-GUR

Të jem herë herë pas here gur,
është diçka që më jepet.
Dhimbjet s’shohin dritë kurrë,
si paja mortesh në sepetet.

Dhimbja shket e bën kërdi
diku gjetkë, që nuk është “unë”.
Unë mbes guri në kufi:
nuk bëj dhunë; s’pranoj dhunë –

unë që dhunën mirë e njoh
(mos nuk isha dëshmitar?).
Dhimbja shuhet nëpër kohë,
unë kap veten duke qarë…

Të jem guri në kufi…!
Nuk di kush ma ka mësuar.
Është mallkim? Është dhunti?
Apo diç e ndërmjetësuar?

– SONET

Kupën e kujtimit tënd ku ta fsheh e ku ta hedh?
Bëj ta fla e bëj ta thyej, bëj ta lë e më rrënqeth.
Kupa e kujtimit tënd valon shkumë dashurie
M’u ka ngri si një servis mbushur pije cmendurie.

M’u ka ngri në dorën time ky bardhak I fildisht,
I hedh zjarrit,zjarri digjet si në ethe kaltërsisht.
Nuk e pi kujtimin tënd. Kupa le ta pasqyrojë
Sonte qiellin lakuriq dhe hënën e pagojë.

Le të rëndet e përlotur përmbi kupën e mallkuar
F’ytyra ime ndër reflekse zbehtësisht e vizatuar.
Kupa e kujtimit tënd më s’do mbushet kurrë me ty.
Bëj ta flak e bëj ta thyej, bëj ta pi e dot s’e pi.
Do të rend pra krejt i marrë me servisin e hënuar
Gjersa shkuma nëpër kohë do jetë tretur, avulluar…

-MARSHI I VDEKJES

Ky vend popullohet më shumë me të vdekur;
Me të vdekur të lashtë, me të vdekur të rinj:
Janë të vdekur qytetesh me brengë të thekur-
Dhe të vdekur fusharakë e të vdekur – barinj.

Një popull të vdekurish gëlon kësoane;
Të vdekur qyshkuri, të vdekur tani…
Çfarë i mban gjallë, çfarë kambane
I mbledh dhe i derdh nëpër rrugë mizëri?

Të vdekurit ngatërrohen pa prâ midis vedit…
Po kush këtë makth do mundë ta zgjidhë vallë?
Vdes ngapak dhe shpresa tek të vdekurit e shtetit –
Më shumë gjysmëvdekur, se sa gjysmëgjallë.

Të vdekurit e lashtë nuk gjejnë dot paqe
Nga të vdekurit mbi dhe, që ngrenë pallate
Mbi eshtra fëmijësh; mbi plazmën e ardhme;
Mbi truallin që zhytet përditë në mëkate.

Dhe ngrenë rebelimin të vdekurit e vjetër,
Braktisin qimitret, mallkojnë me tërbim
Të vdekurit e rinj, bastardë, kokëngjeshur,
Dhe kthehen qimitresh të pangushëllim.

Ky marrsh i të vdekurve nuk paska të sosur,
Me shenjat e tyre, me këngët, me shkrimet,
Që shuhen, rishkruhen dhe mbesin vulosur
Prej bëmave të tyre, gjithsej, vetëm krimet…

Të vdekurit tanë, s’e dinë që kanë vdekur
Dhe s’gjendet i gjallë vdeksinë t’u provojë;
Kësoane të gjallët kanë ngrirë të mekur
Nën grushtin e vdekjes që kthen në rrënojë –

Lotët, kujtimet, atë shpresë të pakët
Që gjallë mbet dëshirash në urna, saksi…
Të gjallët tash janë, ah, kurme të vakët
Kufomash të gjalla, nxjerrë në liri…