Lidhu me ne

Temporal

Kosovarizma kundrejt shqiptarizmës

Mehmet Kraja

Pikërisht në fazën e përmbylljes së kompromiseve për pavarësinë e Kosovës u hodhën në qarkullim edhe idetë për identitetin kosovar, identitet ky që duhej të “mbulonte” jo pavarësinë si zgjidhje të çështjes së Kosovës, por edhe lëndimet që iu shkaktuan kësaj pavarësie. Pra, identiteti kosovar nuk u shfaq si imanencë e pavarësisë, por si surrogat i saj, ose si argument për të minimizuar dështimet evidente. Nëse opsioni i shtetit të Kosovës ishte projekt ndërkombëtar dhe fuqitë vendimmarrëse nuk deshën që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë për shkaqe që tashmë i kemi të njohura, atëherë ishte krejt logjike që Kosova do të bëhej shteti i dytë shqiptar në Ballkan. Çdo gjë që ndodhi pastaj, u bë për të minimizuar këtë fakt, ose për ta degraduar këtë arritje historike të shqiptarëve. Dikush thotë se kjo u bë për shkak të koncesioneve ndaj Serbisë dhe Rusisë, dikush tjetër për shkak të mospajtimeve SHBA-BE. Ç’rëndësi ka kjo për ne? Me rëndësi është fakti i bërjes së Kosovës një shtet që nuk mund të funksionojë, sepse një Kosovë me jo plot njëmbëdhjetë mijë kilometër katrorë, e përkufizuar si shtet multietnik, e lidhur fort përmes komunave serbe me Serbinë, me një konflikt të ngrirë në veri (i lënë qëllimisht si i tillë), me mungesë të theksuar të traditës shtetërore, me potencial të papërfillshëm ekonomik, me konflikte të brendshme politike të trashëguara, e gjendur në një udhëkryq rrugësh për trafiqe e kontrabandë, e përqeshur dhe e tallur nga bashkësia ndërkombëtare, e refuzuar me arrogancë nga Europa e vjetër, me një klasë politikanësh të papërgjegjshëm, pra, ç’mund të paraqesë një Kosovë e këtillë kundruall Serbisë, e gatshme në çdo kohë për ta shantazhuar deri në pafund?

Të gjithë këta faktorë të rëndësishëm për mbijetesën e Kosovës do të ishin periferikë kundrejt luhatjeve të identitetit, të cilat u imponuan pikërisht me idenë se projekti duhej të çohej deri në fund. Dikush e perceptoi pavarësinë si projekt ideal dhe çështjen identitare e konsideroi ndihmë për ta arritur sa më lehtë këtë idealitet. Por, në të vërtetë, shpejt do të vërehet se çështjet e identitetit nuk u hapën për idealizëm të atyre që u mrekulluan me pavarësinë, por për ta bërë më të lehtë shkërmoqjen e Kosovës, ose pamundësinë e bërjes së saj. E zëmë se ky është konspiracion dhe se buron nga një paranojë kolektive ose individuale e shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Atëherë le të themi pak më ndryshe, se “gota nuk është gjysmë e zbrazët, por është përgjysmë plot” dhe këtë “prirje mohuese” le ta kthejmë në “mendim pozitiv”. Në një rrethanë të këtillë, identiteti i rikompozuar kosovar do të ishte i vetmi garantues se Kosova e pavarur, se shteti i Kosovës nuk është zgjidhje kalimtare, por një zgjidhje e qëndrueshme, pra e përhershme. Kjo është ajo pika më e ndjeshme, aty ku Kosova reale, Kosova e sotme ballafaqohet jo më me historinë, me të shkuarën e saj iluzioniste, por me të sotmen dhe me të ardhmen. Një identitet i ndarë i Kosovës, një identitet i ribërë i Kosovës, për çfarëdo qëllimi dhe për çfarëdo motivi, mund të zëvendësojë mijëra trupa të NATO-s, për ta mbajtur Kosovën larg Shqipërisë. Një identitet i ribërë i Kosovës është e vetmja garanci se Kosova do të ketë një pozicion të ndërmjetëm, një pozitë neutrale ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Shikuar nga ky kontekst identiteti kosovar ishte një urgjencë politike, që nuk ka asgjë të përbashkët as me historinë dhe as me teoritë për kombe të reja. Bashkësisë ndërkombëtare vendimmarrëse, veçmas Europës së vjetër, i duhet qëndrueshmëria në rajon, përmes ruajtjes së baraspeshës. Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm në këtë qëndrueshmëri dhe vetë ky shtet e ruan këtë qëndrueshmëri nëse në betejën ndërmjet integralizmit dhe indipedentizmit fiton ideja e indipedentizmit. Identiteti i ribërë i Kosovës, përfshirë këtu edhe bërjen eventuale të kombit kosovar, nuk është indipedentizëm vetëm si i tillë, por është një instrument në funksion të indipedentizmit dhe, në të njëjtën kohë, instrument kundër integralizmit shqiptar. Argumentet historike këtu nuk hyjnë në punë, ose, thënë më mirë, shpesh keqpërdoren ose deformohen, vetëm sa për ta përligjur pragmatizmin politik.

