Lidhu me ne

Kryesore

Nuk mbushet frigoriferi me llafet e Ramës

Nga Gentian Gaba

E vetmja gjë me të cilën janë mbushur frigoriferët e një pjese të madhe të shqiptarëve, është imazhi i Ramës. Tingëllon si batutë, e huazuar nga shprehja që shoqëron teprimin e propagandës, nga e cila duket se, përveç ekraneve, kryeministri do të shfaqet edhe në dollapin ftohës. Por nuk është kështu. Frigoriferët janë bosh.

Ngrirja nuk dallohet vetëm te gjendja materiale e familjeve, nga polarizimi i ekonomisë, në të cilën shtresa e mesme duhet kërkuar me qiri, por edhe nga treguesit me të cilët ekonomia matet. Njëri prej tyre është Prodhimi i Brendshëm Bruto. Në shtator të vitit 2019, pra fillim të mandatit të dytë, Rama premtoi se për vitin 2019 rritja ekonomike do të ishte mbi 5%. Thjesht një shajni.

Parashikimet e Bankës Botërore flasin për 2.9%. Në dukje inkurajuese, por që në brendi mban ende efektet e fundit që i sollën ekonomisë sonë TAP dhe projektet e HEC-ve në lumin Devoll. Pas shtatë vitesh, bujaria e miliardave të gazësjellësit dhe projektit hidroenergjitik, nuk do të mbajë më lartë treguesit e ekonomisë.

Kënga e mjelmës e dy investimeve të huaja madhore, që Rama gjeti gati kur mori zyrën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, hap përpara nesh shkretëtirën e projekteve dhe interesave ndërkombëtare për të sjellë paratë e tyre në Shqipërinë e qeverisur nga ‘rilindasit’.

Është pyetja 1 milion dollarshe, që i përsërisin në të gjitha studiot televizive gazetarët që nuk i bëjnë hosana pushtetit të tij, të cilës nuk i përgjigjet dot. ‘Cili është një investim i huaj që ke sjellë në Shqipëri?’. Heshtje, mekje, apo një gërnjë e stisur me intervistuesin, për të shmangur hiçin e madh që ka qenë ky shtatëvjecar në raport me investimet e huaja të qenësishme.

Është një pyetje e sikletshme sepse, në mënyrë jo fortë të tërthortë, interesi për të investuar në një vend reflekton gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Të investosh është si një mocion besimi, që nuk bëhet me sy mbyllur, por në bazë të shëndetit të një shteti dhe avantazheve konkurruese që ai ofron në krahasim me shtetet e tjera.

Andaj, rubinetet e mbyllura nga investitorët e huaj, janë e vetmja votë e lirë dhe e ndershme që ka matur kapacitetin qeverisës së Edi Ramës. Ndërsa raporte të ndryshme ndërkombëtare, të cilat shërbejnë si një udhërrëfyes për investitorët, e kanë pasqyruar me përpikëri rrokopujën e Shqipërisë të hundëhequr nga ‘Rilindja’.

Në hapje të vitit të shkuar ishte Indeksi për ‘Perceptimin e Korrupsionit’ i Transparency International, i cili tregojnë që Shqipëria kishte pësuar regres në luftën kundër korrupsionit. E 99-ta në botë dhe e para në rajon, për sa i përket sjelljes së pandershme dhe të paligjshme të pushtetarëve.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili, në raportin e korrikut të shkuar mbi ‘Klimën e Biznesit’, i jep Shqipërisë vendin e parë në podiumin aspak të lavdishëm të vendeve më të korruptuara në Europë. I njëjtë ishte edhe refreni i raportit të ‘Doing Business 2020’, i përpiluar nga Banka Botërore, ku jo vetëm u renditëm të fundit në Europë për klimën e të bërit biznes, por pësuam një rënie me 19 vende krahasuar me vitin 2019.

Aspak i lumtur është edhe fillimi i 2020-ës. Pak ditë pasi hymë në Vitin e Ri, agjensia prestigjioze ndërkombëtare Fitch, publikoi raportin për investimet e huaja në të gjithë vendet e botës. Një renditje që na zhvendos gjeografikisht nga Europa, për të na çuar në Afrikë. Përkrah Algjerisë, Zimbabve dhe Nigerisë.

Paradosksalisht kjo dëftesë ngelëse, në gjuhë të huaj, që është edhe pasqyra më e mirë e situatës politike dhe ekonomie në vend, si dhe shteruese për arsyet që e bëjnë Shqipërinë një vend në të cilin ‘nuk bëhet biznes’, vjen në momentin kur Rama nuk ka askënd për të fajësuar. I ka të gjitha. Timon, që do të thotë aftësi vendimmarrëse pa pasur andrallën e aleatëve, sepse ai qeveris i vetëm. Tepsi, që do të thotë përqendrim në duart e mbajtësit të vetëm të pushtetit të të mirave publike që qeverisja prodhon.

Në pamundësi për të pranuar përgjegjësitë ekskluzive që gëzon në dështimin spektakolar të qeverisjes së tij, bën atë që një populist si ai ka bërë në këto dy dekada pushtet, prodhon llafe. Pra propagandë. Një lëm ku ka njëfarë zotësie, sigurisht e subvencionuar nga interesi i pronarëve të mediave rreth mbijetesës së tij politike, me të cilin është mësuar që me imazh t’ia kalojë fjalës që ka ngrënë dhe me retorikë t’ia kalojë logjikës.

Nuk dihet derisa do të zgjasë ky mohim i të vërtetave, që buçasin në shqip dhe në anglisht, megjithatë realiteti i përditshëm po arrin t’ia kalojë fantazive të sendërgjuara nga Rama. Në thelb, kur të vij momenti, hesapi mbi të cilin duhen bërë llogaritë është diferenca midis çfarë premtoi dhe çfarë bëri. Dhe diferenca është kalamendëse, pasi ka premtuar Europën, por, sipas Fitch, na dha Afrikën.

Si i thonë ‘Rilindje’ nga ato anë?!

/Gazeta Mapo

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix3 orë më herët

“Kush guxon të flasë kundër sistemit e pëson” – Influencerit Andrew Tate i sekuestrohen 3.4 milionë dollarë

Policia britanike mund të sekuestrojë afro 2.7 milionë paund (3.4 milionë dollarë) nga influenceri AndrewTate dhe vëllai i tij Tristan...

Radar3 orë më herët

Mandarina shqiptare bllokohet nga BE

Sistemi Europian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Përgjatë javëve të fundit, Kroacia,...

Mix3 orë më herët

VIDEO/ Parashqevi Simaku shfaqet me një pamje të tjetërsuar, çfarë surprize po përgatitet?

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëmbyer vëmendjen e medias dhe të qytetarëve. Tashmë videot e saj janë virale...

Mix3 orë më herët

Video / Donald Trump shfaqet me model të ri flokësh

Një video që tregon presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, me një model flokësh dukshëm të ndryshëm, është bërë...

Radar3 orë më herët

Evi Kokalari hedh dyshime: Gjithë historia e Parashqevi Simakut, është inskenuar nga Fevziu dhe Elton Ilirjani

Evi Kokalari ka reaguar për videon virale të këngëtares Parashqevi Simaku, e cila më pasu u kthye në temë e...

Radar3 orë më herët

Lufta e Tretë Botërore ka nisur, ajo po zhvillohet në Ukrainë!

Shkruar nga Eva Hartog Sot, trupat në të dyja anët e vijës së konfliktit komunikojnë në spanjisht, nepalisht, hindu, somalisht,...

Mix1 ditë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar1 ditë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix1 ditë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix1 ditë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Facebook