Lidhu me ne

Kioske

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

SHKRUAR NGA ANABEL

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

1.

“Nuk ka vend që të ketë këtë det e këto male (ok, heqim Zvicrën) e këtë pozicion gjeografik ku je përballë Italisë e ngjitur ke Greqinë që bota e ëndërron për pushime. Të kesh këtë tokë pjellore, të jetë një laborator eksperimenti ku ti mund të nisësh sot gjëra që bota i ka bërë tashmë, i ka kthyer robotike, e prarë të jesh risi, ku mami me babin të mbajnë në shtëpi 30 vjeç, ku s’të braktis familja në rrugë (raste ka si kudo), ku s’ke lekë dhe prap nuk ja prish qejftin vetes as për dasma e as për udhëtime, as për shkolla, as për 4G. Ku fëmijët t’i mban akoma gjyshja. Ku në shumë vende shkohet në këmbë dhe s’ke pse udhëton 2 orë të ikësh në punë e të të ikë gjithë dita; ku mëngjesi nuk fillon me vrap duke rrufitur kafen me vrap në metro; ku mishi dhe peshku gatuhet në mënyrë të përsosur dhe ku gjella e shtëpisë akoma fiton mbi fast-foodin dhe ushqimin e ngrirë. Këto i kupton kur je emigrante. D.”Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’FOTO/PINTEREST: @DESTINATIONSALBANIA

2.

“Më ngjan me dashurinë për familjen, të cilët ‘i shaj’ vetëm unë, por nuk lejoj njeri të ma prekë as me fjalë.”

3.

“Sepse e ke në gjak. E do, e urren, por kokën e ke këtu gjithmonë.”Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’FOTO/PINTEREST: @THEGINGERWANDERLUST

4.

“Mrekulli që s’dimë ta mbajmë.”

5.

“E shajmë me fjalë, e shkatërrojmë me vepra, e duam me zemër.”

6.

“E dua, pa arsye specifike.”Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’FOTO/PINTEREST: @LILISTRAVELPLAN

7.

“Klima fantastike, natyra e pasur, njerëzit mikpritës, gjuha unike.”

8.

“Ja dua natyrën, bukuritë, klimën e mirë, ushqimet, thjeshtësinë e jetës dhe bashkëjetesën mes njerëzve. Ja dua gjuhën, shprehjet, mënyrën e të folurit, dialektet, më pëlqen sa ndryshe jemi në ca gjëra, sa të ngjashëm në të tjera, nga Jugu në Veri. Më pëlqen rëndësia që i japim familjes, afrimiteti mes nesh, marrëdhëniet e ngushta e si pavarësisht difekteve që kemi, prapë bëhemi bashkë. E dua për gjithë çka kemi e jemi, por jo për atë që është shndërruar vit pas viti. E megjithatë, është si dashuria për nënën, sido që të jetë, mbetet nënë, e sado ta kritikosh e të kesh rezerva, në fund të diës, asnjë s’do më shumë se atë.”Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’FOTO/PINTEREST: @DANFLYINGSOLO

9.

“Për bashkëjetesën që kemi ne, pa dallim kulture, feje, race. Për veshjet tona tradicionale që janë një shumëllojshmëri ngjyrash të ndërthurura aq bukur. Për këtë vendin e zhurmshëm që nuk të siguron asnjëherë, por përsëri nuk të lë të rrëzohesh. Për këtë që isha dje, jam sot dhe do të jem nesër.”

10.

“Për diellin.”

11.

“20 vjet larg, po vij çdo verë. Nuk e ndërroj plazhin e Shqipërisë me asgjë.”Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’FOTO/PINTEREST: @EXTRACTSOFALEX

12.

“Vendin, të cilin s’e dimë sa e duam, derisa jemi larg.”Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’FOTO/PINTEREST: @BEAUTIFULALBANIA550

13.

