Lidhu me ne

Temporal

HIJET E SIGURIMIT TË SHTETIT 29 VJET MË PAS

Hijet e sigurimit të shtetit 29 vjet më pas

Nga Roland Qafoku

Vera e re në fuçinë e vjetër

Edhe 29 vjet nga vendosja e pluralizmit, Sigurimi i Shtetit vijon të ketë gjurmë të forta këmbe në shtetin shqiptar. Deklarata e kryetares së Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, se 30 zyrtarë të lartë figurojnë me dosje, është alarmuese dhe irrituese njëkohësisht. Por kur mëson po nga Sula, se mes tyre, 4 janë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë, kjo e bën situatën edhe më të rëndë. U desh të dilte mbi ujë rasti i Bujar Sheshit (pa debatuar nëse është apo jo i saktë) për të kuptuar se Sigurimi i Shtetit vazhdon t’i ketë të shtrira tentakulat edhe pse po bëhen 3 dekada nga mungesa e ekzistencës së tij. Ai vazhdon t’i bëjë hije shtetit shqiptar duke treguar se çfarë ka qenë në komunizëm dhe çfarë është në gjendje të bëjë edhe sot në demokraci arma me të cilën u mbajt diktatura.

Por çfarë ka ndodhur në këtë vend? Si ka mundësi që ende oficerët e Sigurimit, informatorët, agjentët, rezidentët dhe strehuesit si pjesë e tij e dikurshme, vijojnë të bëhen pjesë e shtetit të sotëm?

Si ka mundësi që kanë guximin të penetrojnë në nivele të larta të administratës dhe si ka mundësi të arrijnë të kandidojnë deri në institucionet e reja të drejtësisë? Si ka mundësi që edhe me ngritjen e komisionit të tretë në histori për pastrimin e figurave të shtetit shqiptar, sigurimsat janë përsëri prezentë? Kush i mbështet? Kush i mbron dhe kush u jep atyre kurajë të jenë pjesë e shtetit duke u bërë vendi i vetëm në Lindjen Komuniste që ende nuk është pastruar nga ajo kategori?

Mjaftojmë të themi se në 120 mijë dosje të hapura nga Sigurimi i Shtetit në 48 vjet, në 3 muaj e 11 ditë të ekzistencës së tij, rezultoi se 1 në 4 shqiptarë ka qenë me dosje. Këtu nuk llogariten vullnetarët dhe aktiviteti i partisë shtet të asaj kohe. Sigurimi i Shtetit u kthye në një plagë të shoqërisë që nuk hiqet as me komisione pastrimi e as me vendime dhe ligje. Spiunimi, ose më saktë bërja keq e tjetrit, u kthye në kulturë për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë duke zënë rrënjë të tilla që nuk e pastrojnë 3 dekada, por duhen deri shekuj.

Për të kuptuar më qartë këtë, po e ilustrojmë me kërkesën e një studenti ushtarak të vitit të parë në Shkollës së Lartë të Oficerëve në Tiranë të shkruar më 20 shkurt 1991, pikërisht në ditën që u rrëzua shtatorja e diktatorit Hoxha dhe sistemi komunist kishte rënë. Duke iu drejtuar komandantit të shkollës ai kërkonte zyrtarisht të bëhej pjesë e armës së Sigurimit të Shtetit. Fjalët në kërkesën e tij janë shumë domethënëse për të kuptuar shumë qartë çfarë kishte ndodhur me trurin e një pjese shqiptarësh përgjatë 46 viteve të diktaturën komuniste, por edhe se çfarë pritej të ndodhte në kalimin në një sistem të lirë:

“Prej kohësh më shqetëson një merak dhe mora guximin t’ua them vetë juve. Unë kam dëshirë të futem në armën e Sigurimit të Shtetit. Si çdo shqiptar i vërtetë edhe unë dua t’i shërbej atdheut në një front ku mund të jap maksimumin tim, të bëhem anëtar i heronjve të heshtur dhe këtë nuk e bëj as për karrierë e as për emër, por në radhë të parë si njeri i besës”.

