Lidhu me ne

Kryesore

Punësimi i ekselentëve në administratë, proces jo transparent

Studenti i ekselencës, Ndoj Mhilli, denoncon në gazetën “Shekulli” punësimin e ekselentëve në administratë. Përzgjedhja pa meritë dhe procesi jo transparent. 7 vite i diplomuar, me medalje ari dhe doktoraturë ende i papunë

Enida Vërça

Punësimi i studentëve të ekselencës ishte një nga kartat me të cilat luajti qeveria për të shuar tërësisht protestat e dhjetorit të vitit që lamë pas, në kuadër të ‘Paktit për Universitetin’. Sipas kësaj platforme, të favorizuarit për t’u përzgjedhur do të ishin ata të rinj të cilët kishin mbaruar studimet e para, të dyta, apo edhe ato të treta, me mesatare 9 deri10. Studentët e ekselencës të cilët kanë aplikuar dhe nuk janë përzgjedhur pavarësisht rezultateve janë të shumtë, të cilët kanë mbetur edhe njëherë tjetër të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura. I tillë është edhe ish-studenti i ekselencës, Ndoj Mhilli, i cili ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi me mesatare mbi 9.8 në Universitetin e Tiranës, fakulteti i Historisë dhe Filologjisë. Ai thotë se aplikimi i tij nuk është pranuar nga portali. “Nuk jam klasifikuar fare në listën e ekselentëve. Kam shkruar dy herë në adresën e tyre nuk më janë përgjigjur. Kam trokitur dhe kërkuar të drejtën time, askush nuk më ka pritur. Unë kam mbaruar studimet me mesatare shumë të lartë dhe vazhdoj të jem ende i papunë në këtë vend”, deklaron ai. Më tutje sqaron edhe procedurën që ka ndjekur për të aplikuar në këtë platformë. “Herën e parë ju kam thënë se ngarkoj të gjithë dokumentet dhe kur shtypi mbi fjalën ‘apliko’, nuk më pranon aplikimin dhe nuk përgjigjet siç ndodh zakonisht ku platforma të thotë aplikimi u krye me sukses dhe të dërgojnë e-mail. I kam pritur një javë por nuk më janë përgjigjur fare. Më pas ju kam shkruar sërish, dhe askush nuk më është përgjigjur. Kam tentuar disa herë, kam ngarkuar dokumentet, çdo material që duhej për këtë procedurë dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ana e tyre. E gjithë kjo të bën të mendosh se asgjë nuk është transparente në këtë përzgjedhje, për aq kohë sa nuk ka një reagim dhe një proces të dukshëm”, nënvizon ai.

Kualifikimet

Në fjalën e tij, i riu thotë se në studimet e ciklit të dytë master shkencor, dega Letërsi, drejtimi Teori dhe Kritik Letrare, është vlerësuar maksimalisht.”Në master kam të vlerësuar me notën 9 (nëntë) vetëm dy lëndë: ‘Teoritë e kritikës letrare’ dhe ‘Gjuhësia e përgjithshme dhe studimi i tekstit letrar’. Të gjitha lëndët e tjera janë vlerësuar me notën 10 (dhjetë). Përveç rezultateve shumë të larta, Ndoj është vlerësuar edhe me certifikatën si ‘student i shkëlqyer’, duke marrë medalje ari. “I jepet studentit Ndoj Lulash Mhilli për përfundimin me rezultate shumë ta larta në programin e studimit Master Shkencor në Letërsi drejtimi Teori dhe Kritik Letrare, gjatë periudhës 2010-2012 në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës”, shkruhet në këtë certifikatë vlerësimi e cila mban firmën e ish-rektorit të UT-së, Dhori Kule.

Doktoratura

Përveç studimeve master, Ndoji në vitin 2018 ka mbaruar edhe studimet e ciklit të tret, me rezultatet shumë të larta, duke arritur të grumbulloj 94 pikë në doktoraturë, nga 100 pikët maksimale. “Vendimmarrje për dhënien e gradës ‘Doktor’. Juria, e ngritur pranë fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Departamenti i Letërsisë mbështetur në nenin 12 të rregullores ‘Për organizmin e programeve të studimeve të doktoraturës’ miratuar në mbledhjen e Senatit akademik të UT-së, me vendim nr. 20, dt 13.12.2018, organizoi mbrojtjen publike të doktoraturës së: Ndoj Mhilli më datë 17.05.2018, me temën ‘Dramaturgjia shqiptare në diasporë në gjysmën e dytë të shekullit XX’, me udhëheqës shkencor Prof. Dr. Shaban Sinani. Në përfundim të mbrojtjes, juria me votim të fshehtë, e vlerësoi disertacionin e doktoraturës me 94 pikë (shumë mirë) dhe i dha z. Ndoj Mhilli gradën shkencore ‘Doktor’.