“Jetoj në Zvicër dhe është vërtet shumë bukur si nëpër kartolina, por nuk ka kurrsesi klimën perfekte të Shqipërisë, detin e bukur Jon, ditët me diell, kafen e mëngjesit në lokalin e preferuar, ushqimin më të mirë në botë, mishin dhe peshkun me shijen e përsosur, familjet më të dashura që ekzistojnë, gjyshërit që kujdesen dhe u japin dashuri nipërve dhe mbesave, miqësitë e zemrës që zgjasin një jetë, gëzimi dhe hareja në festa, aksesin në disa shërbime ku në Shqipëri mbaron punë për 5 minuta dhe me pak para. Unë e dua Shqipërinë në çdo ditë të vitit, sot e përgjithmonë.”

Arsyet e mësipërme janë shkruar në këtë postim të @anabel_media në Instagram, në lidhje me gjërat që na pëlqejnë te vendi ynë.

Letrat e mëposhtme kanë mbërritur në rrjetet sociale të Anabel Media në fillim të janarit, nxitur nga letra e pedagoges Silvana Begaj ku i thoshte mirupafshim Shqipërisë për një sërë arsyesh që përmblidheshin me fatkeqësisht të pavdekshmen “ky vend s’bëhet”. Asokohe, pyetëm ndjekësit tanë në Facebook dhe Instagram pse vendosën të jetojnë dhe të punojnë në Shqipëri në vend të emigrojnë diku gjetkë. 

14.

“Unë personalisht e mendoj jetën time këtu në Shqipëri. Këtu dua të jetoj dhe punoj. Shqipëria jonë është kaq e bukur, me male e fusha, me dete, lumenj e liqene. Çdo gjë të bukur ia ka falur natyra. Unë kam studiuar Menaxhim Turizmi dhe aktualisht punoj në turizëm. Gjatë gjithë kohës kam të bëj me të huaj të cilët magjepsen pas vendit tonë, me njerëz që e karahasojnë me parajsën këtë vend, me njerëz që po t’u jepej mundësia të vinin dhe herë të tjera këtu, asnjëherë s’do thoshin jo. Ne e kemi këtë mundësi, ne jetojmë këtu. Pse mos të bëjmë të pamundurën për ta përmirësuar këtë vend? Pse duhet t’i vëmë shkelmin e ta braktisim? Për faj të disave që janë vënë në krye dhe na kanë bërë të humbasim shpresat? Ne duhet t’i vëmë shkelmin këtyre që sot janë në krye dhe jo këtij vendi të mrekullueshëm. Ne të gjithë duhet të mundohemi ta bëjmë këtë vend.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

15.

“Unë për momentin kam menduar të punoj dhe të qëndroj në Shqipëri. Jam 28 vjeçe, e divorcuar dhe me një fëmijë. Para se të mbesja shtatzënë isha e mendimit që duhet të iki nga ky vend sepse do të isha dhe më e lirë. Një fëmijë është përgjegjësi e madhe. Pasi u divorcova, përsëri mendova të iki nga ky vend. Mirëpo m’u ofrua nga njerëzit e mi një vend punë dhe një rrogë e mirë. Deri këtu në rregull. Këtë verë m’u dha mundësia të bëja dokumentat me një anglez pasi kam dajat andej dhe ma propozuan ata si ide. E refuzova. E refuzova sepse unë vetëm dokumentat mund të bëja dhe ato kanë dy, tre vite procedura. Do isha e vetme në një shtet të huaj me një fëmijë. Puna që do më priste atje s’është punë zyre si këtu. Mbase do vuaja vitet e para e do rregullohesha më vonë, por shumë e vështirë me një fëmijë dy vjeç. Qëndrova për punën dhe s’e kam familjarët e mi që më ndihmojnë me dalin.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

16.

“Jam ndër ato njerëz që sdua të largohem këtej. Kam investuar shumë për veten time që të punoj këtu, jo në vend tjetër, të bëj punën që kam pasion, të rri me njerëzit e mi që i njoh prej një jete. Shumica promovojnë sigurinë që është jashtë shtetit shqiptar, por edhe këtu në qoftë se zbaton parimet bazë të jetës, nuk të ndodh gjë. Nëse ti shikon të përmirësosh jetën tënde, veten tënde, nëse ti e sheh kafen për 10 minuta dhe jo për dy orë, nëse ti punon për të rritur mirëqënien, pse të mos bëhemi? Është shumë e thjeshtë të bëhesh pesimist e të duash të ikësh pasi është gjëja më e lehtë, por puna është pse të mos mundohesh të mos ikësh.E kush tha që gjërat e bukura e lumturia vikan shpejtë? Të paktën unë kam mësuar që duhet të mundohesh që të fitosh në jetë. Nuk ka fitore pa dhimbje. Do doja të merrja një shembull: Nëse bisedon me njerëz të ndryshëm se si është më mirë: të rrish me qira apo të paguash kredi për shtëpinë tënde, pothuajse 90% zgjedhin të paguash kredi për shtëpinë tënde. E pse? Sepse ti e di që në fund ajo shtëpi do jetë jotja. Pse të mos e trajtojmë edhe çështjen të rrish në Shqipëri apo jashtë në këtë këndvështrim? Qëndro këtu sepse ti po mundohesh.Por po punon, mundohesh për shtëpinë tënde. E në fund kockat e tua do të rrinë në shtëpinë tënde, nuk do të të digjen diku, ku as nami as nishani sdo të të ngelet.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

17.

“Sapo kam përfunduar studimet dhe deri tani kam qenë duke kërkuar për një punë. Sapo kam filluar. Ndërkohë prindërit e mi ngulin këmbë që unë të iki jashtë shtetit sepse andej është më mirë dikush u ka mbushur mendjen se mund të më ndihmojë për bursë dhe ata nuk më inkurajojnë të gjej një punë fikse që të rregullohem dhe vetë, por ‘hë për hë se ti ke plane të tjera.’ Ai dikush që premton të gjejë bursa, gjen bursa për çdo lloj dege, vetëm për degën time jo. Jam aq e mbytur me këtë idenë që dikush po më thotë çfarë duhet të bëj në jetë ‘se ashtu është më mirë’ pa më pyetur se çfarë dua unë. Jam e mbytur me idenë që thjesht bëj një shkollë jashtë dhe po erdhe këtu, të hapen të gjitha dyert. Unë investova pesë vite, prindërit e mi investuan mbi 10 mijë euro për shkollimin tim dhekur vjen puna, kërkojnë që t’i zeroj të gjitha këto e të bëj diçka pa lidhje që nuk e dua. Dikush tjetër do të bënte gjithçka për një bursë në Amerikë, por unë nuk e dua. Dua të provoj vuajtjet e Shqipërisë, të punoj çdo ditë për të ndihmuar veten dhe njerëzit, të respektoj rregullat atje ku të tjerët nuk i respektojnë. Jam shmë e mbytur duke mësuar anglishten, pavarësisht se e kam pasur shumë qejf si gjuhë, vetëm nga ideja e detyrimit dhe e komandimit për të bërë diçka që u pyeta nëse doja apo jo. Po, unë jam ajo që s’dua të shkoj në Amerikë. Dua të rri këtu. edhe me dy rroga minimale ia del të jetosh. Nëse do më tepër, gjen dhe më tepër. Ky vend bëhet kur njerëzit e bëjnë.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

18.

“Unë jam larguar për studime në Gjermani dhe bëj pesë vite këtej. Nuk ika se isha pesimiste për vendin tim. Jo, u largova sepse doja t’i jepja vetes arsimin e duhur dhe në Shqipëri, dega që studioj unë nuk ekziston fare. Por në mendjen time, kthimi në atdhe është gjithmonë i mundur. Madje, në letrën e motivimit kur aplikova këtej, pyetjes pse zgjodhe Gjermaninë iu përgjigja: Është eksperienca dhe vendi i duhur që mund ta ndjek si shembull për tëpërmirësuar vendin tim. Është e trishtueshme që këtej ka shumë shqiptarë që vetëm vrer nxjerrin për Shqipërinë. Sikur të ishte ferri mbi tokë. Unë kam mësuar diçka. Nëse nuk do veten, nuk do të të duan as të tjerët. Përpiqem shumë të promovoj vendin tim e çdo vit që vij, sjell disa turistë me vete. Duajeni Shqipëriën, për mua është parajsa mbi tokë.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

19.

“Një arsye e madhe pse nuk iki është se kam punë që dua dhe jetoj mirë këtu me familjen. Një arsye tjetër jan prindërit e mi. Kemi motive sa të duash për qendruar, aq sa dhe për të ikur, thjesht varet nga mentaliteti dhe mendimet që ushqejmë brenda vetes.”

20.

“Mua të ma falin Amerikën nuk iki. Kur mbarova shkollën, u ktheva në Athinë ku kisha familjen. Ndenja i sforcuar për një vit. Nuk më shijonte as dielli, as ajri. U ktheva në Tiranë. Pasiguri kam për sigurinë që duhet të krijojë shteti si në fushën e mjekësisë, siguria në rrugë, por për të ardhmen e fëmijëve, jo. Çfarë sigurie e çfarë perspektive patëm ne studentët e ’97-ës? Por gjithë brezi im është në pozicione drejtuese nëpër banka, këshilltarë nëpër ministrira etj. Asnjë nuk është për të qarë hallin. Thashë për të tjerët për të mos e ngushtuar te vetja shembullin. Punojmë, por dhe i kemi bërë hyzmet edukimit, arsimimit. Kush bën hile me shkollën, me punën, me familjen nuk ia sheh hajrin as jashtë. E di pse kthejnë sjellje kur ikin andej? Se atje s’ju jep kush borxh. Nuk kanë shtëpinë e babit dhe petullat e mamit. Po këtu kanë faj dhe prindërit dhe mentaliteti. Mbarove shkollën e lartë? Në shtëpi me qira që të shikosh çfarë është jeta. Paguaje vet Masterin.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

21. 

“Unë dhe bashkëshorti im jetojmë në Nisë, Francë. Jemi këtu prej tre vitesh. U larguam nga Shqipëria se atë e transferuan me punë këtu. Bashkëshorti im nuk është shqiptar, por vendi që i mungon më shumë është Shqipëria dhe jo vendi i tij. Sa për mua, unë nuk di ç’të them. Ë mungon aq shumë, sa në këto tre vite nuk i kam bërë kurrë dy muaj pa ardhur. Unë kam udhëtuar në shumë vende të botës dhe e them me bindje që nuk do zgjidhja kurrë të largohesha nga Shqipëria si po bëjnë të gjithë të rinjtë. Ne gjithmonë themi që në të ardhmenm kur puna e bashkëshortit tim të ketë mbaruar, të kthehemi të jetojmë në Tiranë. Shqiptarët nuk duan t’i krijojnë mundësi vetes. Nuk i bindenasnjë rregulli, ndërkohë që ndodh krejt e kundërta kur emigrojnë në Europë. Sjellja e çdokujt është në dorën e tij dhe jo të rregullave apo ligjeve. Nëse do t’u bindesh rregullave, e bën për vete, pra ne me bindje, në Shqipëri bëjmë më të keqen për veten.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

22.

“Unë studioj për mjekësi jashtë shtetit prej dy vitesh dhe çfarë më frymëzon dhe më jep forcë të punoj më shumë është mendimi që një ditë do të kthehem në vendin tim, në Shqipërinë time. Ndoshta kushtet e jetesës janë më të mira këtu, ndoshta mundësitë për karrierë janë më të mëdha këtu, por në fund të ditës ajo që të mungon më shumë është shtëpia jote, njerëzit e tu. Janë ata që i shijojnë bashkë me ty fitoret e sukseset jo thjesht përmes kamerës së telefonit. Asnjë gjuhë tjetër në botë nuk shijon si gjuha jote. Mund të kalosh shumë vite jashtë, mund të njohësh shumë miq, por asgjë nuk mund të kompensojë gjërat që humbet ndërvite kur je larg. Unë jam një ndër ata nxënës që u largua me një dëshirë shumë të madhe për të studiuar jashtë, ndoshta me mendimin se s’do të kthehesha më, por sot dëshira më e madhe që kam është që karrierën time ta ndërtoj aty.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

23.