REKORD: 1 NË 4 SHQIPTARË ME DOSJE SIGURIMI

Shqipëria është ndoshta rasti më unikal në Lindjen Komuniste. Edhe pse modeli i shtetit të asaj kohe ishte ruso-stalinist, përsëri vendi ynë e kaloi edhe vetë modelin. I themeluar më 10 dhjetor 1944, Sigurimi i Shtetit u cilësua inekzistent me vendim të Parlamentit më 2 korrik 1991. Në një popullsi të dalë nga Lufta e Dytë Botërore me 800 mijë banorë, Sigurimi i Shtetit arriti që në 48 vjet, 3 muaj e 11 ditë jetë, të hapte 120 mijë dosje, në të cilat të kishte agjentë, bashkëpunëtorë, rezidentë, strehues dhe të gjithë rrjetin e tyre informativ brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Me një llogari të bërë nga specialistë të ndryshëm, rezulton se 1 në 4 shqiptarë të asaj kohe të ketë patur lidhje me Sigurimin e Shtetit në një formë apo tjetër. Nga aktiviteti i tij rezulton të kenë vuajtur rreth 100 mijë shqiptarë që nisin nga më e rënda pushkatimi e burgosja e deri te përndjekja.

Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se vetë Sigurimi i Shtetit vrau dhe ekzekutoi pa asnjë vendim formal gjykate, 958 persona. Kjo është shifra më e lartë në botë e krimeve të kryera nga një shërbim sekret për numër të popullsisë në një periudhë të caktuar kohe. Ndërkohë viti më gjakatar i Sigurimit të Shtetit ishte 1945 kur numri i të arrestuarve si kundërshtarë politikë të Enver Hoxhës arriti në 5021 persona.

Dosja numër 1 e Sigurimit të Shtetit është hapur ndaj UNRRA, organizata amerikane humanitare që sillte ndihma në Shqipëri. Kjo e ka një kuptim kur mendon se SHBA u shpall si armiku numër 1 në botë i Shqipërisë së asaj kohe.

Ndërkohë dosja e parë personale që hapi Sigurimi i Shtetit ishte ndaj Ahmet Zogut, i cili ishte larguar nga Shqipëria më 7 prill 1939 dhe cilësohej armiku direkt i Hoxhës për t’i marrë pushtetin.

Gjatë ekzistencës së tij Sigurimi i Shtetit kishte 9 kryetarë. Ata ishin: Koçi Xoxe, Nesti Kerënxhi, Vaskë Koleci, Beqir Ndou, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Kadri Gojashi dhe Zylyftar Ramizi. Për të kuptuar cilësinë gjakatare të Sigurimit të Shtetit mjafton të themi se ai nuk kursente të bënte viktimë edhe vetë drejtuesit e tij për të zhdukur gjurmët. Rezulton se të gjithë kryetarët e Sigurimit të Shtetit kanë patur fund tragjik. Ata ose janë arrestuar ose ekzekutuar. Nga 9 prej tyre, 8 u akuzuan dhe u dënuan nga vetë Sigurimi dhe sistemi komunist. Vetëm kryetari i fundit, Zylyftar Ramizi u dënua me vdekje në 1993 dhe në 1997 përfitoi nga amnistia.

