Reshjet shkaktojnë probleme në gjithë vendin, pezullohet mësimi në disa shkolla
Përmbytjet në Lezhë
Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në disa prej qyteteve dhe akseve kryesore rrugore.
Si pasojë është vështirësuar trafiku në qytete, ndërsa shumë ndërtesash janë bllokuar nga uji.
Në Bashkinë Tiranë janë përmbytur oborret e tre shkollave 9-vjeçare, të cilat u detyruan të ndërprisnin mësimin për sot. Bëhet fjalë për shkollat Sabaudin Gabrani në Tiranë, shkollën në Yzberisht dhe atë në Lalm.
Ndërtesa e shkollës Sabaudin Gabrani sapo është rindërtuar dhe u përurua para një jave.
Në zonën pranë Pallatit me Shigjeta, rrugët janë përmbytur dhe banorët janë të bllokuar brenda pallateve.
Probleme ka në zonën e Dajtit, ku nga reshjet janë rrëzuar gurë dhe dhera duke bllokuar dhe rrugët.
Në Kamëz, pranë mbikalimit afër qendrës tegtare City Park, reshjet kanë shkaktuar bllokim të kolektorit dhe tubacioneve të shkarkimeve, ç’ka ka përmbytur më pas rrugën.
Në Fushë-Krujë, në afërsi të Urës së Gjolës, lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur tokat dhe banesat aty pranë.
Në Lezhë, Krujë dhe Laç janë përmbytur rrugët dhe dhjetra banesa apo biznese nëkatet e para.
Po ashtu dhe aksi Milot dhe Fushë-Krujë—Milot kalohet me vështirësi për shkak të nivelit të lartë të ujit.
Në veri, ka pasur rrëshqitje dherash në disa akse rrugore si Kukës-Shishtavec,Bajram Curri- Valbonë dhe në Lekbibaj.
Në qarkun e Dibrës, shumë fshatra janë pa energji elektrike.
Në jug, në afërsi të Ujit të Ftohtë, reshjet shkaktuar vërshim ujërash dhe dherash, por që janë pastruar gjatë natës dhe momentalisht rruga është e qarkullueshme.