Mundësitë

Edhe pse ka vite që i ka përfunduar studimet, teksa tregon se ka aplikuar kudo për një vend pune, madje edhe në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’, i riu vazhdon ende të jetë i papunë dhe i pashpresë për të filluar një punë. “Mundësitë janë thuajse inkezistente në këtë vend. Përzgjedhjet nuk janë në bazë të meritokarcisë, por njohjeve, miqësive dhe politikës së fëlliqur të këtyre 28 viteve. Shumë student të cilët unë i njoh dhe i di rezultatet e tyre, sot punojnë në administratë dhe pozicionet me të mira edhe pse nuk plotësojnë kriteret, ndërkohë unë dhe shumë të tjerë si unë, vazhdojmë të jemi të papunë dhe në kërkim të një të ardhme e cila duket se nuk do të vij asnjëherë. ‘Pakti për Universitetin’, apo çdo rrugë tjetër e ndjekur nga kjo qeveri është vetëm një gënjeshtër. Gënjeshtër është karta e studentit, e cila nuk i hyn në punë askujt, rikonstruksioni i konvikteve, punësimi i ekselentëve, apo përgjysmim i tarifave. Ka vetëm teori po praktik”, thotë i demoralizuar riu. “Ne kemi humbur moralin, dinjitetin, besimin. Kemi humbur besimin për një të ardhme më të mirë, se mund të ndërtojmë një shtet më të mirë. Ne kemi humbur besimin, se mund të kemi mundësin e ndërtimit të një familje, për shkak të kushteve mizerabël ekonomike”, u shpreh ai për “Shekulli”-n.

Notat

Metodat e studimit te letërsisë 10 (dhjetë)

Estetikë 10 (dhjetë)

Letërsi e krahasuar 10 (dhjetë)

Teoritë e kritikës letrare 9 (nëntë)

Filozofia dhe letërsia 10 (dhjetë)

Histori e kritikes letrare shqiptare 10 (dhjetë)

Teori dhe praktike e analizës së tekstit 10 (dhjetë)

Histori e poetikeve letrare 10 (dhjetë)

Gjuhësia e përgjithshme dhe studimi i tekstit letrar 9 (nëntë)

Gjuhësi teksti 10 (dhjetë)

Letërsi modeme franceze 10 (dhjetë)

Historia dhe tipologjia e poezisë 10 (dhjetë)

Letërsi modeme ruse dhe sllave 10 (dhjetë)

Tekstet e ndërmjetme dhe kufijtë zhanrorë 10 (dhjetë)

Letërsia shqipe, tipologjia sipas rrymave 10 (dhjetë)

Letërsi modeme angleze 10 (dhjetë)

Kurs monografik (Lirika shqipe) 10 (dhjetë)

Punësimi i ekselentëve në administratën publike

Vetëm pak ditë më parë, kreu i qeverisë, Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook, bëri me dije se deri më tani janë punësuar 602 studentë ekselentë në administratën publike përgjatë vitit 2019. Referuar kritereve që duhet të kenë të rinjtë të cilët aspirojnë një punë në administratën publike, është mesatarja e studimeve bachelor/master mbi 9 (nëntë). “Të rinjtë duhet të kenë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve bachelor dhe/ose master profesional/shkencor me mesatare 9.00-10.00 (ose të baravlefshme me to) në secilin prej cikleve të studimit. Falë kësaj mundësie, ekselentët do të përfitojnë një përvojë kualifikuese, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale, duke u përballur me administratën publike në një tjetër nivel, e duke kuptuar më mirë vazhdimësinë e rrugëtimit të karrierës së tyre”, thuhet në faqen zyrtare të platformës.

