Aktualitet
Qeveria kundër të gjithëve
Kuvendi miratoi dje Paketën Antishpifje, ndërsa gjykata dënoi me burg ish-deputetin e PD-së Ervin Salianji dhe gazetarin Jetmir Olldashi. Kryeministri ndonëse siguroi se AMA nuk do të zëvendësonte gjykatat, por nuk mund të priste zvarritjen e seancave
Burg për opozitën dhe gjoba për median, është panorama e re, ndërsa kryedemokrati Basha e sheh si përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës dhe medias
Suadela Balliu – gazeta Mapo
Ashtu siç kryeministri e kishte thënë se paketa Antishpifje do të miratohej me se s’bën, dje Kuvendi pavarësisht protestave jashtë dyerve të tij miratoi me 82 vota pro, projektligjin për mediat online.
Edhe pse Rama u përpoq të bindte se Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk do të zëvendësonte gjykatat, do të shprehte pakënaqësinë sesi funksiononin proceset zvarritëse me gazetarët e paditur që nuk paraqiten në seanca e për këtë shtyhen pafund seancat. Ligji i ri do të ishte sipas tij masa paraprake për t’i bërë gazetarët dhe portalet të reflektojnë apo të tërhiqen nga ato shkrime që ligji tashmë i miratuar i parashikon si shpifje apo edhe tendencioze.
Por edhe pse nuk i beson sistemit të drejtësisë siç është e për ta luftuar qeveria hartoi edhe paketën AntiKÇK për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, i njëjti sistem gjyqësor do të dënonte ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianjin me një vit burg me akuzën për “kallëzim të rremë”, ndërsa dje në parlament diskutohej projektligji.
Ashtu si kryeministri akuzonte prokurorin Arian Ndoja si pjesë e bandës “Kap ç’të kapësh”, PD dje do ta quante vendim politik dënimin e Salianjit dhe do ta quante gjyqtarin anëtar të bandës së Lushnjës.
Kryedemokrati Basha do t’i drejtohej dje kryeministrit Rama, duke i thënë se i kishte bërë llogaritë gabim. Ai gjithashtu akuzoi kreun e qeverisë, se ekihte përgatitur pretencën në zyrën e tij.
“Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përfshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës. Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën”, do të deklaronte dje zoti Basha, ndërsa gjykata dënoi edhe gazetarin Jetmir Olldashi në një kohë kur kolegët e tij kishin dalë të protestonin kundër ligjit që mëton të censurojë lirinë e shprehjes.
“Me krimin e organizuar, Edi Rama sundon drejtësinë”, do të shprehej kreu i selisë blu, duke shtuar se kjo është hakmarrje e kryeministrit ndaj Salianjit dhe Olldashit që ekspozuan qeverinë e tij si të përfshirë në trafikun e drogës përmes çështjes “Babale” , ku denoncohej vëllai i ish-ministrit Xhafaj.
“Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhrit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar” , vijonte Basha, duke shtuar se kryeministri nuk do t’ua mbyllë dot gojën Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës, familjes apo qeverisë së tij me krimin e organizuar” , e përfundonte deklaratën e tij, Basha ndërsa Salianji jashtë dyerve të gjykatës do të thoshte se do ta apelonte vendimin duke akuzuar gjyqtarin Artan Gjermeni.
“Siç ishte e pritshme, siç e kam deklaruar, siç e kemi deklaruar prej kohësh, një pretencë e shkruar, një vendimmarrje e parashkruar dhe e bërë gati kohë më përpara”, do të shprehej Salianji, duke thënë në fund që nuk do të ndalet në rrugën e tij. “Pa diskutim që nuk ka mafie, nuk ka llum, nuk ka llucë, nuk ka qelbësira në këtë vend që as nuk më ndalin dot dhe e ritheksoj as nuk më izolojnë dot”.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi do të thoshte se dënimi për ish-deputetin dhe gazetarin ishte dhënë për të mbrojtur atë që ai e quajti “banda e Agron Xhafajt”.
Kryeministri Rama, nga foltorja e Kuvendit do të thoshte se ligji “Antishpifje” ishte përpjekje për të vendosur standarde për të drejtat e njeriut. “Ligji siguron procedura të shpejta për administrative. Nuk mund të pritet një vit”, do të thoshte kreu i qeverisë, i cili edhe pse pranoi se ligjet nuk janë të përsosur dhe kanë nevojë për përmirësim nuk mund të pritet miratimi deri në arritjen e perfeksionit. Por, më shumë sesa mbrojtja e të drejtave të njeriut, duket se maxhoranca dhe kreu i tyre shqetësoheshin për sulmet ndaj kujt sulmohet për shkak të detyrës.
“Pra, shpifësit si karakteristikë e di çfarë bëjnë? Shtyjnë gjyqin, pastaj vijnë avokatët thonë që është i sëmurë, pastaj vijnë prapë thonë që shiko se ka një çështje këtu, pastaj vijnë prapë, pastaj çojnë fjalë se “kështu e ka politika, hajde pajtohemi, se ti e kupton”. Jo, nuk kuptoj fare unë, asnjë gjë. Kështu që duke njohur këtë karakteristikë të shpifësit mendoj që kjo instancë e parë i jep mundësinë që të tërhiqet”, do të thoshte kryeministri duke iu referuar masës për të hequr artikullin i cili pretendohet të ketë në të shpifje apo informacione të rreme dhe t’i lërë mundësinë paditësit të përgënjeshtrimit.
