Me afrimin e zgjedhjeve lokale, makina e propagandës së qeverisë dhe Bashkisë Tiranë po punon pa ndalim.
Tre komente të bëra shumë shpejt njëra pas tjetrës në një artikull të postuar nga Exit.al në Facebook, duket se tregojnë mbështetje të palëkundur të qytetarëve për vendimin e qeverisë për të nxjerrë nga shtëpitë e tyre banorët tek Bulevardi i ri, pak ditë më parë. Në të vërtetë, vendimi i institucioneve për të hedhur gaz lotsjellës së orën 6 të mëngjesit në shtëpitë e banorëve për t’i detyruar ata të largohen nga shtëpitë e tyre dhe fakti që shtëpitë do të prishen pa u dhënë dëmshpërblim banorëve është i paligjshëm dhe në shkelje të disa ligjeve kombëtare e konventave ndërkombëtare.
Megjithatë komentet vlerësonin qeverinë për punën e saj, duke pretenduar se shoqëria nuk duhet ta pengojë qeverinë në rrugën e zhvillimit dhe se qeveria duhet të vlerësohet, sepse po mendon për të ardhmen e qytetit. Në komente të tjera shkruhej se banorëve u janë ofruar banesa sociale me “kushte shumë të mira”.
Një vëzhgim i shpejtë në këto profile tregoi se jo gjithçka është ashtu siç duket sa i përket këtyre komentuesve.
Kështu, profili i “Elsa Memës” u krijua më 14 shkurt 2019. Postimet në faqen e saj janë ripostime të statuseve të Kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste. Me një kërkim të thjeshtë në Google, u zbulua se fotoja, që duhet të ishte e Elsës, është në të vërtetë një foto e Kim LaCapria-s, një shkrimtare në snopes.com. Shkrimtarja ndodhet në Nju Jork, nuk është shqiptare dhe as nuk është mbështetëse e zjarrtë e Edi Ramës.
Profili i “Dritan Gjokës” u krijua më 14 shkurt 2019 dhe ai, ngjashëm me Elsa Memën, ka ndarë postime pro-Ramës në faqe. Kërkimi në Google për foton e tij nuk nxorri asnjë rezultat (diçka që është e pazakontë në vetvete), por fakti që profili u krijua në të njëjtën ditë dhe ndan të njëjtat poste si Elsa, është i dyshimtë.
Një koment tjetër pro-qeveritar ishte shkruar nga “Blerina Cobani”. Përsëri, profili i saj u krijua në të njëjtën ditë si dy komentuesit e tjerë dhe ndan postet e ngjashme të propagandës, duke përfshirë video nga stacioni televiziv personal ERTV i vetë kryeministrit Rama. Fotoja e profilit në këtë profil rezulton të jetë e zonjës Sheryl Sandberg, një e diplomuar në Harvard, e cili ka punuar si zëvendëspresidente në Google dhe Facebook. Sërish, ajo nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe nuk dihet të jetë përkrahëse e Edi Ramës.
Shembuj të tjerë të profileve të rreme pro-qeveritare mund të gjenden këtu, këtu dhe këtu. Numri i vërtetë i këtyre profileve është i pamundur të përcaktohet në të gjithë mediat sociale shqiptare, por kur gjashtë prej tyre i gjen vetëm në një postim, kjo tregon shumë për situatën e përgjithshme.
Ajo që është interesante në këtë mes është se këto nuk janë profile në Facebook që kërkojnë hyrje individuale, email, dhe numra telefoni – këto janë faqe. Një përdorues i Facebook-ut, përmes një profili personal mund të ketë një numër të pakufizuar faqesh (fan page), që mund t’i administrojë dhe të publikojë komente, pa u detyruar të regjistrohet si individ i veçantë çdo herë. Kjo do të thotë që një person ka mundësinë për të lënë qindra e mijëra komente nën emra dhe profile të rreme.
Një koment tjetër shkruar nga Genti Bala në një artikull tjetër, thotë: “Erioni, kryebashkiaku më i mirë që ka pas Tirana ndonjëher”.
Genti, gjithashtu, ka një faqe (fan page) dhe jo një profil, të cilën e ka hapur më 5 prill 2019. Fotoja në profilin e tij rezulton të jetë foto e një të riu marrë nga një revistë mode.
Këto janë vetëm disa shembuj të ushtrisë së komentuesve fals që po vendosen në mediat sociale për të lëvduar qeverinë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Veliaj. Nuk është e qartë nëse këto profile janë krijuar nga qytetarë të thjeshtë të pakoordinuar apo nën udhëzimet e qeverisë, Bashkisë Tiranë dhe skuadrës së tyre të propagandës. Por është e qartë se këto profile të rreme, duke u hequr si qytetarë po përpiqen të ndikojnë opinionin publik, duke falsifikuar mbështetjen për qeverinë dhe Bashkinë Tiranë dhe politikat e tyre që po kritikohen gjerësisht.
Punësimi i qytetarëve dhe përdorimi i profileve të rreme për të përhapur propagandën qeveritare është fenomen i përhapur në të gjithë botën. Një raport i The Telegraph në vitin 2017 zbuloi se të paktën 30 qeveri po punësonin “ushtri tastierash” për të përhapur propagandën dhe sulmuar kritikët. Ndër këto shtete ishte Turqia, Rusia dhe Kina, të cilat përdorin komentatorë pro-qeveritarë të paguar për të krijuar iluzionin se qytetarët mbështesin qeverinë.
Taktika të tilla u përdorën gjithashtu për të ndikuar në zgjedhje dhe për të sulmuar mediat që kritikonin qeverinë ose politikanët.
Një raport në Tirana Times, shkruar nga Genc Pollo në vitin 2016, shkruante se në zyrën e Kryeministrit ishin 40 persona dhe në Bashkinë Tiranë 23 persona, të cilët janë të punësuar për të sulmuar ata që kritikojnë qeverinë në internet. Këto profile të rreme propagandistike (trolls) thuhet se paguhen me taksat tona dhe qëllimi i tyre i vetëm është të formësojnë dhe ndikojnë se si flitet për qeverinë, përmes përhapjes së propagandës, apo edhe fyerjes dhe kërcënimit të atyre që nuk pajtohen dhe kundërshtojnë politikat e Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj.
Me zgjedhjet që po afrohen, qytetarët duhet të jenë vigjilentë dhe të presin më shumë të tilla komente. Përveç kësaj, ekspozimi në publik i këtyre profileve dhe sjelljes së tyre ndihmojë në luftimin e propagandës së atyre që synojnë të ndikojnë sjelljen e votuesve./Exit.al
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu