Kioske
Edhe qeverisja më e keqe, ka të ” lumturit ” e saj
Koment nga Bilbil Beqiri

Ndodhesha në Rumani para disa vitesh, dhe po bisedoja me një rumun në lidhje me Çausheskun,( Nicolae Ceaușescu ). Une kisha pak kohë që kisha parë një dokumentar të BBC-së në lidhje me Çausheskun dhe nuk është se flitej mirë për të. Me këtë inerci unë i fola keq rumunit për Causheskun, ai më respektoi por kuptova që nuk i erdhi aspak mirë. Sot pas shumë vitesh nuk janë të paktë njerëzit që e duan Causheskun,megjithëse ka qenë një ndër diktatorët më të tmerrshëm të Europës.
E bëra këtë parashtrim për të thënë se nuk matet qeverisja me numrin e njerëzve të kënaqur, por me numrin e njerëzve të pakënaqur, sepse edhe diktatorët më të egër kanë patur një grup përfituesish, ndryshe ata nuk do mund të mbaheshin në këmbë. Gaddafi, Saddami, të gjithë me kalimin e kohës formojnë rreth tyre një grup njerëzish të cilët nuk e mendojnë botën dhe jetën pa liderat e tyre.
Por kriteri bazë dhe më i thjeshti për të kuptuar një qeverisje, nëse është e mirë apo jo, është aftësia e asaj qeverisje për të shpërndarë të mira dhe përfitime për të gjithë individët. Mund të përmendim këtu modelin e Gjermanisë, vendeve nordike, ose Zvicra.
Vijmë te rasti i Shqipërisë, keni parë ndoshta në media apo rrjetet sociale deputetë që bërtasin mesa zë kanë, deri në antipati emrin e liderit të tyre. Kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se këta kanë mbushur xhepat nëpërmjet liderit, atëherë përse të mos e duan ?!.
Pra me logjikë të thjeshtë përfituesit kanë të drejtë të mbështesin një iks qeverisje por nëse të pakënaqurit përbëjnë shumicën, atëherë qeveria duhet ndërruar.