Lidhu me ne

Kryesore

Fatos Lubonja: Procesi Tahiri rrëzoi mitin se peshqit e mëdhenj do i dënojnë amerikanët

Nuk mund të besosh se prokurorët e procesit “Tahiri” janë aq të dobët profesionalisht sa të ngrenë akuza aq të rënda me prova aq të dobëta, apo se u ka shpëtuar “shpërdorimi i detyrës”, që nuk ishte përfshirë në aktakuzën e tyre. Të gjitha arsyetimet të çojnë në idenë se ata kanë ngritur një akuzë me mungesë të dukshme provash, sepse i janë shmangur hetimit serioz të rastit “Tahiri”, sepse ky do të çonte tek e vërteta, se ishministri i Brendshëm është vetëm një hallkë e zinxhirit të krimit të kanabizimit të vendit për të cilin duhej hetuar.

Procesi “Tahiri” ka pasur aq vëmendje jo për vërtetimin nëse qytetari Saimir Tahiri ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal, por për vërtetimin e akuzës së ngritur nga opozita, si dhe mediat kombëtare dhe ndërkombëtare, se Edi Rama dhe organizata e tij kanë ndërtuar një aleancë me krimin ku një nga provat është fakti se kanë emëruar në postin e ministrit të Brendshëm një njeri të lidhur me krimin, i cili, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka nxitur kanabizimin e Shqipërisë me synim përdorjen e parave të drogës për të mbajtur në pushtet organizatën.

Pikërisht hetimit se Tahiri dhe shefat kryesorë të PS-së jo thjesht kanë ditur, por edhe kanë projektuar këtë aktivitet kriminal, i janë larguar prokurorët edhe pse indiciet kanë qenë të shumta. Mjafton të kesh parasysh përqeshjet e Ramës dhe Tahirit ndaj opozitës kur kjo akuzonte për avionë që transportonin drogë, sulmin e egër që iu bënë oficerit të policisë Dritan Zagani, kur ky, në gjurmimet e tij, arriti të gjejë se trafikantët, duke përdorur makinën e paprekshme të ministrit, hynin e dilnin jashtë Shqipërisë; emërimin e drejtorëve të Policisë që sot ndodhen në arrati, e mjaft fakte të tjera që koincidojnë me faktin e fakteve: shtimin dramatik të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në të gjithë vendin.

Po ashtu, këto indicie nuk mund të shihen pa lidhje me faktet se njerëz me aktivitete kriminale janë vënë ngado në poste kyçe nga organizata. Këtë e vërtetojnë përgjimet që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Durrësit me grupe kriminale, përgjimet e Dibrës, zbulimet e njëpasnjëshme që po bën opozita të kryetarëve të bashkive me të kaluar kriminale, mbushjen e kryeqytetit me leje ndërtimi për kulla e pallate super luksoze që ulërijnë për pastrim parash të pista. Të gjitha këto duhet të bënin që prokuroria ta trajtonte Tahirin jo thjesht si një person i lidhur me një grup të vogël kriminal, po si eksponent i një organizate tejet të rrezikshme kriminale që ka kapur shtetin.

Kapakun e mbulimit, në vend se të hetimit, të kësaj të vërtete ia vuri vendimi i gjykatës. Ajo na tha se Tahiri vërtet ka bërë shpërdorim me pasoja kanabizimin, por nga neglizhenca apo pakujdesia, jo me dashje, duke i dhënë 5 vjet që përfundoi në 3,5 vjet me kusht, pra në asnjë ditë burg. Mirëpo ky vendim bie në kundërshtim me faktin që e dinë të gjithë se ka pasur prova të shumta që ish-ministri ka qenë i lajmëruar dhe paralajmëruar për kanabizimin e vendit, madje edhe për aktivitetin e kushërinjve të tij trafikantë, por se ai jo vetëm s’ka marrë asnjë masë, por ka vënë nën akuzë denoncuesit dhe oficerët e Policisë (si Zagani), që janë marrë me hetimin.

