Lidhu me ne

Aktualitet

Pse i urrej dasmat shqiptare!

”Mos u shqetësoni: nuk kam ndër mend të martohem e të ndërroj emrin e rubrikës (nejse, s’kam për ta bërë kurrë “Spinster and the City”, – ‘Lënesha dhe qyteti’, sepse do vijë një ditë që kjo e jetuara secili-në-shtëpi-të-vet do më mërzitet). Thjesht më kanë frymëzuar dasmat, që bëhen rreth e rrotull shtëpisë sime (e kotë të them që dëgjohen sikur po bëhen brenda në shtëpinë time).

Urrej dasmat ku marr pjesë, dhe ato ku nuk marr pjesë. Këto të fundit sidomos, kur ndjekin traditën shqiptare dhe fillojnë një javë përpara, me rrugicën poshtë pallatit që bllokohet nga makinat e gjithë soj e sorollopit të atij/asaj që martohet (në rastin kur në lagje kam nusen, kam një fije ngushëllimi se dasma zgjat një ditë më pak).

Urrej të gjitha këngët që këndohen në këto raste, që nga “Çuni vogël do llokum” (ky është hiti i lagjes sime, ndoshta se diku aty afër dikur ka qenë një fabrikë pastash), e deri tek “Moj Sarandë moj Delvinë” (edhe kur familjarët janë nga Kukësi, këtë këngën e kanë me qejf të madh) dhe sidomos urrej “Koka në Stamboll e trupi në Janinë” (zakonisht pas kësaj, fillon Lambada, e cila nga fundi miksohet me “Coco Jambo”-n për t’ia lënë prapë vendin “Çuni i vogël do llokum”, që shoqërohet me thirrje op op op).

Urrej pastaj edhe të dielën mëngjes, kur pas rraskapitjes së gjithë javës, gjumi më del e trembur nga boritë e makinës, që marrin ose sjellin nusen. Por urrej edhe të shoh karvanët e nuseve, me nja shtatë benza njëri pas tjetrit, me shamitë e kuqe me fije ari të varura te dritaret dhe me xhaxhi kameramanin, me gjysmën e trupit të nxjerrë jashtë nga makina e parë, e që xhiron çdo sekondë të ecjes sikur po bën dokumentar për BBC-në.

Por urrej edhe dasmat ku jam e ftuar. Të fisit apo shoqërisë qofshin. Urrej të vishem e pispillosem, që në pikë të mëngjesit (pa llogaritur këtu, që nëse dasma është të dielën duhet të zihem me nja pesë parukiere që këtë ditë e bëjnë pushim e nuk të marrin përsipër, edhe pse ti harxhon lekë tek ato gjithë vitin) e pastaj të shoh se si deri në darkë, tualeti fillon të rrjedhë e flokët hallakaten.

Urrej kur dasmat bëhen në drekë, sepse është shumë vapë. Urrej edhe kur bëhen në darkë dhe pjata e dytë vjen diku nga ora 23:45, pikërisht atëherë kur unë do doja të isha në shtëpi, veshur me pizhame e me tualetin e pastruar përpara televizorit (si për darkë dhe për drekë, urrej ato pjatat ku bërxolla ndahet nga patatet me një kufi të përdredhur prej salce kosi, me të njëjtin zell sa urrej dhe avullin e aromën që del nga tava e dheut dhe venitin gjithë shkëlqimin e teminave në veshjet e zonjave rreth e rrotull).

Urrej të harxhoj një shumë të mirë parash, e sigurt që nuk i marr më mbrapsht (sepse unë dhe nëse martohem, dasmë s’do bëj kurrë, së paku jo dasmë ku sillen lekë në zarf). Urrej të marr pjesë në festat e beqarisë, sepse në shumicën e rasteve nusja edhe përpara se të martohej, nuk është se ka bërë ndonjë jetë të zhurmshme prej beqareje (ndryshe nuk do ta martonin, do prisnin “të shtrohej”).

