Lidhu me ne

Aktualitet

Shtet pa brekë.

Arka bosh ose shteti që po i bien poturet

Klodian Tomorri

Tre muaj më parë u njoha me një histori në dukje të rëndomtë. Disa familje i kishin dhënë me qira një ambient të përbashkët Doganës, në një rreth jo shumë larg Tiranës. Në këmbim Drejtoria e Doganave u paguante një tarifë qiraje rreth 2 milionë lekë në vit. Pagesa sipas rregullave të shtetit bëhej dy herë në vit, në fund të çdo gjashtëmujori. Por si asnjëherë tjetër me parë, këtë vit Dogana ende nuk u kishte paguar qiranë e gjashtëmujorit të parë, e cila duhet të ishte shlyer në qershor.

Në fillim, kur u njoha me këtë histori mendova se do të jetë ndonjë nga ato problemet e zakonshme burokratike që ndodhin rëndom në zyrat e shtetit. Por tani nuk jam më i sigurtë. Shtetit tonë po i bien poturet dhe nuk ka më para të paguajë as kacidhet. Prej më shumë se katër muajsh, familjet që kërkojnë pagesën e qirasë nga shteti i sorollatin sa në zyrat e Doganës në ato të Ministrisë së Financave. Para nuk ka.

Pak ditë më parë, përmes një urdhri informal, qeveria i ka kërkuar institucioneve publike të pezullojnë tenderët e mëdhenj për shkak se buxheti nuk ka para të paguajë. Në fakt, ndalimi i tenderëve të rinj pas datës 15 tetor të çdo viti është një praktikë e konsoliduar dhe e disiplinuar me ligj. Por këtë vit, institucionet publike janë urdhëruar të pezullojnë edhe tenderët e zhvilluara para datës 15 tetor.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Operatori i Transmetimit dhe shumë institucione të tjera ditët e fundit kanë pezulluar thuajse të gjitha tenderët e mëdhenj që kanë hapur në muajt shtator-tetor. Kjo nuk është një situatë e zakonshme.

I ftuar në studion e Opinionit, të enjten që shkoi, kryeministri Edi Rama sfidoi gazetarët në panel të gjejnë qoftë edhe një sektor të vetëm ku punët e shtetit janë me keq sot se sa ishin në momentin kur ai erdhi në pushtet. Sfida që mori mbrapsht ishte ajo e potureve që ai vesh shpesh në daljet publike. Por poturet e Ramës janë çështje e tij. Halli i qytetarëve janë poturet e buxhetit. Dhe buxheti po del cullak.

Në 9 muajt e parë të vitit buxhetit të shtetit i mungojnë 65 milionë euro të ardhura. Por kjo shifër paraqet vetëm një të tretën e gropës reale të financave publike. Në fillim të vitit të kaluar, parlamenti përgjysmoi tatimin mbi dividendin duke i dhënë fuqi prapavepruese nëse taksa paguhet deri në 30 shtator. Si rezultat këtë vit qeveria mblodhi 100 milionë euro të ardhura nga taksa e dividendit. Nëse nuk do të ishin këto para, sot buxheti i shtetit do të ishte në vështirësi për të paguar rrogat.

Por të ardhurat nga tatimi i dividendit janë masa one-off, të cilat sjellin para vetëm një herë dhe nuk kanë karakter të qëndrueshëm. Ato thjesht sa shtyjnë krizën për vitin tjetër, kur situata buxhetore pritet edhe më kritike.

Ngadalësimi i ekonomisë dhe privilegjet fiskale për interesa të ngushta kanë shteruar burimet e të ardhurave për qeverinë, ndërkohë që shpenzimet e detyrueshme të buxhetit rëndohen nga viti në vit. Përveç pagave dhe pensioneve, tani buxheti ka dhe një faturë tjetër që rritet në progresion, atë të koncesioneve. Vitin e ardhshëm pagesa për koncesionet pritet të arrijë në mbi 150 milionë euro sipas tabelave të vetë qeverisë duke e shtrënguar edhe më shumë lakun e financave të shtetit.

Por financat publike janë vetëm njëri dimension i krizës. Situata është kritike edhe në kompanitë publike, veçanërisht ato të sektorit energjetik. KESH, OST dhe OSHEE janë zhytur në një zinxhir borxhesh brenda njëra tjetrës, por edhe ndaj privatëve, i cili sa vjen dhe shtrëngohet duke u përplasur në buxhetin e shtetit.

Në vitin 2013, kur sapo kishte ardhur në pushtet, Rama akuzonte me të madhe Berishën se kishte lënë pas tokën e djegur dhe një mal me borxhe të fshehura. Por, që nga ajo kohë gjërat kanë shkuar edhe me keq.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në dy zëra; rimbursim taksash dhe punë publike, borxhet e prapambetura të shtetit kanë arritur në mbi 330 milionë euro. Nëse llogariten edhe borxhet nga vendimet gjyqësore apo zërat e tjerë, të cilat qeveria nuk i raporton, atëherë borxhet e fshehura sot janë më të larta se sa ato që qeveria aktuale gjeti në vitin 2013.

Në dy vitet e fundit, borxhet e fshehura të buxhetit janë rritur mesatarisht me 150 milionë euro në vit. Për fat të keq kjo qeveri ka ende dhe dy vite të tjera mandat, në fund të të cilave Shqipëria mund të ketë një kryeministër me poture, por një shtet pa brekë.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Për forcimin e kujtesës – Produktet që ju duhen çdo ditë

Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni...

Mix2 ditë më herët

Paraliza e gjumit: Çfarë është, pse ndodh dhe si mund ta shmangni?

Paraliza e gjumit është një përvojë e frikshme që shumë njerëz e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë....

Radar2 ditë më herët

Berisha fton Shpëtim Idrizin në koalicion, përjashton Bashën: Është me Taulant Ballën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se do të zhvillojë negociata serioze me Shpëtim Idrizin për të krijuar...

Radar2 ditë më herët

Altin Dumani: Askush të mos ketë frikë, për sa kohë është në përputhje me ligjin

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është shprehur se askush nuk duhet të ketë frikë nga ngritja e...

Kryesore2 ditë më herët

Rama: Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve që i kërkojnë që të largohet, por thekson se nuk ik...

Radar2 ditë më herët

Kolegji privat merr masat, njofton policinë pas një e-maili. Hetimi i krimit kibernetik po punon për identifikimin e autorëve.

Policia ka reaguar pas alarmit për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”, ku në një email dërguar sekretarës shkruhej “do...

Mix2 ditë më herët

Apple prezanton iPhone 16e/ Prodhimi i ri me inteligjencë artificiale

Apple ka prezantuar një iPhone të rim i cili sjell veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) me një kosto më të...

Mix2 ditë më herët

Anne Frank: Unë besoj ende se njerëzit kanë zemër të mirë…

“Vërtet është për t’u habitur, sesi nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia, sepse duken shumë absurde...

Mix2 ditë më herët

Si të bëheni një folës i shkëlqyer në publik?

Pse të flasësh në publik është e rëndësishme? Të folurit në publik është një aftësi që sjell përfitime të shumta....

Mix2 ditë më herët

Pse disa njerëz e kanë më të lehtë të kujtojnë ëndrrat sesa të tjerët?

Është e vështirë të jetosh ëndrrat e tua — veçanërisht kur nuk mund t’i kujtosh ato. Dream recall është aftësia...

Facebook