Ta zëmë, askund nuk gjen bazë historike bërja e kombit kosovar, sepse, sikundër e kemi thënë, Kosova ka marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet që e kanë bërë kombin shqiptar, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë proces, por edhe në zhvillimet e mëvonshme, Kosova nuk ka mundur të veprojë e ndarë, që domethënë se nuk është diferencuar në asnjë pikëpamje nga pjesa tjetër e kombit. Edhe potenciali i saj ka qenë i vogël për të bërë një diferencim të tillë. Më anë tjetër, krejt procesi historik i ndërtimit të identitetit të saj shqiptar është zhvilluar në një varshmëri të thellë nga Shqipëria dhe nga idetë integraliste që vinin që andej. Vetë bërja e Kosovës së pavarur, e Kosovës së lirë nga Serbia është rezultat i drejtpërdrejtë i identitetit të saj të fuqishëm shqiptar. Kosova nuk do të bënte luftë, po të mos ishte shqiptare. Në luftën e fundit, por edhe më herët, askush në Kosovë nuk do të vritej me idenë e kosovarizmës. Të gjithë ranë dhe u sakrifikuan me idenë e shqiptarizmës.

Të gjitha këto janë të njohura dhe të ditura, pavarësisht nëse thuhen ose jo, pavarësisht nëse theksohen ose jo. Ajo që nuk thuhet, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një kapje peng e shqiptarëve të Kosovës ndërmjet shumë pamundësive. Ata e deshën Kosovën të bashkuar me Shqipërinë, por nuk e bënë dot. E supozojmë se, në pamundësi për ta bërë siç e deshën në fillim, ata e deshën edhe shtetin e Kosovës. Por prapë ata u ballafaquan me pamundësinë e bërjes së tij. Gënjejnë ata që thonë se Kosova e do flamurin e saj dhe nuk e do flamurin kombëtar. Flamuri i Kosovës dhe simbolet e tjera të saj janë pamundësia e afishuar e Kosovës për t’i çuar zhvillimet politike në drejtimin që ajo e dëshironte. Pra, sipas kësaj ideje del se pavarësia është limiti maksimal i Kosovës, deri ku ajo, me ndihmën e aleatëve dhe të interesuarve të tjerë mund të arrinte, por më tej nuk bënte dot asnjë hap. Mbase pavarësia po, por jo çfarëdo pavarësie; mbase një flamur dhe himn më vete po, por jo çfarëdo himni dhe flamuri. Mbase shtet i qytetarëve të barabartë po, por jo shtet multietnik. Mbase shtet i varur nga bashkësia ndërkombëtare po, siç janë të varur shumica e shteteve në botën e sotme, por jo një varshmëri e tillë, që e bën një gjuhë të huaj gjuhë supreme, me të cilën duhet të matet saktësia e secilit kuptim. Mbase po një shtet që do të kishte marrëdhënie të mira me Serbinë, por jo duke ia detashuar Serbisë deri edhe të drejtën për ta shantazhuar shtetin dhe për ta rrënuar atë.

Pra, suaza reale e bërjes së Kosovës nuk ka qenë kjo. Suaza reale e bërjes së saj ka qenë më e avancuar, përfshirë edhe kompromiset e domosdoshme me faktorët vendimmarrës. Pakoja e Ahtisaarit në shumë pika ka mundur të korrigjohet, sikur faktori politik i Kosovës të ishte më konsistent. Decentralizimi do të bëhej, por jo duke iu dhënë status të veçantë edhe një fshati të të Gjilanit me 500 banorë serb. Flamuri ka mundur të bëhet më mirë, duke respektuar edhe veçantinë e Kosovës, por edhe identitetin e saj themelor. Himni gjithashtu. Kushtetuta e Kosovës ka mundur të bëhet më e mirë, nga kjo që është tani, një tekst evaziv, me dualizma dhe me zgjidhje që paragjykojnë sovranitetin e luhatshëm. Të gjitha këto së bashku nuk do të nxirrnin në sipërfaqe kërkesën rrënimtare për identitet të ri të Kosovës, për komb kosovar dhe ngatërresa të tilla, duke bërë që ky identitet i ri dhe ky komb kosovar të bëhet alibi për projekte shkatërruese, ose strehë për profiterët me emblemën e BE-së; për spiunët e Serbisë, të hershëm dhe të vonë; për nostalgjikët jugosllavë dhe trashëgimtarët e tyre biologjikë dhe botëkuptimorë; për kontrabandistët dhe trafikantët e të gjitha mallrave dhe të gjitha vlerave; pra, për gjithë këtë shumësi horrash, që tashmë kanë zënë vend dhe përbëjnë hierarkinë shoqërore në hapësirën e ngushtë të Kosovës.

