Topi: Ftesa nga Sali Berisha për të hyrë në politikë
Ish-presidenti Bamir Topi ka vendosur të bëjë rrëfimin e tij politik përballë një interviste të gjatë me gazetarin Bashkim Hoxha. “Nokturn” quhet libri autobiografik, i cili vjen për lexuesit nën logon e UET PRESS. Libri është pjesë e kolanës “Scripta manet”, një kolanë e rëndësishme, së cilës i janë bashkuar autorë me kontribute të larta në mendimin dhe historinë e Shqipërisë. Librat e kësaj kolane janë nderuar me çmime të ndryshme në disa aktivitete. Më poshtë po botojmë një pjesë nga ky bashkëbisedim, ku ish-presidenti tregon hyrjen e tij në botën e politikës.
Dje, në ambientet e rezidencës së familjes Topi, libri u prezantua përpara qindra personaliteteve të ftuara, në një festë që përkonte dhe me përvjetorin e 62 të lindjes.
Bashkim Hoxha:
Po si hyri shkencëtari i ri, qytetari i thjeshtë në politikë?
Bamir Topi:
KA QENË NJË FTESË E SALI BERISHËS.
Nga fundi i marsit të vitit 1996, më vjen një ftesë nga presidenti i kohës, Sali Berisha, të cilën ma solli në zyrë korrieri i tij personal.
Isha ftuar në një darkë në Pallatin e Brigadave, shtruar në nder të një delegacioni të Këshillit të Europës; një vit më parë Shqipëria ishte pranuar si anëtare në këtë organizëm.
Ajo që më bëri përshtypje nga të ftuarit, ishte fakti që isha i vetmi midis shqiptarëve që nuk kisha një pozicion të lartë në shtet dhe qeveri.
Në këtë numër të kufizuar njerëzish vura re se prania ime zgjoi kureshtje midis tyre.
Më parë, në vitin 1992 unë u isha larguar interesave politike dhe po vazhdoja me qetësi e me pasion karrierën profesionale, edhe pse ofertat kishin qenë të qarta.
Mesa dukej, përveç Berishës, qoftë Arbnori, Meksi, Tritan Shehu apo Fatos Beja po gjykonin se ç’do të thoshte prania ime midis tyre.
Shumë shpejt, disa ditë më pas, erdhi ftesa për të kandiduar për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 26 majit 1996.
Biseda ishte e qartë. Tashmë, sipas tij, e kisha përmbyllur me sukses karrierën profesionale. Një vit më parë kisha marrë titullin “Profesor” dhe isha i lirë për të ngritur “stekën” dhe për t’u angazhuar në politikë.
Për hir të së vërtetës, ndryshe nga katër vite më parë, nuk u mendova gjatë dhe e pranova si një sfidë të re për veten, familjen time dhe për vendin. Për më tepër më pëlqente, por veprimtaria politike si fushë, ishte diçka ndryshe.
Kisha filluar ta ndiej nga afër nevojën për të qenë në vendimmarrje politike për mjaft çështje që lidheshin me bujqësinë e ushqimin, duke qenë i pezmatuar prej mjaft vendimeve që merreshin pa profesionalizmin e duhur, për degën më të rëndësishme të ekonomisë kombëtare.
Pasi vendi kishte hyrë zyrtarisht në fushatë, mora vesh se isha caktuar kandidat në zonat kodrinore e malore të Tiranës, në zonën 40, përbërë nga 6 komuna dhe 73 fshatra me elektorat në dominancë të Partisë Socialiste. Zall Bastari, Shëngjergji, Petrela, Bërzhita, Kërraba dhe Baldushku ishin komunat, fshatrat e të cilave duhej t’i “shkelje” me këmbë brenda 1 muaji.
Një miku im, Njazi Kosovrasti, që e njihte mirë situatën zgjedhore në Tiranë, më thotë:
— Mos e prano!
— Pse? — i thashë.
— Është një zonë elektorale e krijuar në atë mënyrë për ta humbur dhe për t’ia kaluar PS-së. Ti duhet të garosh në qytet, pasi aty i ke lidhjet dhe je djalë tirone.
— Nuk kam çfarë të bëj tani. Do të bëj gjithçka për ta fituar, por edhe po humba, nuk është fundi i botës.
Sido që të vijë puna, mua më pëlqen instituti dhe puna shkencore.
Kështu fillova të organizoj një fushatë, ndoshta më e bukura e aktivitetit tim politik. I shoqëruar nga Tasim Mema, Nazmi Rudi, dr. Arqile Boti dhe dr. Piro Eski, brenda një muaji udhëtova, më shumë në këmbë sesa me makinë, në 73 fshatra, shumë prej të cilave i vizitova dy herë, për të takuar sa më shumë njerëz dhe për t’i bindur jo shumë politikisht sesa profesionalisht, se cila duhej të ishte perspektiva e tyre. Banorët e këtyre zonave ishin njerëz të mirë dhe izolimi nga infrastruktura e dobët i kishte bërë mikpritës.
Kjo zonë e çuditshme nga shtrirja territoriale ishte në kufi me shtatë rrethe, si: Kruja, Mati, Librazhdi, Elbasani, Peqini, Rrogozhina e Kavaja.
26 maji erdhi dhe paradoksalisht në asnjë qendër elektorale nuk u panë parregullsi dhe ndonëse Partia Socialiste ishte tërhequr, populli i kësaj zone, në mungesë informacioni, vazhdoi të votojë dhe kur erdhën rezultatet unë kisha fituar me 52% të votave.
Isha i lodhur, por i gëzuar. Brenda një muaji kisha rënë 10 kg në peshën trupore, kjo tregonte mundimin e madh fizik e psikologjik.
