Preç Zogaj për herë të parë shpjegon kush është Anjeza
Gazetari Preç Zogaj i ftuar ne emisionin “Ditë e re” të Rtv Ora ka diskutuar rreth librit të tij të fundit “Anjëza nuk e zgjua”.
Ky libër ka të bëjë me një histori dashurie por edhe përdhunimi brenda. Pjesën e tragjedisë shkrimtari e sheh si një përzgjedhje e botuesit për ta vënë në kopertinë por ajo është vetëm një pjesë shumë e vogël e një libri prej 400 faqesh.
Më tej ai shpjegoi tragjedinë më të madhe brenda këtij libri i cili është përplasja e ëndrrave që personazhi kryesor ka me realitetin.
“Është një tragjedi, një tablo e Shqipërisë të viteve 80. Ka në bosht ambicien e një vajze të bukur dhe të dlirë me shumë ëndrra, por rruga për realizimin e tyre lidhet me mjedisin rrethanat dhe këtu. Në këtë moment ka një përplasje mes realitetit dhe ëndrrave,” tha Zogaj.
Zogaj ka shprehur se personazhet janë rastësi dhe nuk ka ndonjë referencë konkrete por ka dhënë një shpjegim pse personazhi kryesor e ka emrin Anjeza.
“Po ka një shpjegim pse ajo e ka emrin Anjeza. Babai i saj kur ka qenë në hekurudhë në punë, njohu një vajzë e cila ishte me e bukura që ai kishte parë. Ai vendosi t’i vërë emrin e vajzës së tij Anjeza,” tha shkrimtari.
Preç Zogaj është pyetur nga gazetarët edhe rreth karrierës së tij mes gazetarit, shkrimtarit dhe politikanit.
Sipas tij prioritet për të është poezia dhe proza.
“Prioritet në pikëpamje të pasionit është poezia dhe proza por profesioni im është gazetar pavarësisht se jam angazhuar edhe në politikë.” – u shpreh Zogaj.