Zëri i Amerikës: 95 për qind e shqiptarëve duan veting në politikë
95 për qind e shqiptarëve kërkojnë veting në politikë. Zëri i Amerikës ka botuar një studim për vitin 2018 të Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë.
Studimi i kryer në 18 qytete të Shqipërisë, me të rinj dhe të rritur të moshës 20-45 vjeç ka nxjerrë këto rezultate kryesore:
Rreth 95 për qind e qytetarëve duan që politikanët dhe zyrtarët e lartë t’i nënshtrohen vetingut.
Më tepër se 80 për qind e qytetarëve mendojnë se qeveria nuk e luftoi korrupsionin gjatë vitit 2018. Ndërsa, mbi 30 për qind e qytetarëve mendojnë se qeveria e përdori luftën kundër korrupsionit “vetëm si propagandë”.
Më tepër se 60 për qind e qytetarëve duan të emigrojnë. 44 për qind thanë se kanë aplikuar për të emigruar, ndërsa 20 për qind të tjerë thanë se do të aplikojnë.
Gjendja ekonomike e 60 për qind të të rinjve gjatë vitit 2018 ishte më e keqe se një vit më parë dhe për 30 për qind nuk kishte ndryshuar.
Rreth 60 për qind e popullsisë nuk kurseu asgjë gjatë vitit 2018. Ata morën borxhe ose kredi për të përballuar nevojat bazike, si ushqimin dhe pagesat e domosdoshme.
Autorët e studimit të botuar nga Zëri i Amerikës thanë se, rezultatet dëshmojnë se qytetarët duan drejtësi, ndëshkim të politikanëve të korruptuar dhe të të gjithë atyre që arrijnë t’i shpëtojnë drejtësisë.
Studiuesit u shprehën se “ka një koalicion të gjerë të qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të bëhet një pastrim i politikës nga persona që kanë lidhje me krimin, korrupsionin, abuzimin me ligjin dhe fondet publike.”
Studimi nxjerr në pah edhe vështirësitë në rritje të popullsisë në moshën më aktive për të përmbushur nevojat bazike për mbijetesë. Prej disa vitesh, emigracioni mbetet e vetmja zgjidhje për pjesën më të madhe të shqiptarëve.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu