Aktualitet
Psikopati
27.al
Nga Enkel Demi
Drita fillimisht ishte hije. Më pas u bë gjysëm dritë. Ai, mjekërbardhë që qahej, se e kishin çuar prej gjumit në pikë të mëngjesit dhe e kishin nisur për në Durrës a gjetkë, atje ku një vit më parë tërmeti kishtë rrënuar shtëpitë.
Në gjysëm dritë ai, mes gërmadhave, të cilat janë krim shtetëror, sepse në tërmetin e 21 shtatorit nuk e lëvizi menderen t’i nxirrte nga shtëpitë ata njerëz që mbetën nën rrënoja në 26 nëntor.
Krim shtetëror, sepse kryetarët e tij të bashkive për të ngopur grykësinë e Rilindjes mavi lëshuan leje ndërtimi në rërë buzë detit, në ish-këneta, ku ngrehinat i thithi toka.
Krim shtetëror, sepse pas një viti, falë reformës në drejtësi që ka bekuar Yuri Kim dhe Luigi Soreca sot nuk ka asnjë të dënuar, asnjë syresh pas hekurave. Ka vetëm një qyqar që akuzohet për ndërtim pa leje.
Megjithatë ai është në gjysëm dritë, sepse shkoi të lëshonte romuze në ditë morti për të mbajtur me gajret të hallemadhët.
Por, dikur drita shpërthen bëhet e plotë, sepse jeta e Rilindjes lulëzon mbi gërmadha. Bëri konferenca donatorësh, mblodhi paratë e bamirësëve, emigrantëve, u la detyra me gojë oligarkëve që të shpenzonin për sadaka para për të vobektët dhe ata nuk ia vunë në pullë. Gjithsesi, në këtë pikë regjizori i Realizmit Socialist e bën dritën të plotë dhe ai, vetëm ai del në pah, sepse ai po shpëton njerëz që i luten, i përgjërohen, i puthin duart dhe ai vë dorën në zemër dhe i shpëton.
Shtëpi doni ju? Dhe ky paladin i zemërgjerësisë ua dhuron, por 3 D.
Para doni ju? Dhe ky gjigand e melodramës ua merr donatorëve, por i vjedh.
Transparencë doni ju? Dhe ky largpamës vendos tigrin ministër të rindërtimit dhe i var mëlçitë në qafë.
Ani, drita bëhet sërish gjysëm terr, se po flet për të vdekurit që nga rrënojat, sepse ai qëndroi buzë tyre një herë që ta filmonim mirë e bukur.
Drita lind e plotë, se ai ka shkuar përditë atje, tek vendi i krimit, herë me veshjen e Bayern-it, herë me atë të Kombëtares. Ai ka vajtur dhe kjo duhet t’u mjaftojë atyre pabuksave që ua vodhi fondet, ua mori erzin, ua çnderoi të vdekurit, por ata duhet të mjaftohen që ai gjeti kohë, u zgjua dhe shkoi. Pse pak është kjo?
Tani, do u bëjë dhe një koncert, sepse në këtë vend muzika është ose për të të vdekur si te Spitali, ose për ata që i kallëm në dhe.
Pas një viti të gjithë duhet të kërcejnë, të hidhen përpjetë, sepse nuk të tund vetëm tërmeti, të tund edhe shteti.