Lidhu me ne

Kryesore

Debatet ballë për ballë si detyrim dhe respekt ndaj zgjedhësve

Preç Zogaj

Këtë të mërkurë,  në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale në SHBA,  u mbajt   debati i parë  tradicional  mes Presidentit  Donald  Tramp  që garon për një mandat të dytë dhe sfidantit të tij demokrat,  Joe Biden, ish senator dhe  ish zëvendës president  gjatë dy mandateve të  Presidetit Barak Obama.

Siç pritej, ky debat mbajti të  mbërthyer  pra ekraneve , radiove  dhe rrjeteve sociale  qindra milion njerëz  në SHBA dhe  anembanë botës, zgjedhës amerikanë  që do të vendosin kush do t’i qeverisë gjatë katër viteve  të ardhshme dhe qytetarë të vendeve  të tjera  në të pesë kontinentet që janë   të interesuar për fatin e zgjedhjeve më të rëndësishme të planetit. Sepse SHBA, për shkak të  supremacisë si fuqi e madhe demokratike,  kanë vazhduar   e  vazhdojnë   ta qeverisin botën, siç thoshte  Xhorxh Bush i Riu, në kuptimin që  të përcaktojnë trendin e zhvillimeve botërore dhe të jenë  forca numër një e paqes dhe sigurisë në botë. Me fjalë të tjera, t’u ofrojnë qeverisje të tërthortë  edhe atyre që nuk  janë zgjedhës amerikanë.

Debati i parë  Tramp-Biden pritej me interes të shtuar edhe për shkak të simbolikave politike që mbartin dy rivalët:  Presidenti Tramp  bartës i atipikes në kontekstin  amerikan dhe botëror,  sfidanti  Biden bartës i vazhdimësisë së  shartuar me risitë që sjellin kohërat e reja.   Ndërkaq, vetë plateja  elektorale  ka qenë më  inkandeshente kësaj radhe për shkak të temave shumë të ndjeshme të aktualitetit, ku rivalet  kanë qëndruar e  qëndrojnë  në dy skajet e litarit. Siç janë  menaxhimi i Covid 19 dhe përplasjet e trazirat që  shpërthyen  pas  vrasjes  nga policia të afro amerikanit Gerge Floyd. Përballë këtyre ngjarjeve, presidenti Tramp i ka mëshuar sloganit Ligj dhe Rregull, kurse  Biden  principit të  Drejtësisë.

Temat në fjalë u trajtuan në debatin e parë. Natyrisht, nuk ishin të vetmet.  Pikëpamja më e përhapur e analistëve politikë ishte ajo që  vuri  në dukje radioja “Zëri i Amerikës ” në komentin e saj ku thuhej se  “temat e debatit  u lanë në hije nga përplasjet  e vazhdueshme, që në një farë mënyre i shkojnë për shtat një fushate jashtëzakonisht të ashpër”. Kjo bëri që debati të mos vlerësohej si  ndër të mirët,  madje pati edhe vlerësime negative. Demokracia amerikane është një potpuri opinionesh të lira, ndaj nuk ka asgjë për tu çuditur kur një analist e vlerësoi edhe si më të keqin ndonjëherë në historinë moderne të politikës amerikane, ndërsa një tjetër propozoi që dy debatet e tjerë në program  më mirë të mos zhvillohen.

Nuk është e qartë cili do të jetë fati i dy debateve të tjera  pas infektimit të Presidentit Tramp me Covid 19 dhe karantinimit të tij  për ketë shkak duke filluar nga dita e djeshme. Pra a do t’i premtojë  koha  dhe a do të lejohen nga stafet mjekësore ti zhvillojë këto debate,  që në traditën amerikanë janë një normë. Sidoqë të jetë, me debate apo jo, në vijim të fushatës rivalët do të shfaqin  pikëpamjet  dhe  programet e tyre për politikën e jashtme amerikane, një temë që u intereson më së shumti  shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e  Veriut, Mal të Zi dhe kudo ku jetojnë. Përtej  parapëlqimeve  për njërin e tjetrin kandidat,  që kur është fjala për njerëz që nuk votojnë  janë njëlloj sporti politik, ajo që   bashkon apo duhet të  bashkojë shqiptarët  përkundrejt  garës për Shtëpinë  e Bardhë është një politikë  e jashtme aktive dhe misionare e SHBA në mbështetje të  demokracisë, paqes dhe zhvillimit në botë. Kjo ka qenë dhe është mirë  për ne, qoftë kur  Presidenti  ka qenë republikan, qoftë kur ka qenë demokrat. E njëjta gjë me Tramp dhe Biden, njëri prej të cilëve do të fitojë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Disa ngjarje të mëparshme dhe të kohëve të fundit kanë treguar se Tramp nuk është  de fakto izolacionist siç mund të  dukej nga  retorikat e tij . Me Trampin  President, SHBA kanë njohur  ushtrinë e Kosovës , vetë Presidenti  me stafin e tij kanë  vënë në agjendë normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë me synim  final njohjen e ndërsjelltë. Në kuadër të këtij procesi me rendësi historike në 3 shtator u nënshkruan marrëveshja e parë mes dy vendeve në zyrën ovale, në një ditë të madhe shqiptare, serbe dhe rajonale në zyrën me të fuqishme të botës.  Një gjë e ngjashme mund të thuhet për konsistencën e  administratës Tramp në  mbështetje të  reformës në drejtësi, demokracisë dhe progresit në Shqipëri. Për Biden, s’kemi çfarë të themi. Ai, siç e ka dëshmuar sa e sa herë në qëndrimet dhe  prononcimet e tij, e njeh “përmendësh” rajonin, Kosovën, Shqipërinë. Ai përfaqëson  politikën  që ka formular partneritetin strategjik  dhe marrëdhëniet preferenciale mes  Amerikës së madhe me kombin shqiptar. Si përfundim, në atë që është aspirata jonë kryesore, ne jemi të fituar me të dy  rivalët. Pavarësisht nuancave në  qëndrimet e tyre për rajonin.