Braktisja e idealeve

Do të ishte tepër e pandershme nëse nga synimi për të bërë identitetin kosovar hiqet pjesëmarrja e idealistëve, të cilët, për shkaqe dhe arsye krejtësisht të ndryshme, mund të krijohet përshtypja e gabuar se qëndrojnë në të njëjtën radhë me përfituesit e pavarësisë, të shtetit të Kosovës dhe të identitetit të mëvetësishëm kosovar, apo me proserbët ende të fshehtë ose me nostalgjikët jugosllavë gjithnjë e më të zëshëm. Është paradoksale që të tri këto kategori njerëzish në Kosovë, për shkaqe rrethanash, të gjenden në të njëjtën radhë, tashmë jo si indipedentistë të njëmendët (sepse të tillë ka më shumë), pra që i lidh ideja e përbashkët e pavarësisë së Kosovës, por më shumë si kujdestarë shpirtërorë të kësaj pavarësie. Nuk do mend, si çdoherë tjetër, idealistët janë krijesat më fatkëqija dhe tragjikët më të mëdhenj të këtij procesi të ngatërruar dhe kontradiktor. Ata vërtet e shohin ëndërr Kosovën si shtet europian, të zhvilluar ekonomikisht, me institucione demokratike, me liri dhe të drejta të njeriut, me barazi të qytetarëve, me një sundim shembullor të rendit dhe ligjit, pra një shtet ideal, që ta mbush kraharorin me ëndje, teksa e mendon. Unë nuk them se nuk ka idealistë të këtillë dhe nuk them se në Kosovë nuk ka njerëz që besojnë sinqerisht në këto ideale. Por një pjesë e tyre, pjesa më e madhe, nuk janë krejt naivë, si të gjithë idealistët, ngase të angazhohesh për një Kosovë të tillë në rrethanat e tanishme nuk është se nuk shpaguhet. Madje, ky idealizëm ndonjëherë mund të konvertohet shumë shpejt në fonde të vjela nga BE-ja, nga Komisioni Europian ose nga dikush i ngjashëm me të.

Por edhe përtej këtij idealizmi që shpaguhet, duhet besuar se ka idealistë të njëmendët, të cilët bërjen e Kosovës europiane e ndjejnë si imanencë të qenësishme, pra as gënjeshtër, as pozë, as përfitim, por ideal të njëmendët. Sado që është e tymtë, një ëndërr të tillë duhet respektuar, sepse e drejta për të ëndërruar idealen, e drejta për të synuar idealen, e drejta për të pasur qëllim idealen nuk mund t’i mohohet askujt. Madje është e këndshme dhe të bën të ndjehesh mirë, kur e di se ky idealitet lidhet me Kosovë, me ëndrrën tonë të gjithmonshme, njësoj sikundër që duhet besuar se nuk mund të ketë ndodhur që Kosovën ta ketë braktisur përfundimisht krejt soji njerëzor i idealistëve, sepse bërja e saj, që nga mbijetesa e deri te zgjidhja e fundit politike, qoftë përfundimtare ose jo, iu referohet pikërisht idealistëve. Situatën do të duhej konsideruar si një qëndrim pezull, si një ngecje të përkohshme, si një hutim të shqiptarëve të Kosovës pas mrekullisë së lirisë, e cila sikur ende i mban ata në një ëndërr të stërzgjatur, ose më keq se kaq, një mrekulli që ua ka nxitur pasionet dhe ua ka zhbërë racionalitetin.

Idealistët nuk duhet mohuar, gjithsesi, sado të paktë që mund të jenë, të cilët mund ta kenë menduar bërjen e identitetit kosovar si një rrugë më e shpejt dhe më e lehtë që e çon Kosovën drejt integrimeve europiane, drejt pranimit dhe faktorizimit të saj ndërkombëtar, sepse, sipas bindjes së tyre, një ndarje identitare e Kosovës nga pjesa tjetër e botës shqiptare, duke pasur edhe mbështetjen e disa fuqive vendimmarrëse, heq përfundimisht embargon mbi shqiptarët si potencial rrënimtar ose plëngprishës në Ballkan, duke i krijuar Kosovës pozicion të përshtatshëm për integrim të suksesshëm. Sepse, sipas bindjes së tyre, një Kosovë me identitet të diferencuar i tejkalon lehtë pengesat e trashëguara, heq dyshimet rreth fantazmës së “Shqipërisë së Madhe” dhe bëhet më e akceptueshme, madje më e përshtatshme për Serbinë e frustruar dhe aleatët e saj. Pra, bëhet fjalë për një opsion zbutëspër Kosovën dhe shqiptarët nacionalistë, të cilët, të bashkuar ose të integruar ndërvetshëm, i frikësuakan fqinjët e tyre dhe Europën që i mbështet ata. Ky integrim i ndërvetshëm i shqiptarëve veçmas paraqitet problematik në funksionimin e boshtit tradicional ballkanik veri-jug, duke përfshirë këtu edhe interesat e Rusisë, sikundër edhe të disa fuqive evropiane, të cilat tashmë janë deklaruar se mbështesin ruajtjen e status quo-s tradicionale në këtë rajon të trazuar të Europës.