“Unë jam një vajzë që ka vendosur mos ta braktisë vendin e vet, ngrohtësine që të fal veç vendlindja dhe njerezit që njeh prej nje jete, që flasin gjuhën tënde, kulturën tënde dhe ku ndihesh në shtëpi. Unë kam mbaruar studimet e larta në një universitet jopublik në Tiranë. Duke u angazhuar me internshipe apo duke punuar dhe në punë jo në profesion sa për të mbajtur veten, sot në moshën 23-vjeçare punoj në profesionin tim.Kam një rrogë shumë të kënaqshme, e cila më lejon jo vetëm një jetë me gjërat e nevojshme, por dhe shumë lukse, duke kaluar kohë si në kafet e Tiranes, por dhe duke punuar për të ecur në profesion e duke mos reshtur së studiuari. Dhe me plot bindje mund të them se dhe rrethi im shoqëror me mundimin e vet janë të gjithë në profesionin e tyre dhe me rroga mbi mesataren. Mendoj se në Tiranë ka investitorë dhe kompani të huaja që mundësojne internshipe me vlerë, dhe mundësi të shumta pune. Mjafton pak pozitivitet.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

24.

“Familja ime ka qenë një nga familjet që kishin 1001 arsye për të ikur nga ky vend, por vendosëm të qëndrojmë dhe të investojmë. Na kanë djegur shtëpinë dhe biznesin plot tre herë. Na kanë vjedhur në shtëpi më shumë se dy herë. Madje, s’e harroj kurrë, kur dogjën shtëpinë, prindërit kanë hedhur vëllain (vetëm 90-ditësh) nga ballkoni te një komshi vetëm për ta shpëtuar se po digjeshim brenda të gjallë. E megjithatë, prindërit e mi s’u dorëzuan. Morën borxhe, kredi për t’ia nisur nga fillimi. Asgjë s’na mposhti dot. Sot kemi ndërtuar një biznes të sigurt, kemi punësuar njerëz dhe të gjithë pyesin sesi arritëm të ngriheshim sërish. E di që ky vend ka pafund të zeza, por midis këtyre të zezave kemi arritur të gjejmë dritën. Sot jam 24 vjeç dhe kam një biznes timin. Jam shumë e lumtur në atë që bëj dhe që kam arritur. Duke parë familjen time sesi arrit të ngrihej, asgjë s’është e pamundur. Askund, as në Shqipëri.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

25. 

“Edhe unë jam nga ata njerëz që kanë vendosur të rri në Shqipëri. Aplikova për Lotarinë Amerikane thjesht prej inerci të shoqërisë dhe lutesha çdo ditë të mos më dilte mua, por dikujt që e donte vërtet. Aty kuptova që dua të rri në Shqipërinë time, me familjen time, me njerëzit e mi. dua të punoj dhe të luftoj në një vend ku di se ku jam dhe kur hedh sytë rrotull, nuk jam e vetmuar. Nëse në Shqipëri punon fort, jeton mirë, merr frymë lirshëm dhe mbi të gjitha nuk je vetëm, nuk i dua lekët e botës kur nuk do kem se me kë t’i shpenzoj. Kam investuar shumë në shkollën time, kam dalë me nota të shkëlqyera, kam bërë botime në revista dhe po, në Shqipëri ka meritokraci nëse lufton shumë. Sot, përveçse në profesionm punoj dhe si lektore e jashtme në universitet. Po, e kam fituar vetë. Jam 29 vjeçe, kam punuar që 21 dhe sot kam një kredi 20-vjeçare për të larë, ama jetoj në shtëpinë time, me njeriun që dashuroj dhe një bekim 2 muajsh. Jeta është e bukur nëse lufton për atë që do me ata që do. Shqipëria është e bukur.”

