Aktualitet
Skandali Veliu/ Pikëpyetje mbi policinë që po ngre Edi Rama
“Drejtori i Policisë fyu, denigroi dhe cënoi jetën private të një 15 vjeçari. Ai mori në mbrojtje dhunuesit e tij. Shfaqja e drejtorit Veliu ishte jo etike, jo ligjore, jo demokratike. Ai duhet të kërkojë ndjesë familjes dhe publikut. Nëse jo, ai meriton reagim dhe largim sa më parë,” deklaroi Krasniqi në Twitter.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sulmoi të premten në një seancë parlamentare online, nënën e një fëmije të dhunuar nga oficerë policie dy javë më parë, duke sugjeruar se fëmija i dhunuar vjen nga një familje me moral të keq dhe e përdori këtë argument për të justifikuar dhunën. Sulmi verbal i Veliut, u konsiderua si kërcënim nga Zaida Çobo, nëna e fëmijës së dhunuar ndërsa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm e cilësuan si skandaloze sjelljen e kryepolicit në parlament.
Veliu, i cili është drejtor i policisë që nga viti 2018, u pyet në komisionin parlamentar të sigurisë të premten në lidhje me një ngjarje të 15 majit, kur një qytetar xhiroi me celular momentet kur katër oficerë policie dhunonin një adoleshent pasi ky i fundit kishte shkelur orarin e ndalim- qarkullimit të vendosur në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit.Policia ka deklaruar se ka pezulluar një nga oficerët e shfaqur në video dhe se ka hapur hetime të brendshme disiplinore. Veliu duket se vijoi në të njëjtën politikë, duke ngritur pikëpyetje të pabazuara në fakte nëse djali i dhunuar i ishte bindur apo jo urdhërave të oficerëve të policisë.
“Në lidhje me rastin e djalit 15-vjeç, është e vërtetë se nëse dua të marr në mbrojtje policët, ata kanë një moment të kapërcimit të kompetencës. Ai është pezulluar. Por a është në të vërtetë djali që i është bindur të gjitha thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja?”, deklaroi Veliu para deputetëve, para se të hapte celularin e tij për të treguar një video.
“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, deklaroi Veliu para deputetëve.
E ëma e fëmijës së dhunuar, Zaida Çobo- me profesion aktore, deklaroi pas aludimeve të kryepolicit se videoja është e vërtetë dhe se ajo është një dubël e realizuar gjatë xhirimeve të një filmi, në të cilën, një pistoletë lodër është përdorur nga Çobo.
Veliu u përball menjëherë me një ortek kritikash dhe kërkesa për dorëheqje.
Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë ishte një nga personat e tronditur nga komentet e Veliut.
“Drejtori i Policisë fyu, denigroi dhe cënoi jetën private të një 15 vjeçari. Ai mori në mbrojtje dhunuesit e tij. Shfaqja e drejtorit Veliu ishte jo etike, jo ligjore, jo demokratike. Ai duhet të kërkojë ndjesë familjes dhe publikut. Nëse jo, ai meriton reagim dhe largim sa më parë,” deklaroi Krasniqi në Twitter.
“Ajo që bëri sot policia është dhunim për të dytën herë!” shkroi Mirela Ruko, një aktiviste.
Policia e shtetit dhe policia bashkiake e Tiranës janë vënë nën akuza të përsëritura gjatë javëve të fundit për dhunim të qytetarëve.
Pikëpyetje ngrihen mbi funksionimin e logjikës formale të z. Veliu, i cili duket se sugjeroi se policia mund të jetë e justifikuar të dhunojë një fëmijë nëse ai vjen nga një familje ku e ëma luan me një pistoletë në video.
Një mënyrë e tillë e të menduarit me përgjegjësi familjare, është fenomen tipik i kohës së Komunizmit, ku qytetarët mbaheshin përgjegjës jo thjeshtë për çfarë bënin, por edhe se nga çfarë familjeje vinin.
Dhe gjithashtu duket e pashpjegueshme se me çfarë të drejte z. Veliu ka marrë përsipër të gërmojë në jetën private të të ëmës së një qytetari të dhunuar me synimin final për të justifikuar në ndonjë farë mënyre policët dhunues.
Videoja në fjalë është publikuar në Instagram më 18 Shtator 2017. Kjo sugjeron që z. Veliu duhet të ketë gërmuar shumë thellë në jetën private të një qytetareve, “faji” i së cilës është që është mamaja e një fëmije të dhunuar nga disa policë.
Ministria e Brendshme ka kërkuar në Kuvendin e Shqipërisë të dominuar nga socialistët, që të bëhen ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit, duke i lejuar kësaj të fundit të kryejë përgjime pa mbikëqyrje gjyqësore, një ligj që sipas shumë ekspertëve, është haptazi anti- kushtetues dhe në shkelje të Kartës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Por në kuadër të shembullit të dhënë nga z. Veliu, me gjurmim të jetës private të një qytetareje në mbrojtje të dhunës policore, pikëpyetje ngrihen se çfarë do të jetë e aftë të bëjë policia pasi të ketë të drejtë të kryejë edhe përgjime. /Birn/