Lidhu me ne

Temporal

Militanti i Madh


Nga Erion Kristo

Shoqëria shqiptare sundohet egërsisht nga politika, madje në të gjitha dimensionet e saj, edhe në ato hapësira që mendohet se duhet të jenë të depolitizuara si gjyqësori, komunitetet fetare, arti, akademia etj. Politika e sotme është vazhdë e politikës së djeshme moniste. Sot politika është pluraliste nga ngjyrat, por moniste nga stili. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Diktatura polli diktaturë. Nëse largimi masiv i shqiptarëve nuk është argument, do jetë e vështirë të gjykojmë mbi shumëçka tjetër. Shqipëria është trajtuar në 30 vjet si tokë e djegur, pothuaj njëlloj me strategjinë sovjetike kundër mësymjes naziste. Vetëm kështu mund të shpjegohet fluksi i pandërprerë i të larguarve. Ata në fakt nuk janë të larguar, por të dëbuar. Po nuk është ky qëllimi i shkrimit tonë. Në këtë Triptik do të trajtojmë tre figura të rëndësishme të jetës së shqiptarëve, ose që do duhej të ishin të rëndësishëm. Do ta nisim me Militantin. E kemi quajtur të Madh, sipas stilit të emërtimit të Aleksandrit të Madh, apo të Karlit të Madh. Është i madh sepse zë shumë vend në shoqërinë tonë. Duke qenë që shoqëria sundohet nga politika dhe politika sundohet nga militantët, me rregull treshi i bie që shoqëria shqiptare sundohet nga militantët.

Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se s’ka asgjë të keqe të jesh militant. Dhe këtë e thonë dhe njerëzit e ditur. Le të hyjmë pak më thellë. Një shoqëri duhet të drejtohet nga intelekti, jo nga zhurma. Dhe militantët janë zhurmaxhinjtë e shoqërisë sonë. Ata gjithmonë arrijnë të marrin më shumë se sa u takon. Për ta, partia vlen më shumë se sa atdheu, madje më shumë se sa familja. Sepse ata janë gati të rrezikojnë gjithçka për partinë, por aspak për familjen. Militantët janë pjesa më ithtare e një partie. Dhe e bukura është që dhe elitat e partive janë kryesisht të përbëra prej ithtarësh militantë. Militantët të vrasin për partinë. Por në këtë aspekt, ata nuk ka pse të turpërohen, sepse në vendin tonë të vrasin dhe për një shikim, dhe për një gardh, për futbollin, apo për qenin. Madje, ndodh që të të vrasin dhe për pëllumbat. Kështu që në këtë pikëpamje militanti nuk ka pse të shihet shtrembër, sepse ka shumë të ngjashëm në shumë fusha të tjera të jetës. E rëndësishme është që ai gjithë arsyetimin e vet e nis dhe e bitis nga partia. Jo se ai merr vesh ndonjë gjë të madhe nga partia, por nëse partia i thotë të hidhet, ai hidhet. Dhe këtë nuk e bën aspak për qytetari, për nevoja të ngutshme të jetës së vet personale apo familjare. Këtë e bën kotësisht, vetëm sepse ka nevojë të besojë te diçka me tërë qenien e vet. Dhe kjo diçka nuk është as Zoti, as arti, as dija, as urtësia, as qytetaria, madje as interesi i vet. Ka plot raste militantësh që ankohen më shumë për partinë se sa për veten. Me këtë nuk duam të themi se ata nuk bëjnë llogari apo se nuk janë meskinë. Ata janë. Por ata janë gati të shkelin ligjin, institucionet dhe kundërshtarët, vetëm sepse ua thotë partia. Partia mbi të gjitha – është deviza e tyre.

Militantët gëlojnë në administratën publike. Militantët janë pjesa më e errët e administratës publike. Militantët cenojnë votën e të tjerëve. Ata e keqlexojnë, e shtrembërojnë, e vjedhin dhe e blejnë votën e të tjerëve. Pra, ata nuk e pranojnë demokracinë. Militantët nuk e ngrenë kurrë zërin e tyre brenda partive të tyre. Ata ankohen, por bëjnë gjithmonë ashtu siç u thonë. Kryetari i partisë për ta është ligji i vetëm. Si shpjegohet që janë zhdukur fare zërat kundër brenda partive? Thjesht fare: janë zhdukur intelektualët, dhe janë shumëfishuar militantët. Militanti se ka për gjë të tradhtojë interesat dhe nevojat e tij, për t’i bërë fresk pushtetit. Prandaj ka lindur ajo shprehja popullore që thotë: t’ia hipësh si mëzi të ëmës. Qytetari do të ishte që militantët të mos pranonin brenda partive të tyre elita hajdute ose antishqiptare. Por përderisa i pranojnë, ata bëhen palë, madje mashë e tyre. Militanti keqpërdoret. Dhe është pikërisht militanti ai që vuan i pari të këqijat që vetë ai i ka prodhuar në shoqëri. Sapo pushteti ndërrohet, janë militantët, ata të thekurit, ata të zjarrtët, që flaken nga administrata dhe lihen pa bukë rrugëve. Atyre u dhemb natyrisht, por nuk u kishte dhembur më parë kur hynë në administratë pa respektuar asnjë kriter.

