Jozefina Topalli është shfaqur rrallë në publik së fundi, por sa herë shkruan apo bën deklarata, ato janë gjithmonë lajm. Të mërkurën, ish-kryetarja e Kuvendit në qeverisjen e PD-së, u nderua me Çmimin e Karrierës në Universitetin e Shkodrës. Më shumë se sa vlerësimi, lajmi ishte mesazhi sa i koduar aq dhe i drejtpërdrejtë i Jozefina Topallit ndaj politikës shqiptare.
“Pas 3 dekadave politika është në krizë; vendi është pa përfaqësim. Ekonomia nuk ec. Nuk ka as qeveri dhe as opozitë. Ata kanë deformuar demokracinë e brishtë. Ata ose bëjnë pazare ose bëjnë shantazhe ndaj njëri -tjetrit. Është më mire të ikin 4 shahistat e të rrijnë shqiptarët. Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetem një zgjidhje: Një levizje e Re. Lëvizje për ndryshim”,- u shpreh Topalli.
Në pak fjalë, ish numri 2 i PD, jep disa mesazhe. Së pari, ajo sulmon 4 persona, që sipas Topallit “po mbajnë peng vendin”. Po cilët janë emrat që sulmon ish-kryeparlamentarja e PD? Ndonëse nuk i përmend me emër, duke u nisur nga konteksti aktual i zhvillimeve politike në vend, sulmet i drejtohen Metës, Bashës, Ramës dhe Kryemadhit.
Në fakt, ndaj Bashës, Kryemadhi i adresoi publikisht akuzat mbrëmjen e datës 30 qershor, duke e akuzuar si njeriun që “varrosi PD”. Topalli kërkoi largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, gjë të cilën në fakt e rikonfirmoi edhe të mrëkurën në Shkodër. 3 shahistët e tjerë, natyrshëm janë Rama, Meta e Kryemadhi. Por, nuk përjashtohet mundësia, që një nga “4 shahistët” të jetë dhe Berisha.
Topalli nuk e thotë këtë, por në fakt mesazhin lë të kuptohet një gjë të tillë. Berisha është cilësuar shpesh si njeriu që i mbushi mendjen Bashës për të lënë mandatet, dhe për të dalë në rrugë. Ai, e ka pranuar edhe vetë këtë kur është shprehur se “djegia e mandateve ka qenë e vetmja zgjidhje për opozitën”. Mirëpo, Topalli, si ish-krahu i djathtë i Berishës në PD, ka qenë kundër vendimit për të djegur mandatet e deputetëve. Kjo dëshmon një përplasje të madhe midis dy ish-drejtuesve më të lartë të PD. Dhe nëse është kështu, do të ishte thyerje madhore e lidershipit historik të Partisë Demokratike.
Por, nga Shkodra, ish-krahu i djathtë i Berishës, në takimin me studentët, një nga mesazhet e saj, ishte një lëvizje e re. Në fakt, Jozefina Topalli është pjesë e lëvizjes “Basha ik”, si e para ish drejtuese e PD, që foli kundër Lulzim Bashës. Nëse kjo lëvizje deri tani ka qenë në kuadrin e një kërkese për zgjedhjet brenda partisë, duke nisur me një analizë urgjente, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të marrë dimensione të tjera.
Sinjalin e dha Topalli. “Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetem një zgjidhje: Një levizje e Re. Lëvizje për ndryshim”, u shpreh ajo në Shkodër. Ky nuk është një mesazh i koduar, por i qartë, që tregon se ajo po kërkon të rikthehet në jetën politike në vend. Këtë e ka konfirmuar përsëri përpara studentëve, madje, ndër rreshta, lë të kuptohet se e mërkura e 25 shtatorit, mund të jetë pikënisja e rikthimit të Jozefina Topallit në politikë.
“Ata që janë në krye të partive kanë frikë nga ju. Më besoni mua. Mos lejoni më që t’iu heqin fëmijët nga shtëpia e t’iu a hedhin në emigracion. Mjegulla nuk mundet qe të na errësoje përjetë shikimin. Ndoshta ndonjë nga të rinjtë këtu do fillojë lëvizjen për ndryshim, e ndoshta nesër do jenë në Parlament, për t’i kthyer vendit e Kuvendit shpresën e dinjitetin”, shprehet Topalli. Tashmë, mbetet të shpërndahet “mjegulla”, e të shohim, nëse Jozefina Topalli do të udhëheq “lëvizjen për ndryshim”, apo do të mbështesë “të rinjtë”, për “t`i kthyer vendit shpresën”.