Brenda një harku kohor të shkurtër presidenti i Turqisë, Taip Erdogan, ka vizituar sërish Beogradin. Duket qartë se mes të dy vendeve brenda pak vitesh është vendosur një “marrëdhënie speciale”, por që nuk kufizohet vetëm mes dy liderëve Vuçiç e Erdogan, por më së shumti me investime të mëdha.

Nga na tjetër në rajon dhe veçanërisht këtu brenda në Shqipëri, kemi `legjendën urbane` të ushqyer nga kryeministri i vendit tonë, se Turqia është një `partner strategjik` i Shqipërisë (në letër) dhe vëllam e mik i ngushtë i tij. Por e vërteta është që gjatë kësaj miqësi `të madhe` mes kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan, investimet turke në vendin tonë kanë konsistuar, vetëm në investimin e xhamisë së madhe në qendër të Tiranës  e qindra të tjera nëpër vend, si dhe kapjen e konvertimin e sistemit të shkollave të Gylen me ato të familjes së Erdogan.

Ndërkohë që në Shqipëri investimi më i fundit i bujshëm i Turqisë së Erdogan ishte një memorial dhe emri i një sheshi në kujtim të dëshmorëve që mbrojtën presidentin e Turqisë gjatë grushtit të shtetit, Erdogan ndodhet në Beograd për të inspektuar punimet e autostradës Beograd-Sarajevë. Nga ana tjetër shkëmbimet tregtare mes Serbisë dhe Turqisë kanë arritur në shifrën rekord të 1.2 miliard eurove, kurse investimet e tyre në këtë vend kanë hapur 8 mijë vende të reja pune.

Pikërisht për këtë marrëdhënie dhe interesi të madh të Erdogan ndaj Sebisë së Vuçiç, flet një artikull i gjatë i DW me titull:  Erdogan-Vuçiq: “Takimet e nxënësve të këqinj”.

Shkrimi i plotë i botuar sot nga DW, me autor Ivica Petrovic

Turqia është një partner strategjik dhe anëtare e NATO-s, por që tregon interes të madh edhe për Serbinë. Po çfarë fshihet pas këtij interesimi?

Image result for memorial turk

Vizitat e shumta në nivelin më të lartë dhe aktivitetet e shtuara ekonomike mes Turqisë dhe Serbisë, dëshmojnë se raportet mes këtyre dy vendeve janë shumë të mira. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e rendit Turqinë ndër vendet më të rëndësishme partnere të Serbisë. Këtë e vërtetojnë edhe shifrat konkrete, të cilat u bënë publike në fillim të vizitës dy ditore të Erdoganit në Serbi. Shkëmbimi tregtar ka mbërritur shifrën prej 1,2 miliardë euro në vit. Firmat turke punësojnë në Serbi rreth 8000 punëtorë, ndërsa investimet turke në Serbi kanë mbërritur prej një milion dollarë në vitin 2011 në 200 milionë dollarë në vitin 2018. Po në të njëjtin vit nga Serbia në Turqi kanë shkuar rreth 100.000 turistë. Krahasuar me raportet ekonomike të Serbisë me vendet e tjera, këto janë shifra ende modeste, deklaruan dy presidentët. Por ata shtuan se raportet mes Serbisë dhe Turqisë nuk kanë qenë kurrë më të mira. Vuçiq dhe Erdogan janë të mendimit se ka hapësirë për përmirësimin e mëtejshëm të raporteve.

Turqia në Ballkan 

Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dragan Gjukanoviq thotë për DË, se “pas ftohjes së raporteve në vitin 2013 dhe ndërprerjes së trilaterales Ankara-Beograd-Sarajevë, tani raportet e Turqisë me Ballkanin Perëndimor janë forcuar. Duket se kjo ka të bëjë me rolin mbrojtës të Turqisë ndaj faktorit boshnjak e tani edhe përmirësimin e raporteve me Beogradin”. Gjukanoviq thotë se interesimi i Turqisë nuk ndalet vetëm në Serbi, sepse “Ballkani është i rëndësishëm si i tërë për Turqinë”. Raportet më të ngushta politike janë me boshnjakët, e deri diku edhe me elitën politike shqiptare. “Por Turqia e kupton Serbinë si një partner shumë të rëndësishëm, nëse jo edhe partnerin më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor“, pohon profesori.

Politika e brendshme 

Niveli i lartë dhe dendësia e vizitave të presidentit turk në Serbi shihet si pjesë e aktiviteteve të brendshme politike të Erdoganit, mendon Naim Leo Beshiri. “Presidenti Erdogan nuk ka aktualisht shumë miq jashtë vendit. Ndaj këtë vizitë e shfrytëzon për përfitime në politikën e brendshme në Turqi, sepse të githa këto vizita përdoren për propagandë të brendshme”. Nga ana tjetër, Turqia po e shfrytëzon hapësirën e zbrazët në Ballkan për shtimin e influencës. “Në kohën kur SHBA dhe BE nuk po mund të dakordohen për çështjet e rëndësishme të këtij rajoni, Turqia po përpiqet të shtojë influencën e saj. Erdogani po përpiqet të prezantohet si faktor stabliteti në raportet mes Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës”, pohon Beshiri.

Influenca e Turqisë 

Beogradi pret nga Erdogani dhe Turqia të luajnë një rol pozitiv tek boshnjakët në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Sanxhak, për zgjidhjen e çështjeve kontestuese. „Turqia ka influencë tek boshnjakët, ndonëse i tërë rajoni është i preokupuar për momentin me raportet Beograd-Prishtinë”, thotë Gjukanoviq. Ai mendon se është vështirë të jepen konstatime përfundimtare, “por boshnjakët ende mbeten më të afërt me Ankaranë se sa me Brukselin, që në një farë mënyre pengon edhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor“.

Turqia është e interesuar për “integritetin territorial të B-H dhe për raporte të mira mes Beogradit dhe Sarajevës”, pohon Beshiri, duke shtuar se Erdogani ka arritur atë që Perëndimi nuk ka mundur – “të përmirësojë raportet mes Beogradit dhe Sarajevës”.

Perëndimi e shikon me sy kritik forcimin e influencës turke në këtë rajon, por edhe prezencën gjithnjë e më të dukshme të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ndaj aktivitetet e Turqisë shikohen me rezerva. “Perëndimi është i shqetësuar me shtimin e influencës turke, por edhe ruse dhe kineze në këtë rajon. Kjo me siguri që do të shtrohet si çështje edhe në procesin e afrimit të Serbisë me BE”, pohon Gjukanoviq.

Shoqëri e keqe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka shtuar takimet me Erdoganin dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban, që është komentuar si një “shoqëri me mungesë demokracie dhe tendeca autoritare”. Naim Leo Beshiqi thotë se “Serbia shikohet si një nxënës i keq, i cili shoqërohet me nxënës të tjerë të këqinj”. Serbia ka miq edhe në BE, por shikuar në shtigje afatgjate, BE mund të shprehë shqetësime për shkak të afrimit të tillë të Vuçiqit  me Erdoganin dhe Orbanin. “Në shtigje të shkurtra, Serbia mund të përfitojë nga këto takime të liderëve jo demokratikë, por kjo është një e keqe në shtigje afatgjata”, konstaton drejtori i Institutit për Çështje Evropiane.

/DW/