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

26.

Pothuajse e njëjta gjë më ka ndodhur dhe mua, u ktheva 4 vite më pas, në kohën që kisha mbaruar studimet! Sa e lumtur isha që përfundova masterin shkëncor të Stomatologjisë, por nuk e dija se çfarë më priste, gjithsesi ato provime i hoqa qafe përfundimisht.  Studimet i kam mbaruar në Shqipëri, vendlindja ime është Kosovë. I përfundova të gjitha dokumentat, kisha mundësi të punoj në Zvicër pasi xhaxhai im është doktor i përgjithshëm atje, por i thashë jo sepse dua të jem në Kosovë, pranë familjes sime, afër njerëzve të mi. U hap një konkurs për stomatolog në punë shteti për 2 mjekë, por siç ndodh edhe në Shqipëri, ashtu është dhe këtu. U futa, konkurrova dhe më thanë që e kalova me sukses.

Tani, prisja vetëm të më njoftonin për të filluar punë, por kjo s’ndodhi. Më pas më shpjeguan se e vendos kryetari i komunës kush futet në punë. U mërzita shumë dhe shkova të takoj këtë personin që vendoste për “fatin e punës”. Me shumë mirësjellje i tregova rezultatet që kisha marrë nga intervista e punës, por m’u kthye aq keq në prani të njerëzve të tjerë! Me demek, s’duhet t’i kërkoja arsye atij. Po më bërtiste e po më fliste aq keq dhe unë sërish i thashë ok, e kuptoj që ke stresin e punës se tani është dhe koha e zgjedhjeve ama ia bëra të qartë që unë nuk do të lëpija kurrë këpucët e njerëzve! Isha një 23vjeçare që sapo kisha përfunduar shkollën, kam një familje me gjendje të mirë ekonomike sa për të menduar që puna s’më duhet, por gjithsesi e mbylla aty. 

Në prani të gjithë atyre njerëzve, vetëm njëri u ngrit dhe tha “kjo është vajza e filanit”, (babai im ka qenë i burgosur politik në periudhën e Serbisë, ka organizuar protesta kundër atij regjimi dhe në këtë komunë është i njohur). Sapo dëgjoi vajza e kujt jam, ndryshoi krejtësisht biseda. Nisi të më kërkonte falje duke thënë se nuk e dinte kush isha dhe më pas më tregoi se sa e respektonte familjen time.

Dua të theksoj se babi im nuk njihet për garip që t’ja kenë frikën, por ka ndërtuar karrierën e tij si inxhinier dhe njihet si njeri që s’është trembur syri prej serbëve. Nga aty dola e mërzitur, reflektova që kam mbaruar shkollë dhe punë s’po gjej. Betohem, për një muaj kam qenë me dhimbje koke, pije vetëm kafe dhe cigare. Gjumë s’kisha! Më dukej vetja njeri i vogël, por vendosa thashë nuk do të iki, do ndërtoj një klinikë afër komunës, afër qendrës. Do ta bëj vetë emrin tim, ndërkohë që dyert për në Zvicër i kisha të hapura, por mendjen e kisha ndarë që nuk do ikja.

E gjeta një vend perfekt për klinikë, u martova. Gjendja ekonomike e burrit nuk ishte e mirë, por klinikën e hapa me ndihmën e familjes dhe me kredi. Betohem kam pasur ditë plot që kam qendruar pa ngrënë asgjë dhe nuk kam pasur para as për një hamburger 1 euro. Sot jam 27 vjeçe, në vendin ku jam njihem për punën e mrekullueshme dhe po mundohem të ngre karrierën time në maja, pa mendjemadhësi.

