Kryesore
Profesorët e korruspsionit, sezoni i provimeve apo sezoni i mitëmarrjes?
Nga Elvis Myrta
Universitetet publike në vendin tonë janë kthyer në burim korruspsioni, ku gjatë sezoneve të provimeve këto institucione, të cilat duhet të shërbejnë për dhënien e dijeve dhe formimin e studentëve kthehen në biznes. Edhe pse në këto vitet e fundit shumë pedagogë janë arrestuar apo janë vënë nën hetim për mitëmarrje, sërish nuk është bërë i mundur frenimi i këtij fenomeni negativ. Por kush janë pedagogët e arrestur ndër vite, dhe sa para merrnin ata për dhënien e një note kaluese? Gazeta “Fjala” sjell disa nga rastet kur kanë përfunduar në pranga apo janë vënë nën akuzë profesorë të universiteteve publike në vend.
Fenomeni i ryshfetit në universitetet tona nuk është një rrëfenjë, por një realitet i prekshëm që të gjithë e kemi hasur. Në vitet e fundit, gjatë sezonit të provimeve rastet e aferave korruptive për të marrë notë kaluese kanë qenë të shpeshta.
Jo në pak raste korrupsioni në universitetet publike ka qenë objekt i punës së institucioneve hetimore, por me gjithë përpjekjet për t’i hetuar e gjykuar rastet e korrupsionit në arsim, ky fenomen nuk është parandaluar, por vazhdon të jetë prezent, pasi në në çdo sezon provimesh ai përhapet me shpejtësi, si tumori në trupin e njeriut.
Korrupsioni në universitete shfaqet në forma e në mënyra të ndryshme, duke filluar që nga shitblerja e notës, dhe detyrimi i studentëve nga ana e pedagogëve për blerjen e librave. Gjithashtu, nuk mungojnë rastet ku në afera korruptive në institucionet arsimore janë përfshirë edhe punonjës të administratës së universiteteve, apo të njohur të pedagogëve, të cilët luajnë rolin e sekserit, për të kryer rolin e ndërmjetësit në këto raste korruptive.
Për këtë arsye, në 12 universitetet publike që ka Shqipëria, nuk kanë munguar rastet kur profesorët e lëndëve të ndryshme janë vënë nën hetim, apo edhe janë arrestuar për mitëmarrje nga autoritetet ligjzbatuese. Nëse do të kërkojmë për fajtorët, do të gjejmë shumë, ku përveç pedagogëve të korruptuar, fajtorë janë edhe vetë studentët, të cilët nuk reagojnë apo denoncojnë rastet korruptive, por paguajnë për marrjen e një note kaluese. Në universitetet publike shumë pedagogë përgojohen si të korruptuar, duke e kthyer në biznes misionin e tyre akademik.
Sekserët janë “të punësuarit” e tyre, por nuk mungojnë rastet kur studentët ia dorëzojnë vetë “zarfin”, për të marrë notë kaluese në provime. Ky fenomen kaq negativ, u konstatua edhe gjatë sezonit të provimeve që sapo kaloi, ku katër ditë më parë, në Korçë, për mitëmarrje u arrestua një pedagog i Fakultetit të Shkencave Sociale.
Blutë e qytetit juglindor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, goditën një rast korrupsioni në universitetin “Fan Noli”, duke arrestuar një pedagog, pasi dyshohej se për dhënien e provimeve ai u merrte para studentëve. Gjithashtu, në pranga përfundoi edhe sekseri.
Burime zyrtare policore, thanë u arrestua pedagogu i Shkencave Sociale, Alket Dino, si dhe Xhevi Dervishi, i cili kishte rolin e sekserit. Nga informacionet e siguruara nga gazeta “Fjala”, mësohet se Dino ishte vënë nën përgjim prej një muaj nga ana e SPAK-ut. Pedagogu jepte mësim në degët Filozofi, Sociologji dhe Administrim Politikash Sociale, nga hetimet që kanë zgjatur rreth një muaj, autoritetet kanë ngritur dyshime se ai ka përfituar shuma monetare në këmbim të dhënies së provimeve për studentët.
Ndërkohë, Dervishi që ka pasur rolin e sekserit, dyshohet se ka bërë ndërmjetësimin mes Dinos dhe studentëve. Ndalimi i tyre nga autoritetet është bërë i mundur nga ana e specialistëve për hetimin kundër korrupsionit të policisë së Korçës, nën drejtimin e SPAK-ut. Ata u ndaluan pranë universitetit, ku në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan edhe një sasi prej 300 eurosh dhe 50 mijë lekësh, të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga studentët. Shoqërimi i tyre është bërë mbrëmjen e së mërkurës, të datës 23 shtator.
