Luan Rama – Një nga të parët që do më fliste gjatë për gjendjen e Vlorës në kohën e luftës ishte Rrahman Parllaku, që atëherë njihej me pseudonimin “Hallvaxhiu”.
Ai ishte me origjinë nga Kukësi, por familja e tij kishte vite që kishte zbritur në Vlorë, ku kishin një dyqan të vogël. Në atë kohë ai ishte një luftëtar i patrembur dhe me një veprimtari të fortë në Njësitin Guerril të Vlorës, të cilin e drejtonte: “Unë u largova nga Vlora më 11 tetor të vitit 1943, – më tregonte Rrahmani – por unë u ktheva përsëri, për arsye se kur u analizua gjendja e krijuar në këtë qytet, pas goditjes së rëndë që mori lëvizja jonë nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre, duhej t’i raportonim Komitetit të Partisë së Qarkorit dhe këtë duhej ta bëja unë, sepse unë isha më i informuari për atë që kishte ndodhur.
Më kujtohet që më kanë pritur Muzhiku, (Liri Gega) dhe i ngarkuari me detyrën e sekretarit Politik të Qarkut, Ali Demi. Pasi më dëgjuan, më pyetën se si duhej të organizohej puna këtej e tutje në qytet. Iu thashë se hë për hë puna duhej drejtuar nga Narta dhe të mbanim lidhje përmes disa shoqeve tona me qytetin.
“Muzhiku” shfaqi pakënaqësi për faktin se ishim larguar nga qyteti dhe më urdhëroi që të kthehesha përsëri aty, por Ali Demi nuk ishte dakord me të. Sugjeroi që të dërgohej në qytet një shok më pak i njohur, pasi, sipas tij, mua më njihnin të gjithë, madje dhe fëmijët dhe isha më i kërkuari nga armiqtë. Kjo, sipas Aliut, do të vazhdonte deri sa të njiheshim mirë me situatën. Por Liria nguli këmbë në të sajën… ”
Atë natë ranë të flinin në shtëpinë bazë. Pranë tij, Aliu kishte “Hallvaxhiun”, atë djalosh trim, shtatlartë, me vetulla të trasha dhe të zeza pis, që komandonte Njësitin Guerril të Vlorës. Aliu ishte i mërzitur. Përse vallë kjo këmbëngulje? Lirinë e njihte mirë, që në bazën e “Shtëpisë 66”, në shtëpinë e tij në Tiranë. I dukej një mendim i nxituar, por e kishte kuptuar se nuk ishte thjesht mendimi i saj: urdhri me sa dukej vinte ose nga Enveri, ose nga Dushani. “Aliu ndryshonte nga të tjerët, – kujtonte Rrahman Parllaku. – Ai ishte i thjeshtë dhe njeri që mendonte shumë. Nuk dinte të imponohej dhe të diktonte… kishte një tjetër metodë pune me njerëzit. Me Aliun mund të bisedoje lirshëm. Unë jam një nga ata që e kam ndjerë personalisht kujdesin e tij, siç dhe e kam shkruar në librin tim të kujtimeve. Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre!”
Në këto ditë të vështira, Aliu shkonte fshat më fshat dhe fliste me fshatarët, duke u folur për luftën dhe se ora e lirisë po afrohej. Ishte e rëndësishme që partizanë të rinj të mbushnin radhët e Ushtrisë Nacinal-Çlirimtare dhe në veçanti për formimin e Brigadës së V-të Sulmuese. Nga fillimi i shtatorit Aliu, i shoqëruar nga luftëtarë të zonës dhe me automatik në krah, kishte marrë të përpjetën e Malit të Çikës dhe netëve qëndronte në stanet e barinjve. Kishte zbritur në Vuno dhe ishte takuar me komunistët dhe luftëtarët e krahinës. Në atë kohë, “Çeta e Bregut” ishte afruar në Gjorm me urdhër nga Shtabi Qendror që të luftonte kundër fraksionit, edhe pse komandanti i tyre, Neki Imeri, (Vangjo), kunati i Sadik Premtes, nuk donte ta luftonte Sadikun. Pikërisht në këtë kohë kishte ndodhur dhe vrasja e Mynyr Xhindit.
