Kryesore
Pse ka vërtetë Rama nostalgji për PD-në?!
Nga Ben Andoni
PD-ja është i vetmi cak politik, të cilin kryeministri i vendit për dy mandate dhe ish-kryetari i Bashkisë për tre mandate, Edi Rama, nuk e ka provuar deri më sot. Dhe, s’do mund ta provojë kurrë, pasi iu bashkua dhe është katapultuar menjëherë si lider në një formacion të Qendrës së Majtë, që në Shqipëri përfaqësohet me PS-në. Por, përgjigja e pak ditëve më parë e kryeministrit Rama, në një intervistë, në një analogji për zhvillimet e demokracisë shqiptare, ku shprehej se: “PD ishte partia ku më takonte të isha, por ma zunë rrugën një radhë e gjatë komunistësh me Saliun në krye”, ka treguar se në të ekziston edhe një nostalgji, ruajtur prej kohësh, qenësia te PD. Ndodh shpesh në vendin tonë që njerëz me ambicie si ai, duhet t’i kenë medoemos të gjitha, paçka kushteve dhe realiteteve, që nuk u përkojnë.
PD-ja ishte gjithçka për shqiptarët në fillim-vitet ’90. Me të lidhej çdo gjë: Besimi, ëndrrat dhe shpresa. Veçmas të persekutuarëve dhe masës të madhe të shqiptarëve etur për ndryshim, ky front i gjithfarëllojshëm, që e përbënte asokohe PD-në, ndikoi për ndryshimet e mëdha dhe të pritshme në vend. E, jo vetëm kaq. Ndodhi që lloj-lloj kameleonësh, për të qenë pjesë e këtij fronti, sajuan nga gjërat më të pabesueshme, për t’u kapur e përfituar aty. Fenomen që ngjau edhe dikur me ish-fashistët dhe kolaboracionistët pas L2B në Evropë. Filmi shqiptar “Vdekja e kalit” e rrëfen më së miri këtë metamorfozë, ku lloj-lloj kinsesh ju bashkuan PD-së. Ramës, asokohe shumë i ri, nuk mund t’i ikte ky moment edhe pse ishte një nga protagonistët realë të atyre ditëve me fjalimet jo pak herë patetike me refleksionet, porse nuk mund të ishte kurrë mes tyre, ku mëton sot, jo prej komunistëve, po prej klaneve që krijoi kjo amalgamë. Këto u shfaqën menjëherë dhe ashtu si ndodh me gjërat e bukura në ndryshime të tilla, morën terren dhe zhvendosën shumë idealistë. Gjithsesi, edhe nga kjo amalgamë dolën njerëz me shumë dinjitet dhe demokratë të vërtetë, që e treguan veten në parlament. Sërish, Rama, nuk mund të ishte kurrë një nga ata, që mund të katapultohej aty. E para prej fashës sociale nga vinte dhe e dyta dhe prej misionit të lartë e pa ekuivoke, që mbartnin këta njerëz.
Berisha, megjithë fitoren e madhe brenda strukturave të PD-së, nuk mundi ta mbante gjatë frymën e mirë të kësaj partie. Drejtimi i tij totalitar dhe me nota tejet krahinore e dha shenjën kur shpejt anijen e tij e braktisën shumë njerëz, që besonin te PD-ja e ëndrrave dhe jo kjo e reja. Kulmi ishte viti ’96. Detajet nuk kanë aq rëndësi, sepse u takojnë historianëve të politikës, por nga atje nisi zbritja e këtij formacioni ëndërr. Nga ana tjetër, të ashtuquajturit trashëgimtarët e PPSH-së, PS-ja po ndryshonte ngadalë, mbijetonte me kryetarin post-komunist dhe po tregohej ku e ku më demokrate me qasjet intelektuale. Për Ramën dhe shumë syresh nuk kishte ende vend, pasi ata vetë nuk dinin çfarë donin. Dihet se partitë janë të rëndësishme për demokracitë e reja për arsyet se përçojnë idetë e komuniteteve nga të cilat përbëhen. Sërish, ato që përfaqësonte Rama, ende i pastrukturuar politikisht, nuk shkonin me këtë lloj demokracie. Në artikujt e hershëm i ndjen paqartësinë por edhe zhgënjimin e vet.
