Rrihet barbarisht gazetari turk, i njohur si kritik ndaj Erdogan-it
Gazetari turk, Yavuz Selim Demirag është rrahur në mënyrë barbare me shkopinj bejsbolli.
Yavuz Selim Demirag, gazetar turk.
TURQI– Një gazetar turk, i cili kritikonte shpesh presidentin, Rexhep Tajip Erdogan, u rrah nga një grup njerëzish me shkopinj bejsbolli.
Demirag u sulmua pak pasi u shfaq në një emision televiziv të premten mbrëma. Sulmuesit e tij ikën në një automjet dhe nuk janë kapur ende.
Sulmi vjen pasi tensionet janë në rritje për zgjedhjet e kontestuara të kryebashkiakut të Stambollit. Shoqata e Gazetarëve të Turqisë tha se sulmi nxjerr në pah lirinë e shtypit të vendit.
“Politikanët që kanë vështirësi të përkrahin idenë e lirisë së mediave dhe të shprehjes dhe të kthejnë gazetat dhe gazetarët në objektiva, luajnë një rol të rëndësishëm në këto lloje sulmesh”, – tha organizata në një deklaratë.
Demirag u vizitua në spital nga udhëheqësi i CHP Kemal Kiliçdaroglu, i cili akuzoi sulmuesit se kishin “qëllim për ta vrarë”.
“Si mund të rrihet një gazetar me qëllimin për ta vrarë vetëm për shkak se ai ka marrë pjesë në një program, ka shprehur pikëpamjet e tij ose ka kritikuar dikë?”- u tha ai gazetarëve. “Ku do të shkojë Turqia?”
Yenicag raportoi se Demirag ishte në gjendje të qëndrueshme dhe do të lirohej të dielën.