Sapo mori vesh këto, Aliu vendosi që të nesërmen të shkonte në shtëpinë e familjes së tij. Sigurisht ishte me rrezik, por i armatosur rëndë dhe i shoqëruar nga disa pjesëtarë të Njësitit Guerril për Vlorën, ai u nis. Mynyri i dhimbej. Pasi u siguruan se në shtëpi nuk kishte njeri të dyshimtë, në prag të varrimit, Aliu ia behu në oborr dhe u takua me Arshiun, babain e Mynyrit. E ngushëlloi. Dyshimi për vrasjen e tij e brente gjithnjë. Aty ishte dhe nëna e tij si dhe Baftjari, i vëllai i Mynyrit, të cilin e njihte prej kohësh, njerëz të tjerë dhe një mjek italian, që ata e kishin mbajtur në shtëpi pas kapitullimit të Italisë fashiste. Varrimi u bë i shpejtë dhe Aliu doli para varrit dhe foli. Këtë çast të dhimbshëm, pas kaq e kaq vitesh e tregonte Murati, vëllai tjetër i Mynyrit, i cili nuk u vra në luftë dhe mbeti gjallë nga të tre djemtë e Arshi Halilit.
Murat Xhindi kujtonte se Mynyri kishte katër plumba në trup, një mbrapa koke dhe tre në shpinë, të gjithë nga mbrapa. Ky fakt bëri të mos kishin asnjë pikë dyshimi se Mynyrin e kishin vrarë. “Në varrim erdhi Ali Demi. Ai mbajti fjalën kryesore dhe vlerësoi lart kontributin e tij të shquar, si një nga figurat e spikatura të luftës antifashiste të Qarkut…” Këto dyshime nuk ia thanë Aliut ato ditë, pasi ata e kishin të qartë se Aliu pak kohë kishte që kishte ardhur në Vlorë. Për më tepër ishte shok i afërt me Baftjarin. Një ditë më vonë doli trakti i Komitetit Qarkor, për të cilin Aliu kishte dhënë porosi që të shpërndahej menjëherë dhe se çfarë duhej theksuar në atë trakt. Vrasja e Mynyrit ishte një goditje e rëndë. Ky trakt mbante titullin “Fli Tradhëtie”. Por për ç’tradhëti bëhej fjalë?… Mënyra si u vra asnjëherë nuk u gjet. Cilët ishin ata që e kishin vrarë dhe kush kishte urdhëruar për këtë?…
Më 21 nëntor, me ndihmën e ballistëve, gjermanët bënë reprezalje të shumta në Vlorë duke vrarë e arrestuar shumë njerëz të lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Këto reprezalje i tronditën dhe disa nga krerët e Ballit Kombëtar të Vlorës, siç ishte avokati Skënder Muço, i cili pas kësaj ngjarje u shkëput nga Balli, duke denoncuar reprezaljet e bëra në bashkëpunim me gjermanët. Ditët e atij fillim dhjetori të vitit 1943 ishin shumë të ngarkuara. Në malet e Labërisë vepronte tashmë Brigada e V-të dhe gjermanët ishin shqetësuar nga goditjet e vazhdueshme që po merrnin, edhe pse ishin të sigurtë në mbrojtjen e qyteteve dhe të rrugës Greqi-Shqipëri, të cilën e kontrollonin mirë. Një nga ato ditë, një korrier do të shkonte për në Helmës, ku ishte vendosur Komitetit Qendror i Partisë dhe Aliu i dha një letër djaloshit vlonjat për Njazi Demin, shokun e tij më të afërt. I shkruante se “së shpejti edhe ai do të shkonte për një punë në Skrapar dhe me këtë rast donte ta takonte”. Edhe pse i angazhuar natë e ditë në luftën çlirimtare, Aliu mendonte gjithnjë dhe për fatin e Çamërisë. Ç’do të bëhej me të pas lufte? Kohët e fundit ishte informuar se që më 2 gusht, ishte krijuar “Çeta Çamëria”, e cila vepronte në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek, e prirur nga Taho Sejko dhe Muharrem Demi. Më vonë, në bazën e kësaj çete u krijua dhe batalioni i cili do të çlironte Konispolin, ku krahas Kasëm Demit e Teme Sejkos, luftonin dhe Qamil Buxheli, Selim Islami, Myfit Sejko e shumë të tjerë, të cilët Aliu i njihte.