Mos të ishin militantët që pranojnë symbyllur gjithë logorenë publike të liderëve të tyre, sot partitë e vjetra të tranzicionit do të ishin shkrirë. Militanti është ai që duke u hedhur në zjarr për partinë, duke ia mësyrë kundërshtarit deri në asht, duke bërë të heshtin gjithë zërat kundër për shkak të masës ulëritëse të kokëboshëve, krijon tokën e djegur nga e cila digjet edhe vetë. Militantët kanë ikur në masë nga ky vend. Fati ka bërë që të zëvendësohen nga të tjerë shëmbëlltyra. Dhe kështu qerthulli i kotësisë vazhdon. Militanti e urren njeriun e ditur. Sapo dikush thotë një mendim që del jashtë kornizës së militantit, militanti ul përkrenaren, mbush alltinë dhe ia sëllon aty ku tjetrit i dhemb më shumë. Një skenar demokratik do të ishte ky: ti thuaj mendimin tënd, unë argumentin tim, dhe këtu mbyllet meseleja. Por jo. Militanti të vjen te dera e shtëpisë, të përndjek, të shkel. Në këtë pikëpamje, militanti është më i keq se bandat. Bandat nuk të vrasin kot. Militanti është si një bolid i verbër që mund të bjerë kudo e të dëmtojë çdo gjë. Padija e tij është kronike. Nga sundimi i militantit shoqëria shqiptare nuk ka fituar ndonjë gjë. E kuptojmë se jemi të rrethuar prej tyre, kur ata haptazi sfidojnë hierarkinë shtetërore dhe ligjet në fuqi, duke mëtuar paprekshmërinë e garantuar nga veprimtaria e tyre e errët prej militanti. Të kesh një bindje politike është krejt e natyrshme. Të jesh i sëmurë prej saj është e panatyrshme. Vetëm sa e cekëm rolin e militantit në shoqërinë tonë, me shpresën se një diskutim mbi këtë figurë madhore të shoqërisë sonë do të hapet. Militanti ka nevojë të edukohet me shpejtësi, të dijësohet, të qytetarizohet. Përndryshe, kjo kuçedër e pagdhendur do vijojë të rrënojë, siç ka rrënuar për 30 vjet.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Radar13 orë më herët

Klubi ‘Partizani’, të vërtetat e procesit politik

Nga Jamarbër Malltezi Më 9 Prill 2022 (Kongresi i PS) dhe 7 Maj 2022 (Asambleja e PS), Edi Rama kërkoi publikisht...

Mix14 orë më herët

Korja e bukës, vlerat befasuese për stomakun

Një herë e një kohë, një nga këshillat e përsëritura të gjysheve të zonave të veriut të Shqipërisë ishte që...

Radar14 orë më herët

“Gene Hackman ishte dëshmitari i parë në çështjen Epstein, kush donte që ai të heshtej” – Postimi i pazakontë i Barron Trump

Barron Trump, djali i presidentit amerikan Donald Trump, hedh dyshime mbi vdekjen e aktorit të njjohur të Hollivudit, Gene Hackman,...

Radar14 orë më herët

BlackRock do blejë portet e Kanalit të Panamasë pas presionit të Donald Trump

BlackRock ka rënë dakord të blejë dy porte të mëdha në Kanalin e Panamasë nga pronari i tyre me bazë...

Sport14 orë më herët

LeBron James, lojtari i parë që shënon 50 mijë pikë në NBA!

LeBron James u bë lojtari i parë në historinë e NBA që shënon 50 000 pikë, ndërsa ndihmoi Los Angeles...

Radar14 orë më herët

100 të hetuar në Greqi për abuzim me fondet europiane për bujqësinë

Zyra e Prokurorit Europian në Athinë ka hapur një hetim kundër 100 personve që dyshohet se kanë mashtruar me fondet e bujqësisë...

Aktualitet14 orë më herët

Miliarda të shpërdoruara/ Rezidencat “fantazma” të Rindërtimit

Shumë prej banesave të rindërtuara në Ndroq dhe Zall-Herr vazhdojnë të mbeten bosh. Hapësirat përreth tyre janë mbuluar nga bari,...

Mix17 orë më herët

5 truke për të bërë një gjumë të rregullt dhe të qetë

Një gjumë i mirë është themeli i shëndetit fizik dhe mendor. Shumë prej nesh e kanë të vështirë të flenë...

Mix17 orë më herët

Çfarë ndodh nëse nuk i shoqëroni ilaçet me ujë

Një nga këshillat më të zakonshme që japin ekspertët është që pirja e ilaçeve duhet të shoqërohet me një gotë...

Mix19 orë më herët

Pas fitores së Oscar, Zoe Saldaña kërkon falje për “Emilia Perez”

Zoe Saldaña e gjeti veten duke kërkuar falje për “Emilia Perez” – vetëm pak minuta pasi ajo fitoi Oscarin për...

Facebook