Aktualitet
Veliaj: E vërteta e rivalitetit me Tahirin
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka folur në studion e ABC edhe për një temë të vjetër në Partinë Socialiste, rivalitetin e tij me Saimir Tahirin. Përplasja mes të dyve ka qenë sa e fshehtë, por në disa raste edhe e hapur. Gjithsesi, tashmë që ish-ministri i Brendshëm nuk përbën më kërcënim pas problemeve të tij me drejtësinë, Veliaj thotë se ky rivalitet nuk ka ekzistuar fare.
“As unë dhe as Saimir nuk kemi pasur kurrë rivalitet. Kemi qenë në ministri të ndryshme dhe kemi pasur super-bashkëpunim. Është e gjitha një legjendë urbane” – tha Veliaj që më pas përsëriti se e majta në zgjedhjet e ardhshme do të jetë e bashkuar.
“Është hera e parë që PS-ja shkon pa asnjë bijë, fraksion në fushatë dhe kundërshtari ynë shkon me 5 parti të tjera, që kanë dalë, qoftë edhe kjo logjikë na jep epërsi. Megjithatë, mallkimi ‘të hiptë vetja në qejf është më i rrezikshmi”. Jemi me këmbë në tokë sikur jemi ne në opozitë” – tha Veliaj. Tashmë duken të largëta kohët kur Veliaj dhe Tahiri sfidonin njëri-tjetrin edhe për parashikimin e motit.