Atmosfera pas zgjedhjeve nuk ishte e qetë, për shkak të kontestimeve të krahut të majtë. Sidoqoftë parlamenti u konstitua dhe më 11 korrik pata një takim në zyrën e presidentit, i cili më komunikoi që isha përzgjedhur për të drejtuar si ministër, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit.
Ishte një lajm i bukur, për një fushë që unë e kisha linjën e profesionit tim dhe e njihja mjaft mirë.
Unë do të zëvendësoja z. Hasan Halili, i cili në një bisedë konfidenciale në çastet e marrjes së detyrës më tha:
— Më lejo një bisedë miqësore?
– Patjetër! — i thashë.
Me një buzëqeshje në buzë me doza ironie vazhdoi:
— Unë vij nga fshati dhe kam qenë për shumë kohë në kooperativë, ndërsa ti vjen nga shkenca dhe je djalë qyteti. Eksperienca më thotë se me intelektualët sillu si intelektual, me fshatarët si fshatar!
— Këtë të fundit nuk e premtoj, — i thashë duke qeshur.
— Ti duhet ta dish i thashë se, kam një eksperiencë të përzier, lindur dhe rritur në qytet, disa vite punë në fshat dhe më tej në shkencë. Drejtimi i një ministrie është sfidë e panjohur për mua. Shpresoj të na shkojnë punët mirë.
Kështu filloi detyra si ministër i Bujqësisë e Ushqimit, që në të vërtetë zgjati rreth tetë muaj, për shkak të krizës së vitit 1997.
Puna në ministri filloi me shumë pasion, por edhe me një volum të jashtëzakonshëm të punëve që ai institucion i ka në çdo kohë.
Konsideratat e para konfirmuan dyshimet e mia se Ministria e Bujqësisë shikohet nga politika e lartë si një gjë pa vlerë, e fundit në radhën e gjërave, si një gjë që ka të bëjë me fshatarët, disa prej të cilëve i kishin rrënjët në fshat.
Aty kuptohet nga afër që ata që përfaqësonin shqiptarët në kreun e shtetit nuk e shikonin larg vizionin për ekonominë.
Baza e ekonomisë kombëtare financohej për faqe të zezë. Prona ishte copëzuar, por për shkak të politikës, prodhimi ishte kryesisht për konsum familjar dhe pa asnjë mundësi që të kapej tregu. Mungonin pikat e grumbullimit dhe ruajtjes së prodhimeve, subvencionet, organizimi dhe garantimi i tregut.
Pavarësisht se kanë kaluar mbi 20 vjet qysh atëherë, pak hapa janë bërë në zona të veçanta dhe arsyeja pse shqiptarët vazhdojnë të kenë në fjalorin e tyre bukën e gojës, tregon se i janë larguar bujqësisë, blegtorisë, politikave favorizuese dhe ja ku jemi: kemi fusha të mjaftueshme për tregun tonë dhe importojmë nga të tjerët, kemi mundësi për blegtori dhe qumështin e blejmë jashtë Shqipërisë, kemi ujë dhe në restorantet në përgjithësi konsumojmë ujë të vendeve të tjera.
Ky është rasti për të thënë se i varfër është ai që e ka mendjen të kufizuar dhe kjo vlen për politikën së pari.
Muajt e parë po përballesha, përveç rutinës, me një problem që po imponohej nga ndërthurja e firmave piramidale me investimet në bujqësi e blegtori. Nuk jam në gjendje të pohoj sot se vërtet donin të investonin apo gjithçka ishte për alibinë e asaj gjëme që do të vinte më pas.
Në mesin e nëntorit të vitit 1996, së bashku me presidentin e kohës morëm pjesë në punimet e FAO-s në Romë.
Në përfundim të punimeve, presidenti italian, Scalfaro, organizoi një pritje për nder të delegacioneve të pranishme në Romë.
Berisha ishte shumë i tensionuar dhe para se të niseshim për në Pallatin Presidencial “Quirinale” më tha:
— Duhet ta shfrytëzojmë për të bërë sa më shumë takime, pasi duhet të qartësojmë ndërkombëtarët që zgjedhjet e 26 majit ishin të rregullta dhe gjithçka u organizua nga opozita.
Pjesëmarrja në atë pritje ishte e jashtëzakonshme, madje për herë të parë aty ndodhej i veshur me kostum civil edhe Fidel Kastro. Ky, për arsye “sigurie”, kish mbërritur në Aeroportin e Romës në orën tre të mëngjesit.
Unë takoja njerëzit që donte të bisedonte Berisha dhe menjëherë ai vinte mbrapa, takim pas takimi.
Realizuam mjaft takime, por atmosfera e tyre ishte e zbehtë dhe pa asnjë mesazh pozitiv për të. Tashmë mbështetja ndërkombëtare për Berishën kish rënë në kuota dramatike.
Duke u larguar shikoja pezmatimin e tij, por siç ndodh zakonisht para pak kamerave që prisnin në Aeroportin e Tiranës, situata u përshkrua me nota shumë pozitive dhe si për një vizitë të suksesshme.
Problemet që qëndronin në plan të parë ishin bojkotimi i Parlamentit nga opozita socialiste dhe firmat piramidale që gati kishin zëvendësuar reputacionin e shtetit dhe i kishin futur të gjithë shqiptarët në një parajsë false, në kafene e restorante, larguar nga punët, një pjesë e mirë kishin shitur shtëpitë dhe kishin futur lekët nëpër firmat rentiere, madje ky virus kishte kapur dhe emigracionin që e shikonin jetën në Shqipëri shumë më të lehtë.
Në një takim me përfaqësues të Bankës Botërore nga fillimi i dhjetorit, shikoja tek ata një shqetësim aq sa në fjalorin e tyre tashmë ishte futur një fjalë e re fenomeni “VEFA”, çka vinte në dyshim të gjitha skemat ekonomike të shtetit.