Le të mos harrojmë gjithashtu se në përgjimet e trafikantëve flitet qartazi se një pjesë e parave që do të merrte prej tyre atij i duheshin për fushatat elektorale të organizatës. Gjykata jo vetëm që i ka anashkaluar këto, duke e konsideruar shpërdorimin si pa dashje, por u kufizua te shifra 5 vjet, tavani i dënimit që lejon aplikimin e nenit 59, që parashikon dënimin me kusht duke “harruar”, madje, se neni 59 aplikohet kur i pandehuri tregon pendesë për krimin që ka kryer dhe jo kur, përkundrazi, akuzon me agresivitet se po e dënojnë duke qenë i pafajshëm. Shtoj se sipas gazetarëve që kanë ndjekur precedentët e dënimit të trafikantëve të thjeshtë, me gjithë dobësinë e akuzave të prokurorisë, Tahiri mund të mos dënohej si pjesëmarrës apo kryetar një grupi kriminal, por nuk do të mund t’i shpëtonte akuzës për trafikim.

Nga gjithë sa thashë, më duket se del qartë që Tahiri ka gëzuar një mbrojte të fortë nga organizata – disa thonë falë provave shantazhuese që ka, të tjerë se kjo nuk i intereson organizatës. Edhe kjo mbetet për t’u hetuar nga një tjetër drejtësi.

***

Duke iu referuar procesit “Tahiri” dy gjëra mund të thuhen lidhur me të shumëpërfolurën Reformë në Drejtësi.

Së pari, prokurorët që kanë kaluar vetingun e që u vunë atje nga kryeprokurorja që ka kaluar vetingun Arta Marku, si dhe gjyqtarët që dhanë vendimin, janë prova më e gjallë e faktit se Reforma në Drejtësi është përdorur nga Rama për të kapur drejtësinë në mbrojtje të aktivitetit të organizatës së tij, si dhe për të shantazhuar kundërshtarët.

Së dyti, procesi “Tahiri” rrëzoi mitin e shumëpërhapur ndër shqiptarët se tashmë drejtësinë në Shqipëri e kanë marrë në dorë amerikanët që do t’i pastrojnë politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin.

Për të gjithë ata që i dëgjojnë kambanat e këtij procesi, mund të them se nëse shqiptarët e rënë në gjunjë nga pushteti i organizatës nuk ngrihen të veprojnë vetë dhe shpejt për frenimin e saj, nesër shpëtimi prej saj do të ketë një kosto shumë më të madhe për të gjithë. Edhe për ndërkombëtarët.

  Panorama

MË TEPËR

Mix1 ditë më herët

Për forcimin e kujtesës – Produktet që ju duhen çdo ditë

Ju ndodh shpesh të harroni ku keni vënë çelësat e shtëpisë, makinës, telefonin apo syzet , ndonëse më pas zbuloni...

Mix1 ditë më herët

Paraliza e gjumit: Çfarë është, pse ndodh dhe si mund ta shmangni?

Paraliza e gjumit është një përvojë e frikshme që shumë njerëz e kanë përjetuar të paktën një herë në jetë....

Radar1 ditë më herët

Berisha fton Shpëtim Idrizin në koalicion, përjashton Bashën: Është me Taulant Ballën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se do të zhvillojë negociata serioze me Shpëtim Idrizin për të krijuar...

Radar1 ditë më herët

Altin Dumani: Askush të mos ketë frikë, për sa kohë është në përputhje me ligjin

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani është shprehur se askush nuk duhet të ketë frikë nga ngritja e...

Kryesore1 ditë më herët

Rama: Do ta bëj Albanian shtetin e ri të BE në 2030!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë kritikëve që i kërkojnë që të largohet, por thekson se nuk ik...

Radar1 ditë më herët

Kolegji privat merr masat, njofton policinë pas një e-maili. Hetimi i krimit kibernetik po punon për identifikimin e autorëve.

Policia ka reaguar pas alarmit për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”, ku në një email dërguar sekretarës shkruhej “do...

Mix1 ditë më herët

Apple prezanton iPhone 16e/ Prodhimi i ri me inteligjencë artificiale

Apple ka prezantuar një iPhone të rim i cili sjell veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) me një kosto më të...

Mix1 ditë më herët

Anne Frank: Unë besoj ende se njerëzit kanë zemër të mirë…

“Vërtet është për t’u habitur, sesi nuk kam hequr dorë nga të gjitha idealet e mia, sepse duken shumë absurde...

Mix1 ditë më herët

Si të bëheni një folës i shkëlqyer në publik?

Pse të flasësh në publik është e rëndësishme? Të folurit në publik është një aftësi që sjell përfitime të shumta....

Mix1 ditë më herët

Pse disa njerëz e kanë më të lehtë të kujtojnë ëndrrat sesa të tjerët?

Është e vështirë të jetosh ëndrrat e tua — veçanërisht kur nuk mund t’i kujtosh ato. Dream recall është aftësia...

Facebook