Teoritë se Kosova edhe pas vitit 1999 u gjend në vëmendje të fuqive vendimmarrëse nuk duhet injoruar në tërësi, sikundër që nuk duhet dhënë aq shumë prioritet. E vërtetë është se Kosova pat rëndësi për rikonfigurimin e Ballkanit pas luftërave të përgjakshme, por faktorët e implikuar nuk lejuan që të krijohet një drejtpeshim përmes trinitetit Serbia-Shqipëria-Kosova në mes, duke mbajtur qëndrimin se çështja e Kosovës lidhej kryekëput me Serbinë dhe nuk kishte të bënte fare me Shqipërinë. Edhe kosovarëve indipedentistë duket se iu pëlqeu një këndvështrim i këtillë, sepse, në rend të parë, ua përkëdhelte sedrën politike, duke i faktorizuar ndjeshëm dhe duke i vënë si të barabartë kundruall Serbisë. Më anë tjetër, mbështetur në një përvojë historike dhe në disa situata jo shumë fatlume, te kosovarët tashmë ishte ngulitur një mosbesim ndaj Shqipërisë në raport me Serbinë. Herën e parë Shqipëria monarkiste e kohës së Zogut nuk e kishte pasur për gjë që, për interesa të pushtetit, ta tradhtonte Kosovën me lehtësinë e një loje fëmijësh. Këtë e kishin përsëritur po me kaq lehtësi edhe Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Nuk kishte asnjë arsye që, po ta shihnin të nevojshme, këtë të mos e bënin edhe pushtetarët e Shqipërisë demokratike. Prandaj, heqja e Shqipërisë si palë e interesuar në përballje me Serbinë u mbështet nga indipedentistët kosovarë, pavarësisht se mund të mos i kishte pyetur njeri për këtë. Mbi të gjitha, një përballje e këtillë e Kosovës vetëm për vetëm me Serbinë fuqizonte opsionin e pavarësisë së Kosovës, sikundër që, deri diku, hiqte dilemat e ndarjes së Kosovës dhe krijonte përshtypjen se mënjanimi i fantazmës së “Shqipërisë së Madhe” ua lehtësonte punën jashtëzakonisht shumë aleatëve të saj, në përballje me atë pjesë të botës që kundërshtonte pavarësinë.

Mirëpo, më anë tjetër, mënjanimi i Shqipërisë nga procesi i bërjes së shtetit të Kosovës dhe lënia e Kosovës vetëm për vetëm përball Serbisë, me aleatët e besueshëm në krah, vetvetiu do të krijojë një ç’balancim politik, i cili gradualisht do të shndërrohet në dokumente dhe drafte me koncesione të mëdha ndaj Serbisë, pa një palë të tretë që do të mund të drejtpeshonte në një përballje të këtillë. Sikundër që do të shihet, mënjanimi i Shqipërisë nga i tërë procesi i bërjes së Kosovës dhe mbështetja pa rezervë e kësaj ideje nga indipedentistët kosovarë, teorikisht do ta përjashtojë idenë e ndarjes së Kosovës, por praktikisht do ta lërë të hapur këtë çështje, qoftë si kalkulim eventual politik i Serbisë, qoftë si opsion real në shumë kancelari ndërkombëtare. Së këndejmi, në këtë histori të re Shqipëria nuk u bë faktor i bërjes apo i ruajtjes së Kosovës. Kjo ia lehtësoi punën Shqipërisë, e cila tashmë ka krijuar një komoditet të panatyrshëm në raport me Kosovën, duket edhe me arsyetimin se edhe vetë kosovarët e mbështetën një rol të këtillë të Shqipërisë. Rolin e ruajtjes së tërësisë së Kosovës, në një mënyrë gati të panatyrshme, e morën dhe vazhdojnë ta mbajnë shqiptarët e Maqedonisë.

Pra indipedentistët kosovarë, ose idealistët indipedentistë, t’i quajmë kështu, duke mënjanuar Shqipërinë si palë me Kosovën në përballje me Serbinë e bënë një dëm që vështirë do të riparohet ndonjëherë. Ky gabim edhe mund të falet, nëse dëmi u bë për shkak të idealizmës. Por historikisht do të jetë e pafalshme nëse idealizmi i kryehershëm tashmë është braktisur dhe ideja e pavarësisë, pra idealizmi indipedentist rrëshqet në pragmatizëm. Në të vërtetë, pavarësia e Kosovës është idealitet dhe ajo e tillë mund të mbetet, tani dhe gjithmonë. Të bësh një Kosovë të pavarur, një shtet europian, të zhvilluar dhe të denjë për jetën e njerëzve mund të jetë një ëndërr për të gjithë. Mirëpo, nëse mbi këtë idealizëm bëhen kalkulime të tjera, idealistët kosovarë, sado të paktë që mund të jenë, i bën mashtrues dhe hipokritë të pafalshëm. Me një fjalë, ideja e bërjes së Kosovës shtet europian është ide fisnike, por nëse këtë ide duhet “plotësuar” me koncesionin e identitetit, atëherë del se idealistët realisht asnjëherë nuk kanë qenë të tillë, por kanë qenë djaj të përbindshëm, të cilët e manipuluan besimin me pamjen e tyre prej engjëjsh.

Separatizmi identitar

U morëm pak më gjatë me kategorinë e idealistëve indipedentistë, për t’i diferencuar më qartë nga kategoritë e tjera të mbështetësve të identitetit kosovar, sepse ata, me vetë faktin e të qenit idealistë dhe me faktin se bërja e Kosovës ka qenë produkt i idealistëve, e meritojnë një diferencim të këtillë. Megjithatë, sikundër e thamë, angazhimet e idealistëve, në një situatë të konfuzionit të përgjithshëm, do të ngatërrohen pa ndonjë vështirësi me paradoksin e të gjendurit në të njëjtën radhë pikërisht me ata që përbëjnë antipodin e këtij idealizmi. Në këtë mënyrë, mbështetës të flaktë të identitetit kosovar do të bëhen edhe përfituesit e ndryshëm dhe ata që i quajtëm nostalgjikë të ish-Jugosllavisë, ose, që të jemi më eksplicitë, proserbët e të gjitha angazhimeve, të fshehta, gjysmë publike dhe publike. Të tri këto kategori duhet kundruar nga afër, për të parë prapavijën e angazhimit të tyre për identitetin kosovar dhe për t’i identifikuar qartë si kundërshtarë të mëdhenj të integralizmit shqiptar.