“AMA është një stad i parë për t’i dhënë mundësi shpifësit që të tërhiqet, është shumë e thjeshtë ndërsa përmbajtja e shpifjes shkon në gjykatë. E kuptoni ju këtë gjë? Siç është sot, i vetmi ndryshim është që efekti dëmtues i shpifjes mund të eliminohet në një kohë të shkurtër, duke i dhënë mundësi shpifësit të tërhiqet, përpara një trupe siç është Këshilli i Ankesave”, vijonte kryeministri duke iu drejtuar deputetes Hajdari, e cila kërkoi kohë për të shqyrtuar projektligjin para votimit. Kryeministri siguronte se vendimin final do ta marrë gjykata, por jo para se i padituri të ketë paguar gjobën e vendosur nga AMA.
“Por unë nuk do pres 1 vit Gjykatën për të sqaruar publikun për një shpifje që e ka efektin sot. E ka efektin sot mbi detyrën time publike”, thoshte kryeministri megjithëse shtoi se nuk ishte i shqetësuar për veten pasi ai këto çështje do t’i zgjidhte përmes gjykatës, siç ka vepruar deri më tani dhe jo përmes AMA-s.
“Unë me këta do vazhdoj në Gjykatë. Janë bërë deri tani 60 çështje, mund të shkojnë dhe 600, edhe 6000, varet se sa do rri këtu, por unë këtyre nuk u ndahem. Këta, ose do vijnë të provojnë në gjykatë që ato që thonë janë të vërteta dhe nëse njëri do dalë që do ta provojë unë do iki që këtu, ose këta do të dënohen në gjykatë si fajtorë për përhapjen e shpifjeve”, do të thoshte Rama ndërsa ligji u miratua me 82 vota pro, 13 kundër, 5 abstenim dhe 5 deputetë nuk votuan. Ajo që u vu re ishte vota abstenuese e deputetit socialist Ditmir Bushati.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla do të lexonte në Kuvend amendimet e fundit të ligjit, ku tha se një portal nuk do mbyllet pa një vendim gjykate.
Kryeministri ngulmoi, megjithë thirrjet e institucioneve ndërkombëtare, se projektligji ishte dakordësuar në 100 përqind me OSBE.
Po dje David Lega, një zyrtar i Parlamentit Europian dhe raportues për Shqipërinë nga grupi parlamentar i PPE-ve, shkruante në Tëitter se miratimi i paketës “Antishpifje” mund të rrezikojë kryesimin e OSBE-së dhe integrimin e vendit.
Megjithëse çështjet për shpifje apo lajme të rreme janë rregulluar përmes gjykatave, ku vetë kryeministri Rama ka bërë me dhjetëra padi ndaj anëtarëve të opozitës si edhe gazetarëve, ai do të shtonte se ishte zgjedhur zgjedhur modeli më i butë në Europë, krahasuar me vende të tjera ku gjobat janë të majme. Sipas ligjit të ri, gjobat variojnë nga 100 mijë deri në 1 milionë lek të reja.
Megjithë miratimin e pritshëm në Kuvend, kryeministri do të priste edhe hapin e radhës nga presidenti Meta, që sipas tij me gjasë nuk do ta dekretojë e do ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend. “Nga sot, të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që kanë në dorë një instrument që do ta vënë në punë pas Vitit të Ri, se Presidenti do na e kthejë para Vitit të Ri”, u shpreh kryeministri, ndërsa zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi deklaroi se presidenti Meta do të shprehet në kohën e duhur, pa u ndikuar nga askush përveç Kushtetutës dhe ligjit.
“Pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues, Presidenti Meta do të ndërtojë një proces shterues ligjor dhe do i njohë qytetarët me qëndrimin e tij përfundimtar”, do të shprehej Blushi, ndërsa presidenti Meta ktheu dy herë Ligjin Special për Teatrin dhe madje depozitoi padi në Gjykatën Kushtetuese rreth ligjit, që Kuvendi e kaloi me ndryshime të vogla.
Sipas PD-së, aktet e djeshme me dënimin e ish-deputetit Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi dhe miratimin e paketës “Antishpifje” ishte përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës dhe medias, ndërsa për kryeministri vijon të flasë për shpifës, duke shpërfillur faktin se ligji i ri u drejtohet gazetarëve, qofshin ata të medias online apo tradicionale, që për mision kanë të jenë opozitarë dhe kritikë me qeverisjen, përndryshe edhe sikur kjo e fundit të ishte më e suksesshmja do të bëhej thjesht zgjatim i zyrës së shtypit të saj. Ndoshta vetëm ashtu nuk do të rrezikonte të gjobitej apo të bllokohej.
Rama: Shpifja sërish në gjykatë, mua nuk do më shihni në dyert e AMA-s.
