Lidhu me ne

Kryesore

Të droguar nga Tahiri dhe të helmuar nga Lleshi

Katër muaj më parë, kur Sandër Lleshi u propozua për Ministër të Brendshëm, megjithë problemet kushtetuese që kishte ky emërim, një pjesë e opinionit besonte se, një njeri me formim ushtarak do ta kthente institucionin në shinat e ligjit. Edhe një pjesë e kritikëve të qeverisë, mendonin se një gjeneral do të dijë të ruaj dinjitetin e shtetit dhe do t’i vendosë kufijtë arrogancës që zakonisht kanë kryeministrat për të kontrolluar Ministrinë e Brendshme, pa pyetur për ligjin. Në fakt vetëm Fatmir Xhafaj nuk e pyeti kryeministrin se si duhet të punonte në ministrinë e brendshme dhe duhet falënderuar për kohën që ishte ministër, paçka se opozita e anatemoi fort dhe pa dashje punoi për llogari të kryeministrit, i cili e donte të “varur” ministrin Xhafa, sepse nuk ishte zgjedhje e tij por e amerikanëve dhe gjermanëve. Tashmë Xhafaj ia ka lenë vendin gjeneralit. Në këto pak kohë protestash, Sandër Lleshi nga njeriu i brumosur me shkollimin patriotik ushtarak, u kthye në modelin e partiakut tipik që në vend të shtetit zgjedh t’i shërbejë me zell pushtetit. Madje, detyra e re e transformoi edhe më tej. Nëse bëhet një bilanc se kush është njeriu më i sulmuar dhe kritikuar nga mediat në Qeveri, pas Edi Ramës që ka peshën e kryeministrit, vjen emri i Sandër Lleshit. Rrallëherë ka ndodhur që në pak javë si detyrë, një ministër pa parti të shndërrohet nga më i vlerësuari dhe kandidat i preferuar nga Ismail Kadare për president, në njeriun më të anatemuar nga opozita, media dhe një pjesë e shoqërisë.

Çdo protestë që opozita ka zhvilluar që nga muaji shkurt është pasuar me dhunë të pajustifikuar nga policia, përdorim gazi helmues dhe arrestime. Vetëm të shtunën e kaluar u arrestuan 50 qytetarë dhe një pjesë e tyre, në mënyrë të antinjerëzore, mbaheshin në pranga gjatë kohës që ishin duke u mjekuar në spital. Se sa i rëndë është një fakt i tillë mjaftojmë të kujtojmë se dhe në vende ku ka luftë frontale, të plagosurit e armikut trajtohen më me dinjitet. Në Tiranë ndodhi e kundërta, njerëzit u lidhën në spital dhe u rrahën në komisariate sikur të ishin terroristë dhe vrasës dhe jo qytetarë të këtij vendi që kanë të drejtë të protestojnë. Por Sandër Lleshi nuk do të mbahet mend për prangat dhe skemat ushtarake në shtypjen e protestave të opozitës. Më keq se kaq, Lleshi ka hyrë në histori si i pari ministër që urdhëroi përdorimin e lëndëve helmuese mbi qytetarët. Sepse gazi lotsjellës, lotët i ka pjesën më të padëmshme të efekteve të tij. Ekspertë, mjekë dhe kimistë që i dinë mirë pasojat e substancave që ka ky lloj gazi e thonë hapur se në gjithë botën klasifikohet si lëndë helmuese vdekjeprurëse, në rrethana të caktuara, dhe në shumë vende është i ndaluar të përdoret. Për të gjithë Rilindjen që thotë se policia e Sandër Lleshit nuk vret në protestë si ajo e Sali Berishës, mjafton t’u kujtojmë se gazi CS që po përdoret këto ditë, sipas studimeve, është kancerogjen!