Hetimet
Lidhur me akuzat ndaj pedagogut të Fakultetit të Shkencave Sociale në universitetin “Fan Noli”, Alket Dino, 34 vjeç, i cili dyshohet se merrte para në këmbim të dhënies së provimeve, ka reaguar edhe avokati mbrojtës i tij. Referuar dëshmisë, avokati mbrojtës i pedagogut Alket Dino, Nevzat Tarelli, ka dhënë dje detaje nga arrestimi i tij, duke bërë me dije se hetimet e SPAK-ut kanë zgjatur për një 1 muaj.
Autoritetet ligjzbatuese u ndihmuan nga një agjent i infiltruar, si dhe nga veprime stimuluese, ku hetuesit ishin në dijeni të numrit të serive të kartëmonedhave që do t’i dorëzoheshin sekserit të pedagogut Dino. Pedagogu përpara grupit hetimor nuk e ka mohuar që ka njohje me Dervishin, por ai ka mohuar se paratë do t’i merrte ai. Dervishi është pronar i një agjencie imobiliare dhe, sipas tij, takimi ka qenë për shkak se ai kishte interes për marrjen me qira të një banese.
Alket Dino është pozicionuar qartë që nuk ka lidhje me rastin korruptiv, që ka të bëjë me një student që pretendon se ka paguar për një provim me Alket Dinon 500 euro. Gjatë kontrollit fizik profesorit nuk i është gjetur asnjë kartëmonedhë euro. Një pjesë e eurove janë gjetur në portofolin e Xhevi Dervishit.
Rastet
Rastet e mitëmarrjes në universitetet publike janë të shumta, ku disa prej tyre kanë përfunduar me arrestimin e disa prej pedagogëve. Shpeshherë studentët kanë bërë publike denocimet e tyre ndaj të korruptuarve që japin mësim në këto universitete, ku në shkëmbim të një note kaluese në provime marrin para.
Gjatë dekadës së fundit nuk kanë munguar rastet kur institucionet e akuzës në qarqe kanë vënë nën hetim për korrupsion qindra pedagogë. Nuk kanë munguar rastet edhe kur të korruptuarit në universitete kanë rënë në pranga. Gazeta “Fjala” më poshtë sjell disa raste kur pedagogë të ndryshëm kanë përfunduar në pranga
Pranga pedagogut të Juridikut
Më 16 qershor të vitit 2012, Fran Qafa, pedagog i Juridikut të universitetin “Luigj Gurakuqi”, përfundoi në prangat e bluve të qytetit verior. Në atë kohë, pedagogu i njohur i së drejtës penale u arrestua në flagrancë nga blutë e qytetit verior, duke marrë në formë ryfsheti një sasi parash nga një student.
Në momentin e arrestimit pedagogu Qafa dhe studenti ndodheshin bashkë në një lokal pranë universitetit. Policia dhe prokuroria e Shkodrës kishin nisur hetimet prej një viti ndaj pedagogut, pasi kishin marrë informacione se ai merrte para kundrejt dhënies së provimeve.
Pranga pedagogut të matematikës
Më 3 korrik të vitit 2012, Pëllumb Kllogjeri, 61 vjeç, profesor i matematikës në Universitetin e Elbasanit, u vu në pranga nga policia e Elbasanit, me akuzën e mitëmarrjes. Ai u arrestua në flagrancë, sepse në zyrën e tij, në atë kohë u gjetën 7 zarfa me nga 10 mijë lekë të rinj brenda, si dhe një zarf me 100 euro.
Arrestimi i pedagogut të gazetarisë në Elbasn
Më 15 shtator të 2012-s, policia e Elbasanit vuri në pranga pedagogun e degës së Gazetarisë në universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në atë kohë 30 vjeç. Ai u arrestua në flagrancë, në momentin që po u merrte para studentëve për dhënien e një note kaluese.
Në atë kohë uniformat blu thanë se ai merrte 10 mijë lekë të rinj deri në 100 euro. Gjatë momentit të arrestimit, atij iu sekuestruan 300 euro dhe një shumë e konsiderueshme parash. Koti ishte vënë nën hetim prej kohësh nga autoritetet, pasi dyshohej për mitëmarrje.
Pranga pedagogut të Universitetit Bujqësor
Më 7 korrik të vitit 2014, një tjetër rast korrupsioni do të zbulohej në arsim, këtë herë në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Në pranga përfundoi pedagogu Alftred Çaushi. Në atë kohë ai u arrestua në saje të operacionit të koduar “Profesori”. Në momentin e arrestimit atij iu sekuestrua një shumë parash që dyshohet se ia kishte marrë një studenti për dhënien e një note kaluese.
