Nëse udhëtoni nëpër Shqipëri dhe nuk doni të merrni para cash me vete, nuk duhet të mbështeteni shumë te karta juaj bankare, që do t’ju mundësojë të tërhiqni para kur t’ju nevojiten. Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria ka numrin më të ulët në Europë të ATM-ve (Automated Teller Machine), apo makinerive që ju lejojnë të tërhiqni paratë nëpërmjet një karte.
Të matura për 100 mijë banorë, vendi ka 30 ATM, që është gati 6 herë më e ulët se në Austri, shteti që mban rekord në Europë (shiko grafikun).
Nga vendet e tjera të rajonit, numër të ulët ka Kosova, me 35 ATM për 100 mijë banorë, Serbia (49), Bosnja (55), Maqedonia (60) Mali i Zi (87).
Ironikisht, Shqipëria, që është një nga vendet me përdorimin më të lartë të pasasë cash në Europë, ka nivele të ngjashme ATM-je me shtetet që po tentojnë të heqin fare paranë cash nga qarkullimi si p.sh. Suedia, Finlanda, apo Norvegjia. Suedia p.sh. po lëviz me shpejtësi drejt një ekonomie pa para në dorë, dhe si rrjedhojë nuk u nevojiten shumë ATM-të. Pyetini njerëzit se sa shpesh blejnë me para në dorë dhe përgjigja është pothuajse kurrë, shkruajë mediat suedeze. Rreth 95% e blerjeve të grupmoshës 18-24 vjeç janë me një kartë debiti ose me një aplikacion telefoni të quajtur Swish, një sistem pagesash që është krijuar nga banka më e madhe suedeze.
Krejt e kundërt është situata në Shqipëri. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha dje se popullsia shqiptare ka një përfshirje të ulët financiare, jo vetëm krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, por dhe me vendet e rajonit. Të gjitha këto reflektohen në një përdorim të lartë të parasë fizike (cash) në ekonominë shqiptare.
“Përdorimi i cash-it në ekonomi, përtej efekteve zbehëse te mekanizmat e Bankës së Shqipërisë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atij financiar, dhe zhvillimit ekonomik, ka dhe një kosto konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, ku në nivel ekonomie shkon më shumë se 1 për qind të PBB-së. Për më tepër, përdorimi i parasë fizike mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”, pohoi Sejko në Mbledhjen e Pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.
Të dhëna të tjera të FMN-së treguan se Shqipëria është përkeqësuar në shtatë nga dhjetë treguesit që merr parasysh vrojtimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Aksesin Financiar për vitin 2018. Të dhënat treguan se numri i automateve është 30.43 për 100 mijë të rritur, ndërsa treguesi i mëparshëm ishte 30.47. Treguesi i dytë me rënie është ai i degëve komerciale të bankave për 100 mijë të rritur. Nga 20.56 që ishte në vitin 2017, ky tregues, sipas FMN, në vitin 2018 është regjistruar 30.43. Numri i depozituesve në bankat komerciale për 1000 të rritur ishte 1.085 në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 ishte 1.033. Numri i huamarrësve nga bankat për 1000 të rritur rezulton 139.18 për vitin 2017, ndërsa ishte 137.51 vitin e shkuar.
Burimi: Monitor