PRAVERA DY HAPA AFËR
19 dhjetor 1943. “Atë mbrëmje bëmë një mbledhje të rëndësishme në një nga shtëpitë bazë, – më tregoi Dhimitër Mandro një ditë, – ku Aliu foli për situatën e luftës dhe rolin e dëmshëm të ballistëve, të cilët kishin bërë tashmë pakt me gjermanët. Qëndruam deri në mesnatë. Pastaj dolëm të flinim në një nga bazat e tjera. Ramë të flinim. Pa zbardhur mirë, u dëgjuan trokitje tek dritarja. U zgjuam. Dikush na njoftoi se shtëpia ishte rrethuar nga ballistë, të udhëhequr nga Ismail Golemi. Aliu dhe Pano Dhimgjoka morën automatikët dhe të tre nxituam drejt malit që t’i largoheshim Kaninës. Por pas pak, pas tri katër shtëpish një zë thirri: Ndal! Dorëzohuni! Jeni të rrethuar!…”
Kanina po zgjohej, por krismat e para e zgjuan gjithë popullin. Pas pak, duke e kuptuar se s’kishin rrugë për të çarë rrethimin, Aliu u tha dy shokëve të tij se ishte më mirë të ktheheshin drejt shtëpisë ku ishin dhe të rezistonin deri sa të vinte mbrëmja dhe pastaj të tentonin të çanin rrethimin. Ishin të vetëm dhe shtigjet e fshatit nuk i njihnin ashtu siç i njihnin fshatarët. Me nxitim u kthyen drejt shtëpisë dhe u thanë njerëzve që banonin në të që të largoheshin që të mos vriteshin nga armiqtë. Lufta filloi e ashpër. Pano Dhimgjoka zuri vend tek dera që të mos lejonte njeri të afrohej nga rruga përballë hyrjes së shtëpisë. Aliu ishte në një nga dritaret dhe në tjetrën Dhimitri. Thirrjet nga jashtë për tu dorëzuar vazhdonin. Por si përgjigje kishte vetëm shkrehje armësh. Tashmë drejt Kaninës po afroheshin dhe forca gjermane. Rrethimi ishte i jashtëzakonshëm. Madje gjermanët zunë pozicione dhe në kalanë e Kaninës nga ku mund të vëzhgonin çdo lëvizje. Por rezistenca ishte e fortë.
Nga dreka, pasi e panë se ishte e vështirë që të rrethuarit të dorëzoheshin, ballistët mblodhën popullin në qendër të fshatit dhe i kërcënuan që t’i dorëzojnë të rrethuarit. Por si? Askush nuk pranonte të shkonte drejt tyre. Ndërkohë, nga kodra filloi gjëmimi i artilerisë. Aliu e kuptoi se gjylet e para ishin thjesht për t’i impresionuar dhe se gjermanët nuk mund të qëllonin, pasi rrezikonin të qëllonin shtëpi të tjera. Por një orë më vonë, forcat që i rrethonin bënë dhe një përpjekje tjetër për tu afruar. Filloi një shkëmbim i ashpër zjarri. Aliu dhe Dhimitri qëllonin nga dritare të ndryshme për të dhënë përshtypje se ishin një grup i madh luftëtarësh dhe jo thjesht tre persona. Në një moment qetësie, Aliu i tha Dhimitrit t’i thoshte Panos të bëhej gati që të çanin rrethimin. Nuk kishte asnjë rrugëdalje tjetër. Forcat balliste i kishin larguar njerëzit e shtëpive përreth dhe tani po fillonin të qëllonin shtëpinë me artileri. Kur Dhimitri zbriti, Panon e gjeti në frymën e fundit. I shtrirë pranë derës ai ishte mbushur në gjak. Një breshëri e kishte qëlluar për vdekje. – “Pano është vrarë!” – i tha Dhimitri Aliut. Për të dy ishte e dhimbshme të shihnin shokun e tyre të vrarë. Aliu dhe Dhimitri e përqafuan si për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe menjëherë u sulën nga dera dhe çanë përpara duke qëlluar… Dhimitri vazhdonte