Intervista/ Ish-dekani i FHF-së, prof. Shezai Rrokaj thotë se MASR i ka kaluar kompetencat për miratimin e punimeve shkencore një agjencie burokratike. Kuotat për ciklin e tretë, të bllokuara prej 5 vitesh. Mungon fondi për kërkimin shkencor
Enida Vërça
Ish-dekani i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj në një intervistë për “Shekulli”-n thotë se bllokimi i doktoraturave bie ndesh me ligjin për Arsimin e Lartë, duke shtuar se mungesa e fondeve vazhdon të mbajë ende të bllokuar procesin. Më tej, ai thotë se Agjencia për Kërkimin Shkencor nuk mund të marrë kompetenca për të vlerësuar cilësinë e punimeve. Bllokimi prej 5 vitesh, po çon në largimin e të rinjve jashtë dhe po godet vijimësinë e kërkimit dhe të burimeve njerëzore të nevojshme për të përmbushur detyrimet shtetërore.
Rrokaj, prej 5 vitesh, duket se ka një ngërç dhe bllokim sa i përket ciklit të tretë të studimeve. Si e gjykoni këtë ngrirje? Kush është përgjegjës për bllokimin dhe sa e cenon ai ligjin e Arsimit dhe ambicjen e studentit?
Së pari, bllokimi i doktoraturave bie ndesh me ligjin e Arsimit të Lartë, ku universitetet si institucione në dallim nga kolegjet, kanë si tipar kryesor kërkimin shkencor. Kërkimi shkencor në universitete në mënyrë prioritare ka lidhje me kërkimin e mirëfilltë doktoral. Ministria e Arsimit i ka rënë ndesh ligjit për Arsimin e Lartë, i cili parashikon se kërkimi doktoral për universitetet është i domosdoshëm në ndryshim nga institucionet e tjera të arsimit. Vet ligji është një burokraci më vete për mënyrën se si konceptohet. Në ligj përcaktohet që studimet doktorale duhet të miratohen nga një agjenci burokratike e ministrisë që quhet AKSH (Agjencia për Kërkimin Shkencor), i cili nuk mund të marrë kompetenca të një institucioni që mirëfilli e kanë institucionet kërkimore sa i takon cilësisë dhe rëndësisë shkencore të një punimi të caktuar doktoral. Pra, për një temë të caktuar doktorale, nuk mund të vendos AKSH-i nëse është e rëndësishme apo jo./Shekulli.com.al