerrë dy herë blof ideologët e opozitës; herën e parë si viktima të Batonit, ndërsa herën e dytë si idiotë mitomanë që i ndanin kutitë në “ato të Ramës” dhe “ato të Bashës”.
Ky operacion mediatik ishte një dërrmim i kalkuluar i kundërshtarit, për ta nxjerrë leshko, të dëshpëruar, një hap pas e një hap anash.
Sot, kjo kategori ideologësh opozitarë që u tall nga Rama dy herë brenda 24 orësh, ka nisur të fajësojë popullin, që sipas saj nuk është në terezi. Shenjë e qartë e mohimit të realitetit, tronditjes psikike dhe paaftësisë totale për të përballuar presionin që sjell humbja dhe befasia.
****
Gjykoj se ende nuk është momenti për një analizë të ftohtë dhe racionale mbi kuptimin që kanë këto zgjedhje, sidomos për shkak të kohës që duhet për të analizuar dhe krahasuar shifrat dhe pamundësisë për të kuptuar në këtë moment se deri ku shkon marzhi i gabimit apo i manipulimit.
Por nga këto zgjedhje ka dy konkluzione që mund të thuhen menjëherë:
- Opozita nuk krijoi dot frymë, pa kauzë, pa busull.
- U thye miti se rotacioni 8+8 është një ligj i pashkruar.
E kam shumë të thjeshtë të nis e të numëroj defekte të Lulzim Bashës, me dhjetëra gabime strategjike apo teknike që ai ka bërë në 4 vitet e fundit. Por nuk do e bëj këtë gjë, sepse mendoj që problemi nuk është vetëm i liderit, por është problem sistemik i kupolës, në PD dhe LSI.
Ka një dallim thelbësor ndërmjet PD/LSI dhe PS-së dhe gjykoj se është pikërisht ky dallim që e pengon PD-në dhe LSI-në të krijojnë frymë dhe besim.
Partia Socialiste është si një shoqëri aksionere me disa grupe interesi në kupolën e saj. Kryetari është menaxher i këtyre grupimeve dhe rrymave, dallimi mes të cilave që në ndonjë rast daton që nga ndasitë dhe klanet e Luftës Partizane. Mirëpo këto klane dhe pse ndonjëherë janë në luftë të ashpër me njëri tjetrin, dinë të bashkëjetojnë dhe të ndajnë aksionet.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë një tjetër formë organizimi, ato duken si shoqëri private me një aksioner, me 100% të aksioneve në një dorë dhe të ndërtuara nëpërmjet parimit të pronësisë biologjike familjare, ç’ka i bën më primitive në raport me Partinë Socialiste. Ky primitivitet në fakt është tabani i problemit, që i pengon të krijojnë frymë dhe të kultivojnë besimin te ai 25 për qindëshi i elektoratit gri që zakonisht refuzon të votojë.
Në këto kushte, nuk ka rëndësi fare si quhet kryetari i PD apo ai i LSI, është konfigurimi sistemik ai që i bën primitivë dhe jo thjesht emri i kujt është në krye apo formalisht në krye.
Thënë kjo, është e kuptueshme se Edi Rama posedon një avantazh strategjik afatgjatë, sepse i ka kundërshtarët më primitivë, ndërsa primitiviteti i skualifikon nga mundësia për të tërhequr elektoratin e pavendosur dhe për të bërë diferencën në vota.
Organizimi biologjik familjar i PD dhe LSI me kalimin e kohës ka sjellë një moçal në strukturën organizative të këtyre partive dhe në kultivimin e brendshëm.
Në vitin 2019 Partia Demokratike bojkotoi zgjedhjet lokale, por ky bojkot maskoi një detaj të rëndësishëm:
Në rast se PD do futej në zgjedhjet locale 2019, kush do ishte figura që do mund të rivalizonte Erion Veliajn?