Por lustra e hollë demokratike ra shpejt dhe të dy partitë kryesore në vend, PS dhe PD, shpejt u kthyen në parti që vareshin nga performanca e lidërshipit politik. Rama, produkt i Nanos, ishte një nga risitë e PS-së së para viteve 2000 dhe qysh atëherë, e kuptoi mirë se rruga para tij që e priste te ky formacion i Majtë, ishte shumë më lehtë e përshkueshme sesa ajo te PD. Nga kjo e fundit kishin ikur një nga një themelues, protagonistë dhe personalitete por më së shumti ata që nuk e pëlqenin partinë e tipit ushtarak të Berishës. Ishte bjerrur zulma e atyre patriotëve, të vuajturve dhe sidomos intelektualëve që donin ndryshim. Vendin e zuri lakmia për pushtet dhe pasurim. Gjithsesi nuk humbi nostalgjia për Partinë e parë Opozitare, një ndjenjë që i kaploi të gjithë shqiptarët, që kanë jetuar vitet ’90 ose më mirë të themi ata që kanë aspiruar dhe u mbështetën tek ajo. Për fat të keq, largimi i idealistëve prej saj mori me vete dhe adhurimin e shumë njerëzve që besonin aty. E megjithatë, nuk mund të thuash se të dy këto parti nuk sollën ndryshime në vend. Falë drejtimit të tyre, paçka edhe zhgënjimeve jo të vogla, Shqipëria është futur në një udhë demokratizimi të drejtë. Gjithsesi, ky sistem demokratik ku jetojmë s’do të thotë se jemi shoqëri demokratike. Të mjafton sesi sillen politikanët me njëri-tjetrin, kundërshtarët dhe pas tyre militantët për të kuptuar realisht se shoqëria demokratike në vend është ende në hapat e parë, sepse për këtë ka ende nevojë për elementë që shoqëria jonë nuk i përmbush dot.
Përqasja e shumë individëve për të përfituar por edhe për të dhënë kontribute, përfshirë dhe kryeministrin, duket më shumë e ndikuar nga nevoja për karrierë dhe benefice (deri diku justifikohet për individin), sesa për të demokratizuar vendin. Koha po tregon me mënyrën sesi funksionojnë PS dhe PD-ja, dy partitë kryesore, se fuqinë e kanë liderat madje këta mund edhe të abstragojnë si në rastin e Ramës, çfarë të duan, kurse anëtarët e tjerë janë thjesht numërorë. Këtë e kupton sot nga bindja e përulur drejt Ramës në të gjithë vijën drejtuese të PS-së. Kurse të ishe tek Partia Demokratike ishte shumë e lehtë dhe sot janë pa fund ata që tundin teserat, por aman ishe shumë e pakët mundësia të ishe me pozitë nëse nuk flirtoje me drejtuesin e saj, Sali Berisha, që edhe sot e kësaj dite gati vendos për gjithçka.
Pavarësisht kontekstit të përgjigjes së kryeministrit, e thënë në këtë kohë, dhe paçka si kaloi, kjo tregon sesa respekt ka Rama për PS-në dhe njerëzit e saj, ata që e sollën në pushtet dhe ata që i ngritën kultin, që sot ai e shfrytëzon aq mirë por edhe që i kanë dhënë njohje bajagi ndërkombëtare egos së tij të pamatë. Por për këto Rama flet vetëm në momentin e fitores, ndërsa gjithë kohën tjetër kërkon kusi dhe timonë për të drejtuar. Ndoshta këtu e gjen edhe ikjen e vërtetë të PS-së nga e Majta e Qendrës duke shkuar drejt fashës së Djathtë, paçka se sot mungesa e ideologjive është trend kudo në Evropë. Veçse këto kanë pak rëndësi për politikanët tanë, qoftë me kapërcimet që ka bërë në këto vjet Rama me përballjen me Luftën e Dytë Botërore por edhe mungesën e empatisë së vërtetë për vuajtjen dhe kushtet e shqiptarëve, ka treguar se nuk pyet shumë. Ashtu si edhe të tjerët, që numërojnë vilat.
Realiteti i demokracive të sotme është një gjë disi e çuditshme, pasi shumë nga politikanët e tyre janë ose mëtojnë se janë profesionistë, por që s’kanë pasur karrierë tjetër veç shërbimit në partitë e tyre përkatëse politike. Qëllimi i tyre është shumë shpesh fuqia dhe paraja dhe shumë pak besimi dhe kredot morale për një shoqëri të mirë – besime që mbase mund të kenë qenë dikur motivues kur filluan karrierën e tyre, por që humbasin kur fillon nevoja për të ushqyer egon. Dhe, si në rastin e Ramës, më shumë sesa morali atyre u duhet pushteti i madh me çdo kusht, por jo ajo shenjë përkorje që kryeministrit dhe liderave tanë u mungon krejtësisht por si e shpjegonte Dwight D. Eisenhower, sipas mënyrës së tij: “Politika duhet të jetë profesion me kohë të pjesshme e çdo qytetari, i cili duhet të mbrojë të drejtat dhe privilegjet e njerëzve të lirë”. Ndaj tingëlloi aspak mirë shprehja e Ramës, që më shumë sesa idealizëm e shohin politikën si ushqim për egon e tyre. Dhe, Rama nuk e ka kot nostalgjinë për PD-në. (Homos Albanicus)