Lidhu me ne

Letersi

Poezi nga Ndoc Gjetja

AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm njeriu.
Antipatitë:
Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançës dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoj varferinë.

KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

EPITAF PËR VETEN

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë

Kur pa që ëndrra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje
uli sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
Pastaj e përcollën në banesën e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara

si grindja dhe sharja

ndodhin në mesin e rrugës së madhe

po përse ajo

më njerëzorja, më e madhërishmja, më hyjnorja

puthja,

të mbetet ilegale!?

KUR MË JEPET E TËRA QENIA JOTE

Ti je kaq e bukur sa më jepet të pyes:
“Çfarë më je ti? Njeri apo art?”
Të shoh dhe vjershat e shkruara i gris
dhe para teje zbehet çdo varg.

Ti je poezia. Të tjerat janë proza
Ti je poezia që s`bëhet dy herë,
ti je frymëzimi që më dehu dhe bota
më duket e tëra e larë me diell.

Kaq ditë ti ecën përkrahu me mua,
ditë e përditë ne rrimë kaq pranë
sa që më e dashura fjalë “Të dua”
u bë e zakonshme si buka që hamë.

Kur më jepet e tëra qenia jote
marr botën në dorë dhe të fshehtat ia di
dhe puthja përsëritet e bëhet si kopje
them gjëra të mençura që s`kanë poezi.

Prandaj ik e më ler deri në mbrëmje
ose largohu një javë se vij e të marr
unë dua të jetoj me mungesën tënde,
të krijoj pa ty në vetvete një hall.

Më duhet një bosh që kërkon të mbushet,
më duhet një gjemb që nga brenda më ther,
më duhet të krijoj një dimër pa lule,
më duhet të të dua edhe një herë.

DASHURISË

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmije
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon!

Një heshtje e bukur

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaje po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.

Faqja tjetër…

LUTJE

O Zot që fatet tona në dorë i mban!
Na ruaj nga shëndeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanço Pançës,
na ruaj nga hija e rëndë e famës,
na ruaj nga faqeputhjet helmuese të
Judës,
na ruaj nga orteku rrëmintar i turmës,
na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë
na ruaj nga thyerja e timonit të kresë
na ruaj nga putra pushtetore e Njëshit
na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit,
na ruaj përditë nga ftohjet e miqësive,
na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve!

INVERSIONE

Tani Penelopa nuk e pret Uliksin

as deri në të ngrysur të ditës

në një ëeekend ajo luan bishtin

me të gjithë mëtonjësit dhe turistët.

Uliksi arriti në brigjet angleze

dhe s’do t’ia dijë nëse ka Itakë

Circja e bukur për vete s’e bëri

por një pronare e vyshkur, plakë.

Edhe i biri, Telemaku, bastardi

nuk e kërkoi deri në fund babanë,

një ditë prej ditësh iu ftoh krejt malli

kur takoi në rrugë Paranë.

Një fat më i mirë se ky s’i qeshi

as fisnikut dhe tersit Don Kishot,

të ëndërruarën e tij, Dulqinjën e gjeti

në lagjen Pigal, te një Seksshop.

Dhe Sanço Pançës gomari i ngordhi

gazetat dhanë lajmin që bleu një Benz

te një tavernë ka shtruar globin

kërkon ta futë të tërin në plënc

Pesë mijë palë këpucë

(Në kampin e shfarosjes Aushvic)

Shoh pesë mijë palë këpucë të vjetra

me lidhësa, pa lidhësa, të gjitha pa lustër

të vogla, të mëdha për meshkuj për femra

që dergjen këtu të hedhura grumbull.

Dhe mua më duket ky pirg këpucësh

njerëzish të djegur në një natë krimesh

më i lartë se maja e Xhomolungës

më i shenjtë se mali Sinai i Biblës.

Përpara pirgut qëndroj i heshtur

me zemrën rënduar nga fate planeti

dhe veten pyes – Mos qenkam në ëndërr?

Se njëra kepucë lëviz nga vendi.

… Një tjetër më tutje e drodhi lëkurën,

pastaj e dyta, e treta, e katërta

të gjitha me rradhë e flakën përgjumjen

pesë mijë palë këpucë u bënë të gjalla.

… Tjetra ka lënë fëmijën në gjumë,

tjetra ka lënë kafen ekspres,

tjetra ka lënë qilimin pa shkundë

tjetra ka lënë një puthje në mes.

Tjetra ka lënë gjithë lulet pa ujë,

tjetra ka lënë ilaçet pa pirë,

tjetra ka lënë krevatin rrëmujë,

tjetra përgjysëm një fjalë të mirë.