Në këtë kuadër, së pari duhet bërë të qartë se ideja e inegralizmit shqiptar, vetëm si e tillë, nuk është dhe nuk mund të jetë ide antieuropiane, as ide nacionaliste, aq më pak ide shoviniste. Ajo përfaqëson vazhdimësinë e identitetit shqiptar pa kufizime kohore dhe hapësinore, që domethënë një identitet shqiptar mbipolitik. Integralizmi shqiptar, pra ideja e të qenit njësh nuk është ide manipulative, është gjendje reale. Shqiptarët janë njësh jo pse ata duan të jenë të tillë, por ngase kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të tillë të shtrënguar nga rrethanat. Të qenit një i vetëm dhe në njëfarë shkalle i diferencuar nga të tjerët nuk është zgjedhje, është imanencë, është fat historik, është fat njerëzor. Derivatet e nacionalizimit dhe të shovinizmit nuk lindin nga kjo ide. Ato lindin nga ideja e përjashtimit. Më anë tjetër, nëse një grup shqiptarësh duan të ndahen nga pjesa tjetër e shqiptarëve, për këtë ide mund të kenë tre motive: ose kanë interesa tepër specifike, ose duan të tradhtojnë, ose duan të bëhen mbikomb, pra një surrogat fashist. Sikundër që është vërejtur gjatë kësaj periudhe, në diskutimet për identitetin kosovar, nga të dyja palët, nga mbështetësit dhe nga kundërshtarët, jo rrallë janë hedhur në qarkullim edhe ide fashiste, ose ide të një shovinizmi brendashqiptar, duke i diferencuar pjesët e kombit njërën më cilësore se tjetrën. Ndërkaq, duhet pasur të qartë se identiteti nuk është vetë itegralizmi, por është komponentë themelore e tij. Në rastin tonë, diferencimet e identitetit brenda një kombi vetvetiu prodhojnë dekompozim, shpërbërje, shthurje, sepse mbajtja e kohezionit kombëtar nuk bëhet vetëm për ide patriotike ose nacionaliste, por më shumë për nevoja reale dhe interesa tokësore.

Atëherë, nëse integralizmit shqiptar ia njohim dobësitë dhe përparësitë; nëse identitetit shqiptar si përbërës fondamental i integralizimit shqiptar gjithashtu ia njohim dobësitë dhe përparësitë, nuk ka asnjë arsye që edhe për tendencat e kundërta të mos shprehemi me të njëjtën konsideratë. Bie fjala, nëse themi zëshëm se në rrethanat e Kosovës identiteti shqiptar prodhon negativitete, se prodhon nacionalizëm konfliktual, se prodhon ambicie shoviniste për “Shqipërinë e Madhe” etj., atëherë nuk kemi asnjë arsye që po kaq zëshëm të themi se, më anë tjetër, edhe stisja e identitetit kosovar ndonjëherë prodhon fashizëm brendashqiptar, herë të tjera tradhti dhe, në rastin e tretë, mercenarizëm politik, në rastin e katër diçka edhe më të zezë e kështu me radhë. Nëse tashmë e kemi thënë zëshëm dhe e përsërisim jo rrallë se patriotizmi folklorik shqiptar është strehë e horrave dhe matrapazëve të të gjitha llojeve, atëherë nuk ka asnjë arsye të mos pohojmë gjithashtu se separatizmi identitar kosovarështë keqpërdoruesi dhe shkatërruesi më i madh i idesë së shtetit të Kosovës. Sepse, nëse për kategorinë e turbo-patriotëve shqiptarë nuk mbeti asnjë shenjtëri që të mos keqpërdorej për interesa meskine, është krejt e logjikshme që edhe bërësit e identitetit kosovar e keqpërdorën deri në tradhti idealin e bërjes së Kosovës. Nuk ekziston ndonjë arsye madhore që dikush të amnistohet as në këtë rast.

