Lidhu me ne

Radar

Krimet e Komunizmit- Torturat e Sigurimit të Shtetit mbi gratë e internuara

Kjo database përbën pasurinë bazë statistikore të qendrës. Këto materiale përfaqësojnë statusin e të përndjekurit politik. Në këtë qendër janë vizituar rreth 20 mijë të persekutuar politikë, të cilët kanë dëshmuar emrat e krimit komunist, torturat e burgjeve komuniste, post-traumën e tyre në 16 vite të demokracisë. Ish-të përndjekurit rrëfejnë torturat, inskenimet e akuzave politike dhe jetën e tyre pas rifitimit të lirisë, që tashmë përbëjnë dosjen e gjallë të regjistruar me kamera dhe diktofonë. Çdo gjë është regjistruar në shirit diktofoni dhe me kamera. Duke ndjerë akoma frikën e persekutimit, emrat e të përndjekurve që dëshmojnë, janë me kode, sidomos kur ata denoncojnë krimin dhe emrat. Emrat e persekutorëve të tyre thuhen hapur, pa drojë, por duke kujtuar gjithçka si ditën që ka ndodhur. Asgjë nga memoria e tyre nuk është fshirë. Janë të vërteta që asnjëherë nuk janë thënë dhe pohojnë se do të duheshin libra të tërë për të shkruar detajet nga më të llahtarshmet nëpër hetuesi dhe burgje. Mbi këto dëshmi, Instituti i ish-të Përndjekurve Politikë ka hartuar plot 200 dosje, të cilat kanë brenda të vërteta drithëruese, emra njerëzish që kanë sajuar vrasje e internime pa fund, për arsye nga më të ndryshmet.

Në kuadrin e mbledhjes së këtyre dëshmive për evidentimin e torturës, për të hedhur sadopak dritë mbi pasojat e persekutimit gjatë viteve të diktaturës, si dhe për të mos lënë në harresë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë, u formuluan nga Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit dhe u shpërndanë një numër pyetësorësh (500). Këta pyetësorë u shpërndanë me ndihmën e Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë në gjithë territorin e vendit. Pyetësorët e shpërndarë kishin për synim të evidentonin gjendjen social-ekonomike të ish-të përndjekurve politikë, të nxirrnin në pah pasojat psikologjike te viktimat e persekutimit politik. Por si do të administrohet ky dokumentacion i gjallë? Për aq kohë sa procesi i zbardhjes së krimeve vazhdon, këto do të shërbejnë si prova e dëshmi të krimeve të diktaturës.

Për njeriun që i ka vuajtur vetë mbi kurriz pasojat e diktaturës, këto dëshmi janë gjithashtu edhe kundërvënia ndaj dosjeve të falsifikuara të historisë komuniste, që mbajnë peng dhe sot. Ish-të përndjekurit politikë sot shqetësohen më tepër për situatën e tyre ekonomike dhe marrëdhëniet familjare, sesa për vuajtjet që kanë përjetuar në të kaluarën. Persekutimi i gjatë politik nga njëra anë ka lënë pasoja në nivelet e izolimit dhe vetëvlerësimit, ndërsa nga ana tjetër ka ndikuar edhe në nivelin e besueshmërisë së tyre. Kjo lidhet ngushtë me mënyrën si ata përjetojnë të tashmen dhe si e shohin të ardhmen. A ekziston një lloj stereotipi paragjykues te të përndjekurit politikë, si grup i neglizhuar dhe i lënë në harresë?

Dëshmia e D.B: Kur i arrestonin gratë, i torturonin për të marrë informacion

Ajo është tepër e dobët fizikisht, saqë me vështirësi arrin të kujtojë se çfarë ka ndodhur me jetën e saj në kohën e diktaturës. Jeta e saj, një ferr në vendin ku u internua. Vinte nga një familje e Ballit Kombëtar, arsyeja pse ajo e pa veten menjëherë pas çlirimit në baltërat e Lushnjës, në kampet e internimit.

Çfarë datëlindje je, dhe mund të na flisni pak, pse jeni dënuar në kohën e diktaturës?

