5 vjet në kampet e ISIS/ Kush e shpëtoi Alvin Berishën?
Lajmi i shumëpritur më në fund erdhi, Alvin Berisha është jashtë kampit “Al Hol” në Siri dhe po kthehet në Itali, pranë babait dhe motrave të tij, të cilët kishin 5 vjet pa u parë me njëri-tjetrin.
Historia e Alvinit nuk filloi dje, as para një muaji, por para 5 vjetësh. Më dhjetor të 2014, Valbona Berisha la burrin e saj dhe dy vajzat në Itali, për t’u larguar drejt ISIS në Siri.
Historia doli në mediat italiane dhe u arrit të zbulohej se Valbona e Alvini ishin larguar në Turqi, për t’u nisur më pas në Siri. Falë sinjalit GPS të telefonit u identifikua vendodhja e parë në Al Babi, një nga zonat më të nxehta në atë kohë të luftës në Siri.
Atje ajoVa ndryshoi emër duke u quajtur Yushra dhe u martua me një xhihadist shqiptar me të cilin pati edhe disa fëmijë të tjerë. Gjatë bombardimeve të fundit në Siri, gruaja ndërroi jetë, ndërsa Alvini përfundoi në kampet e ISIS.
Para një muaji emisioni investigative në Itali, “Le iene” e riktheu sërish histroinë e Alvin Berishës.
Gazetarët italianë udhëtuan drejt Sirisë dhe mundësuan takimin e Alvinit me babanë e tij, Afrim Berishën, i cili e kërkonte prej 5 vjetësh.
Prej këtej, gazetarët u vunë në kontakt me ambasadorin shqiptar në Turqi, të cilit i kërkuan ndihmë për ta nxjerrë vogëlushin Alvin nga kampi Al Hol.
Por me gjithë premtimet, asnjë aksion konkret nga autoritetet shqiptare.
Ditën e sotme, 2 javë pas gjetjes 11 vjeçari po rikthehet në Itali tek familja e tij.
Emisioni “Le iene” reagoi me një shkrim për këtë rast, ku treguan gjithë përpjekjët e tyre për ta larguar Alvinin nga kampi.
“Zhgënjimi është shumë i madh kur Alvin i vogël e kupton se nuk mund të shkojë menjëherë në shtëpi me babanë e tij, sepse asnjë autoritet duket se nuk dëshiron të na ndihmojë ta largojmë atë nga atje. Në radhë të parë autoritetet shqiptare, ambasadori i të cilëve në Turqi, së pari thotë se ata duan të na ndihmojnë, dhe pastaj të mbyllin telefonin në fytyrë. Edhe Rajoni i Lombardisë dhe Liguria ishin bashkuar me zërin e atyre që kërkonin lirimin e Alvinit të vogël. Tani, megjithatë, pas shërbimit tonë dhe thirrjeve të Le Iene drejtuar Kryeministrit Giuseppe Conte dhe Ministrit Luigi Di Maio, Alvin është më në fund i lirë të përqafojë babanë e tij Afrim.”, shkruante “Le iene”, ditën e sotme.
Nga ana tjetër, në mediat shqiptare doli fotoja e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, i cili takonte Alvinin në Siri. Me këtë rast reagoi edhe kryeministri Rama, i cili përcolli lajmin se Alvin Berisha po kthehej në shtëpi.
Postimi i Ramës
ALVINI PO KTHEHET NË SHTËPI😍 • Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i brendshëm po përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Beirut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentat e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë🤗 • Një falenderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane🇦🇱🤝🇮🇹 • Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb, që luajti një rol të pazëvendësueshëm🙏 • Por për ne, përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin…
I pari që e ka shpërndarë lajmin për lirimin e Alvin Berishës, ishte këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla. Mëngjesin e sotëm, Kulla postoi një foto të Alvinit, ku lajmëronte se ai ishte i lirë në Damask.
Pas përhapjes së lajmit në mediat shqiptare dhe daljes së fotos së Lleshajt, Kulla reagoi sërish me fjalët: “Alvin is free in Lebanon. Now enjoy the propaganda!”
Lajmi për Alvinin ka pasur pasqyrim edhe në mediat egjiptiane. Dy ditë më parë, gazeta egjiptiane, ‘Elfagr.com’, në artikullin me titull: ‘Shqipëria realizon me sukses lirim nga duart e ISIS në Siri, të fëmijës shqiptar’, mes të tjerave shkruan se, ‘presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e ka mbikëqyrur personalisht operacionin’.
‘Shqipëria në bashkëpunim me autoritetet italiane ka realizuar me sukses lirimin e një fëmije shqiptar i cili para disa vitesh udhëtoi nga Italia për në Siri me familjen e tij, për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS. Fëmija është transportuar nga veriu i Sirisë në një vend të sigurtë në Damask në koordinim me Gjysmëhënën e Kuqe siriane. Bëhet e ditur se, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili e ka mbikëqyrur personalisht operacionin, me interesin e tij të vazhdueshëm ka shfaqur preokupimin për rikthimin e fëmijëve shqiptarë, prindërit e të cilëve iu bashkëngjitën ISIS në Siri, numri i të cilëve mendohet të jetë rreth 40 vetë’, shkruhet në këtë artikull.
Kujtojmë që Alvini nuk ishte i vetmi shqiptar në kampin Al Hol. Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali nga foltorja e Kuvendit këtë të hënë, tha se atje janë edhe 28 fëmijë të tjerë.
Shpresojmë që edhe ata të kenë fundin e lumtur të Alvinit.