PD nuk kishte kultivuar dot asnjë figurë me peshë dhe reputacion në Tiranë, në gjendje për ta mposhtur Veliajn. Nëse do kishte, do ishte dukur të paktën që prej vitit 2018, sepse profili publik i një kandidati për Bashkinë e Tiranës nuk mund të shpallet muajin e fundit, ai kultivohet shumë kohë më parë.
Fakti që PD nuk gjente dot mes radhëve të saj një kandidat që do mund të rivalizonte seriozisht Veliajn, është treguesi më preciz i shterpësisë së kësaj force politike për të prodhuar dhe kultivuar figura dhe investime në afatgjatë.
Në LSI, situata paraqitet dhe më dramatike. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë të bindur se ka një konspiracion ndaj tyre, sidomos në rrafshin ndërkombëtar, nën dirigjimin e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, Soros.
Unë jam dakord me ta. Kështu më rezulton dhe mua, që një pjesë influente e Soros e do të shkrirë LSI-në. Mirëpo pikërisht në këtë moment mirëkuptimi me dyshen Meta-Kryemadhi, përballem me një paradoks absolut.
Ndërsa Meta-Kryemadhi janë të ndërgjegjshëm që kanë kundërshtar një superstrukturë globale si Soros, me kapacitete të jashtëzakonshme në burime njerëzore, agjenci të specializuara dhe dollarë, ata nga ana tjetër kanë zgjedhur që t’i përgjigjen kësaj superstrukture me një tufë çiliminjsh ose servilësh të dalë boje.
Është njësoj sikur hasmi yt të vijë me tank, ndërsa ti të shkulësh llastikun e brekëve për t’iu përgjigjur me llastiqe.
Ky paradoks ka dëmtuar në palcë dhe të vërtetën e thjeshtë që Meta ka artikuluar për Fondacionin Soros, sepse çdo njeri me dy pare mend do pyeste:
E për çfarë të luftoka Sorosi ty? Për ata kalamajtë që mban të partia, apo për eunukët që mban në Presidencë?
Ndonëse kam bindjen se Fondacioni Soros është i investuar në goditjen e LSI-së, moçali që ka krijuar rreth vetes Meta-Kryemadhi, është shumë herë më i dëmshëm se çdo dëm që do të mund t’i bënte ky fondacion.
Për të kuptuar se deri ku shkon thellësia e moçalit po sjell dy shembuj:
-Monika Kryemadhi deklaroi para zgjedhjeve se Covidi nuk ekzistonte sipas saj, ndërsa pak ditë para se të fillonte fushata elektorale, ajo bëri një status në fejsbuk ku shprehte hidhërimin për ndarjen nga jeta të një bashkëpunëtori të çmuar të saj, që humbi jetën nga Covidi.
-Gjatë fushatës elektorale një prej njerëzve më aktivë të Kryemadhit në Tiranë, njëkohësisht dhe kandidat, financoi një fushatë në rrjete sociale për të goditur vaksinën “AstraZeneca”. Dy ditë më vonë rezultoi se kjo vaksinë ishte tërësisht funksionale, ndërsa torollaku që financoi këtë operacion e harroi çorbën që kishte gatuar me vaksinën dhe nisi të merrej me video selfie me Ujkun e Tironës.
Është luks i madh që ndërsa qytetarët dhe votuesit potencialë kanë pritshmëri maksimale për vaksinën, ti të dalësh fiasko dhe jashtë orbite me deklarata si ato të tipit “koviçi nuk ekziston” apo të autorizosh torollakë e kleptomanë lokalë që të trajtojnë çështje që lidhen me konkurencën globale në farmaceutikë dhe “AstraZenecan”.
Nuk ka nevojë të shpenzosh miliona për të shmangur këto gabime, mjafton të mos rrethohesh nga torollakë dhe llum.