Dhe vihen në rresht… Kërkojnë të ecin

me këmbët përkatëse përkrah të gjallëve

se njëra ka lënë përgjysëm të qeshurën,

se tjetra ka lënë përgjysmë një valle.

Dhe befas hapet një pamje makabër;

pesëmijë palë këpucë pa këmbë

tërhiqen zvarrë në barin e lagur,

në fushën e gjerë të larë me hënë.

Dhe ecin,

dhe ecin,

dhe ecin,

dhe ecin

si në tragjeditë e Shekspirit.

Pesë mijë palë këpucë përshkojnë planetin

që t’i kujtojnë njeriut Aushvicin.

LOJË DASHURIE

Ti je mbretëresha dhe unë jam mbreti
E ngjitëm fronin me anë të puthjes.
S’pushtuam askënd vec njëri tjetrit
Asnjeri s’e ndjeu shijen e mundjes.

Ne s’kemi nevojë për kushtetutë
në marrëdhëniet tona sondon kaosi
nën cipën e holëe të mirësjelljes së butë
tani bën ligjin vetëm Erosi.

Nuk di deri kur do mbahet në këmbë
mbretëria jonë në crregullim të plotë
por çasti i rënies s’do jetë i rëndë
do biesh mbi mua që jam shtrirë poshtë.

ËNDRRAT


Dikur ëndërroja të kem një magnetofon Stereo,
tani që e kam e ndez një herë në muaj,
Eh, sikur të isha poet! – pëshpërisja shpesh me vete
dhe tani gjithnjë e më rrallë shkruaj.

Dikur ëndërroja të jem burri i një gruaje të bukur
dhe prisha shtatë palë këpucë duke i shkuar pas,
por ja një dite te faqja ku e pata puthur
ëndrra ime u bë dhe ngeli pas.

Pastaj ëndërrova të shkoj një ditë jashtë shtetit
dhe pasi shkova në Berlin, në Zyrih, në Vjenë
sa i rëndomtë më dukej ky trualli i planetit
dhe ëndrra tash është spostuar në hënë.

Kështu çdo ëndërr që më pati vluar në zemër
u përdhos nga prekja e sendeve me duar.
Ç’mu desh që e hodha edhe këtë vjershë në letër,
Më e bukur ishte kur s’e kisha shkruar!

QYTETI I IDEVE

Poetët jetojnë në Qytetin e Ideve
në lagjen e Ndjenjave
ndanë bulevardit të Ëndrrave
në shtëpinë e Fantazisë
në dhoma pa sende rreth e rrotull.

Aty s’ka kuzhinë me erna gjellësh
as WC
as tule grash të cilat me shikime
sikur të hedhin spec në shqisa.

Kohët e fundit edhe në këtë qytet
Tregu i Lirë ka filluar të ngrejë dyqane
Parashikohet që fisi i poetëve të zhduket
si lëkurkuqët e Australisë
nga dyndja e madhe e parexhinjve.

Parashikohet një lulëzim i kultit të përtypësit
një tkurrje e kobshme shpirtrash
përpara Shën veturës
një konsum i paparë i letrës higjenike
dhe një stokllëk i madh hallesh popullore
të mbetura pa zgjidhje.

Parashikohet ardhje e një dite kur poeti
ky banor i lashtë i Qytetit të Ideve
si Mohikan i fundit do të lëçisë me vete
shpëtimin tuaj
dhe mbrojtjen tuaj
nga vetja juaj
o njerëz,
Amin!

SIKUR

C’mrekulli do të kishte qenë
sikur të jepnin që sot dorëheqjen
presidenti dhe çdo lloji ministri!
Dhe ta merrte pushtetin
Shpirti.

NJËSHIT

Në rendin e pafund të numrave të plotë
matematikisht, ti je më i vogli
por ti papritur u bëre i madh
në sajë të zerove që të shkojnë pas.

AH!

Ah, të kisha gëzime sa ç’kemi partira
Të kisha dhoma sa ç’kemi ministrira
Të kisha shokë sa ç’kemi shefa
Të kisha miq sa ç’kemi gazeta
Të kisha mikesha sa ç’kemi vetura
Ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
Të kishim njerëz sa ç’kemi banorë
Veç diellin lart të kishim epror.

Pemë dekorative

Këto pemë dekorative përpara dikasterit të shtetit

burokracia do t’i ketë mbjellë me dorën e saj patjetër,

i ka vënë të gjitha në një kolonë të drejtë për një,

të barazarguara me një saktësi të tmerrshme.

Dhe kurorat e gjelbërta ua kanë qethur me gërshërë

(si kokat e ushtarëve në ditën e rekrutimit)

që të mos harlisen degët kur të vijë pranvera

e t’u parandalohet prirja për të çelur gjethe.

