Lidhu me ne

Kryesore

Dallimet e shumta me shtetin e Kosovës, që nuk vihen re në Tiranë


Nga Adri Nurellari

Është bërë një lloj mode në Shqipëri që zhvillimet dhe ngjarjet që ndodhin në Kosovë, t’i trajtojnë njësoj si të jenë në Shqipëri, pra me të njëjtin kut matës. Pra është krijuar një bindje që, meqenëse jemi një komb dhe flasim një gjuhë, atëhere edhe problemet i kemi njësoj, me të njëjtat përmasa dhe intensitet

Po ashtu vazhdon njëfarë inercie për sa i përket trajtimit të Kosovës nga shumë në Tiranë, me qasje paternaliste, me idenë se ky shtet i ri po ndjek nga pas shtetin amë. Këtë gjë e intensifikon më shumë akoma prezenca e Vetëvendosjes në mediat e Shqipërisë, me një ligjërim shumë të ashpër, që e njollos dhe e sterros Kosovën, duke mbajtur një qëndrim nihilist ndaj çdo arritje që është bërë atje. Po ashtu, një pjesë e raportimeve dashakeqe ndërkombëtare ndaj Kosovës raportohen në Shqipëri pa u përpunuar, apo filtruar, duke mos marrë parasysh faktin që shumë prej sulmeve që i bëhen Kosovës janë në kuadër të anti-amerikanizmit, islamofobisë etj, e s’lidhen detyrimisht me realitetin.

Për këtë arsye shpesh flitet për Kosovën me të njëjtat tone apo terma, siç bëhet në Shqipëri, pa u marrë asnjë mundim, që të bëhet ndonjë krahasim, për të parë nëse situata atje është e njëjtë apo jo. Faktikisht, edhe pse jemi një komb, për arsye nga më të ndryshmet të historive të shkëputura prej më shumë se një shekulli, si pasojë e padrejtësive historike që na janë bërë, ka shumë elemente që dallojnë, qoftë në mënyrën si funksionon shteti i ri i Kosovës, por qoftë në kulturën e shoqërisë.

Kuptohet që ato që na bashkojnë janë shumë më shumë se dallimet, e këto diferenca kurrsesi nuk mund të konsiderohen si dëshmi të krijimit të kombit kosovar, apo elemente kundër idesë së solidaritetit, apo bashkimit kombëtar. E vërteta është se Kosova si shtet, por edhe populli i atyshëm si shoqëri, në shumë aspekte të tranzicionit, nuk ka bërë gabimet e Shqipërisë.

Kështu për shembull sikurse flasin, me të drejtë, se korrupsioni në Shqipëri është kapilar, nuk kanë aspak të drejtë kur thonë të njëjtën gjë për Kosovën, pa u bazuar në ndonjë evidencë të saktë. Në raportin e Transparency International, Kosova e ka perceptimin e lartë të korrupsionit, të ngjashëm me të Shqipërisë, por se kur shihet tek përqindja e popullsisë që raporton, për përvoja personale të korrupsionit, del se ajo është disa herë më e ulur në Kosovë.

Pra në Kosovë, korrupsioni është shumë më pak i pranishëm për qytetarin, mirëpo prapëseprapë qytetarët janë shumë të revoltuar, me aq pak përvoja që kanë të korrupsionit. Nga ana tjetër, diferenca mes përvojave dhe perceptimit është shumë e ulët në Shqipëri, çka tregon që në njëfarë mënyre, shoqëria e konsideron normalitet të pashmangshëm korrupsionin.

Janë të shumtë ata në Tiranë, që e quajnë Kosovën njësoj shtet të korruptuar, pa e ditur që aty, ndryshe nga Shqipëria, ka pasur zyrtarë nga më të lartit të akuzuar e dënuar për korrupsion, duke përfshirë kryetarë kuvendi, zv/ kryeministër, ministra, deputetë, kryetarë komunash etj, etj… Po ashtu, ndryshe nga Shqipëria, atje nuk bën vaki që të të kërkojnë ryshfet nëpër spitale për të bërë ndonjë serum, apo të ketë raste të shpeshta të korruptimit të policisë rrugore. Nuk është aspak rastësi që dy institucione, që konsiderohen prej natyrës së tyre strumbullar të korrupsionit në Shqipëri, në Kosovë konsiderohen shumë profesionale, a madje raportet e ndryshme ndërkombëtare i nxjerrin si modele për gjithë rajonin.