Megjithatë, nga ky nivel i pasioneve gjërat duhet zbritur në një rrafsh më real. Të provojmë të shohim tani më nga afër se cilët janë ata që e kanë prodhuar dhe që e mbështesin identitetin kosovar. Deri këtu kemi përmendur disa kategori njerëzish, kategori sociale dhe politike, të cilët për një arsye ose për një tjetër bënë përpjekje t’i diferencojnë kosovarët nga pjesa tjetër e shqiptarëve. Nga njëra anë ata u paraqiten si dashës të mëdhenj të Kosovës, ndërsa nga ana tjetër u përpoqën me të gjitha mjetet të rrënonin njësinë kombëtare shqiptare. E zëmë se jo të gjithë, derisa angazhoheshin për kosovarizëm, e dinin se me këto ide janë kthyer në rrënues të tërësisë kombëtare shqiptare. Disa syresh këtë e motivonin me rrethanat ndërkombëtare, pra me kërkesat e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, që bërja e shtetit të Kosovës të mos jetë një akt nacionalist shqiptar i tipit të bërjes së Shqipërisë në fillim të shekullit XX, por një akt modern, me referenca politike bashkëkohore. Pjesa tjetër ishin të bindur, madje disa syresh ende vazhdojnë ta ruajnë këtë bindje, se bërja e shtetit të Kosovës në mënyrë të natyrshme duhet të shoqërohet me bërjen e një kombi-shtet, i ndarë në shumë pika identitare jo vetëm nga pjesa tjetër e kombit shqiptar, por edhe nga idetë integraliste. Të tretët mendojnë se kosovarët, për shkak të historisë dhe të politikës tashmë janë diferencuar vetvetiu brenda etnisë shqiptare, se etnia është një tërësi më e gjerë, ndërsa kombi është nëndegëzim brenda kësaj etnie. Të katërtët, e panë refuzimin e Shqipërisë kundrejt Kosovës, me bazë historike, kulturore dhe politike si pengesë të pakapërcyeshme të funksionimit të tërësisë shqiptare, prandaj menduan se zgjidhja e vetme mbetej bërja identitetit kosovar dhe, gradualisht, edhe të kombit kosovar. Të pestët, nën trysninë e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, e perceptuan Kosovën si një gjendje të ndërmjetme, një territor i ndarë dhe i diferencuar, një identitet gjithashtu i ndarë dhe i diferencuar, i cili rri diku në mes, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, që domethënë se është etni shqiptare, por me një ndikim të fuqishëm të Serbisë brenda përbërësve të saj të identitetit, diçka si Moldavia që rrinte dhe vazhdon të rrijë ndërmjet Rumanisë dhe Rusisë. Të gjashtët, veçmas një pjesë e klasës politike, e cila u popullarizua gjatë viteve ’90, e perceptoi Kosovën si një principatë mesjetare, ku princi kishte një suitë, një oborr, një pallat dhe jetonte në iluzione se tashmë e kishte bërë shtetin e Kosovës. Të shtatët, pas luftës së fundit, panë se Kosova e vogël mund t’i plotësojë kërkesat themelore të pushtetit, duke ofruar kuadër të mjaftueshëm për një pashallëk anadollak, ku mund të sundohet, ku mund të abuzohet, ku mund të bëhesh i pasur, ku mund të vidhet, ku mund të merresh me krim të organizuar, ku mund të manipulosh çdo shenjtëri për interesa meskine. Të tetët, me sensin e jashtëzakonshëm të nuhatjes së prirjeve të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare që mbështeste Serbinë dhe që kishte të ngulitur idenë se Kosova duhej të rrinte në mes, në mënyrë që të mos prishte drejtpeshimin ballkanik, bërjen e identitetit kosovar e panë si mundësi për vjelje fondesh dhe tani ata janë përfitues të mëdhenj që ua ofron kosovarizma. Të nëntët, të stigmatizuar si bashkëpunëtorë të hapur ose të fshehtë të Serbisë, ose si trashëgimtarë të damkosur të atyre që kanë bashkëpunuar me Serbinë, në identitetin kosovar gjejnë nëse jo alibinë e plotë për veprimet antikombëtare të bëra në kohë të ndryshme, atëherë gjithsesi një azil sadopak të qetë; nëse jo mundësinë për rikuperim, atëherë gjithsesi shansin jetësor për rehabilitim…

Atëherë, nëse kaq shumë kategori të qytetarëve të Kosovës kanë interesa që të konsolidohet identiteti kosovar dhe më pas të bëhet edhe kombi me këtë paradigmë, fitohet përshtypja se ky proces jo që nuk mund të ndalet, por tashmë mund të konsiderohet i përfunduar, sepse na qenkësh vullnet pothuajse plebishitar i popullit të Kosovës. Por a është kështu? Në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë. Të gjitha këto kategori që i përmendëm më sipër, jo vetëm që nuk përbëjnë një shumicë në Kosovë, por numerikisht janë pakicë krejtësisht margjinale. Ata janë të identifikueshëm dhe kanë medialitet, interesat e tyre janë të tejpashme dhe nuk gëzojnë një mbështetje të gjerë në Kosovë. Në të vërtetë, në rrethanat tona duhet bërë një diferencim të qartë ndërmjet idealit kombëtar, ku tashmë është përfshirë edhe bërja e shtetit të Kosovës, dhe deformimeve politike, ideologjike, botëkuptimore dhe të tjera, që e kanë përcjellë dhe vazhdojnë ta ndjekin këtë proces. Ideali i bërjes së Kosovës i ka mundur dhe i ka arsyetuar të gjitha. Ideali i bërjes së Kosovës u ka krijuar alibi edhe keqpërdoruesve më të mëdhenj të kësaj ideje dhe të këtij ideali. Liria dhe bërja e Kosovës fsheh me lehtësi edhe keqpërdoruesin e pushtetit, edhe spiunin, edhe kriminelin, sikundër që neutralizon dhe e bën të paidentifikueshëm patriotin e madh, njeriun e sakrificës, mendjen e ndritur, të gjithë këta të lënë në margjinë për shkak të zallamahisë së përgjithshme dhe mungesës së rendit të vlerave.