Të gjorat pemë ! Të qethura ! Pa zogj. Të ngrira.

drithërohen nga malli për krehërin e erës.

Sot shkova dhe pashë asfaltin e zi poshtë tyre,

kish filluar të çahej nga protesta e rrënjëve.

ENCIKLIKË

Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh
dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:
një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish
të rroposura nga kataklizmi i ndarjes.

Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës
tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,
që më patën pritur në oborr të Pilatit
në natën e gozhdimit tim në kryq.

O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!
Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.
A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës
kur këndoi për të tretën herë?

E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,
ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.
Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit
kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?

Pas dyzet vjetëve, ju do të vini vëllezër
të më përqafoni tek Udha e Madhe e gjithë Mirësive,
por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain
që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.

GJERGJ FISHTËS

Fort po shndrit e pak po nxeh
kjo e vërteta përmbi dhé!

Në politikën e gjithë krajlive
filli i lëmshit është lidhë nyje,
janë bërë një rrahja e puthja,
janë bërë një paqja e lufta,
janë bërë një tregu e miqësia,
janë bërë një burgu e liria,
janë bërë një gjoksi e shpina,
janë bërë një stomaku e zemra
në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra
që e lot bishtin te buzëqeshja…

Shqipnia u kthye në Dreqistan
me plehra, smog e duf partish
në sofër të Atmes janë shtruar rrafshit
Palokë Cucat me tërë keqanat
që hanë e pinë me pare të pista
e Dedë Gjon Lulat lëpijnë pjatat…

Për ta gjetur të vërtetën
duhet sot t’i kthesh përmbys
disa mijë vargmale letrash
e çdo fjalë ta thyesh si arrën
mos ka brenda varrin tonë.
Por ballë për ballë me dhelpërinë
na mos vdekshim me gungë në shpinë!
Ani se, ani se.

Titujt e librave të botuar

1. Rrezatim (1971)

2. Shqiponja rreh krahët (1975)

3. Qëndresa (1977)

4. E përditshme (1982)

5. Raste (1984)

6. Poezi -Kolana “Poezia Shqipe” (1987)

7. Kthimet (1991)

8. Dhjata ime (1998)

9. Biri i Njeriut

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk, i ka bërë thirrje publikut që të ndalojë së dhuruari për ‘enciklopedinë’ e internetit Wikipedia, duke e akuzuar...

Mix3 ditë më herët

Si e dekoroi Kendall Jenner shtëpinë për Krishtlindje

Dashuria e Kendall Jenner për Krishtlindjen vjen nga nëna e saj Kris Jenner. “I jap shumë meritë nënës sime për...

Radar3 ditë më herët

“Na duhet aleancë kundër krimit, korrupsionit, drogës dhe mafias. Në Itali nuk e bëri veç drejtësia”

Dom Gjergj Meta “Duhet të bëjmë një aleancë qytetare kundër krimit, korrupsionit dhe mafies”. Kështu u shpreh Dom Gjergj Meta,...

Radar3 ditë më herët

Ekonomia po rritet pa konsum

Në 3-mujorine e tretë, kur turizmi ishte në kulmin e tij konsumi final i popullatës u rrit me vetëm 0.8...

Mix3 ditë më herët

VIDEO: Kërcimi viral i Donald Trump për Krishtlindje

Donald Trump priti Krishtlindjet në pronën e tij në Mar -a – Lago ku mblodhi familjen e madhe. Show-n e...

Mix3 ditë më herët

Sam Altman kundër Elon Musk: “ai është një bullizues, i pëlqen të debatojë me njerëzit”

Dihet mirë se marrëdhëniet mes Sam Altman dhe Elon Musk nuk janë idilike dhe përgjigja e OpenAI për Musk e...

Mix3 ditë më herët

“La Palma”: Seriali i ri në Netflix që po thyen rekorde shikueshmërie

Shikuesit besnikë të Netflix janë shumë të emocionuar për serialin e ri “La Palma”, i cili përshkruhet nga shumë njerëz...

Mix3 ditë më herët

100 christmas wishes for friends and family

Best Christmas Wishes, Sayings and Greetings To Write in Christmas Cards 1. Merry Christmas! I hope you receive one blessing after...

Mix3 ditë më herët

Krishtlindje: sugjerime filmash për një atmosferë magjike!

Krishtlindjet janë koha e përsosur për të shijuar disa filma klasikë që përcjellin mesazhe të ngrohta, dashurie dhe miqësie. Filmat...

Radar3 ditë më herët

Presidenti Donald Trump do të përballet me një Phenian ndryshe gjatë mandatit të dytë!

Në mandatin e tij të parë si President i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi forcoi sanksionet ekonomike kundër Koresë së...

Facebook