Kështu, Koçi Xoxe u pushkatua, Nesti Kerënxhi u arrestua si spiun i UDB-së jugosllave. Vaskë Koleci u arrestua për spiunazh. Beqir Ndou u arrestua, Kadri Hazbiu u arrestua, u cilësua armik dhe u pushkatua. Mihallaq Ziçishti u dënua me 25 vjet për tradhti. Feçor Shehu u ekzekutua po për tradhti. Kadri Gojashi u shkarkua për mungesë vigjilence dhe Zylyftar Ramizi u dënua me vdekje. Pra ishte ngritur një armë që funksiononte në të gjitha drejtimet e shtetit për të përligjur sistemin diktatorial. Ajo që ishte specifike lidhej me bashkëpunimin me popullin. Ishte kthyer në sistem që spiunimi dhe bërja keq ndaj dikujt të ishte normalitet. Kjo konfirmohet edhe nga një deklaratë e bërë nga Fatos Klosi, ish-kryetari Shërbimit Informativ Kombëtar i cili ka thënë:

“Vetëm 14 për qind e dosjeve që kanë qenë për ndjekje për agjitacion-propagandë apo tentativë për arratisje janë ndërmarrë si iniciativa nga Sigurimi i Shtetit. Pjesa tjetër ka qenë iniciativë e vetë popullsisë”.

Edhe më e rrezikshme se kjo është një aspekt tjetër i organizimit të kësaj arme. Sigurimi i Shtetit kishte dosje edhe për ata që i quante agjentë të konservuar që do të bëheshin aktivë kur të rrëzohej regjimi komunist. Kush ishin këta dhe a janë aktivizuar sot? Kjo mund të quhej pyetja më naive në botë, por kur mendon se në vitin 2019 rezulton se 30 sigurimsa janë ende në administratën e lartë të shtetit, pyetja nuk duket edhe aq naive.

GUXIMI I SIGURIMSAVE

Autoriteti Për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit është komisioni i tretë në historinë pas rrëzimit të komunizmit. I pari ishte ai i kryesuar nga Hajri Mezini në vitin 1995 dhe i dyti i kryesuar nga Nafiz Bezhani i ngritur më 18 gusht 1997. Partia Demokratike që ishte në pushtet në vitin 1995 ngriti me vendim në parlament, atë që u quajt Komisioni i Kontrollit të figurave duke ndërmarrë një nismë përshëndetëse për të larguar nga politika bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Por ky komision pothuajse u minua nga një nen i shtuar në ligjin për funksionimin e tij në të cilët largoheshin nga politika të gjitha ata që kishin mbajtur detyra shtetërore deri në 31 mars 1991. Kështu u hartua një listë me 35 politikanë të lartë të Partisë Socialistë që nuk u lejuan të garonin në zgjedhjet e 26 majit 1996. Ironia ishte se mes tyre ishin politikanët që qëndronin në kupolën drejtuese të opozitës si Kastriot Islami, Ylli Bufi, Dritëro Agolli, Gramos Ruçi, Leontiev Çuçi e të tjerë. Kjo u cilësua nga opozita si qëllim i pushtetit të presidentit Berisha për të eliminuar Partinë Socialiste. Ata nuk garuan, por ky ligj u abrogua me ardhjen e socialistëve në pushtet në vitin 1997 dhe ngritjen e një komisioni të ri nën drejtimin e avokatit të njohur Nafiz Bezhani. Ky komision ka bërë një punë të jashtëzakonshme profesionale dhe larg ndikimeve partiake.

Vetë Nafiz Bezhani në atë kohë pati deklaruar se ai dhe komisioni që drejtoi kanë kontrolluar 6 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit. Ndonëse shumë pak në raport me 120 mijë dosje të hapura nga Sigurimi, vlen të përmendet që për herë të parë largimet e sigurimsave u bënë pa ndikime partiake dhe vetëm mbi bazën e materialeve në dosje. Ky komision zbuloi dhe largoi një sërë zyrtarësh nga puna duke i vënë përballë dosjet që ata ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Bezhani detyroi të jepnin dorëheqjen deri drejtori i përgjithshëm të burgjeve, disa ambasadorë të rëndësishëm e deri te gazetarë të njohur të TVSH.