Më tej sqarohet se nëpërmjet kësaj platforme, çdo i diplomuar ekselent që është në kërkim të një eksperiencë në administratë, do të mund të regjistrohet dhe shprehë interesin për vendet e shpallura duke ngarkuar online të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Aspirantët të cilët kërkojnë të punësohen në administratën publike duke lidhur një kontartë 1-vjeçare, duhet t’i ngarkojnë dokumentet online në platformë. “Dokumentet që nevojiten janë: 1. Jetëshkrimi; 2. Fotokopje të diplomës/diplomave. Në rastin e diplomave të përfituara jashtë vendit, duhet të dorëzohet edhe dokumenti i njohjes së diplomës nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; 3. Listën/listat e notave; 4. Fotokopje të letërnjoftimit (ID); 5. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore. Aktualisht në platformën punetembare.al janë shpallur dhe janë në dispozicion të studentëve ekselentë 803 vende vakante, nga të cilat 601 nga institucionet pjesë e shërbimit civil dhe 202 nga institucione me kod pune. Në secilën nga shpalljet e publikuara në platformë janë të përcaktuara afatet e aplikimit si dhe metodologjia e përzgjedhjes së pozicionit”, thuhet në përfundim të njoftimit në faqen zyrtare të platformës.

Asnjë premtim i ‘Paktit për Universitetin’ nuk është mbajtur

Teksa po bëhet një vit nga protesta masive e shoqëruar më pas me një plan masash nga ana e qeverisë, studiuesi Dr. Edmond Çata thotë se asnjë premtim në këto masa nuk është realizuar. Midis premtimeve të kryeministrit Edi Rama ishin edhe vendimet për plagjiaturat, por Çata thotë se edhe në këtë drejtim nuk është marrë asnjë masë.  “Pakti për Universitetin premtoi veprime konkrete në aspektin financiar, akademik, dhe studentët. Premtimet u tha se do realizoheshin deri në Qershor 2019.

Sot, në fund të 2019 mund të thuhet se premtimet ose nuk janë realizuar fare, ose janë “realizuar” me ndonjë kleçkë nga pas. Në aspektin Financiar, ndonëse Rama premtoi rritje të buxhetit, ky nuk është rritur. Në 10 Tetor 2019, Revista Monitor raportonte jo rritje, por reduktim të buxhetit për arsimin e lartë me 2.5 milionë Euro. Në aspektin Akademik, Rama premtoi adresimin e problemeve me tekstet, mësimdhënien, punimet shkencore, titujt akademikë, dhe kërkimin shkencor. Miratoi një numër VKM për performancën e pedagogëve, plagjiaturat, dhe kërkimin shkencor. Vlerësimin e pedagogëve ia ngarkoi ASCAL-it, që do të kryente Sondazhin Kombëtar të Studentëve dhe në Qershor do raportonte çfarë mendonin studentët për pedagogët, për cilësinë e mësimdhënies së tyre, dhe për kërkimin shkencor!

Verifikimin e plagjiaturave dhe titujve akademike ia ngarkoi Ministrisë së Arsimit. Deri në Shkurt 2019 do ngriheshin grupet e punës për të bërë vlerësimin e plagjiaturave dhe të titujve. Në Qershor 2019 do raportoheshin gjetjet dhe do tju dërgoheshin universiteteve. Brenda 90 ditëve universitetet duhej të merrnin vendime për punimet plagjiaturë dhe gradat shkencore të fituar përmes tyre dhe ti raportonin Ministrisë së Arsimit. Ndërsa vlerësimin e cilësisë së kërkimit shkencor ia ngarkoi pjesërisht studentëve (përmes Sondazhit) dhe pjesërisht Akademisë së Shkencave (përmes Kodit të Kërkimit Shkencor dhe Ligjit të Ri për ASH). Deri më sot vetëm ASCAL ka realizuar sondazhin. Ndërsa për plagjiaturat, titujt akademik, dhe kërkimin shkencor nuk ka asnjë rezultat konkret.