Prandaj, vrasjet ndaj qytetarëve nuk po ndodhin para mediave, por e sigurt është se po kryhen në mënyrë masive në çdo protestë, vetëm se gjëma do të dëgjohet më vonë. Në Tiranë gazi u përdor në mënyrë barbare mbi fëmijët dhe gratë e Bregut të Lumit. Në mënyrë edhe më të turpshme dhe jashtë çdo standardi përdoret rregullisht në protesta duke helmuar jo vetëm ata që protestojnë, por edhe qytetarët dhe banorë të zonave. Është një sjellje kriminale që duket se ka detyruar edhe Ambasadën Amerikane që në apelin që u bën qytetarëve të SHBA për protestat në Tiranë, nuk përmend më fjalën dhunë nga tubimi, por shkruan: “Kujdes, sepse policia përdor gaz lotsjellës”. Ndaj dhe pas protestave, bilanci i mediave i ngjan një situate lufte, me qytetarë të arrestuar, burgosur, helmuar dhe të dhunuar nga policia.

Për këtë situatë lufte, sigurisht që ministri Sandër Lleshi ka përgjegjësinë kryesore. Metodat ushtarake dhe përdorimi i lëndëve ushtarake që po përdoren nga policia kanë firmën e tij dhe operacionet janë ideuar po nga ai. Në krizën  më të rëndë politike që po kalon Shqipëria në këto 29 vite, gjenerali që mund të bënte diferencën e shtetarit, zgjodhi të bëjë ushtarin e bindur ndaj kryeministrit.  Ndaj dhe sot, pas Edi Ramës, ministri i Brendshëm është më i anatemuari në opinion, si njeriu që për hir të pushtetit helmon qytetarët dhe duket se as ndërgjegjja nuk e shqetëson për këtë fakt. Pas eksperimentit të Saimir Tahirit në ministrinë e Brendshme, që e ktheu Shqipërinë në një plantacion hashashi, pritej që ministri i brendshëm të ishte më civil, më njërëzor. Fatmir Xhafaj bën përjashtim, pasi i njihte më mirë kufijtë se ku nis zbatimi i ligjit dhe ku duhet të përfundojë zbatimi dëshirave politike të kreut të qeverisë. Ndërsa Lleshi zgjodhi të sillet në të njëjtën mënyrë si Saimir Tahiri. Ndryshimi i vetëm është se Saimir Tahiri i drogoi shqiptarët me plantacione hashashi dhe me kriminalitetin që prodhon ky biznes, Sandër Lleshi po i helmon çdo javë dhe muaj me gaz lotsjellës. Të dy, në mënyrë të ngjashme thonë se zbatojnë urdhrat e Ramës, por në fund ashtu si me Tahirin, para drejtësisë nuk shkon Rama, atje do paraqitet Sandër Lleshi.

Qamil Xhani

MË TEPËR

Mix16 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar16 orë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix16 orë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix16 orë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Mix16 orë më herët

Veçoritë e Sicilisë – pse ia vlen ta vizitojmë?

Për shumë vite, qytetet klasike të Italisë, Roma, Venecia, Firence dhe Milano kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, ndërsa...

Mix16 orë më herët

ChatGPT Search, motori i kërkimit OpenAI, tani është falas për të gjithë

Ne kemi folur gjatë për ChatGPT Search në këto faqe dhe se si ai është i destinuar të ndryshojë thellësisht...

Mix16 orë më herët

Publikohet lista e 100 kuzhinave më të mira në botë, ja ku renditet Shqipëria

Guida e njohur gastronomike “Taste Atlas” ka publikuar listën e saj vjetore të kuzhinave më të mira në botë. Kuzhina...

Radar17 orë më herët

Avokat Ngjela: Non grata e Berishës e pakthyeshme, kërkon të manipulojë militantët. Kot mban shpresa te Trump

Avokati Spartak Ngjela pohoi pasditen e sotme se vendimi për shpalljen non grata të kreut të PD-së Berisha është i...

Mix17 orë më herët

Shkenca e fshehur në pikturën ikonike të Van Gogh, “Nata me yje”

Dy dekada më parë, dy fizikanë po qëndronin në një muze në Madrid duke menduar për veprat e piktorit post-impresionist...

Mix17 orë më herët

Dalina Buzi me deklaratë të fortë për Kiarën, reagon ashpër Luizi!

Dalina Buzi e ka ngacmuar Luiz Ejllin dhe Kiara Titon me një deklaratë të fortë qe beri se fundi për...

Facebook