Në këtë atmosferë politike, padyshim më i shqetësuari ishte Sali Berisha, në ato kohë president.
Në fillim të janarit, nën kujdesin e USAID, ishin organizuar disa takime të rëndësishme me ministrat e Bujqësisë të Austrisë, Holandës, Suedisë dhe Gjermanisë.
Pjesë e delegacionit ishte dhe Njazi Kosovrasti, në atë kohë sekretar Shteti për Pushtetin Vendor. Ishte një mundësi e spikatur që çdo dy ditë të takoheshin ministrat e Bujqësisë të katër vendeve të zhvilluara, kjo falë forcës dhe prestigjit të USAID-it.
Kur biletat ishin marrë dhe gjithçka ishte gati për të nesërmen, vjen një telefonatë nga Berisha dhe pas fjalëve përshëndetëse më thotë të nisesha për ta takuar në vilën 4, të cilën ai e frekuentonte shpesh në këtë periudhë. Pa ditur çdo bisedohej, nuk kisha marrë asnjë dosje pune.
Sapo u futa në mjediset e Pallatit të Brigadave, oficeri më ftoi të qëndroja në një dhomë pritjeje, sa të lirohej nga takimi që kishte në atë moment. Nga dera e hapur kuptova që takimi kishte mbaruar dhe në korridor takoj Bashkim Gazideden, shefin e Shërbimit Sekret.
Çudia ishte se sa herë do të shkoja për të takuar presidentin, Gazidede do të ishte aty, ose edhe kur na gjente ne brenda, ai kishte prioritet para ministrave.
E konstatoja edhe nga disa kolegë ministra që shefi i SHIK-ut ishte bërë bezdi për ta, pasi në atë kohë përdorej jashtë çdo lloj limiti dhe arsyeje nga Berisha.
Sapo u futa në dhomën me oxhak, konstatova se Sali Berisha ishte tepër i çoroditur.
— Bamir, nesër në mëngjes do të më sjellësh një informacion për vreshtarinë në Shqipëri, pasi do të futemi me një projekt kombëtar për vreshta!
— Patjetër! — i thashë unë, — do të sjell informacionin, por unë nesër nuk do të jem, pasi nisem për në Vjenë!
Natyrisht që ai ishte informuar dhe bënte sikur nuk dinte gjë. Me një pamje aspak të qetë thotë:
— Nuk di gjë unë. Nuk më ka njoftuar Tritani.
— Unë, sipas rregullave, kam njoftuar Ministrinë e Jashtme dhe nuk e kuptoj pse nuk Ju kanë vënë në dijeni! Madje janë katër takime të organizuara nga USAID.
– Jo, jo nuk mund të shkosh, — vazhdoi.
Për të thjeshtuar zgjidhjen e këtij ngërçi të papritur, unë vazhdova:
– Përveç të tjerave kam njoftuar dhe kryeministrin.
Tek e fundit, unë isha ministër dhe punën e kisha me z. Meksi.
Sapo unë i përmenda kryeministrin, Berisha shkoi në ekstrem duke ngritur zërin:
— Zoti ministër, besoj se nuk e ke harruar që firmën në dekretin tënd nuk e ka vendosur kryeministri, por unë!
— Problemi është se nuk po shkoj për turizëm, por për vizitë pune, por nëse ju thoni të mos shkoj, po dorëzoj biletat dhe mbaron kjo punë! — vazhdova unë.
– Merru me Tritanin dhe vendosim, — tha ai.
Përpjekjet ishin të kota. Berisha kishte humbur arsyen dhe si përfundim ky tur takimesh dështoi. Realizova vetëm vizitën në Gjermani, që ishte planifikuar kohë më parë.
Këto biseda, por edhe çfarë dëgjohej nëpër ambiente të ndryshme, po e çonin Shqipërinë buzë greminës financiare, politike e sociale. Megjithatë ende kishte një qetësi të rreme, sikurse qetësia përpara stuhisë.
Edhe në fillim të janarit, ende vazhdonte inercia e kësaj “qetësie”. Në këtë kohë unë mora pjesë në Panairin e Gjelbër të Berlinit dhe në takim me ministrin gjerman të Bujqësisë u bënë biseda normale dhe u shtruan perspektiva bashkëpunimi.
Fill pas kthimit në Shqipëri, gjendja po ndryshonte me shpejtësi për keq dhe pas deklaratës tashmë të njohur të dhënë nga Berisha se paratë e shqiptarëve janë të pastra e të sigurta, erdhi një njoftim për një takim në Kryeministri.
Në një orë të mbrëmjes të datës 4 shkurt 1997, pas fjalës së shkurtër të kryeministrit Meksi, fjalën e mori Tritan Shehu, në atë kohë kryetar i PD-së, që fliste në emër të presidentit, si njeriu i besuar i tij.
– Dëgjoni! — tha Tritani, — situata në firmat rentiere është e rëndë dhe kompania “Gjallica” do të shpallë nesër falimentimin, duke përbërë një rrezik të reaksionit zinxhir edhe për të tjerët.
Meqenëse problemi më i madh lidhet me investitorët në Vlorë, do të organizohen takime me strukturat lokale për t’i bërë ballë kësaj situate që nuk do të jetë e lehtë. Tritani kishte pasur një eksperiencë të hidhur personale pak kohë më parë në Lushnjë, kur e morën peng në stadium më 25 janar 1997.
Kryeministri Meksi, mesa kuptoja, ishte për një qëndrim radikal ndaj tyre, që të bllokoheshin nga shteti dhe paratë të ktheheshin, sepse ende ishte një situatë që mund të shërohej.
Mesa duket linja e tij nuk ishte e njëjta me të presidentit, i cili kërkonte ta sillte gradualisht në tentativë për ta shuar dhe politikisht.
