Gjyqi në Janinë rrëzon PD-në: Agim Kajmaku s’ka kryer asnjë shkelje
Gjykata e Janinës e shpalli të pafajshëm Agim Kajmakun, alias Jorgo Toto. Gjykatësja Kristina Andoniun pranoi se i akuzuari nuk mund të fabrikonte paratë për të cilat Kajmaku u akuzua më 13 janar të vitit 2003. Këtë akuzë përdori edhe Partia Demokratike kundër tij.
Korrespondenti i Top Channel në Athinë, Artur Bibe ka zbuluar vendimin e Gjykatës që shpall të pafajshëm kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim kajmaku. Vendimi i pafajësisë është dhënë nga Gjykata e Janinës. Kajmaku, me emrin Jorgo Toto akuzohej për vepren penale të falsifikimit të parave.
Në procesin e zhvilluar në Janinë në datën 12 shtator 2019, i akuzuari Jorgo Toto, ose Agim Kajmaku është përfaqësuar prej avokatit të tij dhe pasi është shqyrtuar dosja, gjykata ka vendosur unanimisht se Jorgo Toto nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen e 13 janarit 2003 duke e shpallur atë të pafajshëm. Gjykatësja Kristina Andoniu pranoi se i akuzuari nuk mund të fabrikonte paratë e përdorura gjatë transaksionit dhe mundësitë e tij për të kryer këtë gjë ishin zero.
Po ashtu gjykata pranoi edhe qëndrimin e mbrojtjes se transaksionet e parave në vendin tonë shpesh kryhen në rrugë dhe jo brenda bankave ç’ka shton ndjeshëm rrezikun e marrjes së parave false në një transaksion të ngjashëm nëse kryhet prej personave jo ekspertë të fushës.
Edhe prokuroria pranoi se i akuzuari Jorgo Toto në asnjë rrethanë nuk kishte mundësi të fabrikonte por edhe të përdorte monedhat false pasi nuk ishte ne dijeni se transaksioni do të bëhej me para në dorë dhe jo nëpërmjet bankës siç kishte ndodhur në raste të ngjashme mes të akuzuarit dhe furnitorëve të tij.
Prokuroi pranoi edhe dëshminë e viktimës, i cili pamvarësisht se denoncoi Toton, tha se nuk besonte se ai i ka dhënë me qëllim para të falsifikuara por edhe vete Toto ka rënë pre e mashtrimit.
Ndërsa avokati i Jorgo Totos, (Agim Kajmaku) sqaroi se për shkak të njohjes jo të mirë të gjuhës greke, kuptoi se procesi ndaj tij kishte mbaruar me lirimin e tij me janar të 2003 ndaj dhe nuk kishte informacion se duhet të paraqitej sërish në procesin ndaj tij pak muaj më vonë.
Me këtë vendim, duket se kryetari i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i mbylli problemet me drejtësinë greke.