Arrestimi i pedagogut të infermierisë
Më 12 shtator të vitit 2014, policia e Gjirokastrës vuri në pranga pedagogun e infermierisë në universitetin “Eqrem Çabej”, Hamid Ismailatin, i akuzuar për korrupsion. Pedagogu u arrestua në flagrancë nga policia, gjatë momentit kur ishte duke i marrë 10 mijë lekë të reja një studenteje në këmbim të notës kaluese. Pedagogu u arrestua, pasi ai mbahej nën vëzhgim nga autoritetet, pasi dyshohej se u merrte lekë studentëve.
Pedagogu në Vlorë kapet në flagrancë
Më 8 shtator të vitit 2016 një pedagog i universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë A. Xhaferraj, dhe një studente u preoceduan penalisht nga autoritetet, pasi dyshoheshin se kishin marrë para në këmbim të dhënies së një note kaluese. Pedagogu dhe studentja, e cila ishte e afërme e tij, në atë kohë u kallëzuan nga dy studentë të këtij universiteti.
Sipas tyre, stundentja u merrte nga 15 mijë lekë të studentëve të tjerë, para të cilat ia jepte pedagogut. Ata u hetuan në gjendje të lirë për akuzat e “Korrupsionit pasiv” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
U merrnin studentëve 200-700 euro
Më 22 nëntor të vitit 2016, pas hetimeve disamujore, prokuroria e Shkodrës zbuloi një skemë korruptive të dy pedagogëve të Departamentit të Historisë në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Nga hetimet e atëhershme, institucioni i akuzës zbuloi se çmimi për të marrë një provim të historisë në Universitetin e Shkodrës varionte nga 200 deri në 700 euro. Të arrestuar janë dy pedagogët, Rokin Deberdaku dhe Simon Lufi, dy sekserët e tyre, Vehbi Balla dhe Ndoc Deda, si dhe katër studentë.
Arrestimi i dekanit
Më 9 maj të vitit 2018, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, finalizuan me sukses operacionin “Dekani”, duke vënë në pranga dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane, Albert Riskën dhe shefen e Departamentit të Gazetarisë, Elvira Lumin. Gjithashtu, në saje të këtij operacioni u arrestua edhe pedagogia e jashtme e Fakultetit të Ekonomik, Erjola Çalja.
Korrupsioni në Universitetin e Korçës, GJKKO-ja lë në burg pedagogun dhe sekserin
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në burg pedagogun e universitetit “Fan Noli”, Alket Dinon, i akuzuar se u merrte para studentëve në këmbim të një note kaluese. Togat e zeza të Gjykatës së Posaçme, caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për Xhevi Dervishin, i cili bënte rolin e ndërmjetësit mes studentëve dhe pedagogut të arrestuar.
Sipas institucionit të akuzës, Dino u merrte deri në 50 mijë lekë studentëve për t’i kaluar në provime. Gjatë seancës së djeshme, e cila zgjati për rreth 2 orë, SPAK-u i paraqiti gjykatës disa prova që, sipas prokurorëve, pedagogu ka kryer veprën penale të korrupsionit. Mësohet se gjatë caktimit për masën e sigurisë Xhevi Dervishi i ka pranuar akuzat, duke deklaruar se paratë i ndante 50 me 50 me pedagogun.
Ndërsa vetë Dino i ka mohuar akuzat e ngritura nga ana e SPAK-ut, megjithëse gjatë arrestimit atij iu kapën dhe sekuestruan 50000 lekë dhe 300 euro që dyshohet se ishin përfituar nga studentët, në këmbim të një note kaluese. Skema korruptive e ngritur nga pedagogu dhe sekseri i tij në universitetin “Fan Noli” është zbardhur nga SPAK-u, pasi ata ishin vënën nën hetim prej disa javësh. Nga hetimet ka rezultuar se në momentin që Dervishi u merrte para studentëve, pedagogu ndryshonte notën.
Burime nga institucioni i akuzës bënë me dije për gazetën “Fjala” se ky rast korrupsioni është provuar dhe është dokumentuar, pasi prokurorët, përveç se kanë sekuestruar provimet e studentëve në universitetin “Fan Noli”, kanë edhe përgjimet telefonike të cilat e fundosin pedagogun. Ndërsa si provë janë marrë edhe dëshmitë e disa studentëve që studiojnë në këtë universitet.