Kosova qëndron shumë përpara Shqipërisë edhe kur bëhet fjalë për kriminalizimin. Po të shihen të gjitha statistikat ndërkombëtare, duket qartë, se Shqipëria është më afër me republikat ish-sovjetike në fund të listës, për sa i përket numrit të krimeve në nivel evropian, ndërsa Kosova garon me vendet e Evropës Veriore, për nga statistikat. Kështu për shembull, sipas UNODC, Kosova ka pasur në vitin 2016, 1.6 vrasje për 100 mijë banorë, ndërsa Shqipëria 2.7. Edhe po të shihen numrat e të burgosurve del se, në burgjet e Kosovës, aktualisht janë 1601 të burgosur që vuajnë dënimin për vepra të ndryshme, ndërsa në Shqipëri kemi 5.447.

Niveli më i ulët i korrupsionit në Kosovë demonstrohet edhe nga fakti që, aty niveli i pabarazisë është më i ulti në rajon, gjë që nuk ndodh në vende me korrupsion të lartë, ku vetëm një grusht njerëzish me lidhje politike përfiton nga ekonomia. Pra koeficienti Gini i pabarazisë, i Kosovës, i afrohet vendeve skandinave, ndërsa ai i Shqipërisë, i afrohet vendeve latinoamerikane. Sipërmarësi më i madh kosovar raporton disa dhjetëra milionë euro pasuri, ndërsa në Shqipëri fliten për miliarda. Pabarazia e kufizuar në Kosovë shihet edhe me sy, kur udhëton edhe në zonat më periferike të vendit, e nuk has prani të varfërisë ekstreme.

Kur flitet për ekonomi, padyshim që Kosova ngelet ende e varfër, gjë që lidhet kryesisht me trashëgiminë e kostove të aparteidit e diskriminimit ekonomik shekullor, brenda ish-Jugosllavisë, si dhe me pasojat e luftës. Mirëpo, gjithsesi nuk mund të flitet për dështim ekonomik të Kosovës, kur gjatë gjithë dekadës së pavarësisë, Kosova ka pasur rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe që ndryshe nga Shqipëria, ia ka dalë të bëjë investime madhështore në autostrada, duke mbajtur ndërkohë borxhin më të ulët publik në Ballkan. Përpos kësaj, po të shihet klima e biznesit në raportin, Doing Business, të Bankës Botërore, Kosova zë vendin e 44-t, ndërsa Shqipëria atë të 63-të, ndërsa tek raporti Paying Taxes, Kosova zë vendin e 44-t, ndërsa Shqipëria atë të 122-të.

Kosovën e barazojnë në Tiranë shpesh me Shqipërinë edhe për sa i përket politikës, duke mos i kushtuar vëmendje rrethanave apo konteksteve të ndryshme, që mbizotërojnë në skenën politike të Prishtinës, e që dallojnë shumë me atë të Tiranës. Është e vërtetë që sikurse në Tiranë ka pasur trazira politike edhe në Kosovë, por ato janë lidhur më shumë me ndjeshmëri e plagë të një vendi në proces dialogimi, përkundrejt ish armiqve etnikë, e jo me mangësitë e sistemit politik në vetvete. Ndryshe nga Shqipëria ku nuk hapen kutitë e votimit për të bërë transparencë, në Kosovë ka lehtësisht hapje kutish, rinumërime dhe rivotime.

Po ashtu kryeministrat nuk ngulin kthetrat me çdo kusht ndaj pushtetit deri në fund të mandatit si në Tiranë, por dendur shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Drejtuesit politikë rinovohen e zëvendësohen rregullisht, sikurse e treguan rezultatet e zgjedhjeve lokale me shumë kryetarë të rinj të komunave. Po ashtu në zgjedhje parlamentare ka një garë të mirëfilltë, ku partitë e reja apo ato të vogla, kanë mundësi që ta përmbysin situatën, e të mos përjashtohen nga loja politike prej dinosaurëve të vjetër, sikurse ndodh në Shqipëri.