Kam lindur në vitin 1924. Rrjedh nga një familje e Ballit, jam martuar me S. B. Para se të internoheshim punoja në Tiranë si infermiere. Më çuan në Lushnjë, pastaj në Ndërmenas të Fierit duke na përbuzur e hequr zanatin. Punuam në fushë, në baltë, jetonim në kushte jo normale në ca shtëpi që s’ishin të mira as për bagëtitë. S’na hynte njeri në shtëpi, na ndanë për së gjalli, me motrën, vëllain e të afërmit e tjerë. Fëmijët na thoshin herë pas here “çfarë bëre o babi që fole kundër qeverisë”. Ku dinin fëmijët e shkretë se çfarë vuajtjeje kishin prindërit. Ata s’kishin asnjë faj, por faji i vetëm ishte se ishin kundër diktaturës komuniste. Regjimi i Enver Hoxhës bëri atë që s’e ka bërë njeri në botë, ndau fëmijët nga prindërit, vëllain nga vëllai, mbetën fëmijët pa martuar. Vdiqën prindërit pa pasur gëzime.

Si e keni përjetuar sistemin e diktaturës?

Ne kemi qenë gjithë kohës të mërzitur, të pakënaqur sepse dhe shikonim punën tonë dhe nuk donim të dinim, sepse as që e mendonim që të vinte një ditë demokracia me ato që kishim parë, por erdhi koha që…

Ju e quanit të përjetshëm komunizmin?

Po e quanim të përjetshëm komunizmin, ne kështu ishim. Mendonim se atje do vdisnim. Duke pasur gjithë këto probleme edhe burri që përndiqej vazhdimisht, mund të thoshe një gjë të sinqertë….

Po fëmijët tuaj, në punë të vështira ishin?

Po, po. Sa mbaronte klasën e tetë, ose pa mbaruar klasën e tetë, kishin një rregull që fëmijët punon në tre muajt e verës, 6 orë ose një vit. Këtë 6-orëshin, dukeshin si punë të lehta për fëmijët po pastaj të gjithë të mëdhenjtë punonin nëpër kanale, prashitje, vjelje etj.

Po me shëndetin si keni qenë?

Ja siç e sheh, shëndet që…Çfarë të them unë.

Po tani, ju ka ecur ndonjë çikë, apo kini vuajtur?

Eh siç e sheh…

Çfarë pasojash ka gjithë ajo punë e rëndë?

Pasoja të burrit,… ja të burrit, ja ku është. Po Zoti të hedh me një dorë, e të pret me dorën tjetër.

Kjo është një foto që keni bërë në periudhën e internimit?

Të gjitha këto fotografitë, të gjitha i kam bërë në periudhën e internimit. Të gjitha atje.

Po sot e kësaj dite, flisni me fëmijët për atë periudhë, p.sh, çfarë ju kujtohet…?

Sot e kësaj dite fëmijët nuk duan t’ia dinë emrin ku kemi qenë. Janë kundra çdo gjëje, janë të fshira nga kujtesa e tyre. Kërkojnë një jetë tjetër, mendojnë një jetë tjetër. Kjo është puna.

Domethënë nuk ju dha e drejta e arsimit?

Jo, jo, jo. E drejta e arsimit jo.

Gjatë kohës që keni qenë atje, a ka pasur ndërhyrje nga operativi i Sigurimit që t’ju bënte spiun?

Po more, po, po.

Me marifet apo me forcë? A mund të na tregosh diçka atëherë? Kujt i ishin vënë nga pas për dënim, ty apo burrit?

Burrit, burrit më shumë.

Mund të na tregosh diçka më shumë për këtë? Çfarë metodash përdornin për të spiunuar?

Eh, më shumë burrat përdornin atje për të spiunuar. Kur i arrestonin gratë sigurisht që i torturonin për të marrë ndonjë informacion, për të treguar si jetonin, gjithçka çfarë dinin.

Historia e A.A: Në internim, çdo muaj na vinin përballë popullit, jepje llogari se çfarë bëje

Zonja A.A flet për historinë e saj pasi i arrestuan bashkëshortin, një rast për të parë se si vepronte diktatura me këto gra, së cilave iu binte mbi supe gjithë përgjegjësia e familjes; për to ishte e pafund vuajtja.

Zonja A. A mund të na flisni fillimisht për veten?

Unë jam e datëlindjes 1941, edhe kam vuajtur si në derë të babait ashtu edhe të burrit. Jam martuar me K.B pasi ai ka dalë nga burgu, kur për të ka qenë një periudhë akoma më e vështirë.

Pse?

