Lidhu me ne

Radar

Ekzaminimet që duhet të kryejnë më shpesh meshkujt

Ekzaminimet që duhet të kryejnë më shpesh meshkujt

Misioni më i rëndësishëm i mjekësisë në ditët e sotme nuk është vetëm tek trajtimi me kujdes dhe në kohën e duhur i sëmundjeve, por në radhë të parë parandalimi i tyre. Të parandalosh një sëmundje kushton më pak edhe nga ana financiare, se sa ta trajtosh atë (në mënyrë të veçantë për sëmundjet kronike).

Prandaj, ekzaminimet rutinë, sipas protokolleve të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) janë pjesë themelore e parandalimit të sëmundjeve (profilaksisë). Në vijim, mjekja Ilda Xhelili ndalet në detajimin e sëmundjeve më të shpeshta që shfaqen tek meshkujt në raport me moshën, për të cilat duhet të merren masat parandaluese sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ekzaminimet rutinë janë të domosdoshme pasi ndihmojnë në zbulimin e hershëm të këtyre sëmundjeve, kohë në të cilën trajtimet jo vetëm mund të jenë më të lehta dhe efikase, por edhe më pak të kushtueshme.

Hipertensioni

Së pari do të theksoja hipertensionin (tensioni i lartë i gjakut), incidenca e të cilit rritet me moshën. Hipertensioni mund të shkaktojë dëmtime të arterieve (arterioskleroza) që mund të çojë në sulme në zemër, pamjaftueshmërinë e punës së zemrës, goditje në tru dhe pamjaftueshmëri të punës së veshkave.

Presioni i gjakut konsiderohet në vlera ideale 120 mg Hg (presioni sistolik) dhe 80 mg (presioni diastolik) dhe si vlera në kufij konsiderohet në vlera 140 dhe 90 mg Hg. Mbi këto vlera kufitare do të konsiderohet hipertension.

Personat që kanë vlerat kufitare duhet të bëjnë matje të shpeshta, si edhe analizat plotësuese të gjakut sipas protokollit, të cilat duhet të bëhen të paktën një herë në vit. Ndërsa personat që kanë vlera të tensionit mbi vlerat kufitare duhet t’i kryejnë këto ekzaminime çdo tre, ose gjashtë muaj (sipas rastit konkret).

Studimet tregojnë se trajtimi në kohën e duhur i hipertensionit arterial dhe në mënyrë të veçantë parandalimi i tij do të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të veshkave. Ndër masat parandaluese rekomandohet kufizimi i sasisë së kripës, rënia në peshë, aktiviteti sportiv dhe menaxhimi i stresit.

Kolesteroli

Së dyti do të përmendja nivelin e lartë të yndyrave në gjak (kolesteroli dhe trigliceridet). Kolesteroli i lartë rrit mundësinë e zhvillimit të arteriosklerozës (krijimi i pllakave sklerotike në arterie).

Kujdesi për arteriosklerozën duhet të tregohet qysh në adoleshencë sepse sëmundja mund të zhvillohet pa simptoma dhe në progres për shumë vite, duke shkaktuar më vonë goditje në zemër apo në tru. Ajo është shkaku më i zakonshëm i vdekjeve në vendet e zhvilluara.

Qëllimi është të diagnostikohet dhe të trajtohet që kur është në gjendje të heshtur përpara se të ndodhin komplikacionet. Testet kryesore për gjykimin e yndyrave në gjak përfshijnë: Kolesterolin total, LDL kolesteroli (kolesteroli i “keq”), HDL kolesteroli (kolesteroli i “mirë”), si dhe raporti kolesteroli total/HDL, trigliceridet.

Të gjithë të rriturit mbi 20 vjeç (si meshkuj dhe femra) duhet t’i kryejnë këto teste të paktën çdo 5 vjet (pa pasur shenja klinike), por ato mund të kryhen edhe më shpesh nëse ka faktorë rreziku për sëmundje zemre, ose të enëve të gjakut.

Trajtimi i yndyrave të larta (ose vlerave kufitare) është shumë dimensional duke përfshirë planifikimin ushqimor (lidhur me kaloritë totale ditore, yndyrat dhe karbohidratet totale), reduktimin e peshës trupore, aktivitetin e rregullt fizik.

Sigurisht që vend të rëndësishëm zë trajtimi me medikamente që synojnë të neutralizojnë vlerat e lipideve në gjak. Të gjitha këto duhet të diskutohen me mjekun për të marrë këshillat e duhura.

Diabeti tip 2

Së treti do të rendisja diabetin e tipit 2, si pasojë e prodhimit të pakët së insulinës, ose të mospërdorimit si duhet të insulinës (mund të ndodhin edhe të dyja bashkë).

Sipas statistikave, rreth 18 për qind e njerëzve mbi moshën 65 vjeç në SHBA janë të diagnostikuar me diabet dhe mendohet që ka shumë të tjerë të padiagnostikuar, pasi diabeti është një sëmundje tinzare që zhvillohet ngadalë. Shumë njerëz vuajnë një gjendje prediabetike të karakterizuara nga nivele të sheqerit më të ulëta se ato që janë të pranishme tek diabetikët.

