Lidhu me ne

Aktualitet

Lideri i vetmuar dhe i rrëzuar, Edi Rama / Mark Marku

Mark Marku: Lideri i vetmuar dhe i rrëzuar, Edi Rama

nga Mark Marku/ gazeta Panorama

Ndodh përherë kështu. Regjimet autoritare apo diktaturat bien pikërisht atëherë kur e ndiejnë veten më të forta se kurrë.

Dhe e ka një shpjegim: pikërisht në momentin që ato e ndiejnë veten më të forta se kurrë, e kanë poshtëruar në maksimum popullin e tyre dhe ia kanë zhytur thikën aq shumë në palcë, saqë mendojnë se ia kanë mpirë çdo nerv reagimi, dhe se e kanë mbytur edhe në skutën më të fundit shpirtin e rezistencës. Por nëse opozitarët mund të vriten, kërcënohen apo blihen, shpirti i rezistencës dhe opozitarizmit nuk zhduket kurrë.

Dhe pikërisht atëherë kur elitat janë korruptuar, mediat janë blerë, kur burrat dhe gratë e kanë parë të udhës që të merren me hallet e përditshme të familjeve të tyre, kur duket se qytetarët nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të pajtohen me fatin e tyre të dhjerë dhe të zhysin turinjtë në filxhanin e kafes, të birrës apo rakisë, ndodh një “aksident” i vogël dhe gjitha ngrehina shkallmohet.

Atëherë, lideri, “lideri i madh”, lideri me të cilin personifikohet sistemi, ndihet papritur i vetmuar, i braktisur, i tradhtuar dhe përfundon në mjerim. Shkon tragjikisht drejt fundit të tij, sepse drejt fundit shkojnë edhe liderët joautoritarë. I vetmi ndryshim mes këtyre liderëve është se ndërsa liderët joautoritarë largohen, liderët autoritarë i zbojnë. Dhe kur i zbojnë, nuk e kuptojnë pse. A nuk ishte i habitur Gedafi kur po ia fusnin hurin në prapanicë, pikërisht ata që e kishin “adhuruar”. “Pse, pse,-thoshte ai,- çfarë ju kam bërë?”.

A nuk ishte i habitur Çaushesku me të shoqen teksa e fishkëllenin me mijëra “adhurues” të tij në një shesh të Bukureshtit, apo teksa e pushkatonin në një plevicë në një fshat të Rumanisë? Tradhtarë!,- u thoshte atyre që e pushkatonin. A nuk ka qenë i habitur Benito Musolini, kur po e varnin bashkë me të dashurën e vet, Klarën, në një shesh të Milanos romakët e ringjallur prej tij? Po Hitleri në bunkerin e tij? Po Mubaraku, teksa e rrasnin në burg gjeneralët e tij bashkë me aleatët ndërkombëtarë? Po, Sadami i nxjerrë nga pusi teksa ia numëronin dhëmbët si të kalit?

A nuk ishte e habitur Nexhmije Hoxha teksa ia  rrëzonin bustin mu në mes të sheshit burrit të vet “udhëheqësit të pagabueshëm, legjendar…”. Shembuj historia ka plot, por liderët autoritarë nuk e lexojnë historinë, mendojnë se e bëjnë historinë. Ata nuk e lexojnë as realitetin, megjithëse ai i jep pafund shenja për përkohshmërinë e tij.

Kryeministrit Edi Rama po i ndodh fiks e njëjta gjë. Ishte në SHBA, për të bërë gjestin e radhës propagandistik. Shkoi atje jo për të gjetur vaksina për popullin e tij, po për të bërë një foto me prodhuesin e vaksinës anti-Covid. E bëri foton. Ndërkohë, në vendin e tij, ku ai ndihej mbret, “ndodhi aksidenti”: u vra një i ri i pafajshëm nga Policia e tij. Vrasja shkaktoi një revoltë aq të madhe sa mijëra të rinj dolën në rrugë dhe protestuan në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Lideri i madh mendoi se mund ta qetësonte turmën duke i hedhur në gojë gjeneralin e tij të graduar si kryeshërbëtor të vetin, por nuk qe e thënë. Të rinjtë e revoltuar e zhytën në kaos Tiranën dhe e sollën në grahmën e fundit pushtetin e tij të kalbur.

