Para shtatë vitesh Mirela vendosi të ikë nga Shqipëria për të vazhduar studimet e doktoraturës në degën e psikologjisë në Londër. Atë kohë Mirela jetonte në Tiranë, por është e lindur në Shkodër dhe në moshën shtatë vjeçare gjendet në një fshat të Pukës pasi familja e saj transferohet atje. Mirela e ka nisur karrierën e saj si mësuese fshati në Pukë dhe sot ajo ka arritur të bëhet një nga gratë më me influencë në botë duke krijuar një nga rrjetet më të mëdha globale të shpërndarë në 27 vende të ndryshme me qëllim fuqizimin financiar të gruas. Së fundmi klubi i saj do të hapet edhe në Shqipëri, drejtuar nga Sue Ivory (bashkëshortja e zëvendësambasadorit anglez ne Tiranë) dhe në Kosovë drejtuar nga Anita Haradinaj, një tjetër grua me potencial të jashtëzakonshëm dhe aktiviste e “luftarake” për të drejtat e gruas në shoqëri). Në fillim të shtatorit, Global Woman u lançua edhe në Prishtinë dhe në këtë event morën pjesë gra nga mbarë bota. Në këtë rrëfim të sajin, Mirela cek thuajse çdo fushë të jetës, nga profesioni, tek roli i saj si faktor në shoqëri, mbështetja dhe devocioni krahë grave në të gjithë botën, familja, i biri, frymëzimet, gjithçka që e bëjnë atë gruan e rëndësishme për të cilën flasin të gjithë!
Mirela, tashmë që ditët e konferencës së “Global Woman” u përmbyllën me sukses këtu në Tiranë, cila është ndjesia që po përjeton në këto momente. Si nisi gjithë kjo iniciativë?
Në fillim nisi si një projekt për të ndihmuar gratë të rrisin konfidencën e tyre dhe të rrisin aftësinë për të fituar sigurinë financiare. Sapo kisha mbërritur në Londër asokohe. Duke qenë se isha duke bërë një kërkim shkencor për dhunën në familje, vura re që varësia ekonomike ishte faktori kryesor që i mbante gratë të lidhura në marrëdhëniet abuzuese. Ky studim më çoi drejt një eksperience tjetër si trajnere për dy vjet në një organizatat më të mëdha në Londër në ndihmë të grave të dhunuara dhe pasi mbarova këtë kontratë dy vjeçare vendosa të bëj diçka konkrete që të ndihmoj gratë të rrisin financat e tyre. Kështu nisa biznesin tim në shtator 2015-të, fiks tre vjet pasi kisha arritur në Londër. Viti i parë ishte më shumë një projekt dhe research për të parë perspektivën e grave në biznes në një këndvështrim tjetër dhe pasi mblodha mjaftueshëm përvojë dhe dije se çfarë unë mund të ofroja, një vit më vonë pata mundësinë të hap një llogari biznesi dhe të nis seriozisht rrugën time si sipërmarrëse. Në këto tre vite me Global Woman kam krijuar një platformë globale që u ofron grave nga mbarë bota mundësinë për netëork, edukim dhe promovim për punën që ato bëjnë. Kemi krijuar 27 klube në mbarë botën, organizojmë rreth 30 evente në muaj dhe në të njëjtën kohë zhvillojmë projekte të ndryshme. Sot kam tre biznese të regjistruara në Londër, katër revista dhe një TV shoë modest që nisi online dhe tashmë ka si producente një nga ikonat e BBC, Julia Barry.
Si është të jesh sot një grua në biznes?
Nuk ka qenë kurrë një kohë më e mirë për gratë që të kenë pavarësinë e tyre financiare. Dekada më parë nëse një grua dëshironte të krijonte pasuri financiare e vetmja mënyrë ishte që të martohej me një burrë të pasur. Sot fatmirësisht gjërat kanë ndryshuar në favorin tonë dhe “A Man is not a Financial Plan”. Gratë janë duke shfaqur aftësitë e tyre fantastike në biznes dhe i kanë çliruar frikërat e paragjykimit. Çdo gjë është e lidhur me mendësinë dhe psikologjinë brenda nesh, diçka që mua më ka ndihmuar shumë. Unë asnjëherë nuk e kam ditur që kisha aftësi në biznes sepse vija nga një kulturë që gjatë gjithë kohës i ka shtypur sipërmarrjet e grave, por duke punuar me burimet e brendshme psikologjike arrita të kuptoj dhe besoj se çdo gjë është e mundur. Dhe nuk ka rëndësi se nga vjen, ku ke lindur apo sa e vështirë ka qenë e kaluara jote, ka gjithmonë një mundësi për të filluar nga e para, një drejtim të ri në jetën tënde dhe që mund të çojë në destinacionin që ti dëshiron. Kjo është pikërisht çfarë unë punoj me gratë dhe i mësoj se si të lidhen me qëllimin e tyre të jetës, si të krijojnë një hartë që i çon atje dhe pastaj strategjitë e biznesit janë diçka që çdokush mund t’i mësojë. Ndaj gjithmonë e them “If I have done, everyone can do it”. Kam shumë dëshirë që të shoh sa më shumë gra shqiptare të fillojnë të investojnë në të ardhmen e tyre.
