Lidhu me ne

Kryesore

“Mund të ishte vaksinuar e gjithë popullsia me Pfizer”, si ndikojnë 110 milionë eurot e Becchettit në krizën ekonomike shqiptare

Ekonomia e Shqipërisë nuk arrin të prodhojë para. Të ardhurat buxhetore nuk kanë arritur të kalojnë 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, duke qenë ndër më të ulëtat në Europë dhe rreth 10 pikë përqindje më pak sesa mesatarja rajonale.

Informaliteti i lartë, produktiviteti i ulët, mungesa e sipërmarrjeve të mëdha, përqendrimi i aktiviteteve te tregtia me shumicë, që punon me marzhe të ulëta, janë arsyet kryesore të kësaj performance. Këtyre u shtohet edhe pesha e lartë që ka bujqësia në ekonomi (rreth 19% e PBB-së), një sektor që mbetet i pataksuar.

Niveli i ulët i të ardhurave kushtëzon edhe kahun tjetër, atë të shpenzimeve. Paratë që qeveria shpenzon për administratën, subvencionet e pensioneve, pagesat e interesave të borxheve dhe sidomos investimet kapitale për rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, spitale etj., nuk i kalojnë 30% të PBB-së (në një periudhë normale). Të ardhurat e ulëta kufizojnë mundësitë për rritjen e pagave të administratës (që janë më të ulëtat në rajon), apo të pensioneve (që mbeten poshtë kufirit minimal të jetesës).

Në këto kushte, ashtu si një familje që siguron pak të ardhura, eficienca e përdorimit të parave duhet të ishte në maksimum dhe në kohë të mira të mendohet që të lihen para mënjanë për një ditë të vështirë. Për më tepër që paratë të cilat i mbledh buxheti janë të taksapaguesve: bizneseve që arrijnë fitime të mundimshme, apo punëmarrësve që u ndalet direkt nga paga.

Në fakt, po ndodh e kundërta. Efektiviteti i përdorimit të parave publike gjithnjë ka lënë shumë për të dëshiruar. Kontrolli i Lartë i Shtetit, çdo vit, raporton për shkelje në vlera të mëdha në menaxhimin e buxhetit. Raporti vjetor i Agjencisë së Prokurimit Publik për vitin 2020 tregon se ka një rritje të ndjeshme të procedurave me negocim pa shpallje paraprake, të cilat janë kritikuar vazhdimisht për shkak të hapësirave që lënë për abuzime.

Në projektet e Partneritetit Publik – Privat (PPP), një praktikë e zakonshme e viteve të fundit, riskun financiar e ka marrë përsipër shteti. Në shumë prej tyre, bizneset paguhen nga buxheti për trafikun e munguar, kontrollet e pakryera, plehrat e pagjeneruara etj. PPP-të jashtë bilancit të buxhetit (që nuk llogariten si borxh) kanë arritur deri tani 9% të PBB-së.

Si të mos mjaftonte kriza që ka shkaktuar në ekonomi, e si rrjedhojë në buxhet, pandemia e Covid-19, goditja finale erdhi nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore. Kjo e fundit dha vendimin përfundimtar në gjyqin me Francesco Becchetti, duke e detyruar qeverinë shqiptare të paguajë 110 milionë euro për dëmin që i ka shkaktuar sipërmarrësit italian për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.

Vendimi është tregues i papërgjegjshmërisë së përdorimit të shtetit, si një mjet personal presioni, ku dëmin do ta paguajnë të gjithë taksapaguesit. Se sa e lartë është kjo shumë për buxhetin shqiptar, mjaft të themi që aq u përdor gjithsej nga qeveria në 2020-n për mbështetjen direkte të bizneseve në pandemi dhe me këtë shumë do të ishin blerë vaksina Pfizer të mjaftueshme për të gjithë popullatën dhe do të kishte mbaruar tashmë procesi i vaksinimit (Izraeli, që nxitoi t’í siguronte i pari, i bleu 25 dollarë për një vaksinë).

Dhe nuk është vetëm Becchetti. Ai është vetëm fillimi. Në radhë janë dhe shumë çështje të tjera arbitrazhi, që kanë një probabilitet të lartë për t’u humbur (gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit priren që të mbrojnë sipërmarrësit dhe t’u lënë qeverive kostot e vendimeve të tyre politike). Bashkimi i kompanive “Copri” dhe “Aktor”, të cilat ishin të angazhuara në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, ka arritur të fitojë në fazën e parë një dëmshpërblim prej 45 milionë dollarësh. Kompania italo-japoneze, “Dondi Kubota”, e cila zbatoi projektin impiant të përpunimit dhe pastrimit të ujërave të zeza të Tiranës, pretendon 90 milionë euro dëme për ndërprerje kontrate.