Mbasi morëm detyrat, secili u organizua me njerëzit e tij të fushës që mbulonte dhe të nesërmen u nisëm për në Vlorë. Ende asgjë nuk ndihej në këtë qytet. Më 26 janar ishte djegur bashkia e qytetit.
Mbledhja u organizua në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku u vu re reagimi i parë i fortë i përfaqësuesve lokalë që ishin anëtarë të PD-së, për situatën që parashikohej të ndodhte kur njoftimi të bëhej publik.
Unë isha i shoqëruar nga miku im, Aleksandër Flloko, i cili ishte drejtor i Peshkimit, djali i një mjeku të njohur në Vlorë dhe me njohje të gjerë. Më ftoi të shkonim për drekë te Turizmi i vjetër në hyrje të Lungomares së sotme. Restoranti për çudi ishte bosh dhe pasi u përshëndetëm me kamerierin, Flloko i thotë atij të ndezë televizorin për të ndjekur lajmet e drekës.
Kamerieri, një djalë i qetë dhe i njohur i Fllokos, bëri një shenjë si për të thënë: “Çfarë kanë lajmet sot që po i pret me interes?”.
Flloko i thotë se pritet të dalë pronari për të shpallur falimentimin e kompanisë “Gjallica”. Çuditërisht ai nuk e dha veten dhe vazhdoi të na shërbejë.
Ndërsa ora po shkonte 15:00, në edicionin e lajmeve të Televizionit Shqiptar, shfaqet pikërisht Fitim Gërcalliu, i cili e kish regjistruar deklaratën duke shprehur hidhërimin që kompania e tij nuk kish mundur të bënte përpara dhe po falimentonte. Ai siguroi kredituesit që do të bënte çmos t’i likuidonte detyrimet. Kjo deklaratë ishte nga ato që i ngjante një anekdote kur do të lajmëronin një ushtar për një ngjarje në familjen e tij duke i thënë: “Gjyshi është pak sëmurë, varrimi bëhet nesër në orën 15:00”.
Kjo gjendje u konfirmua nga kamerieri, i cili pyetjes së Fllokos se si do të përjetohej nga populli i Vlorës, ai tha se, nëse është e vërtetë, këtë qytet e ke në tym e flakë. E vërteta ishte me të. Më 5 shkurt u shpall falimentimi i Gjallicës, të nesërmen filluan protestat popullore.
Problemi ishte kudo, por qytetarët e Vlorës ishin kreditorët kryesorë të kësaj kompanie, shumë prej të cilëve me vlera të mëdha financiare.
U kthyem në Tiranë, për t’u konsultuar dhe për t’u rikthyer më datë 10 shkurt në Vlorë.
Situata ishte rënduar, por ende njerëzit ishin si të mpirë dhe ndoshta nuk kishte implikim të politikës opozitare për ta shfrytëzuar këtë situatë. Prej ditësh në Vlorë ishin instaluar dy anëtarë kryesorë të PD-së, Ali Spahia dhe Albina Karamitro, të cilët po asistonin strukturat politike të PD-së në Vlorë. Kur arritëm në qytet mora vesh se më datë 9 shkurt ishte sulmuar Komisariati i Vlorës, ndërsa gjatë natës kishin djegur një pjesë të godinës së zyrave të PD-së. Një ditë më vonë, 50 efektivë të forcave speciale sulmohen dhe shpartallohen barbarisht. Shenjë e keqe që gjendja po përkeqësohej.
Ndërsa transmetimi nga “Euronews” i atyre pamjeve rrëzojnë plotësisht autoritetin e mbetur nga shteti.
Pas disa takimeve me miq, sërish koha e drekës na zuri në zonën e Radhimës, ku vendosëm të hamë drekë përpara se të ktheheshim në Tiranë. Kur sapo kishim filluar, më merr në telefon Abdyl Xhaja, ministri i Industrisë, me të cilin shkonim shumë mirë dhe pyet:
— Ku je tani?
I thashë vendin ku ishim ulur dhe më tej ai vazhdoi:
— Nisu tani se kemi mbledhje qeverie, por mos kalo nga rruga në mes të qytetit, kalo nga Unaza! — duke mbyllur telefonin.
Në dalje të Vlorës e marr sërish në telefon dhe e pyes për orën e mbledhjes.
Pasi e mori vesh ku isha, më thotë se nuk ka mbledhje, por “të thashë të largoheshe se situata nuk ishte e mirë në qytet”.
E falënderova Abdylin dhe vazhdova rrugën për në Tiranë me një mijë mendime se si do të shkonte kjo punë.
Në mbrëmje, Tritani na mblodhi sërish dhe dukej më i ashpër, duke kërkuar që të nesërmen në Vlorë të ishte e gjithë qeveria. Mesa dukej edhe ai nuk i kishte nga vetja, sepse udhëzimet i merrte në Presidencë.
Ndryshe nga herët e tjera, fillimisht unë dhe Njazi Kosovrasti do të ndalonim në Fier e Patos dhe më pas, unë do i bashkohesha grupit të Vlorës.
Këto përpjekje ishin të dështuara, pasi psikoza popullore po ngjizej me shpejtësi dhe bënte me faj qeverinë e shtetin.
Në Fier u takuam me prefektin Haki Mustafa, i cili tregoi që edhe Fieri e rrethinat ishin në të njëjtën situatë si Vlora.
Në orët e para të pasdites marrim vesh se grupi i ministrave ishte penguar të kalonte urën e Mifolit nga njerëz të armatosur.
Në këto kushte, miqtë e mi po më thoshin se tani nuk kisha pse të shkoja në Vlorë.
I thashë që po e provoj, sepse kisha dhe kuriozitet, por më shoqëronte dhe një ndjenjë detyre që nuk më lejonte të mposhtesha.
Midis rekomandimeve të miqve të mi u nisa ende pa rënë muzgu drejt Vlorës.