Unë kam patur rastin ta intervistoj disa herë Nafiz Bezhanin dhe portretizimi im për të është se ishte njeri i ndershëm, i përkushtuar dhe i pakompromistë në kryerjen e detyrës. Rezistencës dhe presioneve nga ana e bashkëpunëtorëve të shtetit ai ju përgjigjej me vendosmëri. Në një nga inkursionet e tij nëpër botë, në një rast Bezhani shkoi në zyrën një ambasadori shqiptar që punonte në një shtet të rëndësishëm të Evropës. I nxori përpara dosjen e bashkëpunimit me Sigurimit dhe i kërkoi dorëheqjen nga detyra. Ambasadori u irritua dhe e nxori nga zyra Bezhanin, por me qetësinë e tij, avokati i tha: Ti po më nxjerr nga zyra, por sapo të mbërrij në Rinas, këtë dosje do ta bëj publike. Avokati u largua me këtë ide dhe sapo mbërriti në Rinas hapi celularin për të njoftuar gazetarët. Por në inbox lexoi sms-në e ambasadorit: “Dhashë dorëheqjen”.

Vetëm në diplomaci Bezhani zbuloi 110 ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe kjo për kohën ishte e jashtëzakonshme. Publikimi atëherë i këtij lajmi solli që në asnjë rast tjetër të dyndeshin në dyer redaksie në vitin 2002 diplomatë, ambasadorë e deri te ministri. Por lajmi doli. Shqipëria kishte 110 sigurimsa më pak në diplomaci.

ZHDUKJA E DOSJEVE

Në vitin 2006 ish kryetari i SHIK Bashkim Gazidede deklaroi publikisht se kur kishte marrë detyrën rezultonte se ishin zhdukur 10 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit. Edhe pse kjo deklaratë është kontestuar duhet të marrim të mirëqenë që zhdukje ka patur. Këtë e ka konfirmuar edhe Nafiz Bezhani gjatë kohës që ushtronte detyrën e kryetarit të Komisionit të Pastrimit të Figurave shtetërore. Në një konferencë për shtyp ai tha se gjatë punës së tij kishte zbuluar zhdukje të materialeve dhe dosjeve. Ndërkohë ish-kryetari i SHIK Irakli Koçollari që ishte njëkohësisht kryetari i parë i shërbimit sekret pas rënies së komunizmit e ka hedhur poshtë këtë deklaratë duke thënë se asnjë dosje nuk është zhdukur, Sipas tij çdo kopje ekziston në arkiv. Në këtë debat që ka zgjatur po aq sa vitet e tranzicionit duket se e vërteta anon nga ajo që me dosjet është bërë çfarë u ka dashur qejfi pushtetarëve. Diku kanë zhdukur të gjithë dosjen, diku kanë hequr fletë dhe diku tjetër kanë bërë manipulime. Prandaj, Parlamenti duhet t’i kishte dhënë më shumë akses Autoritetit të Informimit të Dosjeve për të mësuar dhe verifikuar edhe këtë element që është shumë i rëndësishëm. Ndoshta ky debat do të vazhdojë dhe atyre që u intereson më shumë janë ata që dikur kanë qenë me dosje.

PËRDORIMI I DOSJEVE

Në periudhën 1991 deri në 1997 përdorimi i dosjeve u kthye në një mënyrë të zakonshme funksionimi. Nëse dikujt që dikur kishte dosje i jepej një post shtetëror, ai mbahej nën presion për t’ia bërë publike dhe përdorej sipas pushtetit të asaj kohe. Ndonëse kjo ka ardhur duke u zbehur për të thënë që nuk kemi të bëjmë me raste të tilla, pas rënies së komunizmit kjo u bë si një modë. Në media janë publikuar raste të personave që kanë mbajtur poste të larta shtetërore dhe kanë funksionuar nën ndikimin e të qenit me dosje. Megjithatë duhet thënë se nga të gjitha elementët e atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë, sot nuk ka më raste të tilla.

VEÇIMI I TË KËQINJVE?