tregimin e tij: “Gjithnjë duke qëlluar, kaluam disa shtëpi radhazi, por ndërkohë Aliu më pa që isha plagosur dhe u rrëzova. Ndaloi dhe kërkoi të më ngrinte. “Mbahu, edhe pak”, më tha, dhe më tërhoqi me vete, por unë isha mbushur gjithë gjak. Ç’të bënte. Krismat tutje vazhdonin…”Artileria qëllonte duke goditur muret e shtëpisë. Gjermanët ende nuk e dinin se luftëtarët e kishin lënë “shtëpinë-kështjellë”. – “Më lër Ali, nuk mundem!” – i thashë Aliut. Por ndërkohë Aliu dalloi një ferrë të madhe dhe u sul duke më tërhequr. – “Shiko Miti, do të të fsheh këtu. Mos lëviz që këndej. Në mbrëmje do të dërgoj shokët të të marrin!…” – Kështu më tha dhe u largua duke qëlluar… Më shtrëngoi dorën dhe kapërceu shtëpi të tjera. Që nga ai çast nuk e pashë më… nuk do ta shikoja më kurrë atë njeri me një kurajo të jashtëzakonshme, i cili besonte se kjo luftë do të sillte një Shqipëri të re, të bashkuar dhe të begatë. Edhe pse kishte tetë orë që luftonin, lodhjen Aliu nuk e ndjente. Kaloi dhe fushën, pa u kuptuar nga njeri, pasi të gjithë ishin përqendruar nga shtëpia ku mendohej se partizanët atje ende luftonin. Po linte Kaninën dhe po drejtohej nga “Kodra e Dheut të Bardhë”… Aliu mendonte se më së fundi e kishte çarë rrethimin dhe tashmë nxitonte drejt Ujit të Ftohtë. Nga ullishtat poshtë dukej deti. Por pikërisht në atë moment, një breshëri mitralozi u shkreh mbi të. Gjermanët i kishin zënë të gjitha pikat nga ku mund të kalohej. Tutje ende gjëmonin të shtënat e artilerisë. Në sytë e Aliut ullinjtë dukej sikur binin e rrëzoheshin me rrapëllimë, bashkë me të. Pastaj gjithçka ra në heshtje. Heshti përgjithnjë…
SI U VRA ALIU
Kur kisha qenë në Kaninë, në bisedë me xha Sadikun një fshatar nga Kanina, i cili i kishte përjetuar ngjarjet e atij fund dhjetori të vitit 1943, ai më tregoi për vrasjen e Aliut, i cili, pasi kishte kaluar “çezmën e Nafijes”, siç e quante populli, kishte marrë nga përroi i Vasunjës duke dalë në Qafën e Dheut të Bardhë. Ai më kishte thënë: “Mbaj mend kur trupin e Aliut e sollën dhe e vunë në rrugë të fshatit. Njerëzit filluan të mblidheshin dhe të shikonin të vrarin. Kush ishte? Si quhej? Askush nuk e njihte. Pas pak dikush u afrua dhe duke i parë çizmet e mira, qeshi, u ul dhe ia hoqi. I mori dhe u largua, i ndjekur nga të qeshurat e ca ballistëve të tjerë. Kaluan pak çaste dhe dikush u afrua drejt të vrarit dhe duke i bërë shenjë dikujt tha: Ndihmomë ta marrim. Duhet ta varrosim, siç i ka hije zakonit shqiptar! Njerëzit nuk lihen në mes të rrugës! Por ndërkohë ndërhyri një ballist që iu hakërrua. – “Komunistët do të varrosësh ti?!…” Por fshatari qëndroi krenar dhe ia ktheu: “Do ta varros në varrin e vëllait tim!”… Dhe bashkë me një njeriun e tij, e mori Aliun dhe e varrosi”. Vrasja e Aliut i tronditi të gjithë. Në radhë të parë komunistët dhe ilegalët e Qarkorit, por edhe njerëzit e thjeshtë që e kishin njohur ato katër-pesë muaj që gjendej mes tyre. Kjo vrasje kishte hapur plagë dhe në banorët e Kaninës që nuk mund ta pranonin që vrasja e Ali Demit dhe Pano Dhimgjokës ishte bërë në pragjet e tyre.