Në timon ishte shoferi im, Gjergj Haxhia, dhe një oficer i ri i Gardës, Albert Allmuça, të cilët nuk po reagonin për asgjë dhe në makinë kishte një heshtje varri.
Pas rreth 30 minutash arritëm tek ura e Mifolit. Ndryshe nga paraditja, aty nuk kishte asnjeri. Një makinë e djegur ishte buzë rrugës pranë lumit duke e bërë situatën të zymtë dhe më enigmatike.
Pritën fjalën time dhe i them që të vazhdojmë. Kilometër pas kilometri, nuk dukej askush, as makina, as njerëz banorë të fshatrave.
Po shkonim në terr dhe nuk po merrnim vesh ç’po ndodhte.
Në kthesat e fshatit Panaja, oficeri m’u lut të dilja prapa dhe kështu ndodhi.
Ai mori pozicion të gatshëm për çdo situatë.
Pavarësisht se nuk mund të kishin gjë me mua personalisht, unë isha ministër e deputet dhe askush nuk mund të ishte i mirëpritur në Vlorë në ato çaste.
Errësira kishte rënë, ndërkohë ende nuk kishim parë njeri në rrugë dhe tensioni sa vinte e shtohej.
Në dalje të Panajasë shikojmë në distancë një makinë që kishte qëndruar në mes të rrugës dhe kishte ndezur sinjalet e bllokazhit.
Nuk kishte rrugë tjetër, po vazhdonim dhe kur u afruam pamë dy punonjës të policisë rrugore, të cilët ishin njoftuar nga Qendra e Sigurimit të Personaliteteve për të na thënë që të mos futeshim në qytet.
Pasi u përshëndetëm, njëri prej tyre më thotë se si ishte situata dhe për porosinë për t’u kthyer.
Pasi e dëgjova i thashë:
— E kuptoj situatën, por a mundemi të shkojmë deri në komisariat, që është në hyrje të qytetit?
– Po, mund të shkojmë, — tha.
U nisëm pas makinës së policisë dhe shumë shpejt arritëm në oborrin e komisariatit.
Zyra e Drejtorit të Policisë ishte në katin e dytë të ndërtesës, ndërsa nga oborri po dilnin me shpejtësi trupa të forcave speciale për të kontrolluar turmën e njerëzve në bulevardin e Vlorës.
Pamja e tyre ishte shumë e tensionuar. Nuk do t’i harroj fytyrat që mbuloheshin pjesërisht nga skafandrat.
Ngjita shkallët me nxitim dhe në fund të korridorit dëgjohej zëri i drejtorit të Policisë së Vlorës.
U shfaqa në zyrën e tij, ndërsa dera ishte e hapur dhe shikoj ish-zv/ministrin e Brendshëm, Agim Shehu, ulur dhe Sokol Mulosmanin, një ushtarak dinjitoz dhe mjaft civil, në kushtet e një komunikimi të tensionuar me vartësit në radio.
U përshëndeta dhe pashë një habi të madhe tek ata për praninë time të pazakontë në ato mjedise.
– Po ju, këtu?! — më tha Agim Shehu.
I thashë menjëherë:
— U nisa nga Fieri pasdite dhe ishte turp për mua si ministër e deputet të vija 5 km larg zyrave të shtetit e të sprapsesha. Erdha vetëm t’ju takoj dhe më thoni nëse keni ndonjë mesazh.
Agimi vazhdoi:
— Situata sonte është rënduar shumë. Kjo nuk është normale për ju dhe ndoshta është mirë të ktheheni sa më shpejt.
U ndava me ta me një ndjenjë keqardhjeje se si po shkonin punët dhe mora rrugën e kthimit për në Tiranë.
Sa më shumë largoheshim nga Vlora, aq më shumë çliroheshim psikologjikisht. Dukej sikur vetëm Vlora po vuante dramën e piramidave financiare, por në fakt e keqja më e madhe do të vinte më pas.
Ndërsa po futeshim në Golem, i ftova bashkudhëtarët e mi për një darkë të shpejtë te restorantet e Shkëmbit të Kavajës.
Çuditërisht lokalet ishin plot me njerëz. Ndihej qetësia dhe humori nëpër tavolina dhe papritur më erdhi nëpër mend filmi dramatik “Nata e fundit”, një film që tregonte ngjarjet në anijen TITANIK. Në film jepej qartë atmosfera se si në të njëjtin mjet që po fundosej, një pjesë që e dinte fundin po demonstronte hidhërim, ndërsa në restorantin e anijes vazhdonte muzika dhe vallëzimi, që më pas do të rezultonte vallëzim me vdekjen.
Pikërisht në ato çaste, në telefonin tim celular vjen një thirrje nga Tritan Shehu, nuk e di pse më krijonte përshtypjen që fliste nga zyrat në Presidencë.
– Ku je Bamir?
I thashë që po kthehesha, duke i shpjeguar situatën.
– Nuk e prisja që të ktheheshe! — tha ai.
Nuk ishte në natyrën e Tritanit, për më tepër që ishim miq familjarë, që të reagonte ashpër. E mbyllëm bisedën me një tension të kotë dhe ndërkohë arrita të kuptoj që drejtimi kishte filluar të rrëshqiste në kaos dhe pasiguri.
Kishte trokitur kriza më e rëndë politike në Shqipëri.
Tashmë kishte hyrë në lojë politika. Jo vetëm eksponentë të krahut të majtë, por edhe disa personazhe që kishin qenë në drejtimin e PD-së, apo edhe përfaqësues të partive të djathta si Sabri Godo, Hysen Selfo morën menjëherë bashkëveprimin dhe sintoninë me grupin “Bashkimi për Demokraci”.
Presioni po rritej, nga protestat e vazhdueshme nëpër qytete, por dhe nga organizimi i opozitës që sa vinin e shtronin ultimatum për dorëheqje të qeverisë.
