Lidhu me ne

Kryesore

Një përgjigje për Ramën dhe kolegët e mi gazetarë

Nga Armand Shkullaku

Ndihem i çuditur që pasi punoi për dy ditë, kryeministri më kushtoi një videoklip, madje me vetë zërin e tij. Do të kem kënaqësinë ta ridëgjoj, kur afera e inceneratorëve të zbardhet një ditë plotësisht.

I dalë i dërrmuar nga një debat televiziv mbi këtë temë, ku nuk mundi të japë asnjë përgjigje për pyetjet themelore që shqetësojnë publikun për këtë mega aferë, kryeministri po tentontë kapet, si i mbyturi pas fijes së kashtës, me një thënie timen gjatë emisionit Opinion.

Po, kam thënë në emision se inceneratori i Elbasanit nuk ishte në punë dhe si argument për këtë kam sjellë faktin se kompania private nuk ka faturuar asnjë të ardhur nga shitja e energjisë që do duhej të prodhonte. Kryeministri më përgënjeshtroi duke treguar një shifër në sahatin e kompanisë. Këtë do ta sqaroj më poshtë.

Por ajo që më detyroi të jap një përgjigje, nuk ka të bëjë me videoklipin e Edi Ramës. Emisionin e panë të gjithë. Përgjigjen më shumë e kam për kolegët e mij, të cilët u detyruan të merren me çështjen e inceneratorëve duke u nisur nga pasaktësia ime dhe jo nga pyetjet pa përgjigje që la kryeministri. Këto pyetje, që nesër mund t’i parashtrojë edhe një prokuror i rëndomtë, që do donte të zbardhte këtë aferë të dyshimtë, janë fare të thjeshta:

Përse procedura e dhënies së koncensioneve PPP u bë pa garë, me një ofertues të vetëm dhe fituesit nuk kishin as kapitalin e nevojshëm dhe ekspertizën (ose punë të ngjashme) për një ndërmarrje të tillë që na kushton dhjetra milionë euro?

Si ka mundësi që brenda një dite të vetme, shpallet fituesi, mbyllen ankimimet, negociohet një kontratë 40 faqe, nënshkruhet, bëhen disa VKM dhe nisin transfertat e parave nga buxheti drejt kompanisë private?

Pse një person i vetëm është prapa të treja koncensioneve, Elbasan- Fier- Tiranë dhe ku janë regjistruar kompanitë e lidhura me të? A është kryer ndonjë hetim apo verifikim?

Nëse PPP janë investime që kryhen nga privati, pasi shteti nuk ka fonde t’i kryejë menjëherë dhe i paguan me këste pasi janë bërë investimet, përse ato janë paguar nga taksat tona për vite me radhë dhe privatët nuk e kanë realizuar pjesën e tyre të investimit? Pse duhet atëherë që këto kontrata të ishin PPP dhe jo prokurime të zakonshme, kur shteti investon vit pas viti për të realizuar një vepër publike?

Në rastin më të mirë këto kontrata janë hartuar keq dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi, pasi megjithëse kemi PPP, nuk kemi marrë shërbim (rasti i Fierit më flagranti) dhe shteti vazhdon të paguajë një privat me paratë e taksave, që privati të mbledhë parà për ta kryer investimin më vonë.

Parimi i PPP është ndarja e riskut me privatin, por në këtë rast, risku ka qenë i buxhetit dhë përftimi i privatit. Këtë e vërteton vetë ministria e Financave në pasqyrat e pagesave për inceneratorët, ku shprehet shqetësimi se ndërsa shteti ka bërë të gjitha pagesat, privati nuk ka realizuar as 20 përqind të planit të tij të investimeve.

Përse duhej që në një territor afro 70 kilometra katrorë të ngrihen 3 inceneratorë? A kemi ne aq mbetje sa të justifikojnë këtë investim? Çfarë emergjence kishim për të bërë një investim kaq të madh (madje dhe në kohë pandemie) kur edhe nga BE ka patur shqetësim për këtë inisiativë të qeverisë?

“Ndërtimi i inceneratorëve të rinj paraqet shqetësime sa i përket përputhshmërisë me legjislacionin komunitar të BE për mbetjet, përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivat e riciklimit…”, thuhet në dokumentin e komunikimit të vitit 2020 për politikat e zgjerimit për Shqipërinë.

