Lidhu me ne

Kryesore

1000 lekë kujtesë historike


          Nga Aurel Plasari

Në debatet për mbrojtjen dhe ruajtjen e ndërtesës kulturore shumëfish historike, në të cilën funksionojnë sot “Teatri Kombëtar” dhe “Teatri Eksperimental”, kam ngulmuar më se një herë që t’i shkohet krimit në zanafillë. Të merremi me përgjegjësit që e hoqën atë ndërtesë nga listat e monumenteve të kulturës, të cilat mbrohen nga shteti. Përpos mirëkuptimit nga dy ose tre kolegë të nderuar, kam ndeshur në një skepticizëm zhgënjyes.

Po ashtu jam bezdisur kur shikoja që beteja thjeshtohej te “si u tenderua”, “sa u tenderua”, “kush fiton më shumë”, “kush zhvat tokën”, “sa fut në xhep ky”, “sa fut në xhep ai”. Mbi 12 herë mund të kem shkruar për nevojën e ruajtjes dhe mbrojtjes së asaj ndërtese kulturore shumëfish historike pa u marrë me shifra dhe xhepa.

Nëse dokumente hedhin dritë mbi cilëndo forcë politike që është përgjegjëse për nxjerrjen nga lista e monumenteve të kulturës, pra nga mbrojtja shtetërore e monumentit në fjalë – po e përsëris: të shpallur tanimë me vlerë kulturore europiane, – asaj force do t’i llogaritet përgjegjësia historike e krimit.

Kur në një intervistë të 9 qershorit 2019 më ka pas pyetur z. Krasta nëse do të bëheshin dot zgjedhje më 30 qershor, ndryshe nga të ftuar të tjerë i kam qenë përgjigjur “po”. E mbani mend? Dhe nuk ma vunë veshin. Të tjerët bënin be e rrufe që ato zgjedhje nuk do të bëheshin kurrën e kurrës. Jam përgjigjur që Edi Rama “i bën” dhe kam shpjeguar edhe se përse Edi Rama “i bën”. Siç i bëri.

Dhe “i bën” të gjitha sepse qeveris në Shqipëri, ku edhe rrënimi i monumenteve historike është punë e lehtë, në kuptimin që nuk kërkon ndonjë farë guximi a trimërie. Është ves që qeveritarëve rrënimtarë ua ka lënë lija. Janë rrënuar në Shqipëri deri edhe monumente ndër më të rrallat të Mesjetës arbërore. Edhe duke qenë të përfshira në listat e monumenteve të kulturës, pra që mbroheshin nga “shteti”, ndërsa prisheshin po nga “shteti”. Si për të përmbushur ndezullinë e rrënimtarëve xhahilë, është bërë kujdes edhe që të regjistroheshin në pelikulë. Mund ta shohim të regjistruar krejt ngjashëm, në suport elektromagnetik, edhe kryerjen e krimit të ri.

Shfletoni historinë dhe hapni faqen e zezë të rrënimit të kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, asaj ngrehine të rrallë të kultit të shek. XIII, të vlerësuar nga specialistët për arkitekturën gotiko-romanike etj. Për të thoshte legjenda – jo Barleti – që aty pati vënë kurorë vetë Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Rrënimtarët shtetërorë e hodhën në erë me dinamit, ndonëse ajo ishte e përfshirë në listën e monumenteve të kulturës që mbroheshin nga “shteti”. Nëse nuk ia dini historikun, shfletoni dhe lexojeni diku.

Dhe ngushëllohuni që e kemi ruajtur të stampuar si “souvenir” në kartëmonedhën 1000-lekëshe të Bankës sonë Kombëtare, emision i vitit 1996 dhe rishtypje e viteve 2001, 2007 etj. Pra mund të duhen pritur disa vite për ta pasur, të stampuar në një kartëmonedhë të ngjashme, edhe ndërtesën kulturore shumëfish historike – këtë që pret rrënimtarët – në mënyrë që të mburremi me çfarë na ishte një herë.

Një hollësi më shumë, meqë kujtova historikun e rrënimit të Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Nuk ka mbetur vetëm stampimi i saj në 1000-lekëshin bashkëkohor. Së paku një arkitekt, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, edhe nën regjimin diktatorial guxoi të dorëzonte në prokurori një padi kundër atij rrënimi kriminal, pavarësisht se asaj padie nuk iu vu veshi. Quhej Gani Strazimiri. Në historinë e betejave për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike të shqiptarëve ka mbetur i regjistruar edhe akti i tij vetmitar.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Për forcimin e kujtesës – Produktet që ju duhen çdo ditë

Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni...

Mix2 ditë më herët

Paraliza e gjumit: Çfarë është, pse ndodh dhe si mund ta shmangni?

Paraliza e gjumit është një përvojë e frikshme që shumë njerëz e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë....

Radar2 ditë më herët

Berisha fton Shpëtim Idrizin në koalicion, përjashton Bashën: Është me Taulant Ballën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se do të zhvillojë negociata serioze me Shpëtim Idrizin për të krijuar...

Radar2 ditë më herët

Altin Dumani: Askush të mos ketë frikë, për sa kohë është në përputhje me ligjin

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është shprehur se askush nuk duhet të ketë frikë nga ngritja e...

Kryesore2 ditë më herët

Rama: Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve që i kërkojnë që të largohet, por thekson se nuk ik...

Radar2 ditë më herët

Kolegji privat merr masat, njofton policinë pas një e-maili. Hetimi i krimit kibernetik po punon për identifikimin e autorëve.

Policia ka reaguar pas alarmit për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”, ku në një email dërguar sekretarës shkruhej “do...

Mix2 ditë më herët

Apple prezanton iPhone 16e/ Prodhimi i ri me inteligjencë artificiale

Apple ka prezantuar një iPhone të rim i cili sjell veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) me një kosto më të...

Mix2 ditë më herët

Anne Frank: Unë besoj ende se njerëzit kanë zemër të mirë…

“Vërtet është për t’u habitur, sesi nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia, sepse duken shumë absurde...

Mix2 ditë më herët

Si të bëheni një folës i shkëlqyer në publik?

Pse të flasësh në publik është e rëndësishme? Të folurit në publik është një aftësi që sjell përfitime të shumta....

Mix2 ditë më herët

Pse disa njerëz e kanë më të lehtë të kujtojnë ëndrrat sesa të tjerët?

Është e vështirë të jetosh ëndrrat e tua — veçanërisht kur nuk mund t’i kujtosh ato. Dream recall është aftësia...

Facebook