Pamjet e mbrëmjes së sotme nga Tirana, ku policë të lodhur rendnin rrugëve të Tiranës pas protestuesve të palodhur, janë fiksuar në mendjet e të gjithëve si agonia e një pushteti të kalbur përballë shpirtit të rezistencës. Ata të rinj ishin ajo çfarë ai kishte harruar se ekzistonte, ose ajo çfarë ai kishte menduar se e kishte zhdukur. Ajo masë të rinjsh, tejet të irrituar, i flisnin ndryshe nga Taulanti, Elisa, Damiani, Mirela, Erioni dhe mijëra shërbëtorë të tyre intelektualë, gazetarë, artistë, shkencëtarë, këngëtarë, futbollistë, stilistë, klounë të pushtetit. Të rinjtë dinjitozë të këtyre dy netëve i thanë ik. Ik ose do të përzëmë. Ata u treguan shqiptarëve se për Ramën ka tashmë vetëm dy mundësi: të ikë në mënyrë paqësore, ose në mënyrë të dhunshme. Por ikja është gjithsesi e vetmja rrugë.

E pamë sot liderin e madh të frikësuar. Fliste me gulshe, i mbahej fryma, shkurt në pikë të hallit. Në shfaqje të tilla e kemi parë disa herë: me protestën kundër mbetjeve, në protestat e opozitës, në zgjedhjet lokale të vetme të humbura, në protestën e kuksianëve kundër traut, në protestën e studentëve, në protestën e naftëtarëve. Por sot ishte më i frikësuar se kurrë, më i vetmuar se kurrë, më i lodhur se kurrë. Kur qytetarët janë të frikësuar nga pushteti, thoshte Xhefersoni, jemi në tirani, por kur qeveria është e frikësuar nga qytetarët, jemi në demokraci. Fytyra e Kryeministrit tregon se këto protesta mund të risjellin demokracinë.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Sport2 ditë më herët

Kriza e mbrojtjes te Reali, 55 dëmtime në tri sezone

Dëmtimet e fundit të Rydiger, Ferland Mendi dhe David Alaba plotësojnë shembjen përfundimtare të mbrojtjes së Realit të Madridit. “Muri...

Mix2 ditë më herët

9 qytetet më të lira dhe më të bukura në Evropë, ja ku renditet Tirana

Të gjithë e dimë që mundësia për të gjetur oferta të mira gjatë verës është e pakët në destinacione të...

Mix2 ditë më herët

Simon Sinek, nga TED Talk në fenomen global

Simon Sinek është një mendimtar modern, një autor dhe folës publik që ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si liderët dhe...

Mix2 ditë më herët

Metabolizmi dhe plakja e trurit

Mark P. Mattson Plakja manifestohet si një rënie e pakthyeshme e funksionit të të gjitha sistemeve të organeve për shkak...

Mix2 ditë më herët

8 alergjitë më të rralla ushqimore!

Alergjitë ushqimore variojnë nga të lehta deri në ato që rrezikojnë jetën. Nëse ju keni një alergji ekstreme ushqimore, ju...

Mix2 ditë më herët

Mark Zuckerberg zbulon dietën dhe rutinën që kanë kontribuar në suksesin e tij

CEO i Meta, Mark Zuckerberg, ka habitur publikun me rrëfimin e fundit për stilin e jetesës së tij. Në një...

Mix2 ditë më herët

Punët që do të zhduken të parat ndërsa Inteligjenca Artificiale po pushton vendet e punës

Artikulli më i fundit nga Forbes i shkruar nga Jack Kelly më 25 prill 2025, me titullin “The Jobs That...

Mix2 ditë më herët

Labubu – lodra e çuditshme që po pushton botën

Labubu është një personazh lodër që ka fituar zemrat e shumë njerëzve në mbarë botën. Ajo është krijuar nga ilustratori...

Mix2 ditë më herët

Lyst publikon listën e 10 markave më të kërkuara të modës për fillimin e vitit 2025

Lyst, platforma globale e kërkimit të modës, ka publikuar renditjen e saj të përmuajshme për tremujorin e parë të vitit...

Mix2 ditë më herët

Nga viti 2005 deri më sot: këto janë videot që bënë histori në YouTube sipas shikimeve

“Me at the Zoo”, ky ishte titulli i videos së parë të ngarkuar në YouTube. Jawed Karim nisi atë që...

Facebook