Në emisionin që unë drejtoj, një avokat i drejtoi një pyetje vërtetë të vështirë Simon Mirakës, anëtarit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit: Nëse në një dosje të një bashkëpunëtori ka vetëm një denoncim sipas të cilit falë informacionit që ai i ka dhënë Sigurimi i Shtetit, qyteti ku banonte shpëtoi pa iu helmuar depoja e ujit, si do të duhet të trajtohej ky informator i Sigurimit? A duhet që ky të largohet nga administrata shtetërore ky person? Në këtë situatë vërtetë edhe njeriu më i drejtë në botë do të vendosej në siklet. Por kësaj pyetje na duhet t’i përgjigjemi me një pyetje: A është kjo një përpjekje për të justifikuar Sigurimin e Shtetit apo është një pyetje e drejtë për të ndarë të këqijtë nga të mirët? A kishte të mirë në radhët e Sigurimit të Shtetit? Nuk e dimë ende nëse ka patur raste të vetme të këtij lloji, por përpara se të shkojmë në pyetje të tilla, shoqëria shqiptare ka patur nevojë për pastrim rrënjësor nga mizoritë e Sigurimit dhe jo nga të “mirat” e tij. Shqipëria ende nuk e ka bërë këtë dhe derisa jemi në këtë pikë, pyetje të tilla janë pyetje luksi që i takojnë shekullit të 22-të. Brezi i atij shekulli mund t’i bëjë edhe këto lloj pyetjesh. /Albanian Free Press/

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix19 orë më herët

Këto janë 3 shenjat më “tradhtare” të Horoskopit

A duhet të mos u besoni? Në internet qarkullon një studim sipas të cilit këto janë shenjat “që mund të...

Radar19 orë më herët

Humbëm të gjithë nga pak në cirkun e klikimeve

Zallamahia që pushtoi hapësirën virtuale të shqiptarëve kudo ku jetojnë ka nisur të bjerë, dhe kur të jetë shuar përfundimisht,...

Mix19 orë më herët

Nëse hani shumë sheqer, më shumë do vuani nga depresioni!

Një studim i botuar në Journal of Translational Medicine zbulon se konsumi më i lartë i sheqerit lidhet me një...

Mix19 orë më herët

Ozempic vrau dietën dhe ushtrimet!

Burimi: The Atlantic Mjekët mbase nuk duan ta pranojnë, por përdorimi i Ozempic dhe barnave të tjera GLP-1 po i...

Mix19 orë më herët

Veçoritë e Sicilisë – pse ia vlen ta vizitojmë?

Për shumë vite, qytetet klasike të Italisë, Roma, Venecia, Firence dhe Milano kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, ndërsa...

Mix19 orë më herët

ChatGPT Search, motori i kërkimit OpenAI, tani është falas për të gjithë

Ne kemi folur gjatë për ChatGPT Search në këto faqe dhe se si ai është i destinuar të ndryshojë thellësisht...

Mix19 orë më herët

Publikohet lista e 100 kuzhinave më të mira në botë, ja ku renditet Shqipëria

Guida e njohur gastronomike “Taste Atlas” ka publikuar listën e saj vjetore të kuzhinave më të mira në botë. Kuzhina...

Radar20 orë më herët

Avokat Ngjela: Non grata e Berishës e pakthyeshme, kërkon të manipulojë militantët. Kot mban shpresa te Trump

Avokati Spartak Ngjela pohoi pasditen e sotme se vendimi për shpalljen non grata të kreut të PD-së Berisha është i...

Mix20 orë më herët

Shkenca e fshehur në pikturën ikonike të Van Gogh, “Nata me yje”

Dy dekada më parë, dy fizikanë po qëndronin në një muze në Madrid duke menduar për veprat e piktorit post-impresionist...

Mix20 orë më herët

Dalina Buzi me deklaratë të fortë për Kiarën, reagon ashpër Luizi!

Dalina Buzi e ka ngacmuar Luiz Ejllin dhe Kiara Titon me një deklaratë të fortë qe beri se fundi për...

Facebook