Bashkëshorti im doli i sëmurë nga burgu. Ka pasur shumë probleme me mushkëritë që i janë bërë copë-copë, ndërkohë që ka pasur nevojë edhe për psikolog. Ky ka ushtruar dhunë karshi meje, që, siç i ka hequr ky atje unë i kam hequr në kurriz tim. Jeta me një njeri që ka vuajtur torturat e diktaturës ka qenë shumë e rëndë, shumë tronditëse…! Por edhe babai im ka qenë në burg. Është torturuar, është futur tre herë në burg. Herën e fundit nuk ka mundur të jetojë më, duke mbetur i vdekur në shtëpi. Edhe dajën ma kanë pushkatuar pa gjyq. Në atë kohë të pritnin e të vrisnin pa gjyq farë. Dy djemtë e hallës një ma kanë varur, dhe tjetrin e kanë pushkatuar. Kjo përbënte gjithë biografinë time në atë kohë.

E dimë që për ju është e vështirë, por a mund të na thoni më në detaje, si e keni përjetuar ju këtë varg persekutimesh?

Jeto se s’vdes dot! Kur s’vdes dot, atëherë do të jetosh si të mundesh.

A flisni me bashkëshortin për periudhën e persekutimit?

Flasim, por është diçka që nuk e rregullon jetën tonë.

Po mund të na rendisni disa nga vuajtjet që ju patët në atë kohë, duke filluar që nga vuajtjet personale, mosmarrëveshjet familjare, apo dhe shoqëria, si ju shikonte?

Ne e kemi vuajtur dënimin në një fermë të Lushnjës. Aty punonim, dhe gjithmonë mbikëqyreshim, kishim njerëz mbi kokë. Një gabim të vogël të bëjë të pushonin nga puna, dhe pastaj të prisnin masa të tjera. Atë kohë lufta e klasave ishte shumë e egër. Çdo muaj viheshe përballë popullit dhe jepje llogari se çfarë bëjë. Të përgjonin në çdo hap që bëje. Ndërsa fëmijët lexonin natën, mësonin shumë por nuk ëndërroje për shkollë.

Nga gjithë ajo vuajtje që keni përjetuar, ju i keni qëndruar pranë bashkëshortit?

Po, patjetër.

Cila ishte ajo shpresa më e madhe dhe pika juaj më e fortë që ju mbante juve gjallë, mes gjithë atyre vuajtjeve?

Se do lindte fëmija, se do të rriteshin një ditë do të dilnim në dritë. Ja kjo është e tëra.

A mund të na tregoni disa nga llojet e torturave që ai ka vuajtur në burgje, në mënyrë që të kemi ndoshta një plotësim të historisë që ai vetë tregoi?

Torturat e tij kanë qenë shumë të rënda. Ai është torturuar njëherë me bukë me gozhdë siç e tha dhe vetë. Në biruca me ujë sa ka marrë ftohjen në mushkëri, një ftohje e vjetër që s’i kalon kurrë. Kur transferoheshin nga një vend në tjetrin i mbushnin si plaçkë, i ngarkonin me shqelma. Torturat ishin nga më të ndryshmet siç m’i ka treguar në atë kohë.

Të kalojmë te jeta juaj sot. Cilat janë problemet që ju shqetësojnë më tepër? Cila është gjendja juaj shëndetësore, ekonomike, shoqërore?

Në të gjitha këto, njeriu edhe mosha iku, jam e vrarë shpirtërisht. Moralisht njeriu duhet të gjejë mirëkuptim njëherë. Martesa ime ka qenë shumë e vështirë.

Pse, si sillej ai? Kur doli nga burgu ai ishte tjetërsuar, ishte bërë nevrik.

MË TEPËR

Mix35 minuta më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Radar40 minuta më herët

Mandarina shqiptare bllokohet nga BE

Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Përgjatë javëve të fundit, Kroacia,...

Mix50 minuta më herët

VIDEO/ Parashqevi Simaku shfaqet me një pamje të tjetërsuar, çfarë surprize po përgatitet?

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëmbyer vëmendjen e medias dhe të qytetarëve. Tashmë videot e saj janë virale...

Mix52 minuta më herët

Video / Donald Trump shfaqet me model të ri flokësh

Një video që tregon presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, me një model flokësh dukshëm të ndryshëm, është bërë...

Radar54 minuta më herët

Evi Kokalari hedh dyshime: Gjithë historia e Parashqevi Simakut, është inskenuar nga Fevziu dhe Elton Ilirjani

Evi Kokalari ka reaguar për videon virale të këngëtares Parashqevi Simaku, e cila më pasu u kthye në temë e...

Radar56 minuta më herët

Lufta e Tretë Botërore ka nisur, ajo po zhvillohet në Ukrainë!

Shkruar nga Eva Hartog Sot, trupat në të dyja anët e vijës së konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindu, somalisht,...

Mix23 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar23 orë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix23 orë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix23 orë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Facebook