Situata u komplikua së tepërmi kur në Vlorë u ekzekutua, nuk dihet nga kush, një burrë i ri vlonjat, Artur Rustemi.
Më 28 shkurt u sulmua ndërtesa e fundit ku shteti ishte i pranishëm, ajo e SHIK-ut, ku mbetën të vrarë disa oficerë dhe civilë.
Situata sa vinte e rëndohej dhe në Tiranë e qytete të tjera, ndërkohë që vjen lajmi i hapjes së depove të armëve e municioneve që pasoi me një çmenduri kolektive, e cila rrëzoi përfundimisht shtetin dhe e vuri nën kontrollin e rebelëve dhe bandave që sa vinin e krijonin mitin e udhëheqjes së re. Vendi po ndahej në zona, ku askund nuk kishte siguri.
Në mëngjesin e 12 marsit, një grup i rëndësishëm i ministrave kërkuam që të takonim kryeministrin Meksi për të vlerësuar situatën dhe rrugën se si do të vazhdonim.
Profesor Meksi, një njeri qytetar dhe intelektual, natyrisht po e përjetonte shumë keq atë situatë, por, me sa po kuptoja, nuk e çonte ndërmend idenë e dorëheqjes së qeverisë.
Në fakt në bisedë me Meksin ishim ne ministrat që po shikonim që vendit i duhej një dalje e detyruar nga ky lëmsh që ishte krijuar.
Pas më pak se 10-15 minuta bisedë Meksi na pyeti me radhë dhe të gjithë ishim për dorëheqje.
Në këto kushte dhe vetë ai e konstatoi pamundësinë dhe u shpreh:
— Meqenëse ju jeni në këtë mendim, nuk më mbetet gjë tjetër, por t’i paraqes presidentit dorëheqjen.
Dorëheqjen ai e paraqiti edhe publikisht pasditen e 12 marsit.
Po këtë ditë u dekretua nga presidenti Berisha Qeveria e Pajtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Finon.
Ministrat vazhduan detyrën deri në çastin kur do të zëvendësoheshin nga ministrat e rinj.
Qeveria e propozuar do të ishte e përzier me njerëz të grupimeve politike në mazhorancë e opozitë dhe duhej të merrte miratimin e Kuvendit më 13 mars 1997.
Seanca plenare e miratimit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, do të fillonte pasdite në orën 18:00, orë në të cilën fillonte shtetrrethimi, kur çdo lëvizje ishte me risk të madh.
Në këto kushte dola nga shtëpia në Rrugën e Barrikadave me makinën time “Audi 100” me benzinë. E specifikova, sepse ishte një makinë e shpejtë, duke më ndihmuar në situatën që ish krijuar.
Në oborrin e Parlamentit kishte pak deputetë, shumë tension dhe vetëm tre roje të Gardës që mbronin sallën e deputetët.
Nuk harroj përkushtimin e tensionin e njërit prej tyre, Nevruz Ndregjoni, kur kujdesej sa poshtë e lart që Kuvendi të mos mësyhej nga jashtë.
Gjuhej me armë nga jashtë në të gjitha drejtimet dhe në këto kushte me zor u arrit kuorumi për të miratuar qeverinë e zotit Fino, për t’u hapur rrugë përpjekjeve për të stabilizuar situatën.
Në përfundim të seancës, problemi më i madh ishte lëvizja. Një pjesë e deputetëve ishin në këmbë.
Në këto kushte, mora në automjetin tim Antoneta Dedën, Rexhep Karapicin me bashkëshorten që kishte ndjekur në sallë seancën dhe një deputet të ri me emrin Arian, të cilët banonin në një zonë diku te gjimnazi “Petro Nini”.
U futëm me shpejtësi në bulevard. I lashë të gjithë te gjimnazi dhe pasi u përshëndetëm mora rrugën drejt Drejtorisë së Policisë për të dalë te rruga “Myslym Shyri”, që më pas t’i afrohesha shtëpisë sime.
Para Drejtorisë ishin dy diagaçe të policisë që po organizoheshin për të patrulluar rrugët e Tiranës.
Me vete thashë “shyqyr që po rivendoset shteti”, ndërkohë që me shpejtësi po merrja kthesën te Sigurimet Shoqërore në rrugën “Myslym Shyri”.
Ndonëse rruga ishte bosh, filluan të vijnë plumba drejt makinës sime, njëri prej të cilëve u fut në kofien e automjetit. Arrita të dal nga rruga dhe të futem në rrugicën e tregut çam, ku rreth 50 metra në të majtë jetonte një nga miqtë e mi më të afërt, Agim Elbasani.
Dola nga makina dhe i rashë ziles së shtëpisë. U dëgjua zëri i Gimit dhe i thashë kush isha.
Hapi derën dhe më pyeti: “Çfarë ka ndodhur që je këtu?”, duke më parë të tensionuar.
Pasi u futëm brenda i shpjegova gjithçka, u telefonova në familje dhe vendosa të largohesha pas rreth një ore nëpër rrugicë për të arritur në shtëpi pas një mbrëmje të mbushur me ngjarje që nuk mund të harrohen.
Ditët po kalonin me ngjarje të rënda dhe gradualisht po përgatiteshin zgjedhjet e reja të qershorit 1997, ku Partia Demokratike nuk do të mund të futej në Jugun e Shqipërisë që dominohej nga Komitetet e Shpëtimit Publik.
Në këto zgjedhje korri një fitore të thellë koalicioni i majtë, duke marrë drejtimin si kryeministër Fatos Nano pas daljes nga burgu, duke propozuar qysh në krye të herës z. Rexhep Meidani për President të Shqipërisë.
