“Kam lëshuar brezin përtokë dhe pres të ma shkelin”: kështu thuhej dikur kur dikush i kërkonte vetë shkaset për polemikë. Po të fus dorën në thesin e mendjeve elektronike do të zgjedh çfarë shkruan njëra prej tyre, në dukje “dashamire”, ndonëse përçart për nga arsyetimi:
“Mirë prof. po pse nuk u more me politikë aktive që në krye të herës. Çdo parti do ta kishte për nder. Kështu do kishe rastin të kontribuoje për të mirën e vendit. Jo vetëm Ju, por dhe mjaft personalitete nga bota akademike do ishin të mirëpritur. Por, siç duket, kini preferuar rehatinë për mos thënë diçka tjetër. Tani çfarë vlere kanë ato që thoni për Ramën, mbasi i kemi dëgjuar tash 20 vjet ashtu si thoni Ju e më keq. Sikundër kemi dëgjuar për krahun tjetër”.
Me sa di të lexoj, m’u kërkuaka llogari mua dhe jo atyre të cilëve mendjet elektronike u kanë dhënë votat. Po llogari për çfarë?
Me politikë, më së pari, jam marrë qysh kur kam ardhur “n’mend e n’shqise”, si i thonë fjalës. Ndërsa publikisht them se kam mundur të kontribuoj për të vërtetat politike të vendit tim – sadokudo modestisht – duke filluar nga korriku 1990: atëherë më qëlloi të hidhja hapin e parë për të denoncuar në shtypin perëndimor çfarë po ndodhte dhe çfarë kishte ndodhur në Shqipërinë diktatoriale nën një parti me histori që mbante era gjak e mish njeriu, siç është përshkruar.
Sepse as unë nuk i kam shpëtuar të qenit “kafshë politike”, të këtillë siç na paskan përkufizuar qysh prej lashtësie. Se sa më kanë lexuar dhe, sidomos, se sa ma kanë vënë veshin, ky nuk është problem imi. E kanë pasur alternativën të lexojnë e të dëgjojnë bejtexhinjtë e tyre politikë e pakta qysh më 1904 kur u shpik “tubi elektronik”, paraardhësi i transistorit që është baza e të procesorëve sotëm, central processing unit ose CPU.
Për ç’i takon Kryeshërbëtorit të sotëm të Shqipërisë i kam shprehur opinionet e mia publikisht dhe paraprakisht, si Nastradini. Qysh prej vitit 2011 kam numëruar “indiciet” e paaftësisë për të qeverisur të një individi që qytetarëve u lypte votat. Këtë kam quajtur detyrë ta bëja. Pa u marrë as me huqe të individit në fjalë, as me ekscentrizma vetjake të tij, as me familje a farefis.
Dhe, meqë ra fjala, edhe për “cilësinë” e parlamentit të tij të pritshëm e kam paralajmëruar rrezikun në një shkrim të njohur me titull “Pyka të vjetra, pyka të reja”etj. Rezultoi edhe më keq se paralajmërimet e mia ai parlament i tiji, – mund ta konstatoni për së gjalli, – sepse asohere shumë mendje elektronike të sotme e votuan. Dhe ka gjasë që as sot nuk kanë vullnet t’ia heqin votat.
Nëse me “politikë aktive” nënkuptohet marrja përsipër e qeverisjes së Shqipërisë, këtu mendjet elektronike bëjnë mirë të skajohen. As ka qenë, as është profesioni im dhe, nëse do të ofrohesha për të qeverisur, do të tradhtoja pikërisht atë çfarë kam kritikuar te të tjerët: shpirtin e aventurës të gjithkujt merr përsipër barra që as i takojnë, as i mban dot.
Profesioni im bazë është mësues – më i nderuari profesion në botë mbas prindit – dhe shkrues librash. Sikur në këtë botë gjithkush të qëndronte e të kontribuonte në profesionin e vet, e kam stërpërsëritur, edhe rruzulli tokësor do të rrotullohej më lehtë. Përfshij në këtë mes edhe një mësues të respektuar vizatimi, edhe një pedagog të nderuar pikture etj.
Ndërkaq, ndaj çdo qeverisjeje të keqe – “çqeverisje” e quanin demokratët e viteve ’30 të shekullit të kaluar – jam në të drejtën time si qytetar i lirë të reagoj, përpos se të jap mësim e të shkruaj libra, sepse jam edhe unë individ që më qeverisin keq. Kam reaguar ashtu, për shembull, edhe në dhjetorin e 1996-s ndaj degradimit të qeverisjes së atëhershme duke bërë thirrje që ajo lloj qeverisjeje të merrte fund.
Të reagosh ndaj çdo qeverisjeje të keqe, nga dokushdo që atë ta ushtrojë, jo që nuk është ndonjë “rehati”, por e kundërta: do të thotë t’i nxjerrësh zavalle kresë, të bëhesh rehatsëz. Kushedi çfarë “rehatie” do të kisha shijuar po të isha mbyllur në dhomën e librave e të kisha heshtur! Do të isha dendur në “rehat-llokum”: besoj të kenë mbetur lexues që ta dinë për çfarë është fjala, jo për atë katrorin, por për atë që vjen në trajtë suxhuku.
E kam quajtur fat të madh që jo të gjithë kemi qëlluar “nxënës të Konicës”, i cili pati arritur deri të thotë: “Më mirë të shesë pleh njeriu se sa të nisjë punë për Shqipëtarët”. Madje edhe më ligsht: “Më mirë të shesë mut njeriu se të shkrojë për Shqipëtarët”. “Nxënës të Faik beut” mendjet elektronike kanë idhullin e tyre prej balte, që e kanë votuar dhe mund t’ua ketë ënda ta votojnë ende. Atyre po:t’u bëjë mirë “rehat-llokumi”.