“Arka Energy B.V.”, që fitoi dhe më pas iu anulua tenderi për parkun fotovoltaik të Akërnisë në Fier, kërkon në arbitrazh 110 milionë euro. Përplasja e qeverisë me “Durrës Kurum Shipping”, për ndërprerje kontrate, mund të kushtojë 100 milionë euro. Në total, dëmshpërblimi potencial llogaritet rreth 450 milionë euro, një shumë që është më shumë se gjysma e shpenzimeve kapitale të një viti dhe mund ta çonte buxhetin në paaftësi paguese, nëse të gjithë do të kërkonin njëherësh të paguheshin.

Mungesa e kërkesës së llogarisë së publikut për mënyrën se si përdoren paratë e tyre, një tipar i vendeve pak të zhvilluara dhe me demokraci të dobët, tashmë duhet të marrë fund. Paratë që keqmenaxhohen nuk janë të qeveritarëve, janë të taksapaguesve. Presioni duhet të jetë i lartë që shpërdoruesit të dalin përpara përgjegjësisë, si i vetmi mjet për të shpëtuar të ardhmen e këtij vendi./Monitor

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix1 orë më herët

Tre shenjat e horoskopit që dashurojnë me gjithë zemër!

GaforrjaGaforret dashurohen “kokë e këmbë”. Ato tregohen te kujdesshem ndaj detajeve, ndaj mos u habisni nëse e shikoni të rregullojë...

Mix2 orë më herët

Këta janë emrat për fëmijë, më të përhapur në Shqipëri

Kur vjen puna tek emrat, gjithnjë mund ta kesh pyetur veten se cilët janë emrat më të zakonshëm në Shqipëri...

Mix2 orë më herët

Scorsese dhe DiCaprio sjellin një film të ri aksion: “Carthage Must Be Destroyed”

Regjisori legjendar Martin Scorsese dhe aktori i njohur Leonardo DiCaprio po bashkëpunojnë sërish, këtë herë për filmin e ri aksion-thriller...

Radar2 orë më herët

Elon Musk largohet nga Shtëpia e Bardhë, por Doge do të vazhdojë

Elon Musk ka thënë se po largohet nga administrata Trump pasi ndihmoi në udhëheqjen e një përpjekjeje të trazuar për...

Kioske2 orë më herët

Një dolli amerikane për “Shtypin e pavararur”

Nga Aurel Plasari Na ishte dikur një gazetar dhe botues gazetash amerikan, John Swinton (1829–1901) e quanin. Ishte edhe i gojës,...

Mix19 orë më herët

Paris Hilton e shqetësuar për të birin: Ai sheh fantazma në shtëpi

Trashëgimtarja e famshme, Paris Hilton, ka vendosur që të kërkojë ndihmën e ndjekësve në rrjetet sociale pasi djali i saj...

Mix19 orë më herët

Një dedikim për ish-partnerin dhe ftesa për në Big Brother, Enxhi Nasufi i thotë të gjitha në intervistë

Enxhi Nasufi ishte e ftuar në emisionin “Ndryshe”, ku ka folur rreth projekteve të reja muzikore, planet dhe dëshirat e...

Mix23 orë më herët

Vetëm 150 gr dhe një profil ultra i hollë: detaje të reja dalin për iPhone 17 Air

Disa ditë pas thashethemeve të fundit rreth kapacitetit të baterisë së iPhone 17 Air, informatori i njohur Majin Bu kthehet...

Kryesore23 orë më herët

Historia pas fotos virale të Ramës duke ngrënë makarona, fotoreporteri zbulon sekretin e atij çasti

Një sy që sheh përtej pamjes, si Armando Babani. Në një botë ku gjithçka rrjedh shpejt e harrohet lehtë… ekzistojnë...

Sport23 orë më herët

Igli Tare: Milani klub ku duhet të fitosh, i kam idetë e qarta për të ardhmen

Nga dita e hënë, Milan ka zyrtarisht një drejtues të ri sportiv: bëhet fjalë për Igli Taren, ish-drejtorin e Lazios,...

Facebook