Mesazhet negative

Kosova ishte projekt i idealistëve shqiptarë, përpara se të bëhej projekt i bashkësisë ndërkombëtare. Ajo, krahas arritjeve të pamohueshme, kishte dhe vazhdon të ketë dështimet e saj. Ka qenë e pritshme që një numër deformimesh të shfaqeshin përgjatë gjithë procesit të bërjes së Kosovës, sepse vetë procesi ishte shumë i ngatërruar, shpesh kontradiktor dhe me ndërhyrje nga të gjitha anët. Vetë shqiptarët e Kosovës duhej të ishin qenie të mbinatyrshme që të mos binin pre e sfidave të llojllojshme, të ngasjeve dhe grackave të ndryshme, të shitjeve dhe blerjeve, të ofertave të leverdishme dhe mundësive pa fund për të deformuar procesin. Fazën e idealizmit e karakterizoi një homogjenizim i paparë i shqiptarëve të Kosovës. Dihej se kjo nuk mund të ishte gjendje reale, sepse çarjet do të ndodhnin, së pari në vetëdije, në kontalacionin psikologjik dhe emocional të individëve dhe të kolektivitetit, pastaj edhe në veprimet e tyre praktike. Dikush kishte vuajtur burgjeve dhe donte kompensim moral dhe material për atë që kishte bërë. Dikush tjetër kishte luftuar dhe tani donte kompensim moral dhe material për sakrificën e tij. Dikush kishte tradhtuar dhe donte të mos quhej i tillë. Dikush kishte qëndruar anash dhe kërkonte çastin e volitshëm që të futej në valle. Dikush kishte qenë i shtypur dhe te liria dhe shteti i Kosovës kërkonte status të ndryshuar social. Dikush kishte qenë i privilegjuar dhe këto privilegje kërkonte t’i ruante edhe më tej. Dikush kishte luftuar për interesa meskine, dikush për ideale, por erdh një çast kur palët u barazuan, madje kërkonin t’ia zinte vendin njëra-tjetrës. Vetë historia më e re e Kosovës kishte predispozita të jashtëzakonshme që patrioti dhe tradhtari shpesh t’i ndërronin vendet.

Kosova, mbi të gjitha, e kishte përjetuar një fazë të zgjimit dhe të ngritjes kombëtare në kohën e komunizmit, një lloj dyzimi ndërmjet nacional-komunizmit shqiptar dhe të socializmit vetëqeverisës jugosllav. Trashëgiminë e saj patriotike e pretendojnë të dyja palët, edhe ata që ishin viktima dhe ideologjinë komuniste marksiste-leniniste të Partisë së Punës së Shqipërisë e përvetësuan si alibi për bëma patriotike; sikundër edhe persekutorët e tyre, të cilët nacionalistët i luftuan me të gjitha mjetet, i dënuan, i vranë dhe i burgosën në emër të jugosllavizmës, por, më anë tjetër, bënë autonominë e Kosovës, bënë institucionet, bënë një kuadër politik, ku pat mundësi të zhvillohej integralizmi shqiptar. Tani së voni del një palë e tretë, e cila e mohon edhe njërën, edhe tjetrën, sepse të dy palët paskëshin qenë komunistë dhe se kjo ideologji në esencën e saj ishte antikombëtare. Më anë tjetër, një pjesë e antikomunistëve shqiptarë, pra edhe ata kosovarë, kishin degraduar në fashistë. Ose mund të mos kishin qenë të tillë, por ata e kishin humbur luftën dhe për një kohë të gjatë nuk arritën të luanin asnjë rol në bërjen dhe ribërjen e Kosovës.

Pra, është shumë e vështirë që të ndërtohet një Kosovë ideale mbi kontradikta të këtilla. Nuk qëndron ideja se të gjithë shqiptarët e Kosovës kanë qenë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë dhe se bërja e paqes shoqërore, duke lënë në harresë të shkuarën nuk paraqitet si opsion real i zgjidhjes së ndonjë problemi. Kjo nuk ka ndodhur askund dhe Kosova nuk përbën ndonjë përjashtim. Çështjet duhet të sqarohen, të zbardhet roli i secilit, sepse në të kundërtën, nëse vazhdohet për një kohë të gjatë të jetohet mbi kundërshti të këtilla, Kosova humb vlerën më të çmuar që ka, idealizmin. Pikërisht, idealizmi i shqiptarit të Kosovës është në krizë të madhe, për shkak të një ngatërrese që ka ndodhur në sistemin e vlerave dhe në rrafshimin ose zëvendësimin e vlerave me antipodin e tyre, pra me antivlera, ose me shkëmbim vendesh, ose me shndërrime të pamundshme. Ideja se Kosova ka jetuar mbi kontradikta të mëdha dhe, si e tillë, duhet ta tejkalojë këtë situatë me një harmoni mbihistorike nuk mund të qëndrojë, sepse lëndon shumë viktimat e një përpjekjeje të gjatë me shumë rrëfenja tragjike, sikundër që mbyll të gjitha mundësitë që dikush të ndjekë rrugën e idealizmit, pra të bërjes së një Kosove pa ngasje negative.

