Partia Demokratike denoncoi një tjetër aferë korruptive të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Sipas ish-deputetit Luçiano Boçi, nëpërmjet presionit dhe shtantazhit Rama e Veliaj po kërkojnë të diktojnë një vendim në Senatin Akademik të Universitetit të Tiranës që të votojë “pro” votimit të VKM-së e cila grabit Kopshtin Botanik duke ia hequr nga pronësia Universitetit dhe ia atashon bashkisë së Tiranës.
Boçi thotë se nga njëra anë dyshja Rama-Veliaj kërkon të rrëmbejë pronën e universitetit, dhe nga ana tjetër kërkon që fajin, përgjegjësinë të ja kalojë senatorëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës
“Kjo grabitje kriminale për qellim të ndërtimit të kullave, për qëllim të pastrimit të parave të pista nuk është e vetmja. Ajo është e disa-ta në radhën e grabitjeve dhe hajdutërive të kësaj qeverie. Ky vendim është tërësisht antikushtetues dhe antiligjor, sepse ai bie në kundërshtim edhe me ligjin e mbrapshtë të Arsimit të Lartë, pikërisht me nenin 117, por edhe me statutin e Universitetit të Tiranës, me nenin 146, ku përcaktohet qartë se pronat universitare nuk mund të transferohen, qofshin këto edhe në institucionet shtetërore dhe nuk mund të ndryshohet destinacioni i tyre” – thotë Boçi.
Sipas tij hapësira prej 15 hektarësh rrezikohet të shndërrohet në lavatriçe gjigante pastrimi parash, duke ia shkulur këtë hapësirë procesit akademik dhe kërkimit shkencor Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
“Ky vendim ka shpërfillur tërësisht mendimin e Dekanatit të këtij fakulteti, ka shpërfillur opinionin e Asamblëse dhe vendimin e Këshillit Studentor të këtij fakulteti që e kanë kundërshtuar rrëmbimin e kësaj prone. Ka rrëzuar totalisht autonominë universitare dhe i ka vënë shkelmin lirisë akademike” – deklaroi ish-deputeti i PD-së.
Ai i bëri thirrje senatit akademik që në mbledhjen e së enjtes, në përgjegjësinë që e karakterizon, universitare dhe qytetare, të mbyllë portat kësaj afere të madhe korruptive dhe të mos bjerë pre e presioneve dhe shantazheve që mund ti bëhen nga përfaqësuesit bashkiakë dhe qeveritarë që po kërkojnë të uzurpojnë mbledhjen e Senatit duke kërkuar të imponojnë vendimin për vjedhjen e kësaj prone me votat e përfaqësuesve të Senatit Akademik.