Kryeministri tha se AMA nuk zëvendëson gjykatën, pasi çështjet e shpifjes do të vijojnë të trajtohen në dyert e drejtësisë dhe jo të AMA-s.
AMA nuk zëvendëson gjykatën. Ajo është instanca ku konkludohet. Por Gjykata dhe vetëm Gjykata, – jo AMA – shqyrton çështjet ku ngrihet problemi i shpifjes. Por, kur nuk lexon ligjin, ose kur thua ma kanë thënë miqtë e më dëgjoni mua se unë kam disa miq atje, atëherë flet kot se ligji e ka qartë fare këtë. Nuk ka ligj të përsosur. Çdo ligj është i përmirësueshëm. Patjetër! Por ne nuk mund ta shtyjmë në pafundësi në kërkim të perfeksionit miratimin e ligjit sot. Ky ligj do miratohet sot si një e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga lumi i shpifjes. Ne do vazhdojmë punën për aspektet procedurale rregullatorë, siç kemi rënë dakord dhe nga fjalia e parë te fjalia e fundit ligji është, jo 99%, por 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare.
Këtë nuk jua them unë, se kështu them unë, por këtë ua them të konfirmuar 100% me shkrim nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë proces që është OSBE. Pasi u morën rekomandimet e OSBE-së, u aplikuan 100%, jo 99% në tekst. U la detyra që procesi të vazhdojë me OSBE-në. Procesi vazhdoi me OSBE-në. Duke qenë se edhe OSBE-ja pati një ndjesi të veçantë nga ofensiva e 47 organizatave, se këtu çdo anonim ka një organizatë, u bënë edhe disa saktësime të fundit dhe duan organizatat, s’duan organizatat, duan heronjtë që janë te dera me Peci Vasilin në krye, duan, s’duan ata, ky ligj do kalojë sot dhe do i japë thjesht e vetëm një instrument, jo ndonjë instrument fatal, por një instrument, sidoqoftë të thjeshtë, çdo individi që, mbasi kur del te dera e shtëpisë ha një batare me llum e me baltë syve, – të ketë një adresë ku të shkojë e të ankohet e të thotë, “më fal, këtë baltën ma hodhën, kjo u bë, po a ka mundësi që mos vazhdojnë të ma hedhin se kjo është shpifje?” Kaq.
Unë jam në krahun e këtij lloj individi. Jo për veten time. Dhe po ju them edhe këtë, unë personalisht nuk merrem fare me AMA-n, që ta dini. S’do më shihni ndonjëherë mua të shkoj te AMA. Unë me këta do vazhdoj në Gjykatë. Janë bërë deri tani 60 çështje, mund të shkojnë dhe 600, edhe 6000, varet se sa do rri këtu, por unë këtyre nuk u ndahem. Këta, ose do vijnë të provojnë në Gjykatë që ato që thonë janë të vërteta dhe nëse njëri do dalë që do ta provojë unë do iki që këtu, ose këta do të dënohen në Gjykatë si fajtorë për përhapjen e shpifjeve.
Duke qenë se pas tërmetit kam hapur librat e shenjtë për t’i ndarë edhe me ju, se i kam hapur edhe më përpara, por kam hapur ato koleksionet e mia, nuk po ju them këtu se çfarë thonë librat e shenjtë që nga Bibla deri te Kurani e deri te Talmudi po të doni, për shpifjen e për shpifësit, por, po ju siguroj që, ato që thotë Kurani për ata që janë atje janë shumë herë më të rënda se ato që mund të them unë në ditën kur mund të jem më i angazhuar se kurrë kundër tyre. Po ju siguroj për këtë.
Nga sot, të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që kanë në dorë një instrument që do ta vënë në punë pas Vitit të Ri, se Presidenti do na e kthejë para Vitit të Ri”, tha Rama.
Basha mesazh Ramës: Minove dy kolonat kryesore të demokracisë. i ke bërë llogaritë gabim!
“I ke bërë llogaritë gabim”. Ky ka qenë mesazhi që kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka dërguar dje kryeministrit Edi Rama. Duke marrë shkas nga vendimi që dha sot gjykata, e cila dënoi me 1 vit burg Ervin Salianjin si dhe nga paketa ‘Anti-shpifje’, që pritet të kalojë sot në Kuvend, lideri i PD tha se Rama minoi dy kolonat kryesore të demokracisë.
Në një dalje publike nga selia e PD-së kryedemokrati sulmoi ashpër edhe gjyqtarin Artan Gjermeni, që dha sot vendimin për Salianjin, duke e cilësuar ushtar të bandës së Lushnjës.
“Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përfshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës. Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën. Të dy këto vendime, që minojnë demokracinë dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri, Edi Rama i merr sot, i ndihmuar nga krimi i organizuar. Me krimin e organizuar ai vodhi dhe bleu votat e shqiptarëve për të sunduar në parlamentin ilegjitim. Me krimin e organizuar, Edi Rama sundon drejtësinë. A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo! Dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë! Ne jemi Partia Demokratike! Ne jemi sot partia që gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh.
Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës, familjes apo qeverisë së tij me krimin e organizuar. Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: i ke bërë llogaritë gabim!”, tha Basha