Në një rrethanë të këtillë të kontradiktave të mëdha, Kosova nuk mund të kthehet prapa, që ta rifillojë procesin e ribërjes, por ajo duhet të fillojë procesin e diferencimit të vlerave nga antipodet e tyre. Ajo duhet të fillojë me historinë, veçmas nga Lufta e Dytë Botërore e prapa, duke qartësuar saktësisht përparësitë dhe dështimet. Themi nga Lufta e Dytë Botërore, sepse ndodhitë e kësaj periudhe kanë pasur reflektim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në Kosovë. Kjo nuk bëhet për arsye akademike, por për shkak të një pragmatizmi ekzistencial. Nga kjo distancë nuk është aq e vështirë të dihet se kush çfarë bëri në këto zhvillime, kush ishte vrasësi dhe kush ishte viktima, kush i persekutuari dhe kush persekutori. Apo të arrihet një konsensus shoqëror, duke analizuar faktet, të dhënat, dokumentet, se Kosova, për shkak të specifikave, nuk mund të bëjë një diferencim të qartë të këtyre kundërshtive. Kjo vlen edhe për periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Duhet të sqarohen bëmat e të gjithëve, të nacionalistëve, të nacional-komunistëve, të komunistëve jugosllavë, të autonomistëve, të marksist-leninistëve, të spiunëve të ish-Jugosllavisë dhe të spiunëve të Shqipërisë, të atyre që e kanë pësuar për shkak të idesë së lirisë dhe të atyre që e kanë pësuar për shkak të ideologjisë. Askush nuk mund ta ruajë të paprekur e të pandotur idealin e Kosovës, kur, ta zëmë, në faqet e shtypit, ose në TV shfaqen spiunët ordinerë të UDB-së, ose edhe trashëgimtarët e tyre dhe thonë se ata patën rol të rëndësishëm në bërjen e Kosovës. Kjo, përveç që hedh baltë mbi historinë dhe fyen viktimat, e zhvlerëson idealin dhe përcjell një mesazh tepër kontradiktor, negativ, për të ardhmen e këtij vendi.

Dhe, pikërisht, janë mesazhet negative që vijnë nga të gjitha anët, të cilët e tronditën deri në themel idealin e Kosovës. Mesazhe të këtilla vijnë nga historia më e largët dhe nga historia më e afërt. Mesazhe të këtilla vijnë nga periudha e komunizmit, nga koha e socializmit jugosllav dhe nga koha e socializmit shqiptar. Vijnë edhe nga periudha e homogjenizimit të paparë të shqiptarëve të Kosovës të fundit të viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90, nga krejt periudha e të ashtuquajturës rezistencë paqësore, sikundër që vijnë edhe nga periudha e luftës së fundit dhe nga vitet e para pas saj. Mesazhe negative vijnë nga vitet e lirisë, nga bëmat e të huajve dhe nga ata që Kosovën e kishin atdhe të vetëm, pa një vend tjetër ku mund të futnin kokën. Kjo shumë e mesazheve negative është e jashtëzakonshme, e tillë që rrezikon çdo gjë në këtë vend, përfshirë edhe vlerat morale dhe idealin.

Vazhdo leximin

MË TEPËR

Radar1 ditë më herët

Dalina Buzi: Parashqevia, ylli shqiptar që e fshiu vendin e vet, i vetmi që e deshi e s’do e linte të mblidhte ndihma

Dalina Buzi, tregon përmes një eksperience personale dhe profesionale nga viti 2003 kur e gjendur në Amerikë për të ndjekur...

Kryesore2 ditë më herët

“Trump është legjendë, ju jo” / Evi Kokalari sulmon Sali Berishën!

Aktivistja Evi Kokalari dhe kreu i PD Sali Berisha Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar sërish pas deklaratave të bëra një...

Aktualitet2 ditë më herët

“Nuk i njeh askush s’ka njeri që di të përmendë 5 emra ministrash në këtë vend “

Lorenc Vangjeli: Analisti Lorenc Vangjeli foli në “Top Story” për deputetët në Kuvend, teksa disa prej tyre i konsideroi si...

Kioske2 ditë më herët

Tiranës i duhet një metro

Eduard Zaloshnja Zona metropolitane e Tiranës, që përfshin bashkitë Tiranë, Kamëz e Vorë, ka plot 716 mijë banorë, 216 mijë...

Radar2 ditë më herët

Basha: Partia Demokratët Euro Atlantikë ka kolosë në gjirin e vet. Rakipi: Në Atlantik ka peshq

Lulzim Basha, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se në partinë Demokratët Euro Atlantikë ka “kolosë” të cilët...

Mix3 ditë më herët

iPhone 17 Pro, Apple gati për të revolucionuar dizajnin: këto janë risitë e mundshme

Me sa duket, risitë që vijnë në iPhone 17 nuk do të kenë të bëjnë vetëm me ekranin. Në fakt,...

Mix3 ditë më herët

Kush është blogerja Bettina Anderson? 5 gjërat që duhet të dini për të dashurën e re të Donald Trump Jr

Bettina Anderson u bë e famshme pasi u shfaq krah për krah me Donald Trump Jr. Në fotot e marra...

Radar3 ditë më herët

Nuk është shaka/Nis dialogu me qytetarët për luftën ndaj korrupsionit

Teksti më poshtë është marrë nga ATSh dhe sugjerohet si lajm nën titullin: Komisioni i posaçëm antikorrupsion, nisin nga Durrësi forumet...

Kritike3 ditë më herët

Mashtrimin e Edi Ramës me rritjen e pagave e beson vetëm Helena Kaçi

Nga Irena Beqiraj Në 7 prill 2023, ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimi, na dha lajmin e mirë...

Mix3 ditë më herët

3 ushqimet më të mira për mëngjes!

Tërshëra 1. Të gjithë e dimë se tërshëra është një superushqim. Gjëja më e mirë është që ju mund ta...

Facebook