Zgjedhja e tij u shoqërua me një shkrepje në masë të armëve, që sillnin jehonën e gëzimit për largimin e Sali Berishës nga Presidenca. Berisha erdhi menjëherë të nesërmen drejt Selisë së PD-së, pas deklarimit të dorëheqjes së Tritan Shehut nga kjo detyrë.
Në mbrëmjen e 24 korrikut, rreth orës 22:00 po kthehesha me familjen për në shtëpi dhe po përshkoja rrugën “Toptani” pranë selisë së PD-së. Në një çast u them që po futem të takoj Berishën, ndërkohë që ai vazhdonte të qëndronte në zyrë.
Nga dera e jashtme e ndërtesës, gjatë shkallëve dhe korridorit që të çonte në zyrën e vjetër të kryetarit të PD-së nuk ndesha këmbë njeriu. Gjithçka bosh aq sa mendova se kurrkush ishte brenda.
Duke iu afruar derës së sekretares, del dikush dhe pasi më pa më përshëndeti dhe bëri me shenjë që Berisha ishte aty. Ishte një djalë i mirë tropojan, mjaft i sjellshëm.
– Mirëmbrëma! — i them sekretares. — Ç’është kjo qetësi e madhe?
Mbasi u përshëndetëm ma bëri me shenjë që Doktori është në zyrë dhe vetëm.
Ndryshe nga herë të tjera që duhej të komunikonte përpara me të, ajo më tha të hyj.
Hapa derën dhe pashë një njeri tjetër nga ç’isha mësuar të shihja.
I strukur në kolltuk, i demoralizuar dhe ndoshta i hutuar për sa kish ndodhur atë ditë.
Paradite ai ishte larguar nga Presidenca dhe pas dorëheqjes “së vullnetshme” të Tritanit, Berisha ishte rikthyer kryetar i PD-së.
U përshëndetëm dhe pasi më ftoi të ulesha, i thashë se do të rrija vetëm pak minuta, pasi kisha familjen në makinë.
Priste që ta filloja unë bisedën i pari dhe kështu ndodhi.
— Doktor, — i thashë, — e di që kjo ditë është tepër e vështirë, por gjithçka do të jetë ndryshe duke filluar qysh nesër. Kjo që ka ndodhur nuk ka të bëjë vetëm me ju! Unë di t’ju them që tek unë llogarit një mik, — dhe për t’i treguar gatishmërinë time vazhdova: — Telefoni im është i hapur 24 orë, fatmirësisht shtëpia ime nuk është më larg se 300 m nga selia. Në çdo situatë unë do të jem këtu.
Pas këtyre fjalëve i thashë që po largohesha dhe se do të shiheshim.
U përshëndet gati i përlotur. Ishte në një gjendje morale të rënduar.
Ai moment i vështirë për PD-në dhe opozitën më motivoi thellësisht që të futesha me gjithë qenien time në politikën aktive.
Dukej qartë që Partia Socialiste dhe satelitët e saj e kishin shfrytëzuar mjeshtërisht dramën sociale të shqiptarëve të mashtruar në skemën e firmave piramidale, kishin inspiruar dhe mbështetur njerëzit e dhunshëm të rebelimit, ndërkohë që vendi kishte shkuar në pragun e luftës civile.
Për vendin, politikën, por edhe për Partinë Demokratike kishte ardhur një çast i fortë reflektimi për çfarë kishte ndodhur.
Viti 1997 do të dëshmonte, veç kaosit mbarëkombëtar, një sjellje arrogante të pushtetit të ri.
Të vazhdoje të ishe me PD-në në atë kohë përbënte një herezi, pasi të gjithë gjykoheshin moralisht kur vazhdonin të qëndronin rreth Berishës.
Në fakt, në një analizë të ftohtë e të logjikshme, Berisha vërtet ishte transformuar në lider të fortë me tipare autokratike dhe simptoma diktatoriale, por etja për pushtet ishte e madhe dhe tek opozita e tij. Dukej që Shqipëria ishte ndarë dhe ky përbënte një dëm të jashtëzakonshëm edhe për gjendjen e shoqërisë shqiptare në vitet që vinin. Në këtë periudhë pak njerëz të motivuar kishin mbetur në PD.
Grupi i deputetëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe Kryesia mbanin ndezur “flakën” e aksionit të opozitës që dukej sikur kishte humbur bashkë me betejën dhe luftën.
Sot kur bëj historinë e asaj periudhe, nga këndvështrimi im, dua të dalloj ata pak njerëz që mbanin hapur zyrat e PD-së së Tiranës, por mbi të gjitha kurajën qytetare.
Vinin në mëngjes dhe largoheshin vonë në mbrëmje pa pasur ndjesinë që dikush nga kati i dytë i ndërtesës do t’i vlerësonte për atë që bënin. Ishte ndjenja që përcaktonte sjelljen e tyre.
Vili Minarolli, Shaban Memia, Rexhep Karapici, Ekrem Kastrati, Bujar Qyqja, Tasim Mema, Xhemal Xhakoni, Mojsi Miraka, Ali Kazazi, ishin bashkë çdo ditë të periudhës më të zymtë që po kalonte Partia Demokratike.
Kishte ardhur aq e rëndë situata, sa ishte shumë e vlefshme që njerëzit, qoftë dhe fizikisht, të dëshmonin se ishin “gjallë”.
Në këto kushte muajt kalonin dhe si pa kuptuar ishim në fundin e verës së vitit 1998 kur politika u acarua së tepërmi me arrestimin e pesë njerëzve të PD-së me motive thellësisht politike.
Kjo ngjalli një lëvizje proteste në të gjithë Shqipërinë. Kish filluar të rizgjohej besimi se PD-ja, pas opozitës do të rikthehej.
Në këtë valë proteste, ne shkonim në të gjitha qytetet kryesore për të rizgjuar protestën e popullit që ende ishte shumë i traumatizuar nga ngjarjet e vitit 1997.