Disa ditë me vonë një grua fshatare, do t’i ngrinte këngë:
“Ti Shqipëri, ti djalëri,/Nga gjaku yt nxjerr liri,/Ti Çamëri veshur në zi,/ Me gjak të Aliut kërkon liri…”/
“Dita kur erdhën dhe lajmëruan për vrasjen, – tregon Ildizja, motra e Aliut, – më kujtohet si tani. Babai kishte vdekur që në janar të atij viti. Nga Aliu prej kohësh s’kishim asnjë lajm. Nëna kishte nxjerrë govatën dhe po lante rrobat në oborr, në shtëpinë e Rexhep Çamit ku banonim që nga fillimi i vitit 1943. Atëherë rruga jonë quhej “Rruga e Kusit” dhe porta e shtëpisë mbante numrin 97, sot rruga Riza Cerova. Ishte prill i vitit 1944. Një ditë më parë kishte ardhur një ilegal që kishte sjellë 100 napolona flori. Nëna i mori, por njeriu që erdhi nuk i tha as emrin, por thjesht i kishte thënë: “I ke ndihmë nga shokët e Luftës!” Erdhi dhe iku si era. Atë ditë të bukur marsi, tri gra i ranë portës së shtëpisë dhe unë dola ta hapja. – Kanë ardhur mysafirë!” – i thirra nënës, e cila kur i pa, i la rrobat mënjanë dhe fshiu duart. Njërën prej grave e njihnim, quhej Marie Xhara, ndërsa tjetra ishte Distra Halimi. Kur gratë hynë në sallon, njëra prej tyre e përqafoi nënën dhe i tha: “Aliu të la shëndenë!” Nëna s’po i besonte syve. Si?!… Papritur pashë nënën që goditi kokën me grushte dhe u shëmb në tokë. I kishte rënë të fikët. Unë fillova të qaja. Ato e morën nënën dhe e vunë në divan. Pas pak nëna fshiu lotët dhe e mblodhi veten, duke na thënë se “Aliu ra për vatan”. Por komshinjtë që kishin dëgjuar britmën e saj erdhën menjëherë. Gratë nuk qëndruan dhe ikën menjëherë se ishin ilegale.
NJERIU I REVOLTËS…PO TË ISHTE GJALLË?
Po të ndjekësh itinerarin e jetës së Ali Demit, një nga karakteristikat e tij më spikatëse është gjendja e revoltës, apo e njeriut të revoltuar kundër padrejtësisë dhe kjo ndoshta se që në fëmijëri ai e ndjente veten të kërcënuar si një popullatë brenda një shteti tjetër i cili që kërkonte gjithnjë shpërnguljen e saj. Kjo revoltë e përgjithshme, u shfaq më gjerë dhe për sistemin, dhe kjo që në vitet e para në konviktin “Çamëria” të Sarandës, siç dëshmojnë dhe shokët e tij, e më pas, akoma më shumë në konviktin e gjimnazit të Gjirokastrës, ku një ndërgjegje e re po e çonte drejt idealesh të tjera, që i kapërcenin kufijtë e vendlindjes. Këtë e pamë në protestat e organizuara me Themo Vasin e Njazi Demin. Edhe pse i përjashtuar nga gjimnazi i Gjirokastrës, në Tiranë, në prag të pushtimit, revolta do ta hidhte përsëri në rrugët e protestave kundër pushtimit, në ditët e para të prillit 1939 dhe më pas në protestat e demonstrimet e vazhdueshme kundër fashistëve italiane, veçanërisht në ditët e përkujtimit të Pavarësisë shqiptare. Kjo revoltë e lidhi me komunistët e parë shqiptarë dhe e bëri pjesë aktive të Partisë Komuniste Shqiptare. Kjo revoltë do ta ndiqte në aksionet e para si dhe në burgun e Tiranës, duke organizuar grevat e urisë, protestat e mëdha gjer dhe arratisjen e një numri të madh të burgosurish politikë.