Ndonëse këto të fundit janë edhe më të rëndësishme se buxheti apo tarifat sepse lidhen direkt me arsimin cilësor dhe cilësinë e universiteteve dhe kërkojnë edhe guxim pikërisht për përmasat masive që kanë! Ne mbetemi të vetmit në botë ku plagjiarizmi gëlon i pandëshkuar; ku titujt akademikë shpërndahen si karamele dhe as që iu afrohen në përmbajtjen dhe vërtetësinë e tyre titujve akademikë që përdor bota; ku kërkimi shkencor reflekton problemet sa të modelit shqiptar të shkollimit doktoral aq edhe të vlerave, mendësisë, dhe përgatitjes metodologjiko-shkencore të individit, qoftë ai student doktorant, udhëheqës shkencor apo oponent shkencor! Dhe gjasat janë që të mos kemi as rezultate, as ndryshim të gjendjes! Qoftë për shkak të mungesës së vullnetit të Ramës për ti rënë në kokë problemit, qoftë për shkak të rrugëve të gabuara që Rama ka zgjedhur në marrjen me këto fenomene negative. Deri më sot Rama nuk është marrë me zemrën e problemit por i ka rënë rreth e rrotull luftimit të këtyre fenomeneve akademike. Zgjidhjen e problemeve me cilësinë e Punimeve Shkencore dhe Titujve Akademikë Rama e ka barazuar me krijimin e arkivit dixhital të doktoraturave dhe verifikimin e “kritereve të ligjshmërisë”, specifikisht, sa doktorantë udhëheq një profesor, për sa kohë është lëshuar një titull, apo sa botime janë marrë parasysh kur janë lëshuar titujt “Profesor i Associuar” apo “Profesor”. Kjo është rruga e gabuar! Që nuk zgjidh problemin por krijon kushte për ndëshkim selektiv. Është e vërtetë që ka patur shkelje kriteresh, por zemra dhe zgjidhja e problemit nuk mund të reduktohet tek “kriteret”, thotë mes të tjerash Dr. Edmond Çata.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix19 orë më herët

Jay Z dhe Beyonce kërcënohen me jetë

Jay-Z dhe Beyoncé janë në gatishmëri të lartë pasi morën kërcënime me vdekje pas rrëzimit të padisë për përdhunim kundër...

Mix19 orë më herët

10 shenja që tregojnë se mbase duhet të hiqni dorë nga kafeina

Kafeina mund të jetë një dozë energjike magjike që ju ndihmon të zgjoheni në mëngjeset tuaja, por për disa njerëz,...

Mix20 orë më herët

Çiftet e martuara që qëndrojnë çmendurisht të dashuruar për dekada, shfaqin këto 6 tipare

Jo të gjitha marrëdhëniet janë të bukura dhe me shkëlqim përgjithmonë. Shumë njerëz heqin dorë nga marrëdhënia e tyre pasi...

Mix20 orë më herët

Letra e shkruar nga Isaac Newton në 1704 parashikon DATËN e saktë të fundit të botës

Një letër nga shkencëtari i njohur anglez Sir Isaac Newton parashikonte se kur do të përfundonte bota siç e njohim...

Radar20 orë më herët

Berisha: Vrasja e Mehmet Shehut e ka një ngjashmëri me rastin e Veliajt

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se ka një ngjashmëri mes vrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të...

Radar20 orë më herët

Arresti për Veliajn, i jashtëzakonshëm?! SPAK: 236 arreste për 2024-n

Ku qëndron pra e jashtëzakonshmja në praktikën e SPAK pêr zyrtarët? Askund veç faktit që u dogj një karrierë politike...

Mix20 orë më herët

Shenjat e horoskopit që kurrë nuk duhet të dashurohen me njëra-tjetrën

Përpara se të përfshiheni kokë e këmbë në një lidhje të re, kini parasysh që yjet mund të kenë planifikuar...

Radar20 orë më herët

Nisma “Sy m’Sy” në gjithë Shqipërinë; a po kopjon Rama sloganin “Cep më Cep” të Albin Kurtit?

Edi Rama dhe Albin Kurti Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ditën e sotme se së shpejti do të nisë maratona...

Mix20 orë më herët

Rolls-Royce prezanton modelin më të fuqishëm të historisë së vet, për 370 mijë euro

Rolls-Royce ka nxjerrë në shitje modelin më të fuqishëm të historisë së vet, Black Badge Spectre, një supermakinë elektrike që kushton rreth...

Radar20 orë më herët

“Shumica e vajzave shqiptare duan meshkujt e fortë, admirojnë banditët”

“Shumica e vajzave preferojnë meshkujt e fortë” – Kështu u shpreh psikologia Aurela Agalliu. Teksa u diskutua mbi krimet e...

Facebook