Aktualitet
Uldedaj: Nuk jam kandidat i Lulzim Bashës as i Edi Ramës, por i Shkodrës
Partia Bindja Demokratike ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore. Ka qenë Shkodra qarku që Bindja Demokratike ka zgjedhur për të nisur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku i pranishëm ka qenë dhe kryetari i saj, Astrit Patozi. Në këtë aktivitet, Astrit Patozi dhe koordinatori i fushatës për BD në Shkodër, Tonin Uldedaj, kanë prezantuar kandidatët për deputet të Bindjes Demokratike në këtë qark.
Patozi shprehu bindjen që pas 30 vitesh tranzicion: “Shqipëria ka nevojë për një rishkundje. Sigurisht nuk jemi në diktaturë, sigurisht që ca gjëra të mira janë bërë në këtë vend këto vite, por kemi bërë shumë hapa pas gjithashtu. Ndaj sot më shumë se kurrë është e nevojshme të kemi një ndryshim dhe unë jam i lumtur që ashtu si para 30 vjetëve ky ndryshim ka për të nisur në Shkodër”.
Pjesë e listës së kandidatëve të Bindjes Demokrarike në Shkodër është dhe Uldedaj – që do jetë drejtues politik i BD pë qarkun Shkodër dhe Lezhë, i cili mori fjalën i pari në aktivitetin e zhvilluar sot në kryeqendrën e veriut.
Gjatë fjalës së tij, Uldedaj u shpreh se është i kënaqur të jetë pjesë e kësaj force politike dhe se nuk është kandidad as i Lulzim Bashës as i Edi Ramës por i Shkodrës.
“Kur pranova t’i bashkangjitem Bindjes Demokratike, një force të re politike e qendrës së Djathtë, e bana me bindjen e dikujt që ka pa në jetë për një alternativë ma shumë. Kështu dua me kenë edhe për të tjerët: Një alternativë ma shumë! Shkodra ka ditë gjithmonë me u zgjidhë, kur ka pa se dy zgjedhje nuk mjaftojnë. Shkodra, as në komunizëm dhe as në demokraci nuk ka ndejtë e lidhun në afeksione politike pa kuptim. Ajo ka qenë vazhdimisht e djathtë dhe antikomuniste, por ka ditë me i dhanë sinjale të djathtës, kur ajo e ka marrë Shkodrën si të dhanme njëherë e përgjithmonë”.
“Në qoftë se një votues i Partisë Demokratike apo i Partisë Socialiste, do të shkojë te kutia e votimit ai mund të votojë ose Lulzim Bashën, ose Edi Ramën sepse nuk ka mundësi tjetër. Siç e thashë, lista e tyre do të bëhet në momentin e fundit të skadimit të afatit. Ky është ndryshimi ynë me partitë e tjera. Ne i japim mundësinë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, që të sjellin ndryshimin”.