Lidhu me ne

Temporal

S’mund të mashtrosh të gjithë popullin për të gjithë kohën

Pse e ç’thuri gjuhën Edi Rama

Armand Shkullaku

Ende pa nisur zyrtarisht, fushata elektorale ka shënuar sot një degradim që mendohej se ishte lënë pas këto vitet e fundit. Edi Rama, të cilit i pëlqen ta quajë veten një poltikan me etikë, ka degjeneruar në sulme e ofendime personale, me zë dhe figurë, ndaj disa kandidatëve të opozitës. Mënyra e zgjedhur për t’i poshtëruar ata publikisht, live para kamerave, nuk i shkon aspak figurës së një kryeminstri perëndimor, siç e vizaton veten Edi Rama. Gjuha e përdorur prej tij, një gjuhë e pisët politikisht, është shenjë e qartë se fushata e mazhorancës do të shkojë në të vetmen rrugë, atë të goditjes së kundërshtarit politik.

Po përse Edi Rama, që përgjithësisht ka caktuar Erjon Velinë, i cili nuk e ka problem ta ndyjë gojën sa herë ia kërkojnë, ka marrë vetë flamurin e një sjellje bullizuese që merret me personat dhe jo me atë çka ata përfaqësojnë? Çfarë ka ndodhur që një kryeministër që hiqet me sqimë dhe shpesh, me të drejtë, është paraqitur si viktimë e “politikës së baltës”, të baltosë deri në karikaturizime fizike kundërshtarët e tij, pa kursyer as femrat?

Përgjigja e këtyre pyetjeve dhe shpjegimi i kësaj sjellje të ulët, të çon tek shqetësimi më i madh i kryeministrit, të cilin e ka shprehur edhe vetë disa herë. Problemin në këto zgjedhje, Edi Rama e ka me ata që i ka cilësuar si të zhgënjyerit nga qeverisja e tij 8 vjeçare. Humbja e besimit tek një pjesë e madhe e votuesve të tij, që dikur e shihnin si shpresë për të ndryshuar Shqipërinë, si dhe pamundësia për të ndërtuar një kauzë të re për tërhequr të pavendosurit, përbëjnë hallin më të madh të Ramës në këtë fushatë.

Ky hall i kryeministrit lexohet edhe tek stërmundimi i skajshëm për të fshehur zhgënjimin mes emrave në listën e kandidatëve që do të kërkojnë votat e shqiptarëve në 25 prill. Ai është përpjekur t’i mbulojë emrat simbol të qeverisjes së tij, poshte “gjetjeve” të reja, figurave të panjohura, duke dashur t’i japë listës fytyrën e një partie që nuk ka qeverisur 8 vjet, por që kërkon të votëbesohet si për mandatin e parë. Në këto 45 ditë që kanë mbetur, kryeministri shpreson të fashisë zhgënjimin dhe të shndërrojë në lajm kryesor zbulimet e tij elektorale. Në vend të debatit për arritjet në shëndetësi, ai poston videon e Najada Çomos tek Skënderbeu apo në vend të bilancit për gjendjen ekonomike të vendit, prezanton fytyrat e disa vajzave që do u prijnë listave të PS. Zakonisht një parti politike që hyn në zgjedhje si forcë qeverisëse, armën më të fortë të saj ka rezultatet e arritura dhe premtimet e mbajtura prej ditës që ka marrë votëbesimin.

Dhe këtu vimë edhe te shpjegimi i gjuhës së baltës dhe sulmeve personale, që po i përdor si i shfazuar këto ditë kryeministri i vendit. Duke qenë se truku i listave është i pamjaftueshëm për të neutralizuar zhgënjimin, ai po përdor taktikën e vjetër të së keqes më të vogël. Duke demonizuar me një fjalor banal kundërshtarin, nënteksti i Ramës është i qartë: mund të jeni të zhgënjyer me mua, por shihni se çfarë ju pret po votuat opozitën. Spin doktorët e tij e kanë përqëndruar fushatën tek Berisha apo Meta duke synuar të ringjallin emocione të tejkaluara, si një rrezik që mund t’i trembë të zhgënjyerit nga PS.