Për t’u kthyer të debati i së mërkurës, ai na sjell edhe njëherë para  syve  një shfaqje  madhështore të  kryqëzimit  ballë përballë  të të vërtetave, qëndrimeve, karaktereve, kompetencës,   kulturës, klasit , etikës e deri  të gjendjes  fizike të kandidatëve  që synojnë të marrin votëbesimin e qytetarëve për t’i qeverisur. Përballja në debate në të njëjtën  studio a skenë  është një detyrim në  traditën  demokratike amerikane dhe europiane. Një detyrim si  shprehje  respekti dhe nderimi  për zgjedhësit që kanë nevojë ti shohin e ti dëgjojnë kandidatët  duke  dialoguar, duke kundërshtuar  e korrigjuar njëri tjetrin. Në këtë mënyrë alternativat spikasin  shumë më mirë se sa duke  folur sekush nga llogorja  apo kapsula e tij pa kundërshtarë përballë. Zgjedhësit  kanë  mundësi të gjykojnë më qartë e më mirë se kush  është  i duhuri për ti besuar votën.

Shembulli  i debateve  mes kundërshtarëve në SHBA,  në Europë dhe kudo ku  ka demokraci na kujton  edhe njëherë se  jemi   vendi ku prej dy dekadash nuk ka në fushatat tona elektorale dhe as jashtë tyre  debate politike ballë për ballë në nivelin e drejtueseve  politikë  kryesorë. Madje  qëkur opozita dogji  mandatet  PS ka refuzuar  të marrë pjesë në debate me kundërshtarët edhe në nivel deputetësh e drejtuesish politikë të rangut  të dytë e të tretë.  Ka gjasa të jemi shembull botëror në këtë pikë, shembull i keq kuptohet. Një nga arsyet përse  është  kaq i ngarkuar  dhe i shëmtuar ligjërimi politik në vendin tonë është  pikërisht zakoni i të folurit  nga llogorja, pa kundërshtarin përballë. Dialogu dhe debati me kundërshtarin përballë imponojnë shumë me tepër maturi, saktësi,  fakte, argumente.  Shqiptarët çfarë nuk dëgjojnë majtas e djathtas, por ata janë të privuar  t’i shohin dhe t’i gjykojnë partitë e politikanët  kryesorë duke debatuar në një studio, në një platformë. Kjo  padyshim është fyese për qytetarët. Komunikimi nga llogoret e ka tharë politikën, për të mos thënë e ka shndërruar në një falsitet.

Kryetari i PD-së,  Lulzim Basha i hodhi sërish dorashkën  kryeministrit Rama pardje  për të debatuar ballë për ballë. Kjo është një dorashkë-ofertë  në hullinë e normalitetit,  që Rama duhet të dijë e besoj do të dijë ta vlerësojë.    Çështja është që gatishmëria e palëve për debat të mos mbetet në  nivel deklaratash, por të programohet, të  fillojë njëherë, pastaj të normohet , të bëhet zakon. Si fillim, zoti Rama duhet  të heqë  ndalimin e deputetëve të  tij për  t’u ulur në studio televizive përballë homologëve të opozitës. Tashmë është krejt pa kuptim justifikimi me djegien e mandateve. Me mandate, pa mandate, kjo është opozita. /Gazeta Liberale

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Për forcimin e kujtesës – Produktet që ju duhen çdo ditë

Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni...

Mix2 ditë më herët

Paraliza e gjumit: Çfarë është, pse ndodh dhe si mund ta shmangni?

Paraliza e gjumit është një përvojë e frikshme që shumë njerëz e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë....

Radar2 ditë më herët

Berisha fton Shpëtim Idrizin në koalicion, përjashton Bashën: Është me Taulant Ballën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se do të zhvillojë negociata serioze me Shpëtim Idrizin për të krijuar...

Radar2 ditë më herët

Altin Dumani: Askush të mos ketë frikë, për sa kohë është në përputhje me ligjin

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është shprehur se askush nuk duhet të ketë frikë nga ngritja e...

Kryesore2 ditë më herët

Rama: Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve që i kërkojnë që të largohet, por thekson se nuk ik...

Radar2 ditë më herët

Kolegji privat merr masat, njofton policinë pas një e-maili. Hetimi i krimit kibernetik po punon për identifikimin e autorëve.

Policia ka reaguar pas alarmit për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”, ku në një email dërguar sekretarës shkruhej “do...

Mix2 ditë më herët

Apple prezanton iPhone 16e/ Prodhimi i ri me inteligjencë artificiale

Apple ka prezantuar një iPhone të rim i cili sjell veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) me një kosto më të...

Mix2 ditë më herët

Anne Frank: Unë besoj ende se njerëzit kanë zemër të mirë…

“Vërtet është për t’u habitur, sesi nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia, sepse duken shumë absurde...

Mix2 ditë më herët

Si të bëheni një folës i shkëlqyer në publik?

Pse të flasësh në publik është e rëndësishme? Të folurit në publik është një aftësi që sjell përfitime të shumta....

Mix2 ditë më herët

Pse disa njerëz e kanë më të lehtë të kujtojnë ëndrrat sesa të tjerët?

Është e vështirë të jetosh ëndrrat e tua — veçanërisht kur nuk mund t’i kujtosh ato. Dream recall është aftësia...

Facebook