Çmimi i energjisë, Shqipëria renditet tek vendet më të shtrenjta
Familjet shqiptare paguajnë për 1,140 lekë për 100 kWh energji të shpenzuar. E matur sipas fuqisë blerëse, të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se ata e paguajnë energjinë më shtrenjtë se Islanda, Norvegjia, Finlanda, Luksemburgu, Serbia, Holanda, Malta, Franca, Suedia, Lituania, Maqedonia e Veriut, Austria, Mbretëria e Bashkuar (mungon informacioni për Kosovën dhe Bosnjën, por Kosova në vlerë absolute në euro ka energjinë më të lirë në Europë).
Shqipëria renditet në këtë mënyrë e 14-a më e lira, nga 35 shtete të Europës, me 18.4 PPS për 100 kWh ( PPS është një referencë e përbashkët që eliminon nivelet e përgjithshme të çmimeve midis vendeve). Më e shtrenjtë, sipas fuqisë blerëse, energjia është në Turqi, Gjermani dhe Portugali (shiko tabelën).
Të matura në vlerë absolute, çmimet e energjisë në Shqipëri janë të pestat më të lirat në Europë, (9.1 euro për 100 MW) pas Kosovës (6.4 euro), Serbisë (7.1 euro), Maqedonisë së Veriut (7.9 euro), Turqisë (8.6 euro). Por, për shkak të të ardhurave të ulëta, familjeve shqiptare u duhet një pjesë më e madhe e buxhetit të tyre për të paguar faturat e energjisë.
Pesha e taksave në çmimin mesatar të energjisë në Shqipëri është 17%, ndër më të ulëtat në Europë, përveç Maltës (6%) dhe Maqedonisë së Veriut (15%) dhe 37% që është mesatarja e BE. Të dhënat janë për 6 mujorin e dytë të vitit 2018. Në këtë periudhë çmimet e energjisë nuk kanë shënuar rritje në Shqipëri.
Europa
Sipas Eurostat, në vendet e BE-së, çmimet mesatare të energjisë elektrike në gjysmën e dytë të vitit 2018 ishin më të ulëtat në Bullgari (10.1 euro për 100 kWh), Lituani (11.0 euro) dhe Hungari (11.2 euro) dhe më e larta në Danimarkë (31.2 euro), Gjermani (30.0 euro ) dhe Belgjikë (€ 29.4). Çmimi mesatar i energjisë elektrike në BE ishte 21.1 euro për 100 kWh.
Shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS), një referencë e përbashkët që eliminon nivelet e përgjithshme të çmimeve midis vendeve, mund të shihet që çmimet më të ulëta të energjisë elektrike shtëpiake janë në Finlandë (13.7 PPS për 100 kWh) dhe Luksemburg (13.8) Holandë (15.2), Maltë (15.7), Francë (16.4), Suedi (16.5) dhe Lituani (17.3). Çmimet më të larta të shprehura në PPS u regjistruan në Portugali (28.2), Gjermani (28.0), Spanjë (27.4), Belgjikë (26.6), Rumani (26.3), Qipro (24.5) dhe Poloni (24.3).Monitor