Urrej të ulem në tavolinë e të ha me njerëz që nuk i njoh, që më pyesin ku punoj, sa e kam rrogën dhe pse nuk jam martuar, që më thonë “ngihu kërce” apo “nuk u lodhe duke kërcyer?!” E meqë ra llafi te kërcimi, urrej të çohem, të ulem, të çohem prapë, të ulem prapë, të bëj fresk me erashkë…

Urrej të kap gjithmonë unë buqetën e nuses. Sepse të gjitha të tjerat janë të martuara dhe ato që kanë mbetur beqare janë të shkurtra e të shëndosha, jo të zonjat për kërcime (dhjetë vjet përvojë në këtë fushë, më kanë bërë të mos kem rivale).

Urrej  shumicën e veshjeve të nuseve. Ato në ngjyrë bezhë, apo ato shampanjë. Ato të mbushura me dantella e me gurë. Ato pa rripa, ku gjoksi pesë kërcen nga të gjitha anët (sidomos kur në pjesën e dekoltesë duken shenjat e rripave të rrobave të banjës).

Urrej dhe ata të thjeshtët (në këto raste nusja pretendon që është shumë e rafinuar, ndaj e ka zgjedhur). Urrej këpucët prej mëndafshi të bardhë që vesh nusja. Por mbi të gjitha urrej grimin e saj – nuk e kuptoj pse qëllimi është që të duket sikur nuk është ajo?!

Urrej tortën dhe prerjen e tortës. E pse duhet të presim sa të dali ajo dreq torte për t’ia mbathur?! (gjithsesi ardhja e saj është moment lehtësimi, do ia mbathim, uuurrrrraaa!!!)

Dhe në fund fare, urrej kur më ftojnë në shtëpi për të parë videon e fotot e dasmës dhe të muajit të mjaltit. Vetëm aty e kupton se sa ke vuajtur. Sidomos të hënën mëngjes, kur e pangopur me gjumë, me këmbët e ënjtura të duhet të shkosh në punë. E ku është qejfi i gjithë kësaj?!/TiranaNews

MË TEPËR

Kioske7 orë më herët

E keni parë Saliun që nuk flet më fare për SPAK – un?

Nga Spartak Ngjela Rama tallet me Saliun, kurse Saliu dihet që është në hall. Sepse është në SPAK me akuzë...

Mix7 orë më herët

Dakota Johnson rrëfen vështirësitë në fillimet e karrierës

Aktorja Dakota Johnson ka rrëfyer në një intervistë për revistën Elle se ka pasur vështirësi financiare në fillimet e karrierës së saj...

Mix9 orë më herët

Harry Styles bëhet një nga yjet më të pasur nën 40 vjeç

Harry Styles vazhdon të dëshmojë se suksesi nuk i përket vetëm muzikës, por edhe llogarive bankare. Sipas dokumenteve të reja...

Mix10 orë më herët

“Një numër më shumë në librin e jetës”/ Majlinda Bregu merr detyrën e re në OBSH

Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka njoftuar sot se ka pranuar një detyrë të re në rrugëtimin e saj profesional....

Mix10 orë më herët

The story of Snow White 2025 in short form

Përmbledhje: Filmi ka në rolin kryesor Rachel Zegler si Borëbardha, një princeshë e re, jeta e së cilës kërcënohet nga...

Radar10 orë më herët

Ilir Alimehmeti, fituesi moral i një gare të pabarabartë

Nga Desada Metaj Ilir Alimehmeti është padyshim fituesi moral i zgjedhjeve të 11 majit. Plot 16,595 vota në Tiranë nuk...

Mix11 orë më herët

Scarlett Johansson kritikon çmimet Oscar dhe korrupsionin rreth Akademisë

Scarlett Johansson kritikoi Akademinë dhe lidhjet e saj me teknologjinë e madhe në një intervistë të re për Vanity Fair....

Mix11 orë më herët

Tom Hardy flet për problemet shëndetësore

Tom Hardy ka rrëfyer se po përballet me një sërë problemesh fizike, si pasojë e viteve të angazhimit në role...

Mix11 orë më herët

Donald Trump sulmon sërish Taylor Swift: Nuk është më tërheqëse

Donald Trump e rindezi “përplasjen” me Taylor Swift më 16 maj, duke postuar një thumbim personal ndaj këngëtares në platformën...

Temporal11 orë më herët

Këto janë 5 shtetet me ushtritë më të fuqishme të Evropës

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë bëri thirrje për shpenzime të mbrojtjes prej pesë për qind të PBV. Edhe vendet e...

Facebook