Nëse dikur isha pa asnjë qindarkë në xhep, tani në ditë mund të fitoj edhe 2000 euro, por ka ditë që nuk fitoj asgjë! Përveç kësaj, personat me probleme sociale në klinikën time nuk paguajnë, mundohem të jem shumë afër tyre. Kam vërtetuar se paraje dhe vendi me pallate të bukura nuk janë asgjë! Gjëja më e bukur është kur vijnë klientët e mi nga jashtë dhe më tregojnë se si mjekët atje habiten nga puna që kam kryer, kur sheh njerëz të veshur me lecka dhe me lot në sy që të falenderojnë me shpirt që nuk i more lekë. Asgjë në botë nuk më shkul nga vendi im, për 4 vite kam arritur të plotësoj gjysmën e ëndrrës, për 4 të tjera do jem dhe më lart! Dua të flas shqip, të shaj shqip dhe të shoh të rinj që bëjnë mrekullira në vendin e tyre!

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

27.

Ah sa i kam menduar këto gjëra vjet kur cova çunin në Gjermani për studime.. Ndërsa laja rrugët me lot (madje dhe tani po lotoj), thosha pse dreqin po i heqim fëmijet nga vetja!  Pse u bë kaq e modës? Une jam kaq mirë ekonomikisht sa falenderoj përdite Zotin për këtë.

Pse dreqin,edhe kur jemi duke shijuar momente të bukura themi, “këtu nuk jetohet”, “ky vend plehrë”! Mirë vërtet ata që nuk kanë një jetë cilësore dhe kanë të drejtë të ankohen, po ne pse? Pse ua futëm fëmijëve në gjak të shkollohen andej? A nuk u integruam dhe ne këtu me këtë shkollë që bëmë? Po investojmë në largimin e fëmijëve dhe kjo është e dhimbshme. Tani na duket sfidë, por më vonë do ta ndjejmë ç’kemi bërë. Përfundimisht mendoj, nëse ke patur fatin të integrohesh në vendin tënd dhe të kesh një ekonomi të mirë, absolutisht jeta më e bukur është këtu. Lus Zotin qe djemtë e mi pas shkollimit andej, të arrijnë të ndërtojnë jetën këtu!

Rrëfime për ‘Pse e duam Shqipërinë’

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix17 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar17 orë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix17 orë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix17 orë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Mix17 orë më herët

Veçoritë e Sicilisë – pse ia vlen ta vizitojmë?

Për shumë vite, qytetet klasike të Italisë, Roma, Venecia, Firence dhe Milano kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, ndërsa...

Mix18 orë më herët

ChatGPT Search, motori i kërkimit OpenAI, tani është falas për të gjithë

Ne kemi folur gjatë për ChatGPT Search në këto faqe dhe se si ai është i destinuar të ndryshojë thellësisht...

Mix18 orë më herët

Publikohet lista e 100 kuzhinave më të mira në botë, ja ku renditet Shqipëria

Guida e njohur gastronomike “Taste Atlas” ka publikuar listën e saj vjetore të kuzhinave më të mira në botë. Kuzhina...

Radar18 orë më herët

Avokat Ngjela: Non grata e Berishës e pakthyeshme, kërkon të manipulojë militantët. Kot mban shpresa te Trump

Avokati Spartak Ngjela pohoi pasditen e sotme se vendimi për shpalljen non grata të kreut të PD-së Berisha është i...

Mix18 orë më herët

Shkenca e fshehur në pikturën ikonike të Van Gogh, “Nata me yje”

Dy dekada më parë, dy fizikanë po qëndronin në një muze në Madrid duke menduar për veprat e piktorit post-impresionist...

Mix18 orë më herët

Dalina Buzi me deklaratë të fortë për Kiarën, reagon ashpër Luizi!

Dalina Buzi e ka ngacmuar Luiz Ejllin dhe Kiara Titon me një deklaratë të fortë qe beri se fundi për...

Facebook