Më 20 dhjetor, në shtëpinë tonë vinin shumë njerëz për të nderuar kujtimin e tij. Ishin shokët e luftës. Por nga viti në vit disa fytyra që ishin bërë të zakonshme zhdukeshin dhe unë nuk i shihja më, sikur të ishin fshirë nga faqja e dheut. Kjo gjë atëherë s’më binte shumë në sy, por tani që e kujtoj, mendoj se këta njerëz ishin ata që goditeshin nga Enver Hoxha, që internoheshin apo futeshin nëpër burgje. Xhaferr Vokshin e kam parë vetëm nga fillimi i viteve 80′ kur me nënën time i bëmë një vizitë në shtëpinë e tij në Durrës. Xhaferri kishte hequr shumë, por ende mbahej. Po të mos kishte qenë Bije Vokshi, dhe ai do të dergjej nëpër burgje. Kaq e kaq njerëz që i kishin kushtuar gjithçka luftës, ishin flakur tutje. Dhimbja dhe trishti i kishte mbuluar të gjithë…
Për më tepër se 70 vjet pas luftës dhe çlirimit të Shqipërisë, përpiqem të imagjinoj se si do të vazhdonte revolta e këtij njeriu kur ai do të zhgënjehej nga hapat e para të një shteti totalitar, i cili nuk do të ishte shoqëria e lirisë, e vëllazërimit dhe e barazisë siç e kishte ëndërruar ai dhe siç e kishte skicuar në shënimet e tij. Ky njeri me karakter kaq të fortë, a do të pajtohej me sistemin totalitar, i cili filloi të krijohej dalëngadalë në Shqipëri duke i shërbyer pushtetit të një njeriu dhe ideologjisë staliniste, e cila ishte e huaj për shumë nga revolucionarët shqiptarë? Duke hedhur një vështrim historik mbi shokët e tij të revoltave gjatë pushtimit dhe kohës së burgut, konstaton se shumë nga miqtë e afërt të tij gjatë viteve u margjinalizuan, u burgosën, u internuan dhe u vranë nga një klan konsekuent e radikal i luftës klasore, i cili zgjodhi si model sistemin stalinist: Qemal Stafa, miku i tij i afërt u vra në rrethana të dyshimta, shumë shokë të tjerë u larguan nga funksionet e tyre dhe u përjashtuan nga radhët e partisë: Xhemal Cani, Sotir Vullkani, Xhaferr Vokshi, Mustafa Qilimi, Kristo Frashëri, etj. Po ta kishte marrë vesh vrasjen e shoqes së tij të luftës Ramize Gjebreja sigurisht që ai do të skandalizohej. Po kështu, nga familja e madhe e “Dematëve”, shumë “Dematë” u syrgjynosën, të tjerë u margjinalizuan; Tahir Demi u pushkatua si “armik i partisë”, Vehip Demi u dënua në Konferencën e Tiranës më 1956, Taho Sejkon e torturuan për vdekje dhe vdiq nën tortura, pa pranuar se gjoja ishte “agjent i grekut”; Kasëm Demin e futën në burgun e Spaçit ku dhe vdiq, trupi i të cilit ende dhe sot nuk dihet se ku është varrosur… Pra, fare thjesht mund të bënim pyetjen: çdo të ndodhte me njeriun e revoltuar Ali Demi, ëndrra e të cilit ishte shoqëria demokratike. Ky njeri, me siguri, ose do të eliminohej si shumë shokë të tjerë të tij të luftës, ose do të margjinalizohej në atë masë sa revolta e tij do ta çonte menjëherë drejt një fundi tragjik.
Historia e heronjve të tillë si e Qemal Stafës, Vasil Shantos, Ali Demit, Perlat Rexhepit, etj, nuk është thjesht vetëm një histori shqiptare. Ajo që ndodhi në vendet e Lindjes Europiane pas Luftës së Dytë Botërore ishte e ngjashme. Ata që i mbijetuan kësaj lufte dhe që ishin aktorë të mëdhenj të saj, ose u margjinalizuan, ose u vranë nga shtetet totalitare si “tradhtarë të kauzës së Partisë”. E megjithatë, gjaku i tyre nuk shkoi kot. Në fakt ata iu përkushtuan lirisë kombëtare dhe krijimit të një shoqërie të re ku do të zotëronte e drejta e liria. Në asnjë vend të Europës nuk ka historianë negacionistë që ta mohojnë luftën dhe kontributin e heronjve të tillë pse ata ishin të majtë dhe luftuan për “shoqërinë ideale”, utopike, atë të barazisë e të dinjitetit njerëzor. Por kjo duket se po ndodh vetëm në Shqipëri, ku ca pseudo-historianë të errët me qëllime të mbrapshta politike duan ta denigrojnë luftën e tyre dhe të bëjnë heronj kolaboracionistët që i shërbyen dhe në fund ndoqën pas ushtrinë gjermane përtej kufijve të Shqipërisë. Kolaboracioni ka vetëm një emër: kolaboracion. I tillë konsiderohet edhe në Francën e sotme gjithë epoka e Petenit. Kolaboracionit nuk mund t’i japësh ngjyrë tjetër. Historia është histori dhe jo në shërbim të politikës. Heronj të vërtetë ishin ata që bënë luftën dhe derdhën gjakun për lirinë. Ishte lufta e tyre ajo që solli që pas luftës, Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Paqes në Paris ta konsideronin Shqipërinë jo si bashkëpunëtore të fashizmit e nazizmit, por si vend që luftoi krah aleatëve. Ishte ky gjaku që solli lirinë e këtij vendi… gjaku i martirëve të tillë do ta ruajë gjithnjë të purpurën e vet…