Kryesore
Kurti i sheh protestat për Klodianin si mesazh kundër sistemit të korruptuar
Albin Kurti thotë se drejtësia për Klodianin do të thotë drejtësi dhe demokraci për Shqipërinë.
Kreu i Vetëvendosjes i sheh protestat në Tiranë si një mesazh kundër sistemit të korruptuar politiko-ekonomik.
“Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje.”, shkruan Kurti.
Revolta e të rinjve sipas tij duhet t’i kujtojë njerëzve me pushtet në vend se qytetarët, rinia dhe ndërkombëtarët janë të zhgënjyer me Shqipërinë.
Kurti ka bërë thirrje për më shumë organizim dhe angazhim nga ana e të rinjve në mënyrë që të rikthehet shpresa në vend.
“Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo.”, deklaron kreu i VV-së.