Fatkeqësisht as Rama s’mund të jetë alibi në këtë rast, sepse Rama dhe sikur të kishte shpenzuar miliona për ta bërë LSI-në të dukej e papërgjegjshme, nuk do ia arrinte dot siç ja arritën vet ata të LSI-së me qëndrimin për vaksinat.
Nuk ka nevojë të zgjatem për të komentuar ç’akordimin total të Presidentit Meta dy javët e fundit të fushatës elektorale, por në këtë pikë dua të shpreh një ndjesi personale:
Unë besoj se Ilir Meta nuk është ai tipi që bën çdo dy orë statuse në Facebook si gratë e lagjes, unë dua të besoj se Ilir Meta është ai politikani i matur dhe popullor që nuk mban fare rrjete sociale, e që flet mendueshëm, e me maturi. Dua ta konsideroj si një moment lajthitje, si një përjashtim nga rregulli këtë që më panë sytë me transformimin e Metës, sikundër dua ta shoh të rrethuar nga njerëz që e kritikojnë me maturi dhe jo nga puthadorë që i shkojnë nga pas çdo kapriçoje apo mllefi të tij.
Nëse Meta ka humbur aftësinë për të dëgjuar zërat dashamirës dhe kritikë, më mirë të fillojë e të punojë si instruktor palestre, në palestër s`ka kush e kritikon, të gjithë do përdridhen sipas direktivave të tij.
Thënë këto, e kam shumë të vështirë të besoj ata që u peshkuan nga “exit pollet” e Batonit teksa i shoh sot që kanë vënë në shënjestër Aqif Rakipin apo Tom Doshin.
Tom Doshi mund të ketë një problem me Ambasadën Amerikane, por unë e di për fakt se shumë njerëz në Shkodër kur kanë pasur probleme shëndetësore nuk kanë kërkuar ndihmë te ambasadorja Yuri Kim, por i kanë telefonuar Tom Doshit.
Unë e di për fakt se doktori që kandidoi për Tomën në Korçë është një ndër njerëzit më të dashur dhe me më shumë ndikim në atë zonë dhe as ka pas fare nevojë të paguajë ndonjë lek nga xhepi, sepse ka 20 vite që u përgjigjet nevojave të asaj zone më shumë se çdo politikan.
Patjetër që Toma dhe Qifja kanë disbursuar dhe lek në ndonjë zonë, por mendoj se votat e tyre janë strukturore dhe reputacioni i tyre është real. Mendoj se monedha e tyre më e besueshme është korrektesa, fjala e mbajtur dhe jo thesi me miell.
Është në të drejtën e opozitës që të kërkojë hetimin e çdo ndikimi kriminal, të zbardhë sa më shumë të mundet sidomos atë ngjarjen e Elbasanit, sepse kam bindjen që Arbër Papleka po qëndron padrejtësisht në burg dhe duhet mbrojtur e kujdesur për të. Kam bindjen që Arbër Papleka ka parandaluar një kasaphanë që u nxit nga dhëndri i Pjerin Xhuvanit, i cili vepronte në zonë nën garancitë e një prej bandave më të egra dhe më primitive, nën mbrojtjen kriminale të policisë dhe prokurorisë, banda e Suel Çelës.
Sikundër, po pres nëse verifikimet e hetimit për ngjarjen e Elbasanit do zbulojnë nëse ato furgonat e bardhë të PD-së, janë marrë me qira nëpërmjet një pagese të faturuar nga Elvis Martinaj.
Ndoshta ka shumë më shumë se kaq për t’u sqaruar në ditët në vijim, por gjykoj se asnjë episod elektoral, nuk mund të shërbejë si pretekst për të maskuar deformimin strukturor të opozitës dhe primitivizmin e saj në kupolën biologjike.
Aq më pak pastaj mund të kuptoj thirrjet e tipit:
Poshtë populli, rroftë humbja.
Këto lloj thirrjesh dhe qëndrimesh nuk kanë asnjë lidhje me politikën, duhet të jenë objekt i punës të ndonjë psikiatri.