Rama duket se i është dorëzuar kësaj strategjie si e vetmja mundësi që mund ta mbajë në pushtet, prandaj e ka lëshuar dhe do ta lëshojë më shumë gjuhën për të denigruar kundërshtarët, duke lënë të kuptohet se nëse ai ka dështuar në këto 8 vjet, megjithatë nuk ka një alternativë më të mirë për ta zëvendësuar atë. Kamuflimi i zhgënjimit nëpërmjet trukut të listave dhe gjuha denigruese ndaj kundërshtarit janë të vetmet armë që i kanë mbetur Ramës për të mbajtur pushtetin. Në mungesë të fabulës së re, ai iu rikthye strategjisë së vjetër.

Por për të marrë një mandat të tretë përsëri pa bërë asgjë, duket shumë më e vështirë se sa të marrësh nëpër gojë kundërshtarët. Nëse Rama do të rrëzohet më 25 prill, kjo nuk do të vijë nga performanca e atyre që ka përballë, por nga revolta e heshtur e shumicës që ka vënë përfund. “Mund të mashtrosh një pjesë të popullit për gjithë kohën dhe mund të mashtrosh edhe gjithë popullin për një kohë të caktuar, por s’mund të mashtrosh të gjithë popullin për të gjithë kohën”.  Këtë citat të Lincolnit, Edi Rama po provon ta nxjerrë të pavlefshëm. Dhe për t’ia arritur do jetë i gatshëm të bëjë gjithçka deri më 25 prill. Pa i ardhur keq as për veten e tij.

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Michelle dhe Barack Obama drejt DIVORCIT?

Në mediet e huaja, kryesisht ato amerikane prej disa ditësh, kanë nisur spekulime për një divorc të mundshëm të ish-presidentit amerikan...

Radar2 ditë më herët

Berlusconi shpiku oligarkinë moderne, Elon Musk po e zgjeron atë

Shkruar nga Francis FukuyamaDonald Trump dhe Elon Musk / Në vitin 2020, ne thamë se platformat e mëdha të internetit...

Mix2 ditë më herët

“S’ka burrë që më rreh mua”, Anita Haradinaj për aludimet: Dy herë jam rrëzuar prej takave

Moderatorja Anita Haradinaj iu është adresuar sërish raportimeve të mediave kosovare disa vite më parë se ajo u dhunua nga bashkëshorti...

Sport2 ditë më herët

Tyson me vetëm një blerje, ka shpenzuar të gjithë 20 milionët e fituar ndaj Jake Paul

Mike Tyson ka shpenzuar thuajse të gjitha paratë që fitoi nga ndeshja e boksit kundër Jake Paul. As nuk pati...

Mix2 ditë më herët

Rivaliteti Bezos-Musk, Blue Origin lëshon në hapësirë raketën New Glenn

Kompania e hapësirës e themeluar nga Jeff Bezos, Blue Origin, ka arritur të lëshojë për herë të parë në orbitë...

Radar2 ditë më herët

“PS merr mbi 50% të votave nëse zgjedhjet bëhen sot, Rama më i pëlqyeri” – Sondazhi

Në sondazhin e kryer nga sondazhisti Eduard Zaloshnja, PS-ja do merrte mbi 50% të votave nëse zgjedhjet do mbaheshin sot....

Radar2 ditë më herët

Marrëveshje 100-vjeçare mbrojtjeje Britani e Madhe-Ukrainë

Kryeministri britanik Keir Starmer ka firmosur një marrëveshje 100-vjeçare partneriteti me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në atë që Associated Press...

Kryesore2 ditë më herët

Akuza: Ndaloi djalin e Samir Manes, drejtuesit i bënë presion, polici tentoi vetëvrasjen!

Ngjarja e një polici të hedhur nga një pallat në Tiranë zbulon një situatë të rëndë në këtë vend që po...

Kryesore3 ditë më herët

Sloganet e partive politike dhe mesazhet– si do të ndikojnë në fushatën zgjedhore?

Gëzim Mekuli – Njohës i mediave dhe retorikës Sloganet e bëra publike nga partitë politike për zgjedhjet e shumëpritura të...

Radar3 ditë më herët

Gazetarja e njohur: Kam 10 shoqe beqare, asnjë burrë shqiptar nuk i do

Gazetarja e njohur Iva Tiço ka qenë e ftuar në emisionin Opinion, ku u diskutua tema: “Pse po vështirësohen martesat...

Facebook