Në këtë klimë, më 12 shtator 1998 u nisëm për në Fier. Thuajse ishte gjithë Kryesia e PD-së. Podiumi i takimit që do të fillonte në orën 11:00 ishte ngritur para hotel “Turizmit” të qytetit dhe po mbante një numër të madh njerëzish aq sa nuk po thyhej.
Atmosfera e mitingut në Fier ishte shumë elektrizuese. Pas Berishës, si zakonisht e mori fjalën dhe Azem Hajdari që do të kishte këtu ligjërimin e fundit politik të jetës së tij.
Sulmet e fjalës së tij ishin të ashpra në drejtim të Fatos Nanos dhe qeverisë. Si zakonisht ishte njeriu më i drejtpërdrejtë.
Në përfundim të mitingut u përshëndeta për herë të fundit me Azemin.
— A do të nisemi tani? — tha, ndërkohë që ishte i entuziazmuar për takimin.
— Do të qëndroj me Nard Demin për të marrë videokasetën që do të përgatisë televizioni lokal i Fierit, — i them.
– Mirupafshim pra!
U ndamë. Ndërsa kaseta po bëhej gati ne qëndruam për një kafe në lulishten e hotelit.
Pasditja e 12 shtatorit 1998 ishte e gjallë në selinë e Partisë Demokratike.
Njerëzit e medias ishin në pritje të materialeve filmike. U largova për punët e mia dhe ndërkohë që ora po afronte 21:00, futem te rrugica e shtëpisë sime, te Rruga e Barrikadave, duke dëgjuar në atë kohë vetëm radion “Kontakt”.
Dola nga makina për të hapur portën e oborrit dhe ende pa fikur makinën dëgjoj, sikur të ndodhte në oborrin e shtëpisë, një zhurmë kallashnikovi me të cilin na ishte mësuar veshi përgjatë atij viti të mbrapshtë.
Mbasi mbylla portën e oborrit, po afrohesha te makina dhe papritur emisioni i lajmeve i orës 21:00 ndryshoi rrjedhën me një lajm tragjik.
“Sapo njoftohemi se pak çaste më parë është bërë atentat me armë zjarri pranë Selisë së Partisë Demokratike.”
Në vazhdim të fjalëve të tij spikeri informohet dhe thotë:
“Njoftohemi se lideri i dhjetorit, Azem Hajdari, është plagosur dhe është dërguar në spital. Së bashku me të është ekzekutuar truproja Besim Çera”.
Pasi futem pak çaste në shtëpi, u tregoj se çfarë kishte ndodhur dhe u thashë të qëndronin, sepse do të shkoja te PD-ja.
Një shi i lehtë kish filluar. Pa fikur makinën dola në Rrugën e Barrikadave dhe në një rrugë të boshatisur arrij për 1-2 minuta pranë selisë.
Policia kish bllokuar hyrjen te vendngjarja dhe më orientuan të futesha nga krahu i Parlamentit. Dola me shpejtësi nga makina, ndërkohë që shiu binte me rrëmbim.
U futa nëpër shkallë dhe takova Ibrahim Ndreun, një nga shoqëruesit e Berishës që më tha “është vetëm”. Deri në atë çast informacioni ishte për plagosje, ndërsa sa takoj Sali Berishën më thotë se Azemin e kishin vrarë.
Vazhdova nëpër tym ta pyesja:
— Si është gjendja?
— Ka mbaruar. Më njoftuan nga spitali. Kanë vrarë dhe shoqëruesin e tij, Besim Çerën.
Duke vazhduar më tha që të mblidheshim si Kryesi në orën 12:00.
Atë natë u mblodhëm për ceremonialin dhe natyrisht të gjithë ishin të vrarë shpirtërisht. Ishte ngjarja më e rëndë që kish ndodhur.
E nesërmja solli ngjarje të dhunshme pas protestave spontane të qytetarëve te Kryeministria, por dhe një vrasje tjetër ku u dyshua për snajper.
Ishte vrarë Skënder Kalenja, anëtar i Partisë së Ballit Kombëtar, një komshi imi, i cili njihej si një njeri i mirë dhe i butë. Situata po akumulonte shumë revoltë.
Sikurse ishte lajmëruar, ceremoniali po zhvillohej me homazhe në sheshin “Skënderbej” te platforma e Pallatit të madh të Kulturës.
Pas fjalëve të rastit, arkivoli me trupin e Azem Hajdarit mori rrugën e bulevardit drejt Kryeministrisë, detaj që nuk ishte parashikuar. Ky ndryshim rrugëtimi e futi politikën e vendit në një rrjedhë tjetër shumë të tensionuar e traumatike dhe politikisht më të rëndë se kriza e vitit 1997, e cila më shumë ishte financiare dhe sociale.
Isha së bashku me Albert Brojkën, të cilit i thashë se “situata po shkon drejt përplasjes”.
Tirana e datës 14 shtator 1998 kishte precipituar në kaos. Ky moment u shfrytëzua nga individë kriminelë rruge, të cilët plaçkitën dhe i vunë zjarrin dyqaneve në qendër të qytetit, duke zbritur njerëzit nga automjetet për t’ia rrëmbyer.
Ndërkohë kryeministri Nano ishte larguar jashtë Shqipërisë. Kjo gjendje e rëndë vazhdoi deri në mbrëmje, kur dukej se u qetësua, por vendi po futej në një klimë tensioni të lartë politik me një implikim të policisë, që kishte filluar të marrë fizionominë e një policie politike.
Në këtë situatë, kur demokratët ishin plagosur rëndë, qeveria hodhi idenë e mbajtjes së referendumit më 28 Nëntor 1998.
U mblodhëm në Kryesi dhe vendosëm qëndrimin politik për Kushtetutën.