Si e keni nisur këtë lëvizje nga fillimi, kush ju ka mbështetur?
E kam nisur në fillim vetëm dhe me £500 në llogari bankare, plus nuk e dija se a do kisha mundësi të paguaja qiranë në fund të muajit. Jetoja në një garsoniere bashkë me djalin tim dhe gjithashtu më duhej të paguaja për studimet e mia. Në fakt, më pëlqen pyetja me sa punonjës e keni nisur dhe jo me sa lek, sepse kjo është pjesa më e rëndësishmë në biznes, njerëzit dhe skuadra të cilën krijon. Në fillim isha vetëm unë dhe një mikesha ime që doli vullnetare të më ndihmonte falas për një muaj, që të më bënte design-in e revistës falas. Më vonë fillova të shoh mundësinë që të gjeja interns (studentë që ishin të interesuar të fitonin përvojë pune). Më vonë mu dha mundësia të kem një zyrë të madhe në qendër të Londrës dhe aty rekrutova menjëherë shtatë studentë që vinin nga Amerika, Austria dhe Gjermania, madje njëra prej tyre ishte shqiptare. Për rrerh nëntë muaj këta të rinj sollën një vlerë të jashtëzakonshme në biznesin tim, ishin shumë krijues, të uritur për të mësuar dhe aplikuar dhe kjo i dha një hov punës përsa i përket krijimit të videove, promovimit në evente të ndryshme dhe social media. Kjo më çoi që brenda 3-4 muajve të parë të gjeneroj gjashtë figura busines, dhe që atëherë çdo gjë ka ardhur në rritje.
Nëse do të ishit kthyer disa vite më parë do të bënit sërish të njëjtën gjë?
Nëse do të kisha mundësinë ta nisja edhe një herë nga e para do të kisha dashur të kisha nisur biznesin që në moshën 20 vjeçare (nuk po them 7 vjeçare sepse në kohën e komunizmit nuk lejohej, por tani do të sugjeroja që çdokush të inkurajonte fëmijët të fillojnë të mësojnë rreth financave dhe biznesit që në moshë të re). Sigurisht që çdo gjë ndodh për një arsye, e ndoshta rrugëtimi im shpirtëror u aktivizua në kohën që unë isha gati. Unë e kam nisur karrierën time si mësuese në një fshat shumë të vogël në Pukë, në një shkollë me vetëm 20 fëmijë dhe në atë kohë as nuk nund ta imagjinoja se një ditë mund të drejtoja një rrjet global dhe udhëtoja nëpër botë për të fuqizuar gratë. Me sa duket çdo gjë ndodh për një arsye dhe e përgatisim veten për këtë rrugëtim që kur nisim hapat e para. Por, nëse kemi mentorët e duhur dhe mbështetjen e tyre atëherë mund të arrijmë më shpejt dhe kontribuojmë akoma më shumë. Do të kishte qenë një mundësi e jashtëzakonshme për mua nëse do të kisha jetuar në të njëjtat rrethana dhe të njëtën kohë që jetoj tani pasi mund të kisha nisur më herët dhe përfituar më shumë, por siç themi ne asnjëherë nuk është vonë, dhe ka gjithmonë mundësi që mund të eksplorojmë, thjesht nuk duhet të reshtim së kërkuari. Kam qenë gjatë gjithë kohës në një kërkim dëshpërues për të gjetur qëllimin tim në jetë, dhe kjo është një pyetje që çdokush duhet t’ja bëjë vetes sa më parë të jetë e mundur, dhe të mos ndalojnë deri sa ta kenë gjëtur.
Si është të jesh nënë dhe a mendoni që keni qenë mjaftueshëm prezente në jetën e djalit tënd sa herë ai ka pasur nevojë për ty?