Diabeti është shkaku kryesor i verbërisë tek të rriturit ndërmjet 20-75 vjeç, shkaku kryesor i insuficiencës renale, i amputimeve të ekstremiteteve që nuk lidhen me dëmtimet. Diabetikët janë dy herë më të rrezikuar për atak në zemër se ata që nuk kanë diabet. Të rriturit e shëndetshëm duhet të kontrollojnë nivelet e glukozës (sheqerit) në gjak çdo vit, ndërsa ata që kanë faktorë rreziku duhet ta bëjnë këtë gjë më shpesh.

Këtu përfshihen: Individët mbipeshë, të afërm diabetikë (tip 2), si dhe yndyrat e larta në gjak. Diabeti mund të shkaktojë goditje në zemër, në tru, dëmton enët e gjakut, shkakton arteriosklerozën, dëmton nervat, sytë dhe veshkat. Shpesh shkakton dëme në organe të ndryshme pa simptoma klinike, deri sa ndodhin papritur komplikacione fatale. Sipas studimeve kontrolli i diabetit mund të ngadalësojë dëmtimet që përmendëm më sipër.

Kanceri i zorrës së trashë

Së katërti do të rendisja kancerin e zorrës së trashë, i cili është shkaku i tretë më i zakonshëm i vdekjeve nga kanceri për meshkujt (pas kancerit të mushkërive dhe të prostatës). Shkaku më i zakonshëm i këtij kanceri mendohet se janë polipet (rritjet prekanceroze në sipërfaqen e brendshme të zorrës së trashë). Nëse këto polipe identifikohen dhe hiqen përpara se të shndërrohen në kancer, atëherë kanceri mund të parandalohet.

Kanceri i zorrës së trashë është i shërueshëm nëse hiqet përpara se të metastafazojë. Të gjithë të rriturit e shëndoshë mbi 50 vjeç duhet të kryejnë ekzaminimet e gjakut okult (prania e gjakut në feçe) dhe ekzaminimin kolonoskopik çdo 5 ose 10 vjet (sipas rastit).

Ndërsa ata që kanë faktorë rreziku (histori familjare, prani polipesh, kolit ulcerative) duhet të ekzaminohen më shpesh. Këto masa parandaluese e kanë ulur shumë vdekshmërinë nga kanceri i zorrës së trashë.

Kanceri i prostatës

Së pesti do të përmendja kancerin e prostatës që ka një përqindje të lartë vdekshmërie për meshkujt. Si masë parandaluese rekomandohet ekzaminimi rektal i prostatës (nëpërmjet zorrës së trashë) dhe PSA (test gjaku, antigeni specifik i prostatës).

Trajtimi i hershëm i kancerit të prostatës mund të ndalojë rritjen e tumorit, mund të parandalojë përhapjen e tij në organet e tjera (metastazat), por mund të çojë edhe në shërimin e tij. Megjithatë, shumë njerëz të moshuar mund të vuajnë për shumë vite nga kanceri i prostatës dhe të kenë komplikacione të rënda nga kushtet vështira që krijohen pas trajtimit me kimioterapi, hormonoterapi, radioterapi, kirurgji që mund të rrezikojnë edhe jetën.

Prandaj për meshkujt mbi 80 vjeç duhet të shqyrtohen me shumë kujdes përfitimet e trajtimit. Përpara fillimit të terapisë (qoftë kjo kirurgjikale ose konservative) duhet të analizohet me kujdes jo vetëm sëmundja tumorale, por edhe mosha e pacientit, si edhe situate individuale shëndetësore e tij.

Glaukoma

Një tjetër sëmundje që duhet pasur parasysh është edhe glaukoma. Glaukoma është një gjendje shëndetësore që prezantohet me presion jo normal në brendësi të syve (presioni intraocular). Zbulimi i hershëm i glaukomës sjell përfitime të mëdha, sepse kjo patologji shkakton dëmtime të mëdha në retinë dhe humbje të pakthyeshme të shikimit.

Studimet e tregojnë se trajtimi i hershëm i presionit të lartë të syve mund të parandalojë verbërinë. Individët e moshës 30-40 vjet që kanë histori familjare të glaukomës duhet të kenë kontroll të syve dhe matje të presionit të brendshëm në sy çdo dy, deri në katër vjet.

Mosha 40- 65 vjeç duhet të kryejë kontrolle çdo dy, deri në katër vjet edhe pa pasur histori familjare të glaukomës. Mosha mbi 65 vjeç duhet të kontrollohet çdo një, ose dy vjet.

Melanomat e lëkurës

Do të përmendja gjithashtu dhe melanomën dhe kanceret e tjera të lëkurës. Melanoma është forma më serioze e kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet nga melanocitet që kanë qeliza që përmbajnë pigment (ngjyrues). Melanomat ndodhin më shpesh në lëkurë (forma tipike), por shumë rrallë mund të ndodhin edhe në zorrë, në gojë, apo në sy.