Lista e dallimeve është shumë më e gjatë dhe e hollësishme, por kjo ishte vetëm një përmbledhje e disa prej elementeve kryesore, ku dallojnë dy shtetet. Për hir të së vërtetës mund të thuhet se, në shumë aspekte Kosova ka nxjerr mësime nga pësimet e Shqipërisë, ose ka ndjekur një tjetër rrugë alternative për të ndërtuar demokracinë. Madje në shumë aspekte mund të thuhet se është Shqipëria, ajo që duhet të mësojë prej Kosovës. Sfidat që po kalon Kosova, nuk lidhen vetëm me de-komunistizimin e demokratizimin, që i ka kaluar edhe Shqipëria, por më shumë me postkolonializmin, postkonfliktualizmin dhe pajtimin ndër-etnik. Prandaj ëshë e nevojshme, që kur të flitet për Kosovën, të kushtohet më shumë vëmendje ndaj rrethanave të atjeshme, e mos të përdoren copy-paste klishetë apo stilemat e Tiranës, sepse jo gjithmonë përshtaten me realitetin kosovar.

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Michelle dhe Barack Obama drejt DIVORCIT?

Në mediet e huaja, kryesisht ato amerikane prej disa ditësh, kanë nisur spekulime për një divorc të mundshëm të ish-presidentit amerikan...

Radar2 ditë më herët

Berlusconi shpiku oligarkinë moderne, Elon Musk po e zgjeron atë

Shkruar nga Francis FukuyamaDonald Trump dhe Elon Musk / Në vitin 2020, ne thamë se platformat e mëdha të internetit...

Mix2 ditë më herët

“S’ka burrë që më rreh mua”, Anita Haradinaj për aludimet: Dy herë jam rrëzuar prej takave

Moderatorja Anita Haradinaj iu është adresuar sërish raportimeve të mediave kosovare disa vite më parë se ajo u dhunua nga bashkëshorti...

Sport2 ditë më herët

Tyson me vetëm një blerje, ka shpenzuar të gjithë 20 milionët e fituar ndaj Jake Paul

Mike Tyson ka shpenzuar thuajse të gjitha paratë që fitoi nga ndeshja e boksit kundër Jake Paul. As nuk pati...

Mix2 ditë më herët

Rivaliteti Bezos-Musk, Blue Origin lëshon në hapësirë raketën New Glenn

Kompania e hapësirës e themeluar nga Jeff Bezos, Blue Origin, ka arritur të lëshojë për herë të parë në orbitë...

Radar2 ditë më herët

“PS merr mbi 50% të votave nëse zgjedhjet bëhen sot, Rama më i pëlqyeri” – Sondazhi

Në sondazhin e kryer nga sondazhisti Eduard Zaloshnja, PS-ja do merrte mbi 50% të votave nëse zgjedhjet do mbaheshin sot....

Radar2 ditë më herët

Marrëveshje 100-vjeçare mbrojtjeje Britani e Madhe-Ukrainë

Kryeministri britanik Keir Starmer ka firmosur një marrëveshje 100-vjeçare partneriteti me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në atë që Associated Press...

Kryesore2 ditë më herët

Akuza: Ndaloi djalin e Samir Manes, drejtuesit i bënë presion, polici tentoi vetëvrasjen!

Ngjarja e një polici të hedhur nga një pallat në Tiranë zbulon një situatë të rëndë në këtë vend që po...

Kryesore3 ditë më herët

Sloganet e partive politike dhe mesazhet– si do të ndikojnë në fushatën zgjedhore?

Gëzim Mekuli – Njohës i mediave dhe retorikës Sloganet e bëra publike nga partitë politike për zgjedhjet e shumëpritura të...

Radar3 ditë më herët

Gazetarja e njohur: Kam 10 shoqe beqare, asnjë burrë shqiptar nuk i do

Gazetarja e njohur Iva Tiço ka qenë e ftuar në emisionin Opinion, ku u diskutua tema: “Pse po vështirësohen martesat...

Facebook