Nuk ka qenë e lehtë të vish në një vend të ri, si emigrante, e vetme me një fëmijë adoleshent. Ka qenë një nga momentet e mia më sfiduese, një provë shumë e vështirë. Djali ishte në një moshë që kishte nevojë për vëmendje dhe mbështetje, por në rrethanat që nisëm jetën e re në Londër ishte shumë e vështirë për të dy. Po kaloja përmes një divorci që kishte lënë gjurmë 20 vjeçare në martesën time dhe unë vetë si person po kaloja momente kritike për të mbajtur moralin lart, konfident dhe besimin se mund t’ja dilja pavarësisht vështirësive. Kjo sigurisht që do të ndikonte në marrëdhënien me tim bir, ai kishte lënë çdo gjë pas, të atin që kishte qenë aq shumë i lidhur, shokët e fëmijërisë, shtëpinë, dhomën tij ku ishte rritur bashkë me gjërat e tij personale, kujtimet dhe rutinën që për të ishte shumë e rëndësihme. Tani ishte në një lagje të Londrës që nuk e njihte aspak, pas disa muajsh i duhej të flinte në tokë sepse ai u rrit aq shpejt dhe divani ku flinte në fillim nuk e zinte më. Ndërkohë, unë duke e parë këtë realitet të ndodhte para syve te mi më bënte akoma më të dëshpëruar dhe të pyesja veten: “A është kjo jeta që kam kërkuar? A është kjo arsyeja pse erdha në Londër? Unë i kam premtuar tim biri një jetë më të mirë, duhet të bëj diçka patjetër që ky realitet të ndryshojë para se të bija në demoralizimin dhe limitet mendore që mund të më çonin në dështim. Për këtë arsye më është dashur të punoj me orë të gjata, të fokusohesha në gjetjen e zgjidhjeve dhe si rezultat mund të kem sakrifikuar kohën që duhej të kisha kaluar me tim bir. Duke qenë se isha tërësisht e vetme e kisha të pamundur në tre vitet e para ta ruaja atë balancë mes punës, karrierës dhe kohës e dedikimit për tim bir. Kjo shpesh më bën të ndihem në faj dhe e mbaj mend shumë mirë kur një ditë po mbanin trastat e ushqimeve në dorë duke shkuar në shtëpi (në garsionere) dhe ndalemi të pushojmë para një vile, të dy po shikonim kopshtin, ballkonin dhe lulet në atë vilë të bukur, dhe aty pata një thirrje të brendshme “Bir, i thashë, nje ditë, të premtoj se ti do të jetosh në një vilë si kjo, dhe nuk do flesh në tokë, dhe të premtoj se kjo do të ndodhë para se ti të shkosh në universitet”. Kam punuar gjatë gjithë kohës me këtë ëndërr, sa herë demoralizohesha apo doja të dorëzohesha brenda meje më fliste një zë i fortë “mos harro premtimin që i ke bërë tënd biri” dhe një nga arsyet që asnjëherë nuk e pashë dorëzimin si opsion ishte im bir. Tani ai është në universitet dhe jam aq a lumtur që ka zgjedhur shtegun e tij.
Ndryshe nga fillesat tuaja të biznesit, çfarë politikash nxitëse mendoni se duhet të ndërmarrë qeveria për mbështetjen e gruas sipërmarrëse?
Mendoj që politika mund të bëjë shumë për gratë, por që të jem e sinqertë nuk besoj se kjo është duke ndodhur pasi politikanët tanë janë më shumë të interesuar për pushtetin e tyre sesa të krijojnë politika mbështetëse për gratë apo njerëzit që u dhanë votat. Shpresoj që një ditë gjeneratat e ardhshme të sjellin një paradigmë të re dhe pushteti që politikanët marrin përmes popullit të shfrytëzohet në shërbim të tij. Politikanët duhet të jenë aty për të shërbyer dhe jo për të shfrytëzuar. Është për të ardhur keq që në Shqipëri dhe Kosovë realiteti duket që është akoma në një “dark zone” që politikanët e përdorin më shumë për të përfituar se sa për të shërbyer. Shumë gra ia kanë dalë të kenë sukses edhe në këto rrethana, imagjino nëse do të kishin politika mbështetëse nga qeveria, do të kishin arritur shumë më tepër.
Ju ndërkohë mbajtët në fillim të muajit të shkuar edhe një konference të madhe në Kosovë me pjesëmarrje të jashtëzakonshme të grave nga e gjithë bota. I përmbushi kjo konferencë pritshmëritë tuaja?
Jam shumë e nderuar dhe e privilegjuar që kjo lëvizje për të fuqizuar gruan shqiptare lokalisht, por dhe për të krijuar mundësi kontaktesh në nivel global do të drejtohet nga një zonjë e respektuar si Anita Haradinaj. Anita ishte folëse kryesore në Global Woman Summit në Londër dhe u vlerësua me një çmim të madh ku të gjithë u impresionuan nga inteligjenca dhe mençuria e saj. Kush më mirë se ajo mund ta drejtojë këtë lëvizje të fuqizimit të gruas shqiptare. Anita na bën të ndihemi shumë krenarë./Class