Në vizitën e shkurtër që pati në Tiranë, kryeministri i Italisë, Giuzepe Conte qartësoi qëndrimin e vendit të tij për çështjen e negociatave, duke zbardhur edhe propozimin që Roma ka bërë për hapje formale të negociatave.
Në konferencën për shtyp dy kryeminstrat u pyetën edhe për ritmin e ulët të investimeve italiane në Shqipëri, ku pengesë sipas kryeministrit italian është klima e investimeve por edhe mosangazhimi i dy qeverive për të ecur në këtë drejtim.
“Ka dëshirë nga investitorët italianë për të investuar më tepër, por kërkohen disa garanci në luftën ndaj trafiqeve të paligjshme. Kjo e bën klimën edhe më tërheqëse, si dhe do të lehtësojë në hartimin e strategjive të investimeve. Duhet të bëjmë më tepër, pasi është në interesin tonë”– tha kryeministri Conte.
Ndërsa kryeministri Edi Rama që e ka bredhur lart e poshtë Italinë duke ofruar “Shqipërinë 1 euro” tha gjatë konferencës se së shpejti do të bëhet publik një bashkëpunim me një kompani të madhe italiane në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit./Respublica