Më shpesh ato shfaqen në këmbë dhe paraqiten në formën e nishaneve më forma të parregullta dhe me ngjyrim të errët në formë jo të njëtrajtshme. Individët që paraqesin rrezik më të lartë janë ata që: kanë histori familjare, mosha e mesme me ekspozim të shpeshtë në diell, personat që kanë lëkurë tepër të bardhë dhe të ndjeshme, si dhe ata që kanë pësuar djegie të rënda nga dielli që në fëmijëri.

Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon kontroll të lëkurës çdo 3 vjet për moshat 20-40 vjeç dhe çdo vit mbi moshën 40 vjeç.

Çfarë duhet të kemi parasysh për nishanet?

Duhet të paraqitemi tek mjeku nëse nishanet shfaqin këto karakteristika:Kanë diametër më shumë se 6 mm, kanë formë asimetrike, buzët e kufizimit janë të parregullta, si dhe ngjyra e pazakontë blu, apo e zezë dhe jo e njëtrajtshme në sipërfaqen e nishanit. Melanomat e fazave fillestare trajtohen më me sukses se në format e avancuara që janë zhvilluar në pjesët më të thella të lëkurës.

Kanceri i fshikëzës së urinës

Dhe së fundi do të përmendja kancerin e fshikëzës së urinës, veçanërisht tek meshkujt e moshës mbi 60 vjeç, si edhe ata që kanë pirë duhan, ata që kanë histori familjare me këtë lloj kanceri, personat që kanë histori të ekspozimit në punë ndaj kimikateve të caktuara (industria e naftës, e bojërave, gomave, etj).

Kanceri i vezikës urinare mund të zhvillohet për një kohë të gjatë pa pasur shenja klinike. Ai shkakton hemorragji (gjakderdhje) të dukshme, ose të padukshme me sy në urinë.

Prandaj këtyre individëve me rrezik të lartë u këshillohen ekzaminime të shpeshta të urinës. Trajtimi mund të jetë efektiv nëse ky lloj kanceri zbulohet herët dhe mbijetesa është e lidhur fortë me fazën e sëmundjes në kohën e trajtimit. Ndërprerja e duhanit në këto raste është gjithmonë e këshillueshme.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 ditë më herët

Anita Haradinaj nuk mban dot lotët: Kam kaluar 3 aborte të vështira!

Bashkëshortja e Ramush Haradinaj, Anita ishte e ftuar në podcastin e Orinda Hutës “Mam”, ku beri disa rrefime te patreguara...

Mix2 ditë më herët

Nudo dhe seksi, Belen Rodriguez publikon FOTOT HOT në vaskë

Belen Rodriguez ka publikuar foto nudo në vaskën e shtëpisë së saj të re. Bukuroshja argjentinase shfaqet provokuese dhe e...

Mix2 ditë më herët

Sa para do të përfitojë Donald Trump nga mandati i tij i dytë?

Shkruar nga Jill Filipovic Trump kaloi 1 nga çdo 3 ditë të 3 viteve të tij të para në detyrë...

Radar3 ditë më herët

Stresi i indinjuar me karikaturën e Sokol Ballës në zyrë

Reperi Stresi ka reaguar ashpër ditën e sotme ndaj gazetarit Sokol Balla. Ai ka ripostuar në ‘story’ në Instagram një...

Mix3 ditë më herët

Victoria Beckham reagon pas aludimeve për ndërhyrje në hundë

Victoria Beckham ka reaguar ndaj thashethemeve të vazhdueshme për ndërhyrje kirurgjikale në hundën e saj. Gjatë një interviste në ‘Today...

Kryesore3 ditë më herët

Noka reagon pas sherrit me Agron Shehajn: Ai është ushtar i “Rilindjes”

Flamur Noka ka reaguar për sherrin që ka pasur me Agron Shehajn në foltoren e Kuvendit. Noka e shtyu me...

Mix3 ditë më herët

Çfarë kanë të përbashkët migrena dhe endometrioza?

Sa herë që përmendet fjala “migrenë” apo “endometriozë,” shumica e njerëzve mendojnë për dy probleme të veçanta. Por ja ku...

Sport3 ditë më herët

Si Carlo Ancelotti shkroi historinë me Real Madrid

Carlo Ancelotti Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë histori me Real Madridin. Trajneri italian është bërë trajneri me më shumë tituj...

Mix4 ditë më herët

”Televizioni po shkon drejt llumit” – Alketa Vejsiu ‘përballet’ me Dalina Buzin: Po ‘Andale’ yt çfarë është?

Në podcastin e Alketa Vejsiut, Dalina Buzi, producente dhe një figurë e njohur e televizionit shqiptar, ka dhënë mendimin e...

Mix4 ditë më herët

Syzet inteligjente Ray-Ban Meta tani përkthejnë në kohë reale

Lajme nga Meta për syzet e saj inteligjente. Kompania e Mark Zuckerberg në fakt ka njoftuar se Ray-Ban Meta është...

Facebook