Pyetje të tjera, ende pa përgjigje, janë ato se kur janë regjistruar kompanitë që morën këto koncensione, çfarë kapitalesh kishin? Përse kompania italiane që ishte pjesë në fitimin e tenderit të Fierit, ia shiti aksionet e saj Klodian Zotos një ditë pas shpalljes fituese, me vetëm 200 mijë lekë?

Seria e pyetjeve mund të vazhdojë gjatë, por për këto as Edi Rama nuk jep përgjigje dhe as shumë kolegë të mij, që nxituan të merren me një fjali të një debati tre orësh nuk e kanë pasur t’i shtrojnë.

Kryeministri prodhoi një videoklip për të zhurmuar pikërisht zbardhjen e plotë të të gjithë aferës së inceneratorëve. Sigurisht që nuk e bën dot. Po për ata që më lexojnë dua të sqaroj se çfarë është ajo thënie e imja që Edi Rama e quajti dezinformim dhe kolegu im Mero Baze, herë gënjeshtër e herë pasaktësi.

Kompania që ka ende në pronësi inceneratorin e Elbasanit, nuk ka faturuar deri më sot asnjë të ardhur nga shitja e energjisë. Arsyetimi është se ERE nuk i ka përcaktuar tarifën me të cilën do të blihet kjo energji dhe çështja qënka në gjykim.

Unë kryeministrin e kam pyetur nëse kompania ka fatura të shitjes që vërtetojnë edhe prodhimin e energjisë dhe ERE nuk është një institucion që varet nga unë dhe problemet me të do duhej të ishin parashikuar që në kohën kur do të lidhej kontrata me koncensionarin.

E pranoj se deklarata ime në emision ka qenë e pasaktë, ndonëse po të dëgjohet dialogu kam thënë fjalën sot, pra që sot (të enjten) nuk është në punë inceneratori në fjalë, por e marr përsipër përgjegjësinë time në pasaktësinë e informacionit.

Në një aferë ku ndërthuren qindra elementë, dhe për të cilën janë po aq investigime nga BIRN dhe media të tjera, kolegët e mij e dinë mirë të dallojnë gënjeshtrën nga pasaktësia.

Megjithatë, në fotografinë e sahatit të kompanisë që tregoi kryeministri, lexohej shifra 4 milion e 112 mijë këh, sasia e energjisë që ka prodhuar kompania dhe e ka futur në rrjet.

Sipas Aneksit C të kontratës së botuar në fletoren zyrtare nr 202 të vitit 2014, koncensionari ka marrë përsipër, që kundrejt pagesave të marra nga qeveria, të ndërtojë një incenerator që do të prodhojë 18 milion e 780 mijë këh energjike elektrike në një vit.

Në tre vite, pra nga viti 2017 kur u vu në punë e deri më sot, sipas kësaj kontrate do të duhej të kishte prodhuar 56 milionë e 340 mijë këh. Nga foto që tregoi Edi Rama, duket që ka prodhuar 4 milionë e 112 mijë këh, ose 7.3 përqind të sasisë që ka marrë përsipër. Thënë ndryshe, referuar vetë kontratës, i bie që inceneratori i Elbasanit të ketë punuar me kapacitet të plotë vetëm 22.8 ditë.

Nëse 7 përqind prodhim energjie nga sasia totale që do duhej të prodhonte në tre vjet, nuk ju duken asgjë, e pranoj përsëri përgjegjësinë e deklaratës time. Dhe ndërkohë e ftoj kryeministrin, që po me të njëjtin frymëzim artistik të videoklipit të na tregojë sa është shifra e sahatit të kompanisë sot, pas asaj që publikoi ai të enjten.

Ndërsa kolegëve të mij, për të mos u hallakatur në dosjen voluminoze të inceneratorëve, të pyesin se përse nuk ka nisur punë ai i Fierit, kur duhej të ishte në funksion prej një viti më parë dhe sa milion euro i janë kaluar privatit nga shteti dhe sa është realizimi i tij.

Nëse në një koncension, të dyshuar si një skandal korruptiv me përmasa të jashtëzakonshme, dëshiron të zbardhësh të vërtetën apo saktësinë e ballafaqimit të një gazetari me kryeministrin, kjo është në zgjedhjen e gjithsecilit.

Unë do vazhdoj të bëj të parën, sepse jam i bindur që çështja sot nuk është a gabova unë, por çfarë kostosh kemi nëse ka gabuar kryeministri. Dhe a mjafton ai 7 përqindshi i energjisë për t’u dhënë përgjigje gjithë pyetjeve të mësipërme?

Në videoklipin e Edi Ramës kishte dhe pjesë nga një reportazh, i transmetuar tre vite më parë nga media ku unë punoj dhe drejtoj, ku tregohej se inceneratori i Elbasanit prodhonte energji nga djegia e mbetjeve.

Ai po, është përgjegjësi edhe e imja. Jo për faktin se ai mohon situatën dhe aktivitetin sot pas tre viteve të këtij inceneratori, por sepse shpeshherë kontratat e marketingut na i mbyllin sytë përpara hetimit të fakteve.

Kjo është një përgjegjësi morale, për të cilën na gjykojnë ata që na dëgjojnë e lexojnë. Eshtë një përgjegjësi që shpjegon edhe humbjen e besimit të publikut ndaj nesh si media. Dhe i mirëkuptoj të gjitha kritikat e akuzat në këtë drejtim.

Vetëm se kjo përgjegjësi, nuk mund të justifikojë abuzimet e pushtetit që kanë pasoja dhe na kushtojnë të gjithëve. Edhe në këtë rast është çështje zgjedhje se ku e vendos lupën. Në profesionin tonë sigurisht që na rëndojnë mëkate, por mëkati më i madh është kur justifikon pushtetin dhe jo kur e akuzon atë, qoftë edhe duke e rënduar me pa të drejtë.

Edi Ramës dua vetëm t’i kujtoj se betejën ndaj akuzave për inceneratorët nuk e ka me mua por me drejtësinë.

Debatin me mua mund ta përdori për të rikuperuar diçka nga imazhi i rrënuar i të enjtes mbrëma në Opinion, por pyetjeve mbi aferën e inceneratorëve nuk mund t’u ikë gjithë jetën pa dhënë një përgjigje.

MË TEPËR

Radar2 ditë më herët

Dalina Buzi: Parashqevia, ylli shqiptar që e fshiu vendin e vet, i vetmi që e deshi e s’do e linte të mblidhte ndihma

Dalina Buzi, tregon përmes një eksperience personale dhe profesionale nga viti 2003 kur e gjendur në Amerikë për të ndjekur...

Kryesore3 ditë më herët

“Trump është legjendë, ju jo” / Evi Kokalari sulmon Sali Berishën!

Aktivistja Evi Kokalari dhe kreu i PD Sali Berisha Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra një...

Aktualitet3 ditë më herët

“Nuk i njeh askush s’ka njeri që di të përmendë 5 emra ministrash në këtë vend “

Lorenc Vangjeli: Analisti Lorenc Vangjeli foli në “Top Story” për deputetët në Kuvend, teksa disa prej tyre i konsideroi si...

Kioske3 ditë më herët

Tiranës i duhet një metro

Eduard Zaloshnja Zona metropolitane e Tiranës, që përfshin bashkitë Tiranë, Kamëz e Vorë, ka plot 716 mijë banorë, 216 mijë...

Radar3 ditë më herët

Basha: Partia Demokratët Euro Atlantikë ka kolosë në gjirin e vet. Rakipi: Në Atlantik ka peshq

Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se në partinë Demokratët Euro Atlantikë ka “kolosë” të cilët...

Mix3 ditë më herët

iPhone 17 Pro, Apple gati për të revolucionuar dizajnin: këto janë risitë e mundshme

Me sa duket, risitë që vijnë në iPhone 17 nuk do të kenë të bëjnë vetëm me ekranin. Në fakt,...

Mix3 ditë më herët

Kush është blogerja Bettina Anderson? 5 gjërat që duhet të dini për të dashurën e re të Donald Trump Jr

Bettina Anderson u bë e famshme pasi u shfaq krah për krah me Donald Trump Jr. Në fotot e marra...

Radar3 ditë më herët

Nuk është shaka/Nis dialogu me qytetarët për luftën ndaj korrupsionit

Teksti më poshtë është marrë nga ATSh dhe sugjerohet si lajm nën titullin: Komisioni i posaçëm antikorrupsion, nisin nga Durrësi forumet...

Kritike4 ditë më herët

Mashtrimin e Edi Ramës me rritjen e pagave e beson vetëm Helena Kaçi

Nga Irena Beqiraj Në 7 prill 2023, ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimi, na dha lajmin e mirë...

Mix4 ditë më herët

3 ushqimet më të mira për mëngjes!

Tërshëra 1. Të gjithë e dimë se tërshëra është një superushqim. Gjëja më e mirë është që ju mund ta...

Facebook